Banda muzikore britanike, koncert në Berat për ditëlindjen e mbretit Karl

Me rastin e ditëlindjes së mbretit Karl, banda muzikore nga Mbretëria e Bashkuar vizitoi Beratin.

Me instrumentet tradicionalë ata luajtën dy pjesë në nder të Mbretit në lagjen Mangalem.

Bandës britanike iu bashkua dhe banda e qytetit ku së bashku luajtën pjesë të ndryshme duke përfshirë dhe ato tradicionale të Beratit.

Atmosfera e krijuar u shijua nga banorët dhe turistët e shumtë.

Aktiviteti i sotëm u bë i mundur falë mbështetjes nga Ambasada Britanike./ KultPlus.com

Rrëfimi i artistit Nestor Jonuzi: Censura ka qenë e tmerrshme, por s’ka penguar artistët që të bëjnë art 

Nestor Jonuzi vlerësohet nga kritika si një nga krijuesit e asaj që quhet “Shkolla e Vlorës” në pikturën shqiptare, e shquar për gamën e madhe të nuancave të ngjyrave  dhe ndërthurjen e tyre me hijeshi dhe guxim.

Përballë “Mes dy botëve” nga Helidon Haliti në RTSH, Jonuzi ka rrëfyer se si ishte të bëje art në diktaturë.

“Unë kam mendimet e mia për atë periudhë me gjithë kufizimet që dihen apo lufta e klasave që ka qenë një tmerr i vërtetë. Arti është dimension tjetër. Censura ka qenë vërtetë e tmerrshme, duhej të ishe i kontrolluar, por nuk ka penguar artistët e vërtetë që të bëjnë art në atë kohë. Liria e brendshme është tjetër gjë dhe liria e jashtme është tjetër gjë. Edhe zakonet tradicionale të këqija censurë janë.  Mos u sill kështu se është turp, çfarë thonë lagjja dhe kjo censurë është. Opinioni, është censurë. Opinioni është i tmerrshëm. Do të varrosësh veten, shko pas opinionit.  Atëherë kishte një gjë, atë që thoshte partia, nëse s’doje probleme, do ta bëje. Problemi ishte që ta bëje me art, të vije aq sa duhej dhe aty ku duhej. Ngjyrat nuk t’i diktonte njeri. Kur bëra tablonë gëzimi i fitores, Kështjella. Më thanë e ke bërë kështjellën pak të zezë. Por unë nuk luajta. Bëra ca ndërhyrje pa e prishur frymën. Ajo fryma, ai kontrast i fortë e ruante atë”, shprehet Nestor Jonuzi  që mban dhe titullin Artist i Popullit.

I vështirë për piktorin ka qenë dhe ’97, ku i duhej të bënte art në një qytet që ishte qendra e trazirave aso kohe.

“E ka thënë Konica shumë bukur që shqiptarët po t’ua thuash një vërejtje tek për tek, dhe kur i mbetet qejfi nuk merr hak, por po t’ia thuash në shesh merr hak. Jetojnë falë opinionit që është shumë e rrezikshme, por kështu është ndërtuar bota. Shumica merret me opinion.  Viti ‘97 mos u bëftë kurrë. Për mua ishte luftë civile totalisht. Unë e urrej politikën, nuk më vete mendja fare. Unë jam komplet me Lasgushin. Do bëj atë që kam qejf unë që të bëj”, thotë Jonuzi.

Çdo ditë, Nestorin e gjen në studion e tij, mes penelave dhe bojërave, përballë telajos, ku mund të shohësh një galeri të tërë me piktura qe të befasojnë.

Janë me dhjetëra peizazhet, portretet dhe akuarelet që të mikpresin.

Mësimet e para për pikturë, Nestori i mori nga mësuesi pasionant i vizatim të qytetit, Vasil Talo.

Mandej studioi në Liceun Artistik, “Jordan Misja”. Nga viti 1962-67 studioi për pikturë në Liceun Artistik dhe në Shkollën e Lartë të Arteve në Tiranë, me pedagogë piktorët e shquar Sali Shijaku, Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhmedin Zajmi, Vilson Kilicën. / KultPlus.com

Nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli”, portretizojnë skenën e pikturës “Peshkatarët”

Nxënësit e talentuar të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, në Durrës kanë portretizuar skenën e pikturës “Peshkatarët” të piktorit Abdullah Cangonji, që përfaqëson dhe një pjesë të qytetit të tyre.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e cila ndau dhe portretin bëri të ditur se këto portretizime po kryhen në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

“Në Vitin e Gjuhës Shqipe dhe në kuadër të 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, nxënësit e shkollave të mesme i japin jetë veprave ikonë të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë figura kulturore dhe personalitete të rëndësishme të historisë sonë, si dhe momente kyçe të së shkuarës, duke rikthyer në vëmendje ngjarjet dhe figurat që kanë ndikuar në historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar”, deklaroi ministrja.

Portreti u realizua nga nxënësit Kleo Muho, Omar Nelaj, Adrian Plakalli, Erlind Hoxha, Ermal Sinamati, Redon Koçi. Fotografia u realizua nga nxënësi Arlen Kuriçi./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës ka një njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Komuna e Prishtinës njofton se për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, rruga “Nekibe Kelmendi” do të mbyllet përkohësisht.

Në njoftimin për media thuhet se rruga do të mbyllet nga e hëna (24 qershor), deri më 24 gusht.

“Për arsye të realizimit të kontratës “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi, faza III”, rruga “Nekibe Kelmendi” do të mbyllet përkohësisht: Të hënën, më datë 24.06.2024, deri më 24.08.2024”, njofton Komuna.

Tutje thuhet se qytetarët mund të përdorin rrugët alternative. / KultPlus.com

Kurti: Kemi ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në mbi 700 mijë objekte të skanuara në më pak se një muaj në Qendrën e parë të Digjitalizimit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kanë ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Mbi 700 mijë objekte të skanuara në më pak se një muaj në Qendrën e parë të Digjitalizimit në vend dhe më të sofistikuarën në rajon për një arkiv digjital më të pasur të Bibliotekës sonë Kombëtare. Përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Për publiken që ecën në hap me kohën”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Ura e Kaçarellos, monumenti i kulturës për t’u vizituar në Dropull

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau online një album fotografik të një prej monumenteve të kulturës që ndodhet në zonën e thellë të Pogonit, pranë fshatit Hllomo në Bashkinë Dropull. Bëhet fjalë për  Urën e Kaçarellos, Monument Kulture, Kategoria I, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.

