Kineasti i famshëm rus Juri Arabov, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.
Regjisori i filmit “Gjirokastra”, Juri Arabov, ishte një personalitet botëror në fushën e kinematografisë, i nderuar me çmime ndërkombëtare si skenarist dhe ushtronte detyrën e shefit të katedrës së skenarit në Akademinë e Arteve të Moskës.
Ngjarjet e filmit artistik shqiptaro-rus, xhiruar në Gjirokastër në dhjetor 2019, mbështetur mbi motivet e veprës së Kadaresë, lidhen me fatin e trishtë dhe kalvarin dramatik që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse, pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961.
Ai është nderuar nga Bashkia e Gjirokastrës me çelësin e qytetit, në një ceremoni të veçantë që u mbajt në shtëpinë Kadare.
Filmi i parë i xhiruar në Gjirokastër është filmi “Skënderbeu”, bashkëprodhim ruso-shqiptar në muajin mars të vitit 1953 kur aktorët rusë, me në krye aktorin e njohur Akaki Horava u pritën dhe u përshëndetën nga banorët e qytetit./ KultPlus.com
Dritat shumëngjyrëshe në prag të festave të Fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e Fierit si rallëherë më parë.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell kolazh fotosh dhe imazhe fantastike nga atmosfera magjike e festave që po shoqëron qytetin e Fierit, në këtë javë të fundit të dhjetorit 2023.
Bashkia e Fierit ka zbukuruar qytetin me pemët e Vitit të Ri, simbol i kësaj feste në qendër të qytetit, por jo vetëm, ndërsa lumi i Gjanicës që përshkon bulevardin e qytetit është ndriçuar me ngjyrat festive.
Në mbrëmje rreth pemës së Vitit të Ri mblidhen me dhjetëra fëmijë të shoqëruar me prindër, për të bërë fotot të cilat i ruajnë si kujtim në prag të këtyre festave.
Nuk mungojnë dhe shtëpizat e vogla prej druri të “veshura” me zbukurimet tradicionale që shoqërojnë mirëseardhjen e Vitit të Ri 2024, të cilat i shtojnë larmi spektaklit të ngjyrave.
Dhjetori është muaji i festave dhe të gjitha qytetet e vendit janë përfshirë nga atmosfera e gëzueshme e këtyre ditëve.Atmosfera e festave të Fundvitit, foto: Arbi Fortuzi. / atsh / KultPlus.com
Destinacionet popullore zakonisht kanë një dobësi të madhe, ato janë shumë të shtrenjta, edhe jashtë pikut të sezonit, shkruan Giuli Graziano në të përditshmen britanike “The Sun”.
Sidoqoftë, mos u shqetësoni, pasi për vitin 2024 ju sugjerojmë destinacione të cilat janë të këndshme, por shumë më pak të kushtueshme.
Hulumtimet dëshmuan një kërkesë në rritje për pushime në destinacionet më pak të njohura.
Në vitin 2023, pati një rritje të dukshme të rezervimeve në vendet si Malta (+29%), Bullgaria (+33%), Mali i Zi (+67%) dhe Shqipëria (+95%).
Agjencia e udhëtimeve ka ndarë rekomandimet e saj kryesore për destinacionet e vitit 2024 bazuar në përballueshmërinë, kohët më të shkurtra të fluturimeve dhe krahasimin e kulturës dhe bukurisë natyrore.
Shkëmbeni Qipron me Shqipërinë
Shumë nga plazhet e Shqipërisë shpesh përshkruhen si më të qeta se ato në Evropë, por po aq të bukura.
Riviera Shqiptare është krahasuar me bregdetin e Qipros, por më e përballueshme.
Shqipëria ofron mundësi të shumta për lloje të ndryshme pushimesh, nga destinacionet mes vendasve miqësorë deri te pikat e nxehta të festave.
Ksamili është i mrekullueshëm për këdo që kërkon të festojë në Mesdhe, pasi kostot e akomodimit, ushqimit dhe jetës së natës janë më të ulëta se kudo tjetër në bregdet, veçanërisht gjatë verës së ngarkuar.
Dhërmiu në Shqipëri është krahasuar me Ayia Napën në Qipro, pasi të dyja janë destinacione të njohura për adhuruesit e muzikës dhe festivaleve.
