Sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Requiem” të Verdit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup

Teatri i Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut do të prezantojë veprën vokalo instrumentale “Requiem” të Verdit, vepër që do të prezantohet sonte në Shkup, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të ngjitet bashkë me solistët e tjerë:  Sanja Anastasia, Nikola Kitanovski e Igor Durlovski.

Solistët do të përcillen edhe nga kori dhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut, dhe krejt ky prezantim do të bëhet nën dirigjimin e Emil Tabakov dhe nën përkujdesjen e mjeshtrit koncertal Vladimir Kostov./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me ekspozitë në 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 120-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqipe, Ernest Koliqi, çeli një ekspozitë, e cila sjell në vëmendje të publikut të gjithë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar, studiues, publicist, përkthyes, kritik, botues e pedagog.

Rrugëtimi i një veprimtarie të gjatë që nga botimet e para: “Kushtrimi i Skanderbeut” (1924); botimi i tezës e tij doktorale mbrojtur në Universitetin e Padovës mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe botuar në vitin 1937 me titull “Epica popolare albanese”; “Poetët e mëdhej t’Italisë” (1936), për të vijuar më tej me vepra të rëndësishme, si: “Tregtar flamujsh”; “Hija e maleve”; “Symfonija e Shqipevet”; “Gjurmat e stinëve”; “Kangjellet e rilindjes”; “Pasqyrat e narçizit”; “Djepi arit”; “Shija e bukës së mbrueme”; “Hanë gjaku”; “Rrajët lëvizin” etj.

Një vend të rëndësishëm zë edhe veprimtaria e tij si përkthyes dhe përgatitës i antologjive letrare, që njëherazi kanë shërbyer edhe si tekste mësimore për shkollat shqipe.

Ernest Koliqi themeloi dhe drejtoi revista ku u botuan dhe u trajtuan letërsia e kultura shqiptare, si: “Illyria”, “Shkëndija”, “Shêjzat”, por gjatë veprimtarisë së tij ai bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Përpjekja shqiptare”, “Minerva”, “Besa” etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. / atsh / KultPlus.com

“Lonely Planet” artikull për Butrintin: Udhëtohet edhe nëpër kohë

Një nga kompanitë më të mëdha mediatike që merret me promovimin e dhe kontrollin e cilësisë së turizmit në të gjithë botën, “Lonely Planet”, ka bërë një artikull për qytetin antik të Butrintit, të cilin e ka titulluar “Në Butrint të Shqipërisë udhëtohet (edhe) nëpër kohë”.

Shkrimi jep një panoramë të gjerë të qytetit të lashtë, ku përshkruan kohën se kur daton, vendndodhjen gjeografike, por gjithashtu citon edhe mitologjinë klasike, konkretisht poetin e lashtë romak Virgjilin.

Në artikull shkruhet: “Nga këta shekuj të parë, ka ende gjurmë të dukshme në zonën arkeologjike. Një pyll i dendur dhe i qetë dhe, në mes të tij, pamje të arkitekturës antike. Këto janë gjurmët e kalimit të qytetërimeve të shumta, të cilat nga shekulli i VIII pr.e.s. e tutje, u alternuan në këtë segment të bregdetit në jug të Shqipërisë.

Në këtë shtrirje jugore të Shqipërisë, jo shumë larg kufirit me Greqinë, bregdeti krijon një hyrje të thellë që i ngjan një liqeni të brendshëm. Është liqeni i Butrintit në fakt dhe lidhet me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit.

Pikërisht përgjatë rrjedhës së këtij kanali të qetë ndodhet një gadishull i vogël, i gjelbëruar dhe i rrumbullakosur, i pushtuar tërësisht nga Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1992. Sipas mitologjisë klasike, megjithatë, të mërguarit që u larguan nga Troja pas rënies së saj do të kishin themeluar qytetin e njohur në kohët e lashta si Buthrotum dhe është gjithmonë poeti Virgjili ai që kujton se Enea vizitoi Butrintin gjatë udhëtimit të tij në Itali”.

Në artikull nuk mungojnë as të dhëna historike që janë shkruar pë qytetin antik të Butrintit, si periudha kur ai u pushtua nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, ku citohet: “Por historia e Butrintit nuk përfundon me Perandorinë Romake. Qyteti ishte një rezidencë peshkopale në shekullin e 5-të, më pas u mor nga venecianët, iu dorëzua Napoleonit, më në fund u pushtua nga Ali Pasha në fillim të shekullit të 19-të”.

Artikulli përfundon shkrimin me një rekomandim për të gjithë turistët, se kur mund të jetë koha e duhur për të vizituar këtë qytet antik, e ku nuk lë pa përmendur as bregdetin e Sarandës, si një destinacion që nuk duhet humbur: “Rreth njëzet kilometra larg Butrintit ndodhet qyteti i Sarandës, një destinacion kryesor për ata që ëndërrojnë një pushim plazhi mes plazheve të bardha dhe ujërave të kristalta.