Në Pogon rruga nga Sopiku në Hllomo kalon mbi lumin e Kaçarellos mbi të cilin ngrihet ura e Kaçarellos. Kjo urë është e ndërtuar me dy harqe me qemer rrethor. Harku kryesor i djathti, ka hapësirë drite 16 metra, mbi të cilin ura lartësohet. Qemeri i harkut kryesor është i dyfishtë 1,05 m.

Nga të dy ballët ky qemer ka nga tetë ganxha që lidhin gurët fqinjë për të mos lejuar shkëputjen tërthore. Harku i majtë është po rrethor me qemer të dyfishtë (0,90 m) dhe me hapësirë drite 8m.

Këmba ndërmjet dy harqeve në pjesën e poshtme nga të dy anët është trajtuar me majë, për çarjen e rrjedhës së ujit. Në pjesën e sipërme të këmbës, nga të dy anët, janë hapur dy kamare për mbishkrime por në to nuk ruhet gjë. Këmba është e punuar me pllaka shtufi me trashësi të vogël, me fuga thuajse të rregullta.

Gjatësia e urës gjatë kalldrëmit arrin 36 metra. Kalldrëmi me gjerësi 2,9 m është punuar me pllaka shtufi të vendosura këlliç të ndërprera cdo 80 cm, me shkallëzime tërthore. Kalldrëmi është i siguruar anash me parapet tipik të kohës së Ali Pashë Tepelenës, kollona guri 0,80 m të larta të ngulura cdo 0,50 m në murin e qemerit të urës e me hapësirën midis tyre të mbushur. / KultPlus.com

Erich Maria Remarque, një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit 20

Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970,Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .

Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.

Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.


Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.

Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com

75 vjetori i lindjes së Meryl Streep, ikonë e kinematografisë

Aktorja e famshme Meryl Streep, e cila tashmë konsiderohet një ikonë në kinematografinë amerikane, sot feston 75 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Një fakt shumë interesant dhe që vlen të ceket rreth kësaj aktoreje, është se Streep ka qenë e nominuar mbi 20-të herë për Oscar, duke e bërë atë që të thyej një rekord ndër aktorë.

Streep bëri debutimin e saj të skenës në Trelawny of the Wells në vitin 1975. Në vitin 1976 ajo mori një nominim të çmimit Tony për aktoren më të mirë në 27 Wagons Full of Cotton. Në 1977, ajo bëri debutimin e saj të ekranit në filmin televiziv The Season Deadliest, dhe gjithashtu bëri debutimin e saj të filmit në Julia.

Në vitin 1978, ajo fitoi një Çmimin Emmy për rolin e saj në holokaustin mini-seri dhe mori nominimin e saj të parë të Akademisë për Deer Hunter. Streep vazhdoi të fitonte Aktoren më të mirë mbështetëse për Kramer vs Kramer (1979) dhe Aktorja më e mirë për zgjedhjen e Sophie (1982) dhe The Iron Lady(2011).

Sot KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Streep:

Liria e vërtetë është të kuptojmë se jemi NE që zgjedhim, se kujt i lejojmë të ketë fuqi mbi ne.

Momenti kur nis të vrasësh mendjen se çfarë mendojnë të tjerët, është momenti kur pushon së qëni vetja.

Dhuntia e madhe e qenieve njerëzore është se ne kemi fuqinë e dhembshurisë.

Këshilla ime: mos harxhoni kohë duke vrarë mendjen për lëkurën apo peshën tuaj.

Formula e lumturisë dhe suksesit është që thjesht të jesh vetvetja: në mënyrën më të gjallërishme që mundesh.

I shohim figurat publike si përbindësha apo si perëndi. Por e vërteta është se të gjithë rrëzohen.

Ajo që të bën të ndryshme apo të çuditshme, ajo është forca jote.

Besoj se të gjithë kanë tre jetë: një jetë publike, një jetë private dhe një jetë sekrete.

Duhet të përqafosh plakjen. Jeta është e çmuar dhe kur ke humbur shumë njerëz, e kupton se çdo ditë është një dhuratë.

Të gjithë bëjmë gabimin që mendojmë se, pamja e jashtme na bën të denjë për t’u dashur.

Nuk ka pse të jesh e famshme. Mjafton të bësh që nëna dhe babai të jenë krenarë për ty. / KultPlus.com

Dan Brown, autori i romanit ‘Kodi i Da Vinçit’ sot feston ditëlindjen e 60-të

Dan Brown është një nga shkrimtarët më të shitur në ditët tona dhe proza e tij vjen si produkt i gërshetimit të fantazisë, ngjarjeve historike dhe misterit, shkruan KultPlus.

Dan Brown lindi më 22 qershor 1964 në New Hampshire. Është autorë i disa librave të suksesshëm, midis të cilëve renditen Kodi i Da Vinçit dhe Engjëj dhe Djaj. Para se të merrej me shkrimin e librave ai ishte mësues i gjuhës angleze.

Dan Browni jeton dhe shkruan në Massachusetts në SHBA. Ai dhe bashkëshortja e tij (Blythe) janë njohës të mirë të historisë dhe kulturës evropiane. Librat e tij karakterizohen nga tema e zbulimit të aventurave misterike, të bazuara jo gjithmonë në ngjarje dhe personazhe të vërtetë.

Brown është ndër autorët më të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, njëherësh edhe i preferuar nga mijëra lexues. /KultPlus.com

Vdes në moshën 101 vjeçare nëna e Peles, nuk e mësoi kurrë vdekjen e tij

E ëma e futbollistit të ndjerë Pele, Celeste Arantes, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.

Arantes nuk e mësoi kurrë ndarjen nga jeta të djalit të saj, legjendës së futbollit brazilian dhe botëror, në vitin 2022.