Disa vendpushime në plazhet shqiptare mund të aksesohen duke marrë linjën ajrore në Korfuz dhe më pas duke marrë një varkë 30-minutëshe për në Sarandë.
Pushimet për pesë netë në Shqipëri përfshirë fluturimet ofrohen duke nisur nga 302 paund./atsh / KultPlus.com
Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.
Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:
“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.
Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.
Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.
Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përuruar Teatrin dhe Kinemanë e Hapur. Në oborrin e ridimensionuar të godinës së institucionit, me pjesëmarrjen e akademikëve dhe të dhjetëra studentëve, u ngrit sipari i hapësirës më të re kulturore që i shtohet kryeqytetit.
Në ceremoninë inauguruese ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, përfaqësuesja e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Shpresa Mekaj, zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Andi Pinari, historianet Eva Tafili Hyskaj dhe Esmeralda Kolaneci.
Drejtoresha e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit vlerësoi nismën e DPA-së dhe bashkëpunimin e vijueshëm ndërinstitucional.
“Falenderoj DPA për këtë ide të mrekullueshme. Mes nesh ka një bashkëpunim të frytshëm. Kemi materiale sot, pamje shumë të bukura nga historia e Shqipërisë”, u shpreh drejtuesja e AQSHF-së.
Më tej, mbajti një fjalë rasti Mekaj, e cila e cilësoi Teatrin dhe Kinemanë e Hapur një ambient madhështor.
“Kam kënaqësinë që në emër të Arkivave të Kosovës, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj për hapjen e këtij ambienti madhështor. Jam kurioze të di se çfarë ka tjetër në plan Arditi, sepse i realizoi të gjitha. Ta gëzoni”, tha Mekaj.
Ndërsa, Pinari çmoi lehtësimin e qasjes në dokumente, në sajë të procesit të digjitalizimit dhe çeljes së Këndeve Arkivore.
“Për ne Arkivi është vëllai ynë binjak sepse me të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Transformimi juaj është i jashtëzakonshëm. Vërtet jeni lodhur shumë, por për ne në Fakultet çdo gjë është bërë më e lehtë. Mund të punojmë online. Gjëja e parë që bëj çdo mëngjes është të shoh faqen tuaj në ‘Facebook’ dhe në ‘Instagram’ me informacione të reja. Neve në Fakultet, Arkivi na frymëzon”, tha Pinari.
“Janë ditët e fundit të vitit dhe gjithsecili bën bilancet. Po të bësh një bilanc të Arkivit, duket se ka arritje të jashtëzakonshme. Surpiza e radhës është ky amfiteatër/kinema, që është në radhë të parë dhuratë për studentë e Departamentit të Historisë. Besoj se do jenë studentët tanë, ata që do e frekuentojnë më shumë këtë amfiteatër/kinema”, tha studiuesja Hyskaj.
“Ky amfiteatër do të shfrytëzohet jo vetëm nga studentë, studiues, por edhe nga qytetarë gjatë ditëve të verës, për ta njohur historinë përmes vizualizimit”, përfundoi Kolaneci.
Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike nga AQSHF-ja. Mes këtyre dokumentarëve të shkurtër, u transmetuan fragmente nga filmi i parë shqiptar, “Rrethimi i Shkodres nga trupat malazeze” (1913), “Shqipëria 1914” (1914), “Pamje nga Shqipëria e viteve 1920-1928”, “Pamje nga jeta e Durrësit” (1914) dhe “Ardhja e Princ Vidit” (1914).
Teatri dhe Kinemaja e Hapur zotëron një kapacitet prej 140 vendesh dhe synon t’i adresohet të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Ky projekt vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, për përsosjen e veprimtarisë së saj në drejtim të ruajtjes dhe të promovimit të pasurisë kombëtare historike dhe kulturore.