Vlen të organizohet një vizitë në zonën arkeologjike të Butrintit në sezonin e ulët ose, nëse kjo nuk është e mundur, në kohë më pak të ngarkuara, si në mëngjes herët, për të shmangur turmat”./ rtsh / KultPlus.com

Gjuha shqipe, lëndë me zgjedhje në shkollat e mesme në Toronto

Bëhet e ditur se për herë të parë Bordi i Shkollave të Distriktit të Torontos (TDSB) në Kanada përfshin në programin arsimor të shkollave të mesme edhe gjuhën shqipe, si lëndë me kredite akademike, përcjell albinfo.ch.

Gjuha shqipe do të jetë pjesë e Programit të Kreditit Sekondar të Gjuhëve Ndërkombëtare të së Shtunës për vitin e ardhshëm shkollor.

Studentët do të kenë një mundësi fantastike për të mësuar/praktikuar gjuhën shqipe duke fituar kredite të shkollës së mesme.

Ka tri nivele të kurrikulës dhe pas përfundimit të nivelit të tretë dhe të fundit, studentët mund të marrin një lendë kredit me zgjedhje që kontribuon në pranimin në një universitet ose kolegj.

Regjistrimi do të hapet më 31 maj 2023 në orën 10:00. Regjistrimi është i hapur si për nxënësit e shkollave të mesme TDSB, ashtu edhe për ata që vijnë nga jashtë TDSB. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Kinder sitzen in der 1. und 2. Klasse von Lehrer Micha Kohler und Studentin Lisa Siegenthaler, am Montag, 15. August 2022, an der Primarschule in Lauperswil im Emmental. Wie in der ganzen Schweiz herrscht auch im Kanton Bern ein Mangel an Lehrpersonen. (KEYSTONE/Peter Schneider)

Shaqiri renditet në mesin e më të pasurve të rinj në Zvicër

100 zviceranët më të pasur që nuk janë as 40 vjeç. Dy nga më të pasurit janë martuar me njëri-tjetrin. Më i riu në listë është vetëm 16 vjeç.

Njerëzit më të pasur në Zvicër janë kryesisht meshkuj. Lista vjetore e më të pasurve në “Bilanz” e tregon këtë pa dyshim. Por: Ka edhe të rinj super të pasur! Përveç kësaj, “Bilanz” publikon një listë të veçantë të 100 më të pasurve nën 40 vjeç.

Renditja ndahet në tre kategori: trashëgimtarët, sipërmarrësit dhe yjet. Burrat dominojnë gjithashtu listën e të rinjve të më të pasurve.

Top 10 përfshin 3 gra dhe 7 burra

Dy në dhjetëshen e parë formojnë një çift të vërtetë fuqish: Lorenz Frey (32), me një pasuri të vlerësuar nga 1 deri në 1.5 miliardë franga dhe Michèle Frey-Hilti (36), me një vlerë prej 1 deri në 1,15 miliardë CHF. Ai është drejtor i Grupit Emil Frey dhe një nga tre trashëgimtarët e mbrojtësit ëalter Frey (80), tregtar veturash dhe presidenti i ZSC. Ajo është mbesa dhe trashëgimtare e themeluesit të Hilti, Martin Hilti († 82), është ulur në bordin e drejtorëve të kompanisë së veglave dhe kryeson Fondacionin e Familjes Hilti.

Edhe në aspekte të tjera, top 10 në renditjen e të rinjve nën 40 vjeç dominohen nga trashëgimtarët. Në kategoritë e tjera ka edhe emra që njihen nga sporti, biznesi apo kultura: përfshirë këngëtaren e estradës Beatrice Egli (34) me një pasuri prej 2 deri në 5 milionë.

Femrat e shquara në listë përfshijnë gjithashtu tenisten Belinda Bencic (26) me 5 deri në 10 milionë dhe themeluesja e Carvolution, Léa Miggiano (28) me gjithashtu midis 5 dhe 10 milionë.

Ka një numër të mrekullueshëm atletësh në kategorinë e yjeve – ata zakonisht fitojnë pasurinë e tyre në moshë të re. Lista përfshin futbollistin shqiptar Xherdan Shaqiri (31) me rreth 20 deri në 50 milionë franga. Portieri i Kombëtares Zvicerane, Yann Sommer, gjithashtu hyn në renditje për herë të parë me rreth 20 deri në 50 milionë franga. “Bilanz” vlerëson pasurinë e yllit të tenisit Stan Wawrinka (38) po aq të lartë.

Max-Hervé George (34), CEO i kompanisë së listuar të pasurive të patundshme luksoze Ultima Capital, dominon kategorinë e sipërmarrësve. Bilanci vlerëson pasurinë e tij nga 450 deri në 500 milionë. Krahasuar me shumë të tjerë, ai tashmë ka hyrë në listën e 300 zviceranëve më të pasur.

Në moshën 16-vjeçare, Richard Schäli është më i riu në listë. Gjyshi dhe babai i tij janë të dy sipërmarrës, të dy punojnë në sektorin financiar, babai i tij aktualisht është investitori kryesor i Partners Group. Richard Schäli filloi në moshën 13-vjeçare si këshilltar financiar i super të pasurve pranë familjes. “Bilanz” vlerëson pasurinë e tij midis 2 dhe 5 milionë.