Arantes i kaloi pesë vitet e fundit në një gjendje vegjetative, çka bëri që familjarët mos t’ia komunikonin kurrë ndarjen nga jeta të Peles në vitin 2022.

Lajmi u bë publik nga Fondacioni Pelé përmes një postimi në rrjete sociale.

“Ndjenjat e sotme janë të përziera. Ne vajtojmë thellësisht largimin e ‘Celestinha”, siç e quajti me dashuri djali i saj. Në të njëjtën kohë, ne jemi përjetësisht mirënjohës për ekzistencën e saj. Dona Celeste është nëna mbretëreshë dhe do të mbahet mend përgjithmonë me dashuri në zemrat dhe kujtimet tona.”, tha fondacioni. Santos, klubi ku Pele luajti pjesën më të madhe të karrierës së tij, tha se tifozëve të tij u vjen keq për vdekjen e “nënës së mbretit tonë të përjetshëm”, thuhet në deklaratë./Euronews.al/ KultPlus.com

Osmani uron Genci Nimanbegun për marrjen e detyrës si Kryetar i Ulqinit: Shtëpi e dytë për kosovarët

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Genci Nimanbegun për marrjen e detyrës si Kryetar i Komunës së Ulqinit.

Osmani ka thënë se Ulqini është shtëpi e dytë për kosovarët.

“Urime të përzemërta Genci Nimanbegu për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës së Ulqinit. Ulqini përherë është jo vetëm pikë turistike, por edhe shtëpi e dytë për kosovarët, duke manifestuar bujarinë e pakursyer. Si vëllezërit e motrat tona, por edhe duke qenë popull shtetformues në Mal të Zi, shqiptarët në këtë shtet do ta kenë përkrahjen tonë të pakursyer”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Sot mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen testit të maturës

Sot është ditë e rëndësishme për nxënësit e shkollave të mesme.

19 mijë e 200 prej tyre do të i nënshtrohen testit të maturës, ku nga rezultatet e kësaj sfide, varet e drejta e tyre për shkollimin e mëtejmë.

Ndërkaq, 500 nxënësve iu është refuzuar kjo e drejtë, për shkak të mos aplikimit të saktë, ose problemeve që kishin me e-Kosova. / KultPlus.com

Barcelona dëshiron të heqë nga qiradhënia të gjitha apartamentet e pushimeve deri në fund të vitit 2028

Në luftën kundër mungesës së banesave, Barcelona planifikon të heqë dhënien me qira të apartamenteve për pushime deri në fund të vitit 2028.

Të gjitha apartamentet që aktualisht u jepen me qira turistëve për qëndrime afatshkurtër mund të përdoren më pas nga banorët e qytetit, tha kryebashkiaku Jaume Collboni.

Për shkak të çmimeve të larta të qirave dhe blerjeve, administrata e qytetit është e detyruar të marrë këtë mass drastike.

“Nga viti 2029, nuk do të ketë më shtëpi pushimi siç i njohim sot në qytetin e Barcelonës. Dhe kjo do të na lejojë të sjellim 10,000 prona në tregun e qirave ose të shitjeve,” tha kryebashkiaku. Kjo do të jetë e barabartë me “ndërtimin e 10,000 shtëpive”, theksoi ai.

Collboni vuri në dukje se çmimet e qirave në kryeqytetin katalanas janë rritur me pothuajse 70 për qind dhe çmimet e blerjeve me rreth 40 për qind gjatë dhjetë viteve të fundit. Prandaj, administrata e qytetit është e detyruar të marrë masa drastike me dekret për të siguruar akses në banesa të përballueshme.

Licencat ekzistuese nuk do të rinovohen pas skadimit të tyre. “Nuk mund të lejojmë që shumica e të rinjve që duan të largohen nga shtëpia e prindërve të detyrohen të largohen nga Barcelona”, tha politikani socialist. Masa nuk do t’i japë fund mungesës së banesave brenda natës. “Këto probleme kërkojnë kohë. Por me këtë masë po shënojmë një pikë kthese.”

Pakënaqësia me turizmin masiv po rritet me shpejtësi në Spanjë. Së fundmi ka pasur protesta të mëdha në pikat e nxehta turistike si Barcelona, ​​Mallorca dhe Ishujt Kanarie.

Atje, numri në rritje i vizitorëve fajësohet veçanërisht për mungesën e banesave të përballueshme, por edhe për shkatërrimin e mjedisit, bllokimin e trafikut, mbipopullimin, rritjen e çmimeve dhe mungesën e ujit, si dhe për mbingarkimin e sektorit shëndetësor dhe depozitimin e mbeturinave./SRF/ KultPlus.com

Zelensky e përgëzon Ukrainën për fitoren në Euro 2024, e krahason me përpjekjet e luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar ekipin kombëtar ukrainas për fitoren kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, duke e krahasuar atë me përpjekjet e vendit në luftë kundër Rusisë.

“Ne i besojmë njëri-tjetrit! E mbështesim njëri-tjetrin! Luftojmë për njëri-tjetrin! Kjo duhet të na bashkojë secilin prej nesh. Dhe, tani secili prej nesh duhet të luftojë: për liri, jetë, dhe për perceptimin e saktë të Ukrainës në botë”, shkroi ai në Telegram.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi në shkurt të vitit 2022.

“Pikërisht këtë po e bën sot ekipi kombëtar i Ukrainës. Vazhdoni kështu, djem!” shtoi ai.

Ukraina e mposhti 2:1 Sllovakinë në ndeshjen e dytë të Grupit E të premten në Duseldorf.

Kjo ishte fitorja e parë e ukrainasve në Euro 2024, pas disfatës kundër Rumanisë në ndeshjen e parë.

Ajo tani ka 3 pikë në vendin e dytë në grup dhe përballet me Belgjikën në ndeshjen e fundit, në kërkim të kalimit në fazën tjetër të garës. Dy ekipet e para në grup kalojnë në rrethin e 16 të mirëve./REL/ KultPlus.com

Hapet konkursi për drejtorin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur konkurs për pozicionin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, ka ndarë detaje nga konkursi i hapur për Drejtorin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpall konkursin për Drejtorin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë! Nëse ke përvojë në studim, kërkim, dhe promovim të historisë së vendit”, shkruan Gonxhja.