Në vitin 2021, falë një investimi të qeverisë shqiptare, DPA-ja i dha fund një problemi më shumë se 30-vjeçar me prezantimin e Vendruajtjes së re të Dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) në Shkozë, ku dokumentacioni konservohet në kushte optimale, në një hapësirë prej 1850 metrash katrorë, me dy kate dhe 8 depo. Ndërsa, në vitin 2022, DPA-ja ndryshoi krejtësisht faqe, duke i dhënë trajtë një projekti që e shndërron Arkivin në një kompleks të mirëfilltë kulturor. Teatri dhe Kinemaja e Hapur është një gur kilometrik i këtij projekti, që parasheh edhe çeljen e Muzeut Arkivor dhe të një ambienti studimi në natyrë./tvklan/KultPlus.com
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është veshur tashmë prej javësh me ngjyrat e festës. Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në këtë qytet për të “fiksuar” atmosferën e veçantë të festave që ia shton hijeshinë qytetit hijerëndë tashmë destinacion për shumë pushues si vendas ashtu edhe të huaj.
Qafa e Pazarit është epiqendra e festës, ku skena e improvizuar mirëpret çdo natë këngëtarë dhe grupe muzikore nga të gjitha anët e vendit, duke ofruar argëtim në këtë sezon festiv.
Në rrugicat karakteristike me kalldrëm të qytetit plot histori të Gjirokastrës janë të shumta siluetat e të rinjve të cilët i afrohen qendrës festive për të kaluar orët e mbrëmjes.
Por ngjyrave të festës nuk i mungojnë grupmoshat e tjera, fëmijë, prindër dhe gjyshërit e gjyshet, teksa të shumtë janë turistët e huaj nga e gjithë bota që kanë zgjedhur pikërisht qytetin e Gjirokastrës për të kaluar netët festive.
Kjo zgjedhje ka vlerë të shtuar kulinarinë tradicionale të zonës, aromën e festës dhe copëza të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Atmosfera e Fundvitit në Gjirokastër, foto: Arbri Fortuzi./KultPlus.com
Kam një pyetje për barin: Është mirë të lindësh në ditën e gabuar Apo të mos lindësh fare një natë? Kam edhe një pyetje për ujin: Më mirë të jetosh duke u përshëndetur Apo në mëshirë të fatit duke të përshëndetur? Së fundmi, kam edhe një pyetje për njeriun: A mund vërtetë t’ia dalësh me sukses Në një moskuptim pa mëshirën e fatit? Por nuk e di pse dita pikëniset në një natë tjetër./KultPlus.com
Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.
Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.
Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.
“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”
Ekspozita më e madhe deri më tani e punës së fotografit gjerman, Juergen Teller po zhvillohet aktualisht në “Grand Palais Éphémère” në Paris, duke shfaqur rreth 800 vepra.
Teller njihet ndërkombëtarisht për portretet e tij të sinqerta të të famshmëve, editorialet provokuese të modës dhe fushatat e veçanta për stilistë të ndryshëm.
Gjithashtu ekspozita përfshin foto familjare, autoportrete nudo dhe video.
Imazhet e famshme të Charlotte Rampling duke pozuar e zhveshur në Luvër së bashku me modelen Raquel Zimmerman dhe vetë Teller mbi një gomar shfaqen gjithashtu.
Portrete të tjera janë të stilistit të ndjerë të modës Yves Saint, aktorit nga Berlini Lars Eidinger dhe muzikantit amerikan Iggy Pop.
Shfaqja përfshin portrete shumë personale, ku shfaqet Teller, 59 vjeç, me të brendshme, si fëmijë dhe me bashkëshorten Dovile Drizyte në Itali. Ato shfaqen me rroba pune në ngjyrë neoni në kantier dhe me poza erotike.
Salla prej 10 mijë metrash katrorë është shndërruar në shfaqjen “Juergen Teller. Më duhet të jetoj” që do të zgjasë deri më 9 janar. Më pas ekspozita do të zhvendoset në Milano./KultPlus.com
Teleskopi Hubble ofron disa nga imazhet më të mira që na vijnë nga hapësira. Siç e shohim në foton e fundit të shpërndarë nga NASA, duket se yjet në galaktikën xhuxh me emrin e koduar UGC 8091 janë gjithashtu në një atmosferë festive me shumë shkëlqim dhe nuanca të kuqe.
Galaktika është një koleksion prej rreth 1 miliard yjesh. Kjo tingëllon si shumë, por është 1/100 e popullsisë yjore brenda Rrugës së Qumështit tonë plotësisht të rritur.