Richard Schäli është aq i ri sa nuk e ka mbaruar ende shkollën. Së shpejti dëshiron të studiojë në një universitet elitar të SHBA-së, teksa tregon në bilanc: “Duhet të fokusohem sërish te shkolla që të mos humbasë ekuilibri”./Albinfo.ch / KultPlus.com

Përkujtohet Androniqi Zengo, gruaja e parë piktore në historinë e artit figurativ shqiptar

Më 26 maj 1913, u lind ikonografja, piktorja dhe mësuesja dardhare, Androniqi Zengo Antoniu. Ajo njihet si e para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar.

Mjeshtërinë do ta niste nën gjurmët e të atit, Vangjel Zengos dhe të motrës, duke restauruar pikturat murale të Shën Mërisë, të Shën Thanasit në Korçë, të Shën Kollit në Hoçisht etj.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ku spikati për rezultate të shkëlqyera dhe më pas vazhdoi studimet në “Ecole Des Belles Artes” në Paris.

Kthimi në atdhe e gjen Androniqin në Korçë në rolin e mësonjëses pranë shkollës femërore.

Në vitin 1937, në kuadrin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Zengo çel ekspozitën e parë të saj me piktura që i përkasin kohës si mësonjëse. Ndërsa një vit më vonë, ajo do të çelte një ekspozitë të dytë dhe vlerësimi për figurën e saj do t’i kalonte përmasat lokale, duke e shndërruar Zengon si model frymëzimi për femrën atëkohë.

Piktore e cilësuar që në hapat e saj të parë si “impresioniste”, me mbi 500 vepra në vaj, një pjesë e të cilave ndodhen në Galerinë e Arteve në Tiranë. Si ikonografe ka punuar në zbukurimin e tetë kishave në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera të Shqipërisë.

Më tutje, emri i saj do të përmendej në galeritë apo në panairet me të suksesshme të kohës. Në vitin 1940, Zengo do të nderohej në Bari të Italisë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Pjesë e ekspozitës ishin edhe zëra unikë të pikturës shqiptare, sikurse Vangjush Mio dhe Zef Kolombi.

Artistja do të vlerësohej gjatë periudhës së komunizmit brenda edhe jashtë vendit për punën e saj krijuese. Në pikturat e saj mbizotrojnë portretet, peisazhi, dashuria për kostumet dhe vendlindja e saj Dardha.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një autoportret të Zengos, si edhe kopertina e një libri që i është dhuruar./ atsh / KultPlus.com

Elvi Sidheri boton romanin e ri “Hemisferat e Serenës”

Sot, në ditën e tij të lindjes, shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, ka botuar romanin e tij më të ri, të titulluar “Hemisferat e Serenës”, një libër për të cilin i janë dashur rreth tre vite punë letrare dhe plot hulumtime historike në terren, për ta shkruar mirëfilli, gjersa do të jetësohej botimi i tij sot.

“Hemisferat e Serenës”, është një roman ku ngërthehen kohë, kultura, personazhe dhe pikërisht hemisfera të ndryshme, në thelbin e karaktereve të dy personazheve kryesore femërore të këtij tregimi përmes një vazhde historike ngjarjesh, rrëfimesh, përvojash e dëshmish, ku mishërohen Tirana e kapërcyellit të viteve 1930-1940 të shekullit të shkuar, mes fillesave të pushtimit fashist dhe ngjizjes së mugët të diktaturës moniste (përmes sakrificës së pashembullt të një gruaje shqiptare, që flijon gjithçka, për hir të lirisë së saj dhe mospranimit të regjimit), duke vijuar nëpër Italinë e viteve të pasluftës, ku mërgata shqiptare gjeti shpëtimin nga diktatura, gjer në Kosovën dhe veçanërisht Mitrovicën e bumit kulturor, ekonomik e shoqëror të viteve 1970, ku do të krijohet një puqje krejt e pagjasë dhe oaz lirie shqiptaro-shqiptare.

Breznia e dytë e këtij rrëfimi letrar, që shenjon thelbësisht përvijimet letrare të këtij romani, do të përçohet në gjurmët e eksodit biblik të shqiptarëve drejt Italisë në fillimin e viteve 90, derisa hemisferat që ngërthehen në thelbin e këtij libri, do të prekin dimensionin e tyre të mëtejshëm, duke u rrënjosur në Brazilin e larmisë së kulturave, ngjyrimeve dhe trashëgimisë së mahnitshme etnologjike e njerëzore.

Elvi Sidheri është shprehur se: Për herë të parë në këtë roman, jam grishur të mundësoj edhe një “Cross over” letrar, dhe kushdo që ka lexuar romanin tim të mëparshëm “Spanjës me Dashuri”, do të gjejë pikëtakime cytëse midis këtyre dy krijimeve të mia gjithashtu.

Romanin “Hemisferat e Serenës”, do ta gjeni në Panairin e Prishtinës nga data 6 qershor deri më 11 qershor, në stendën e Botimeve Jeta.

Krejt në fund, Sidheri ka falënderuar edhe Lena Graphics për botimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. / KultPlus.com

Austriakja Hermi Kürner me ekspozitën “Austria dhe Shqipëria” në KultPlus Caffe Gallery

Hermi Kürner është një artiste austriake e cila si pasionante e udhëtimeve ka sjell në pah edhe pikturat nga vende të ndryshme, e që këtë herë vijnë nëpërmjet një ekspozite me punime artistike nga pamjet e Austrisë dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.