“Aplikimet janë hapur! Për më shumë informacion dhe për të aplikuar, vizito faqen tonë zyrtare. Afati i aplikimit: 24 Qershor 2024, Dorëzimi i dokumentacionit bëhet në Zyrën e Protokollit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Adresa: Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë./atsh/KultPlus.com

Më 21 qershor 1527 u nda nga jeta Niccolò Machiavelli, politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca

Nikolo Makiaveli ishte një politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca. Së bashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim – sipas shumë njerëzve – veçorizon në mënyrë më të kryer qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin makiavelizëm, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor.

Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 hyri në jetën politike si sekretar i republikës . Është autori i veprës së famshme Il Principe (“Princi”).

Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 – 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve.

Jetëshkrimi

Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit. Më 1498 u bë sekretar i Këshillit të të Dhjetëve, organizëm i ngarkuar me politikën e jashtme dhe ushtarake të Senjorisë. Në vitet që pasuan, shumë ambasada e çuan në qendrat e mëdha të pushtetit, si në Itali ashtu edhe jashtë. Më 1512, kur ra Republika, Makiaveli humbi detyrat e tij për arsye të pjesëmarrjes së hamendësuar në një përbetim kundër Mediçëve të ardhur në pushtet. I arrestuar dhe i torturuar, u shtrëngua të tërhiqej në pronën e tij në San Kashiano, jo larg Firences. Po atë vit shkroi veprën e tij më të njohur Il Principe (Princi, që u botua vetëm më 1532), dhe punoi për veprën Fjalë për dekaden e parë të Tit Livit, botuar më 1531. Makiaveli, gjatë këtyre gjashtë viteve, shkroi pjesën më të madhe të shkrimeve të tjera, midis të cilave poema didaktike mbi modelin antik dhe një komedi, Mandragora, botuar më 1524. Më 1518, ai u bashkua me rrethin politiko-letrar të “Orti Oriçelari” në Firence dhe lexoi aty pjesë të zgjedhura nga vepra e vet. Me ndërmjetësinë e lidhjeve të reja, u fut në punë pranë Mediçëve, nderet e të cilëve kishte kohë që i kërkonte me ngulm. Duke filluar nga viti 1519, zotërit e Firences i besuan detyra të shumta, pa ndonjë rëndësi të veçantë, dhe sidomos pa ndonjë lidhje me politikën. Për llogari të kardinalit Xhulio de Mediçis, ai krijoi të famshmen Histori të Firences, botuar më 1523. Makiavelit iu kthye më në fund qytetaria e tij prej borgjezi të Firences, që e lejoi të zgjidhej në të gjitha detyrat e Senjorisë. Më 1526, atëherë kur trupat e Karlit V kërcënonin qytetin, u emërua, me urdhër të papa Klementit VII (një Mediçi), kancelar i shërbimit mbrojtës.

Pas marrjes dhe plaçkitjes së Romës nga Karli V më 1527, Mediçët u detyruan të linin pushtetin në Firencë dhe Makiaveli i humbi përsëri të gjitha funksionet e tij. Vdiq më 22 korrik të po atij viti, në moshën pesëdhjetetetëvjeçare dhe u varros në kishën e Santa Kroçes, kisha më e madhe françeskane e Italisë, një panteon i vërtetë i lavdive fiorentinase.

Lëvizja europiane e humanizmit filloi nga zbulimi i shkrimeve të Antikitetit në Itali, në fillimet e skekullit XV; ai njohu kulmin e tij me veprën e Erazmit të Roterdamit, që bëri një përkthim të ri kritik të Biblës, sipas teksteve origjinale në hebraisht dke në greqisht. Filologjia moderne kishte lindur, me diskutimin kritik dhe me verifikimin e burimeve për shkrimet e përcjella nga tradita, ndërsa përsosuria e shtypshkronjës nga Gutenbergu siguroi një shpërndarje të gjerë të këtyre punimeve. Shpirti kritik dhe i vetëdijshëm i humanizmit u kap pas teksteve të shenjtëruara nga dogma dhe tradita, duke çuar në një komentar “laik”, përballje e vërtetë midis individit dhe Shkrimeve të Shenjta, që eci me shpejtësi në një hap me Reformën. Reforma e Martin Luterit, e Ulrish Zvinglit dhe e Kalvinit, që filloi në Europën e Veriut rreth njëzet vjet pas ekzekutimit të Savonarolës, kishte elemente të përbashkëta me protestën fetare të dominikanit fiorentinas: një kundërshti ndaj ideve tepër laike dhe vetëkënaqësisë krenare të njerëzve të Rilindjes dhe nënshtrim ndaj besimtarisë absolute, ndaj “nderit” të vendimeve hyjnore. Reformatorët patën megjithatë më shumë sukses, sepse ishin më pak radikalë dhe fanatikë se kryemurgu i San Markos të Firences dhe sepse një numër i madh intelektualësh dhe princash u rreshtuan në krah të tyre. Thënja “Qëllimi i përligj mjetet” i atribuohet Injacio de Lojolës (1491-1556), themelues i urdhrit të jezuitëve, qëllim i fundit i të cilit ishte t’u shërbente gjithmonë interesave të Papës. Fetarët duhet t’i binden atij perinde ac cadaver (“si një kufomë”) dhe të përpiqen me të gjitha forcat të përcjellin vullnetin e tij me bëma, në përputhje me shpirtin makiavelik. Jezuitët u bënë arma kryesore e Papatit për të organizuar Kundërreformën dhe modeli i aparateve burokratike mbi të cilat u themeluan shtetet absolutiste duke filluar nga skekulli XIV.

Nikola Makiaveli (Nicolas Machiavel), ka qenë mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, duke i kthyer kështu shpinën mendimit mesjetar, për të cilin qëllimi i çdo veprimi tokësor ishte dhënë që më përpara: vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin e nderit, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane (kërkimi i formave të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla). Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë dhe e drejtë për të.