Universi i hershëm ishte i mbushur me galaktika xhuxh që përfundimisht u bashkuan për të krijuar galaktikat spirale madhështore që na rrethojnë sot. Në një distancë prej 7 milionë vitesh dritë, UGC 8091 kohët e fundit ka filluar të shfaqë një mozaik të ndritshëm./KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot firmëtarin, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.
Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.
Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.
U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.
Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.
Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.
Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.
Vdiq në Niagara të ShBA-së më 1958. / atsh / KultPlus.com
Kulla Eiffel ishte e ndërtuar për Barcelonën, mirëpo qytetit iu duk shumë e shëmtuar, prandaj e refuzuan idenë e Gustave Eiffel, dhe ai u detyrua të zhvendoste projektin e tij në tjetër vend.
Fatmirësisht, ai gjeti një shtëpi për idenë e vetë, në Paris. Atje, kulla do të përdorej si pikë ekspozimi për harkëtarinë internacionale në 1889.
Por fatkeqësisht, edhe në Paris qytetarët nuk reaguan mirë. Ajo u kritikua shumë dhe u poshtërua, dhe një prej komenteve më të egra ishte që e quajtën “Asparagus metali”.
Kjo kullë nuk kishte plan që të qëndronte për shumë gjatë. Në fakt, ajo u ofrua të shitej për hekur, mirëpo e kursyen sepse doli të jetë e dobishme për ushtrinë franceze.
Ata e përdorën si kullë komunikimi. Kjo strukturë metali, filloj pas viteve 50 të bëhet paksa atraksion turistik, dhe në vitin 2002, ajo arriti numrin e 200 milionë vizitorëve.
Kjo e bëri monumentin më të vizituar në botë, që është krijuar nga një njeri. KultPlus.com
Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur. -Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi. Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara. Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen… – Zoti e di se ku jemi! – Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa… Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë. Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës. Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam. Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen. – Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh. Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin. Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar. Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja… Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha. Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija. Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë. Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza? Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja: – Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi… Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë. Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin. Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës. Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë. Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin. – Spie! Spie! – (It.: Spiunë! Spiunë!) – A morte le spie che hanno causato miliaia di morti. – (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur). – Traditori! Spie di un cane! – (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!) Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit… Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër. Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor. Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin. – Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve! U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar? – Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë. Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart: – Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët. Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:
Avanti, popolo, alla riscossa bandiera rossa triomfera…
Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë… Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur. Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com
Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili vdiq në vitin 1987, la pas vetës një trashëgimi të madhe të veprave të tij.
Ai ishte mjaft i veçantë në krijimet e tij dhe jo vetëm. Edhe në letrat që ua shkruante më të dashurve të tij i shkruante me mjaft përkushtim shkruan kultplus. Kësisoj sjellim një letër ku Lasgush Poradeci ia kishte shkruar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974.
Sjellim një pjesë nga kjo letër e shkruar nga Lasgush Poradeci:
“… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”, kishte shkruar Poradeci. /KultPlus.com/
Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.
Qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash (dokumenti më poshtë) për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.
Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. / KultPlus.com
Vallja devollite shpallet “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri me dije përmes rrjeteve sociale se, pas shqyrtimit të propozimit të Shoqatës atdhetare kulturore “Devolli” dhe Bashkisë së Devollit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale vendosi që kjo valle burrash që interpretohet në zonën e Devollit dhe Korçës, që ngre peshë zemrat e shqiptarëve sa herë që kulmon nëpër festa e gëzime, të hyjë listën e kryevlerave kombëtare.
Gjatë ditëve festive të dhjetorit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shpalli pasuri kombëtare edhe “Fyejt e Gramshit” ndërsa më herët, veshja e gruas mirditase u shpall “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”./KultPlus.com
Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën.
Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com
Në këtë kohë të festave të fundvitit, kur jemi tërhequr nga magjia e sezonit festiv, një listë e filmave mund të jetë përgjigja e duhur për të kaluar festat me argëtim.
Derisa në këto kohë ku moti jashtë është i ftohtë, të shikuarit një film në ambient shtëpie pranë njerëzve më të dashur është terapia më e mirë për një fundvit të mrekullueshëm.
Nëse jeni në kërkim të aventurës, ndjenjave romantike, ose thjesht humorit, këtu gjeni një listë që ua ofron disa tituj të filmave më të preferuar për shikim gjatë festave të fundvitit./21Media/KultPlus.com
Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit.