24 punime me teknikën e akuariel do të prezantohen në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që do të hapet më 28 maj, në ora 19:00.

Vlora, Kruja, Ura e Mesit në Shkodër, Tirana, Shën Gjini dhe piktura nga vende të ndryshme austriake do të prezantohen në këtë ekspozitë, e cila do të sjell ngjyrat e artistes Kürner.

KultPlus Caffe Gallery po e sjell për herë të parë në Kosovë artisten Hermi Kürner, punimet e së cilës do të qëndrojnë për tri javë.

Kürner është pasionante e madhe e udhëtimeve, ajo edhe në Kosovë vjen me mercedesin e saj old timer nga viti 1974, e cila me makinat e saj ka përshkuar pothuajse shumicën e bregdeteve Slloveni, Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri, pa përfshirë udhëtimet e saj në Evropë./ KultPlus.com

Natë magjike në Tiranë, Nikos Vertis koncert madhështor në “Air Albania Stadium”

“Magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Rama ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti që mbajti mbrëmjen e djeshme këngëtari Nikos Vertis, në kuadër të Javës Kulturore të Greqisë.

Kjo ishte hera e parë që Vertis këndonte në Tiranë, ku siç u pa edhe nga pjesëmarrja dhe jehona që pati, këngëtari ka një numër të madh adhuruesish.

Vertis ka kënduar live, i shoqëruar edhe nga kori i spektatorëve të shumtë në “Air Albania Stadium”.

Koncerti i realizuar mbrëmë në Tiranë, renditet ndër shumë të tjerë të programuar në turneun e tij të titulluar “20 vjet ritëm dhe pasion”.

Në kuadër të këtij turneu Vertis ka qenë edhe në Sofie, Jerevan, Beograd si dhe në shumë qytete të Greqisë.

Ylli i muzikës greke gjatë vizitës së tij në Tiranë, u takua edhe me kryebashkiakun Veliaj, ku së bashku zbuluan edhe origjinën e tij arvanitase.

Ky koncert mund të konsiderohet pikë kulmore e Javës Kulturore Greke në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Me një koleksion të veçantë, hapet ekspozita “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovë të viteve 90”

”Java e Bibliotekës” po vazhdon të mbahet nëpër bibliotekat e vendit dhe ditën e djeshme shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme në Bibliotekën e Prishtinës, ”Hivzi Sulejmani”, shkruan KultPlus.

Ekspozita që mban titullin “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovë të viteve 90” kishte hapur dyert e bibliotekës për dashamirët e artit të cilët patën mundësinë të shohin nga afër tekste e libreza shkollore, dokumentacion pedagogjik si dhe gazeta e revista të ndryshme. Njëkohësisht, të paraqitura ishin dhe fotografi të shumta të shtëpi-shkollave, profesorëve dhe studentëve, që janë dëshmia e rezistencës në fushën e arsimit gjatë viteve të errëta, në Kosovë.

Hapjen e ekspozitës e bëri Bukurije Haliti nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i pranishëm ishte edhe Robert Montoya nga Universiteti i Kalifornisë në SHBA.

”Ky është një koleksion i veçantë. Librat janë të veçantë sepse janë të vjetër. Këto janë gjëra shumë të lehta për t’u parë, për t’u gjetur dhe për t’u mbrojtur. Por ajo çka është më e brishtë janë historitë që ne krijojmë”, tha profesori amerikan, Montoya i cili u shpreh se materialet e prezantuara tregojnë histori të mrekullueshme.

Ndërsa, Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani, u shpreh për KultPlus se kjo ekspozitë paraqet kushtet dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar mësimi në vitet 90.

”Kjo që po e shihni këtu është një pjesë e vogël e materialeve që ekzistojnë, kryesisht privatësisht. Kjo ka të bëj me shkollën, me ditarët, më dëftesat, me diplomat, me librezat. Kjo pastaj është shoqëruar me botime librash për shkollat fillore, për ato të mesme dhe për universitete. Kanë ndihmuar dhe gazetat e revistat, që mund t’i shihni këtu”, u shpreh drejtori Hyseni i cili tutje tha se për këtë ekspozitë ka qenë një organizim i madh. Ka përfshirë afër 400 mijë nxënës e disa mijë studentë. Këta nxënës e studentë kanë pasur prindërit që kanë sakrifikuar për ta.

Ish-Drejtori i Kulturës, Mustafë Halili foli gjithashtu për KultPlus rreth kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një ngjarje të rrallë.