Në gjysmën e parë të shekullit XV, një fiorentinas i ri me kulturë nuk e vriste shumë mendjen nëse i ishte ruajtur ndonjë vend i vogël nën diell; ai e përmblidhte energjikisht veten (zbatimi i virtu) dhe nuk linte t’i shpëtonin nga duart të gjitha rastet që i paraqiteshin (si pasojë e fortuna).Një varg i tërë përvojash të reja e kishin nxitur në Firence shfaqjen e kësaj vetëdije krenare për veten. Familjet e mëdha fiorentinase, me në krye Mediçët, kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme, falë industrisë dhe tregtisë së pëlhurave dhe kishin tërhequr rreth tyre artistë dhe intelektualë që shërbenin për vlerësimin e pasurisë dhe lavdisë së tyre, si në qytet ashtu edhe jashtë tij. Falë punimeve të Filipo Bruneleskit, që kishte ndërtuar kupolën gjigante të katedrales, fiorentinasit e shihnin veten në gjendje të realizonin të njëjtat suksese teknike si të parët; konsili i mbledhur në qytet më 1439, që duhej të çonte në pajtimin (në dukje) të kishave të Lindjes dhe të Perëndimit, ndihmoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për të përhapur diturinë e Greqisë antike.

Kozmo de Mediçi, burri më i fuqishëm i Republikës fiorentinase, themeloi më 1459 Akademinë e qytetit të tij. E prirë për të ripërtërirë filozofinë antike në një perspektivë platonike, ajo lindi në fakt një fe filozofike të afërt me neoplatonizmin e Plotinit, të pajtueshme me doktrinën e krishterë dhe krejt të kënaqshme në rrafshin intelektual. Zbulimi i natyrës zinte shumë vend te neoplatonizmi, synimet e të cilit ishin krejtësisht praktike. Të nxitur nga teoria e Nikolas Krebsit mbi ngjashmëritë midis “mikrokozmosit” dhe “makrokozmosit”, filozofët e Rilindjes kërkonin gjithashtu ta bënin të dobishme “simpatinë” e tokësores dhe të qiellores nëpërmjet praktikash magjiko-alkimike, duke synuar të arrinin shndërrimin e materies – për shembull për të prodhuar ar. Spekulime të tilla përmbanin rrezikun e besimit te fati astrologjik, kundër të cilit u ngrit Xhovani Piko dela Mirandola (1463-1494), përfaqësuesi më i rëndësishëm i Akademisë fiorentinase dhe zëdhënësi i saj; ai u nis nga ideja se çdo njeri duhet të arrijë të përcaktojë lirisht fatin e vet. Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca – e kërcënuar nga jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët – për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i dogji vetë veprat që zotëronte ende, në “turrën e famshme të kotësive”, të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!

Ndërsa vetëdija e re e vetvetes, karakteristikë e njeriut të Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit, Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të veprës Princi, vepër çuditërisht “moderne”, shkruar më 1513. Modeli i princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.

Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T’i pengosh për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme: virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek etika stoike – zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje – u zhveshën nga Makiaveli prej çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë.

Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e “arsyes së shtetit”, që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli, mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me teologjinë dhe metafizikën. Natyralistët do të ndiqnin rrugën e tij. Veprat kryesore: Shqyrtime për dekaden e parë të Tit Livit (1502); II Principe (1532); Sundimtari, përkth. shqip (1977).

Thënie

  • “Ku është njeriu, aty dyshohet më tepër”.
  • “Të qeverisësh do të thotë të bësh të besojnë”. (“Princi”)
  • “Qëllimi arësyeton mjetin”

Kureshti nga jeta e filozofit

  • Në misione të ndryshme diplomatike dhe në shërbime publike të vendlindjes së tij Firencës Nikolla Makiaveli e filloi karrierën e vet letrare duke kompozuar kancone, këngë kamevalesh dhe sonete. Në vitin 1513 shkroi veprën e tij më të rëndësishme juridike-politike Sundimtari. Duke i vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit për të cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët shoqërorë. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani nuk vlen kurrgjë, kur bashkimet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë të vazhdueshme plot mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj. Sundimtari i tij është vetëm një apoteozë iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime. Duke pasur një synim të vazhdueshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të Italisë, ai u nis nga njëmendësia faktike (verita effetuale) për të gjetur rragëdaljet dhe mundësitë reale për realizimin e koncepcioneve të veta politike. Në luftërat e ashpra që sundonin në Itali, Makaveli mendonte se vërtet mund t’u kundërvihet vetëm me forcë, kështu që, pavarësisht nga mjetet, të arrihet çlirimi i vendit.
  • Nikolla Makiaveli pohon se tiraninë i krijon ose populli ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Ndërkaq, megjithatë ka ndryshim qenësor ndërmjet synimeve të popullit dhe këtyre aristokratëve: «Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse këta duan të shtypin, popullin që të mos shtypet». Në këtë mënyrë, duke hequr maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseizmit, themeloi teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga politika.
  • Në komeditë e tij brilante (sidomos në «Mandragolen») mjeshtër i të qeshurit dhe i moralit i cili i kundërvihet drejtpërdrejt hipokrizisë priftërore dhe çdo hipokrizie «të madhërishme», Makiaveli në aspektin teorik është i afërm me hedonizmin dhe mbron të drejtën e argëtimit dhe të qeshurit të popullit, i cili është i kundërt me «fjalimin solemn dhe rigoroz» të moralistëve dhe të asketëve.
  • Nikola Makiaveli e liroi mendimin politik nga çdo lidhje me konceptimin metafiziko-fetar të shoqërisë, për ta bërë një sistem qëllimesh shkencërisht të arsyeshme. Ai hapi kështu rrugën e mendimit natyralist.
  • “Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.
  • Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë atë të jetë ai që është.
  • Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë.
  • «Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të cilit nuk përputhen me kohën». /KultPlus.com

Çmimet Kadare, Dionis Prifti shpallet fitues me prozën “Dy javë në balonë”

Dionis Prifti është fituesi i çmimit Kadare në vitin e dhjetë të tij me prozën “Dy javë në balonë”.