Fillimisht artistët e TKOBAP janë ndalur në Shkodër dhe në Kukës, ku çuan këngë e valle tradicionale, me orkestrën, solistët, grupin e valleve, dhe grupin koral të Ansamblit Popullor, nën kujdesin e Brikena Jaupajt dhe Alban Tahirit. Dy shfaqjet e para janë ndjekur nga një numër i madh spektatorësh dhe janë pëlqyer prej tyre. Në Shkodër skena u ngrit në sheshin përpara bashkisë, duke lejuar një numër më të madh njerëzish për të ndjekur spektaklin, nën dritat e shumta që shoqërojnë këtë atmosferë festash. Ndërsa në Kukës, koncerti u zhvillua në mjedis të mbyllur.
Udhëtimi nëpër Shqipëri do të vijojë deri më 30 dhjetor. Sonte Ansambli Popullor do të japë shfaqje në Durrës, ndërsa në datat në vazhdim do të interpretojnë në Fier, Vlorë dhe Korçë./atsh/KultPlus.com
Timothy Chalamet ka thënë që ka dëgjuar një bollëk këngësh të papublikuara të Bob Dylanit.
Ai po përgatitet që ta luajë rolin e ikonës së folkut amerikan në filmin biografik, Krejtësisht i panjohur.
Menaxheri i kamotshëm i Dylanit, Jeff Rosen, i ka dhënë qasje Chalametit në një listë këngësh që bashkë i bëjnë 12 orë, e të cilat Dylani i kishte incizuar midis viteve 1959-1964.
“Kjo mund t’i inatosë shumë fansa të Bobit, dhe me të drejtë, por ai [Roseni] ma ka dërguar një listë këngësh të gjatë 12 orë të Bobit nga vitet 1959-1964”, ka thënë Chalameti për Happy Sad Confused në një intervistë të fundit.
“Po ndihem sikur jam duke mbajtur flori a diçka të tillë”. / KultPlus.com
Shoqata e intelektualëve “Jakova” ka përkujtuar në pesëvjetorin e vdekjes presidentin e 41-të të ShBA-së, George Herbert Walker Bush.
Nga kjo shoqatë shquhet një porosi që Bush kishte dërguar në drejtim të Serbisë 31 vjet më parë lidhur me Kosovën.
“Mbetet i paharruar ‘Kërcënimi i Krishtlindjeve” i para 31 viteve që presidenti Bush ia kishte dërguar Millosheviqit për Kosovën më 25 dhjetor 1992, akt ky që shënon kthesën e madhe të politikës së jashtme amerikane në mbështetje të kërkesave legjitime të shqiptarëve në Kosovë!”, thuhet në postimin e shoqatës “Jakova”.
“Atëbotë presidenti Bush ia kishte tërhequr vërejtjen presidentit të Serbisë se çfarëdo ndërhyrje e Serbisë me dhunë a luftë në Kosovë, do të përballej me përgjigje ushtarake amerikane. Vija e tij e kuqe ishte shpëtim për një vend e popull të tërë dhe duhet të kujtohet gjithherë me pietet”.
“Ngushëllime popullit shqiptar për vdekjen e mikut të madh!”/KlanKosova/KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poetin, shkrimtarin dhe përkthyesin Petro Marko (25 nëntor 1913 – 27 dhjetor 1991).
Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.
Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.
Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren.
Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991. / atsh / KultPlus.com
Një mbrëmje poetike nën titullin “Hir Krishtlindjeje” mblodhi artdashësit, ditën e djeshme në Muzeun Historik Kombëtar. Aktoret e mirënjohura Yllka Mujo e Luiza Xhuvani interpretuan vargje nga Nënë Tereza, Ilirjan Zhupa e Zhak Prever.
“Aktoret tona të çmuara Yllka Mujo e Luiza Xhuvani e përfshinë publikun në një atmosferë të ngrohtë dhe intime nën hirin e Krishtlindjes”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim online. Atmosfera plotësohej nga ikonat e ekspozuara në MHK, ku artistet recituan të shoqëruara nga Ave Maria e interpretuar prej mexo-sopranos Vikena Kamenica.
Koncerti “Hir Krishtlindjeje”, u zhvillua në pavijonin e ikonave, pranë Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com