”Këto janë evenimente. Kur them evenimente, mendoj ngjarje të rralla por janë aq të rëndësishme sa është e vështirë të peshohen. Kur pashë këtë ekspozitë u befasova për të mirë sepse rrallë po organizohen këso eventesh edhe pse ngjarjet e tilla si kjo kanë një peshë të veçantë nga ngjarjet e tjera sepse këtu ekspozohet dija, mendja shqiptare e të gjitha kohërave, kohërave të vështira e në liri, prandaj kjo ekspozitë do të ketë efektin e vet, shumë të madh”, u shpreh Halili duke shpresuar që kjo ekspozitë të ketë sa më shumë vizitorë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 2 qershor dhe ka dyert e hapura për vizitorët. / KultPlus.com

/

Diart Salihu boton librin “Kur vetmia bëhet ngushëllim”, një pasqyrë mbi perspektivën e rinisë në Kosovë

Diart Salihu është nxënës në shkollën e mjekësisë “Rezonanca”, i cili duke qenë vetë një i ri dhe duke parë sfidat me të cilat përballen të rinjtë, ka vendosur që të shkruaj një libër si pasqyrë që flet mbi perspektivën e rinisë në Kosovë. Libri u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe mblodhi rreth vetës miq e dashamir të librit, shkruan KultPlus.

“Kur vetmia bëhet ngushëllim” titullohet libri i cili lidhet me perspektivat e një të riu mbi çështje që i preokupojnë aktualisht, siç janë: Cilësia e dobët e sistemit arsimor, çka ka qenë Kosova, çka është dhe çka do të bëhet, feminizmi-barazi apo seksizëm, gjithashtu në libër Diarti ka përfshirë edhe disa poezi.

“Isha jashtëzakonisht i nderuar që të promovoja librin tim të parë, “Kur vetmia bëhet ngushëllim”. Të gjithë kanë synimet e tyre, mirëpo ne duhet të punojmë që të konsiderojmë veten liderë në fushën në të cilën e konsiderojmë veten pjesë të saj. Ne nuk duhet të presim mundësi që të na ofrohen, sepse ne duhet t’i krijojmë ato dhe jo të varemi nga dikush tjetër.

Gjithashtu, konsistenca është çelësi i çdo arritjeje të çdo individit. Qëndrueshmëria përballë bullizmit, fyerjeve dhe sharjeve duhet të kthehet në punë, vullnet dhe rezultate të shkëlqyera”, shprehet Diarti i cili tutje thotë se është shumë e rëndësishme që të gjithë të rinjët të jenë optimistë dhe të mos heqin dorë nga qëllimet e tyre. Kosova i përket rinisë dhe vetëm ne mund të bëjmë revolucione, sepse bota është e jona.

“Një rini produktive krijon edhe një brez të ri produktiv, dhe këtë produktivitet e fitojmë vetëm me vetëdijesim kolektiv. Si ish-aktivist për çështje që ndërlidhen me rininë, besoj që sot në shkolla nuk krijohet kultura e punës, nuk ka hapësirë shumë për të zhvilluar mendimin kritik dhe nevojitet angazhim shtesë që të avokojmë për çështjet që dëmtojnë interesin tonë”, shprehet Diarti i cili krejt për fund falënderon edhe redaktorin e librit Prend Buzhala dhe gjithë ata që e mbështetën në këtë udhëtim. / KultPlus.com

Ikona e modës italiane shkëlqen në Festivalin e Kanës e veshur nga disenjatorja Artinë Ahmeti

Festivali i Kanës është një nga ngjarjet më prestigjioze të botës së filmit, ku personalitete të shquara nga fusha e artit dhe showbiz-it takohen për të shkëlqyer nën dritat e tapetit të kuq, shkruan KultPlus.

Ajo çka më së shumti merr vëmendje në këtë festival, padyshim është dukja e yjeve. E kur flasim për dukjen, në këtë mbrëmje është parë edhe një kreacion i disenjatores shqiptare, Artinë Ahmeti e cila është përkujdesur për veshjen e ikonës së modës, Anastasia Dymchenko, njëherit top modelja italiane e vitit 2018.

Krijimin e një veshje për tapetin e kuq në Festivalin e Kanës, disenjatorja shqiptare e mori si sfidë për t’u shfaqur në një skenë kaq të madhe dhe për të treguar potencialin e saj artistik. Bashkëpunimi me Anastasia Dymchenko, një nga top modelet më të njohura të Italisë dhe ikonë e modës solli si rezultat një veshje të punuar me delikatesë dhe elegancë që nuk kaloi pa marr vëmendjen e merituar.

Artinë Ahmeti është një prej disenjatorëve më të talentuara të industrisë së modës në Kosovë. Me një vizion të veçantë dhe aftësinë për të kapur frymën e kohës, ajo ka arritur të tërheqë vëmendje edhe në skenën ndërkombëtare të modës dhe paraqitja e saj në Cannes është vetëm një sukses i radhës për të.

Në festivalin e Cannes ëdhe këtë vit parakaluan emra të njohur botëror si: Dua Lipa, Bebe Rexha, Di Caprio, Gigi Hadid, Irina Shayk e shumë të tjerë. / KultPlus.com

“Kala Festival”, mbi 3000 vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

Bregdeti i Dhërmiut do të presë nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë do të shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, i cili është kthyer në traditë vitet e fundit.

“Në Dhërmi po bëhet gati të fillojë një tjetër festë ndërkombëtare si Kala Festival, që sjell mbi 3000 vizitorë nga Britania dhe shumë të tjerë nga gjithë Evropa për të festuar në bregdetin tonë prej 31 majit deri më 6 qershor”, tha Kumbaro.

“Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare. / atsh / KultPlus.com

FBI zbulon komplotin e viteve 1980 për të vrarë Mbretëreshën Elizabeth II

Mbretëresha Elizabeth II u përball me një kërcënim të mundshëm vrasjeje gjatë një vizite në vitin 1983 në Shtetet e Bashkuara. BBC raporton se kjo është zbuluar nga dokumentet e sapo publikuara të FBI-së.

Byroja Federale e Hetimeve ka lëshuar një skedar me dosje në lidhje me udhëtimet e mbretëreshës së ndjerë në SHBA, pas vdekjes së saj vitin e kaluar. Ato tregojnë sesi FBI-ja, e cila ndihmoi në sigurimin e sigurisë së monarkes gjatë vizitave të saj, shqetësohej për kërcënimet e IRA-s.

Kërcënimi për vrasje iu bë një oficeri policie në San Francisko. Sipas dosjes, një oficer që frekuentonte një pijetore irlandeze në San Francisko, paralajmëroi agjentët federalë për një telefonatë nga një burrë që kishte takuar në atë vend.

Oficeri tha se burri i tha atij se po kërkonte hakmarrje për vajzën e tij, e cila “ishte vrarë në Irlandën e Veriut nga një plumb gome”. Kërcënimi erdhi më 4 shkurt 1983, rreth një muaj përpara vizitës së Mbretëreshës Elizabeth II dhe bashkëshortit të saj Princ Philip në Kaliforni.

“Ai do të përpiqej të dëmtonte mbretëreshën Elizabeth dhe do ta bënte këtë ose duke lëshuar ndonjë objekt nga Ura Golden Gate mbi Royal Yacht Britannia, ose do të përpiqej të vriste Mbretëreshën Elizabeth kur ajo vizitoi Parkun Kombëtar Yosemite”, thotë dokumenti.

Në përgjigje të kërcënimit, Shërbimi Sekret kishte planifikuar të “mbyllte vendkalimet në urën Golden Gate ndërsa jahti afrohej”. Është e paqartë se çfarë masash u morën në Yosemite, por vizita vazhdoi dhe nuk u publikuan detaje të arrestimeve nga FBI.

Dokumenti i fshehtë prej 102 faqesh u ngarkua në Vault, faqja e informacionit e FBI-së, të hënën, pas një kërkese të Ligjit për Lirinë e Informacionit të paraqitur nga mediat amerikane.

Shumë nga vizitat shtetërore të Mbretëreshës së ndjerë në SHBA, duke përfshirë vizitën e vitit 1983 në Bregun Perëndimor, erdhën gjatë tensioneve të rritura mes trazirave në Irlandën e Veriut. / KultPlus.com

Rama: Ritëm i lartë punimesh për armatimin e plotë të tunelit të Llogorasë

Në tunelin e Llogorasë vijojnë punimet dhe deri më tani janë janë betonuar përreth 2 kilometra.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga kantieri i Tunelit të Llogorasë i cili parashikohet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.

Rama thekson se pas hapjes plotësisht në 6 kilometrat e tij, po punohet me ritëm të lartë për armatimin e plotë deri në përfundimin e kësaj vepre strategjike.

Zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi dy ditë më parë punimet në këtë tunel që sipas saj, plotëson të gjitha parametrat e sigurisë rrugore sipas kritereve të Bashkimit Europian, duke e konsideruar si xhevahirin e kurorës së infrastrukturës së Shqipërisë.

Edhe punimet në tunelin e emergjencës kanë ecur me ritme të mira dhe deri tani janë hapur rreth 5 mijë metra dhe mbeten për t’u hapur edhe 400 m.

Aktualisht po punohet për betonimin dhe hidroizolimin në të dy krahët e tunelit, në atë të Palasës dhe në atë të Dhërmiut.

Tuneli ka 11 dalje emergjence dhe 6 vendpushime. Tuneli i emergjencës prej 5450 metra është pothuajse i hapur.

Balluku ka theksuar se me përfundimin e tunelit do të jenë të ndërlidhura të gjitha veprat infrastrukturore të jugut të Shqipërisë.

“Bajpasi i Vlorës do të ndërlidhet me rrugën e aeroportit të Vlorës, më pas me segmentin Orikum-Dukat. Ky segment lidhet me tunelin e Llogorasë, dhe në dalje, në Palasë, lidhet me segmentin Palasë-Dhërmi”, është shprehur ministrja. / atsh / KultPlus.com

EBU: ‘Eurovision Song Contest 2023’ u ndoq nga 162 milionë teleshikues

Të paktën 162 milionë teleshikues shikuan ”Eurovision Song Contest” (ESC) në tre shfaqje të drejtpërdrejta në mes të majit, deklaroi Trasmetuesi i Bashkimit Evropian(EBU) me seli në Gjenevë.

EBU e bazoi vlerësimin e saj në të dhënat nga 38 transmetues publikë. Shifra përfundimtare ishte 1 milion më shumë se vitin e kaluar.