Ai u zgjodh fitues me votat e 3 anëtareve të jurisë, nga përbërja prej 5 anëtarësh, të cilët morën pjesë në votimin zyrtar të 10 majit, mes finalistëve të tjerë: Antonio Cikollarit, Granit Zela, Grigor Jovani dhe Luljeta Dano.

Duke inkurajuar përmes këtij çmimi një autor të ri, juria e përbërë nga Nasi Lera, Gazmend Krasniqi, Armando Bora, Ermir Nika, e Suadela Balliu,  synon të mbështesë një gjeneratë të re letrarësh, e cila meriton vëmendje për t’u shfaqur në jetën kulturore të vendit me profilin dhe zërin vetjak.

Fituesit e çmimit Kadare ndër vite janë: Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”. Vera Bekteshi me romanin “Pusulla te verdha”. Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”.  Loer Kume me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala. Virgjil Muçi me veprën “Piramida e shpirtrave”. Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga”. Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji”. Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N”.

Çmimi Kadare njofton se duke filluar nga dekada e dyte, juria e çmimit do të përbëhet nga fituesit e mëparshëm./TopChannel/KultPlus.com

Screenshot

Barbara

Poezi e shkruar nga Jacques Prévert. (Shqipëroi Vasil Qesari)

Mos harro Barbara,
Binte shi atë ditë në Brest.
E ti e qeshur ecje,
E lehtë, e gëzuar, e bërë qull
Nën litarët e shiut …
Mos harro Barbara !
Shiu s’pushonte në Brest,
E ne u pamë në rrugën Siam.
Ti qeshje
E unë të buzëqesha.
Ty që nuk të njihja
Ti që nuk më njihje.
E mban mend,
Pa tjetër e mban mend atë ditë !
Një burrë nën’ një portë qe strehuar
Dhe thirri emrin tënd:
– Barbara !
E ti rende drejt tij nepër shi
Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi
E në krahë ju hodhe …
Mos e harro këtë Barbara,

E mos u dëshpëro nëse të flas me ti
Kështu u flas të gjithë atyre që dua
Edhe kur i kam parë vetëm një herë.
Kështu u flas gjithë të dashuruarve,
Edhe pse s’i kam njohur kurrë !
Mbaje mend Barbara,
Mos e harro
Atë shi të butë e të lumtur
Mbi fytyrën tënde të bukur,
Në atë qytet të lumtur.
Atë shi mbi det,
Mbi mal,
Mbi anijen Ouessant.
Oh,Barbara,
Lufta është idiotësi !
Ku je, ku ndodhesh ti tani
Nenë këtë shi të metaltë
Prej zjarri,çeliku e gjaku ?
Ku është ai që në krahë
Të shtrëngonte plot dashuri
Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë ?
Oh, Barbara
Bie pambarim shi në Brest
Siç binte atëherë,
Po s’është njëlloj,
Gjithçka ka ndryshuar
S’është shi kobi a dhimbje patreguar
S’është më as stuhi
Hekuri, çeliku e gjaku,
Por thjesht ca re të mbetura
Hequr zvarrë si lango rrugësh
Si zagarë që heqin shpirt
Përrenjve të Brestit
E që kalben larg
Larg, shumë larg,
Aty ku gjurmë
S’u mbetet më …

Letra e Sartrit drejtuar Akademisë Suedeze kur refuzoi Nobelin


Në vitin 1964, Çmimin Nobel për Letërsi, Akademia Suedeze ia dha shkrimtarit francez Zhan Pol Sartër, për veprën e tij, e cila, e mbushur me frymën e lirisë dhe kërkimin për të vërtetën, ka ushtruar një ndikim shumë të gjerë në kohën tonë.

Në një njoftim publik, të botuar në “Le Figaro” të datës 23 tetor 1964, Sartri shprehu keqardhjen e tij, bashkë me arsyet e refuzimit të çmimit, dhe dëshironte që ato të bëheshin të ditura. Ai kishte dërguar një letër në adresë të Akademisë Suedeze, për të penguar zgjedhjen e tyre. Në këtë letër, ai specifikoi se refuzimi i tij nuk vinte për shkak të Akademisë Suedeze, por ishte i bazuar në arsye personale dhe objektive të tijat.

Letra e Sartrit drejtuar Akademisë Suedeze:

Më vjen shumë keq, për faktin se incidenti është bërë pjesë e një skandali: Çmimi u dha, por unë nuk pranoj atë.

Kjo ndodhi sepse unë nuk isha i informuar më herët, për atë që ishte në proces. Kur kam lexuar më 15 tetor në “Figaro littéraire”, në kolonën Korrespondenti i Suedisë , se zgjedhja e Akademisë Suedeze ishte duke u vërtitur përreth emrit tim, por se nuk ishte vendosur ende, kam menduar t’i shkruaj një letër Akademisë, dhe ua kam dërguar një ditë më pas. Në letër i kam bërë gjërat e qarta dhe se nuk do të kishte diskutime të mëtejshme.

Unë nuk isha në dijeni në atë kohë se Çmimi Nobel jepej pa u konsultuar me mendimin e marrësit, dhe kam besuar se ishte koha për të parandaluar që të ndodhte kjo gjë. Por unë tani e kuptoj se Akademia Suedeze ka marrë një vendim, të cilin nuk munda ta anuloj më herët. Arsyet e mia për refuzimin e çmimit nuk kanë të bëjnë as me Akademinë suedeze, as me Çmimin Nobel në vetvete, siç kam shpjeguar në letrën time drejtuar Akademisë. Në të, unë aludoj për dy lloje arsyesh: personale dhe objektive.

Arsyet personale janë këto: refuzimi im nuk është një gjest impulsiv, gjithmonë i kam refuzuar medaljet zyrtare. Në vitin 1945, pas luftës, kur më është ofruar “Legjioni i Nderit”, e kam refuzuar edhe atë, edhe pse ishte në favor të qeverisë. Në mënyrë të ngjashme, unë kurrë nuk kam kërkuar që të hyj në College de France, si disa nga miqtë e mi. Ky qëndrim është bazuar në konceptin tim të sipërmarrjes së shkrimtarit.

Një shkrimtar i cili miraton poste politike, sociale, ose letrare duhet të veprojë vetëm me mjete që janë të tijat – domethënë fjala e tij e shkruar. Të gjitha nderimet që ai mund të marrë, e ekspozojnë lexuesin e tij ndaj një presioni, që unë nuk e konsideroj të dëshirueshëm. Nëse unë firmos për veten time me “Zhan Pol Sartri”, kjo nuk është e njëjta gjë, sukur të firmos me “Zhan Pol Sartri, fitues i çmimit Nobël”.

Shkrimtari pra nuk duhet të lërë veten të shndërrohet në një institucion, edhe në qoftë se kjo ndodh në rrethanat më të nderuara, si në rastin në fjalë. Ky qëndrim është sigurisht tërësisht i imi, dhe nuk përmban kritika ndaj atyre që e kanë marrë çmimin. Unë kam shumë respekt dhe admirim për disa nga laureatët, të cilët kam nderin t’i njoh.Arsyet e mia objektive janë si më poshte:

Beteja e vetme e mundshme sot në frontin kulturor, është beteja për bashkëjetesën paqësore të të dy kulturave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit. Unë nuk po them që ato duhet të përqafojnë njëra-tjetrën – unë e di se konfrontimi i këtyre dy kulturave nuk duhet domosdoshmërisht të marrë formën e një konflikti – por ky konfrontim duhet të ndodhë mes njerëzve dhe midis kulturave, pa ndërhyrjen e institucioneve.

Unë vetë jam thellësisht i prekur nga kontradikta mes dy kulturave: unë jam i përbërë nga kontradikta të tilla. Simpatitë e mia të pamohueshme shkojnë drejt socializmit dhe atij që quhet blloku Lindor,por unë jam lindur në një familje borgjeze dhe në një kulturë borgjeze. Kjo më lejon që të bashkëpunoj me të gjithë ata që kërkojnë të afrojnë dy kulturat. Unë ende shpresoj, natyrisht, se “njeriu më i mirë fiton.” Ky është socializmi.

Kjo është arsyeja pse unë nuk mund të pranoj një nder të dhënë nga autoritetet kulturore, ato të Perëndimit më shumë se sa ato të Lindjes, edhe në qoftë se jam në favor të ekzistencës së tyre. Edhe pse të gjithë simpatitë e mia janë në anën socialiste, në të njëjtën mënyrë, unë duhet të jem po aq refuzues për të pranuar, për shembull Çmimin Lenin, në qoftë se dikush do të donte ë ma jepte, gjë që nuk ndodh.

Unë e di se Çmimi Nobel në vetvete nuk është një çmim letrar i bllokut perëndimor, por kjo është bërë prej tij, dhe ka ngjarje të cilat mund të ndodhin janë jashtë krahinës së anëtarëve të Akademisë Suedeze. Kjo është arsyeja pse, në gjendjen e tanishme, Çmimi Nobel qëndron objektivisht, si një vlerësim i rezervuar për shkrimtarët e perëndimit apo rebelët e Lindjes. Çmimi nuk i është dhënë për shembull, Nerudës, i cili është një prej poetëve më të mëdhenj të Amerikës së Jugut. Nuk ka qënë kurrë çështje serioze as për Louis Aragon, edhe pse ai me siguri e meriton atë.

Është për të ardhur keq seçmimi i është dhënë Pasternakut dhe jo Sholokhovit, dhe se e vetmja vepër sovjetike e nderuar në këtë mënyrë dueht të jetë ajo e botuar jashtë dhe ndaluar në vendin e vet. Një ekuilibër mund të krijohej nga një gjest i ngjashëm në drejtimin tjetër. Gjatë  luftës në Algjeri, kur ne kishim firmosur “deklaratën 121”, unë duhet të kisha pranuar një mirënjohje apo çmim, sepse kjo do të kishte nderuar jo vetëm mua, por edhe lirinë për të cilën ne ishim duke luftuar. Por gjërat nuk shkuan në këtë mënyrë, dhe vetëm pasi që beteja përfundoi, mua mu dha medalja.

Në diskutimet e motiveve të përmendura nga Akademia Suedeze për lirinë, sugjerohen shumë interpretime. Në perëndim nënkuptohet vetëm një liri e përgjithshme. Përsonalisht, unë do të doja një liri më konkrete, e cila përbëhet nga e drejta për të pasur më shumë se një palë këpucë për të ngrënë më mirë. Mua më duket më pak e rrezikshme që ta refuzoj çmimin, se sa ta pranoj atë. Nëse unë e pranoj, unë e ofroj veten time për atë që unë do e quaj “një rehabilitim objektiv.” Sipas artikullit të “Figaro littéraire”, “një e kaluar e diskutueshme politike nuk do të përmendet si argument kundër meje”. Unë e di se ky artikull nuk shpreh mendimin e Akademisë, por në mënyrë të qartë tregon se pranimi im do të interpretohet nga qarqe të caktuara të djathta.

Unë e konsuideroj këtë “të kaluarën e diskutueshme politike” si ende të vlefshme, edhe në qoftë se unë jam mjaft i përgatitur që të pranoj gabimet e shokëve të mi në të kaluarën. Rrjedhimisht nuk po them se Çmimi Nobël është një “Çmim borgjez”, por interpretimi është borgjez, pasi në mënyrë të pashmangshme jepet nga qarqe të caktuara me të cilat unë jam shumë i njohur.

Së fundi, kam ardhur tek çështja e parave; ajo është një barrë shumë e rëndë që Akademia imponon mbi laureatin, teksa i cili shoqëron medaljen e tij me një shumë të madhe, dhe ky problem më ka torturuar, ose e pranon Çmimin dhe me partë e Çmimit mund të mbështetësh organizata apo lëvozje që i konsideron të rëndësishme – mendimi im shkoi tek komiteti i Aparteidit në Londër. Ose nuk e pranon Çmimin mbi parime bujare, dhe në këtë mënyrë privon një lëvizje nga mbështetja që e ka kaq të nevojshme. Por, unë besoj që ky është problem i gënjeshtërt.