Gjatë finales së 13 majit në Liverpool, mesatarisht 9.9 milionë njerëz e ndoqën atë vetëm në vendin pritës Britaninë, më shumë se kurrë më parë dhe një rritje prej 22 për qind krahasuar me shifrën britanike të vitit të kaluar.

Po ashtu rreth 8 milionë shikues e ndoqën atë në Gjermani dhe një mesatare mbresëlënëse 2.3 milionë për tre shfaqjet në Suedi, popullsia e së cilës është rreth 10 milionë.

Shifrat përfshijnë audiencën për finalen dhe dy gjysmëfinale, të gjitha të luajtura në Liverpool Arena, me BBC që zëvendësoi transmetuesin publik kombëtar të Ukrainës UA:PBC.

“Platformat dixhitale në internet të Eurovision Song Contest kanë parë angazhim rekord”, theksoi EBU.

“Në total, videot në 4 kanalet sociale (TikTok, Twitter, Instagram dhe Facebook) u shikuan gati 540 milionë herë gjatë javëve të ngjarjes, gati dyfishi i numrit në vitin 2022,” shtoi EBU./KultPlus.com

‘Festival Vetrine’ në Tiranë, bashkëpunim me teatrot e Italisë dhe Malit të Zi

Në kuadër të projektit “Teatrot për zhvillimin e turizmit në Evropë” (TOURNEE PLUS), Bashkia e Tiranës organizoi në datat 23, 24 dhe 25 maj aktivitetin “Festival Vetrine” në Tiranë.

Projekti (TOURNEE PLUS) financohet nga programi “Interreg IPA” për Italinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ky aktivitet synon zhvillimin e një shkëmbimi konkret dhe domethënës ndërmjet partnerëve dhe palëve të interesuara, krijimin e sinergjive të mundshme me sektorë të tjerë ekonomikë, si dhe gjetjen e zgjidhjeve efektive të tregut për të vazhduar ruajtjen e niveleve të larta të cilësisë së produkteve kulturore.

Në kuadër të “Festival Vetrine” u organizuan takime me drejtues të qendrave teatrore, duke verifikuar mundësinë e shkëmbimit të shfaqjeve të prodhuara si dhe mundësinë e krijimit të prodhimeve të reja të përbashkëta për tregje të ndryshme kombëtare.

Projekti “TOURNEE PLUS” përfshiu po ashtu rrjetin e parë të Teatrove Bashkiakë Shqiptarë, të përbërë nga 9 teatro publike me detyrën e promovimit të bashkëprodhimeve dhe shkëmbimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky është një rast i rëndësishëm për të mbështetur prodhimet teatrore e muzikore, duke identifikuar objektivat e përbashkëta të rritjes.

Projekti “TOURNEE PLUS” synon të krijojë bashkëpunime të reja midis profesionistëve dhe institucioneve në zonën ndërkufitare, në funksion të rritjes së flukseve turistike në Itali, Shqipëri dhe Malin e Zi.

Në Shqipëri nuk ka nisma të ngjashme, por prania në rritje e grupeve teatrore private dhe disponueshmëria gjithnjë e më pak e fondeve publike për sektorin e argëtimit, po i shtyn operatorët të gjejnë zgjidhje efektive në treg për të vazhduar ruajtjen e niveleve të prodhimit.

Prandaj kjo nismë shihet nga partnerët nga i gjithë Adriatiku si një mundësi e rëndësishme për të mbështetur prodhimin teatror dhe muzikor.

Projekti synon bashkëpunim konkret ndërmjet teatrove, organeve publike lokale dhe operatorëve të shumtë ekonomikë të lidhur me sektorin e turizmit, duke i mbështetur ata në krijimin e përbashkët të shërbimeve dhe mundësive të reja për të lejuar qytetarët dhe turistët të shijoni më mirë produktet kulturore./KultPlus.com

Kori i famshëm ‘Siparantum’ merr ftesë për garën më të madhe botërore, bën thirrje për mbështetje

Kori ‘Siparantum’ do të marrë pjesë në konkursin më të madh të muzikës korale në botë ‘World Choir Games’ që do të zhvillohet në Korenë Jugore në korrik të vitit 2023, përcjell KultPlus.

Por, për të arritur këtë ëndërr, kori ‘Siparantum’ ka kërkuar donacione në mënyrë që pjesëtarët e tij të mund të marrin pjesë në këtë garë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të korit ‘Siparantum’:

Të dashur miq,

Me kënaqësi ju njoftojmë se Kori Siparantum do të marrë pjesë në konkursin më të madh të muzikës korale në botë, World Choir Games, që do të zhvillohet në Korenë Jugore në korrik të vitit 2023. Ne do të përfaqësojmë vendin tonë, Kosovën, për herë të dytë në këtë garë, me synimin që të vazhdojmë suksesin e arritur më herët. Në vitin 2021, Kori Siparantum triumfoi në Lojërat Botërore të Korit në Belgjikë, duke fituar kategorinë e “Muzikës Contemporanea” dhe marrë vendin e parë dhe diplomën e artë. Kjo na bëri shumë krenarë dhe ju falënderojmë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!

Pas një vonesë prej një viti, Lojërat Botërore të Korit do të kthehen në Korenë Jugore në vitin 2023, me Gangneung-un zgjedhur si qytetin pritës.