Padyshim heq dorë nga 250.000 korona, sepse unë nuk dua që të instucializohem, në Lindje apo Perëndim. Por, nga na tjetër, nuk mund të më kërkohet që, për 250.00 korona, të heq dorë nga parime të cilat janë jo vetëm të miat, por edhe ndahen nga ë gjithë miqtë e mi. Kjo është ajo që e ka bërë aq të dhimbshëm për mua Çmimin dhe refuzimin e tij, që jam i detyruar ta bëj.

Unë dëshiroj që ta përfundoj këtë deklaratë me një mesazh të ndjerë për publikun suedez.

Jean Paul Sartre” /KultPlus.com

Nis festivali i monodramës në Korçë

Ka ngritur siparin në Korçë festivali ndërkombëtar i monodramës Albamono. Për një javë për publikun do të vijnë vepra të ndryshme që do të ngjiten në skenë në qytetin e Korçës dhe në Maliq.

Ky është edicioni i 20 i aktivitetit që bën bashkë aktorë e regjisorë nga Ukraina, Bullgaria, Kroacia, Turqia dhe shtete të tjera. Artdashësit do të shijojnë shfaqje me tematika aktuale dhe historike.

Aktorët e regjisorët që vijnë nga shtete të tjera tregojnë emocionet e kësaj pjesëmarrjeje.

Në përfundim të festivalit juria do të ndaje edhe çmime./KlanNews/KultPlus.com

Muza Competition, 10 finalistët paraqitën koleksionet unike nga të gjitha trevat shqipfolëse

Pas suksesit të dy edicioneve, Muza Competition, realizoi mbrëmjen e së enjtes eventin final të edicionit të saj të tretë, me organizimin e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe kujdesin e veçantë të kryetari të Bashkisë.

Këtë vit, 10 finalistët e Muza Competition paraqitën koleksionet e tyre unike, duke përfshirë elemente etnografike nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Juria e këtij edicioni përzgjodhi Eljesa Salla si fituese e çmimit të parë me koleksionin “Endje në traditë”, e cila fitoi çmimin e madh prej 20,000 EUR.

Alejna Qypi ishte fituesja e çmimit të dytë me vlerë 10.000 për koleksionin e saj “Rikthim në shtëpi”, ndërsa Kejsi Ceko me koleksionin me titull “Udhëtim me veshje popullore në trevat shqiptare” fitoi çmimin e tretë me vlerë 5,000 euro.

Juria e këtij kompeticioni përbëhej nga Rudina Magjistari, Fadil Berisha, Emina Cunmulaj, Afërdita Onuzi, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti.

Këtë vit ju bashkuan natës finale, si të ftuar special të këtij edicioni, stilistja me famë botërore Nicole Miller dhe balerini i mirënjohur shqiptar Tony Devolani.

Të dielën, më 21 korrik, në orën 21:00 Muza Competition, do të transmetohet në ekranin e Top Channel, si partner mediatik i këtij eventi./TopChannel/KultPlus.com

Përfundon restaurimi i ikonës “Pesë Apostujt”, pjesë e fondit muzeor “Onufri”

Një tjetër thesari të ikonografisë që bën pjesë në fondin muzeor të Muzeut “Onufri” i rikthehet shkëlqimi.

Pas një pune disamujore kryer në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Onufri në Berat nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Pesë Apostujt” vepër e shek. XVII, atribuar Onufër Qipriotit.

Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash paraqiste problematika të ndryshme si: dëmtim të kornizimit,  grundit dhe shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm (dyll dhe parafine) si dhe oksidim verniku.

Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës, si dhe rrezikonin degradimin e saj.

Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet e ekspozuar për publikun e gjerë të Muzeut Ikonografik “Onufri”./KultPlus.com

Çmimet Vjetore për muzikë, çmimi për veprimtari jetësore i ndahet Lorenc Antonit

Në Ditën Botërore të Muzikës, është bërë ndarja e çmimit për veprimtari jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimet e tjera vjetore në fushën e muzikës për vitin 2023.

Në ambientet Shoqatës së Kompozitorëve, këto çmime i ndau ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.

Bazuar në propozimin e Jurisë profesionale në përbërje nga kompozitorët Baki Jashari – kryesues dhe anëtarët Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi, Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” iu nda kompozitorit Lorenc Antoni (post mortem), të cilin e pranoi Violeta Lekaj-Mehmeti, mbesa e tij.

Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Koncert për Violinë dhe Orkestër”.

Çmimi për vepër kamertale iu nda kompozitorit Lum Halabaku për veprën “Rush Hour 2”, të cilin çmim e pranoi babai i tij, Menderes Halabaku, ndërsa për orkestër harkore çmimi iu nda edhe kompozitorit Ersan Januzi për veprën ‘Shifting Horizonts” për septet.

Çmimi për vepër korale iu nda kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Mercury” për kor mikst dhe kompozitores Dea Ahma për veprën “Mors” për soprano solo, tri kore antifonare dhe narrator.

Çmimi për vepër solistike dhe duo iu nda kompozitorit Ardian Halimi për veprën “Momente” për violinë dhe piano, të cilin çmim e pranoi vëllai i tij, Astrit Halimi./MKRS/KultPlus.com

Mësohet për gjendjen e Branka Petric: Ra nga skena, u dërgua me urgjencë në spital

Aktorja e njohur, Branka Petriç, u sëmur papritur gjatë shfaqjes që luhej në Madlenianum, transmeton KultPlus.

Siç mësojmë, Branka ka rënë nga skena dhe ka lënduar shpatullën.

Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur ambulanca dhe aktorja është dërguar menjëherë në spital, në ortopedi.

Në momentin kur ajo pranoi, po luhej drama “Të fillojmë nga e para”.

Kujtojmë se në Akademinë e Beogradit, Braka Petriq ishte në klasën më të madhe, të udhëhequr nga profesor Tomislav Tanhofer.

Me të në klasë ishin: Danilo Bata Stojkoviq, Marija Milutinoviq, Katarina Doriq, Boda Markoviq e shumë të tjerë.

Ajo ishte e martuar me aktorin Bekim Fehmiju. Dashuria e tyre zgjati 43 vjet dhe me të kishte dy djem Hedon dhe Uliks Fehmiju./KultPlus.com