Ne jemi në përpjekje të palodhshme për të përsëritur suksesin e mëparshëm dhe dëshirojmë më shumë se kurrë të prezantojmë kulturën dhe vendin tonë në nivelin më të lartë të mundshëm. Kori Siparantum ka treguar një performancë të jashtëzakonshme në këtë drejtim.

Për të realizuar këtë ëndërr, ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj. Donacionet tuaja janë thelbësore për të bërë këtë ëndërr realitet.

Beneficiary: SIPARANTUM CHOIR
Bank name: NLB BANK
Bank account: XK05 1706 0016 0008 8587
Bank code: NLPRXKPR
IBAN: XK05 1706 0016 0008 8587
Swift Code:NLPRXKPR

Bashkohuni me ne në fuqizimin e këtyre artistëve të talentuar duke dhuruar sot. Mund të na kontaktoni në info@siparantumchoir.com për të marrë pjesë në këtë përpjekje.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mirënjohjen tuaj të madhe.

Me respekt,
Kori Siparantum Siparantum./KultPlus.com

Krahni

Poezi nga Stefan Çapaliku

Krahni

Nuk e di pse
na kanë mbetë
shumë pak sende
të nanës.

E pra ajo nuk ka ma shumë
se dhjetë vjet që ka ikë.

U largue ashtu,
e veshun thjeshtë, lehtë,
me kostumin e saj, gri.

Dikush duhet t’i kish ruejtë sendet e saj.
Unë ma s’pari.

Ç’ishte ky moskujdes?!

E tash kanë mbetë krejt pak:

Një bluzë sa me i marrë aromë,
disa çikërrima
dhe një krahën i vogël.

Nuk di pse,
po sa herë që due
të bahem burrë,
krehem me të
vetëm për t’i ndie
gishtat e saj
në krye…

Tiranë, 25 maj 2023./KultPlus.com

Bon Jovi: Âsht jeta jem’

Përktheu Ridvan Bunjaku

(It’s my life) nga Jon Bon Jovi

Kjo s’âsht kangë për zemër-thymt’
As lutje e qetë për besim-humbunit
S’do t’jâm veç ftyrë n’turmë
Ki me ma ni zânin kur t’bërtas fort

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’

[Strofa 2]

Kjo âsht për ata që u majtën
Për Tomin e Gjinën që kurrë s’u tërhoqën
E nesërmja po bâhet ma e v’shtirë, mos u huto
As fati s’ka nafakë, duhësh m’i grahë vetë

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’

[Ura]

Ma mirë t’bjen me kânë krenar kur t’sfidojnë
Mos u përkul, mos u the, zemër, mos u tërhiq

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’
Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’. / KultPlus.com

Shpallet konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz

Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, MKRS ka shpallur konkursin për hartimin e Master Planit.

“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar në Facebook ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Konkursi është hapur sot dhe afati i fundit për dorëzim është 07.07.2023,

Klikoni KËTU për informata më të hollësishme rreth kritereve të aplikimit./KultPlus.com

Pas 96 vitesh, burri kthen librin e gjyshit në bibliotekë

Një burrë nga Kalifornia, ktheu një libër në bibliotekë pas 96 vjetësh i vonuar, të cilin e kishte ruajtur gjyshi i gruas së tij të ndjerë.

Jim Perry nga Napa tha se ai po kalonte nëpër kuti librash që i përkisnin gruas së tij, Sandra Learned Perry, kur hasi në një kopje të “A History of the United States” të Benson Lossing nga Biblioteka Publike e Shën Helenës.

Perry beson se libri u kontrollua nga John McCormick, gjyshi i Sandra Learned Perry, i cili do të kishte qenë 55 vjeç e mori nga biblioteka në 1927.

“Mendova se do të ishte kënaqësi ta ktheja atë dhe stafi do ta merrte si një surprizë“, përfundoi ai./abcnews.al/ KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

‘Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX’ ribotohet me studimet e reja shkencore

Akademia e Studimeve Albanologjike bën të ditur se doli nga shtypi “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” e ribotuar.

Ky edicion paraqitet me një dizajn tërësisht të ri dhe me lidhje të fortë.

Kolana me katër vëllime është nga veprat më të rëndësishme që ka nxjerrë vitet e fundit Akademia e Studimeve Albanologjike dhe konkretisht Instituti i Historisë.

Sipas Akademisë, ky vëllim është kurorëzim i një pune gati 10-vjeçare dhe reflekton rezultatet e studimeve të reja shkencore që janë kryer tri dekadat e fundit.

Aty pasqyrohen pikëpamjet alternative që ekzistojnë lidhur me shumë çështje historike të debatueshme. Synim kryesor ka qenë hulumtimi më në thellësi i arkivave shqiptare e të huaja për çështje të veçanta, për rishqyrtimin e shumë tezave historiografike ose thellimin e argumentimin e mëtejshëm të tyre.

Kjo kolanë sjell disa teza dhe pikëpamje historiografike konkurruese në raport me botimet e mëparshme, të cilat pasqyrojnë një përpjekje të autorëve për një rikonceptim shkencor të historisë së kësaj periudhe./ KultPlus.com