Koreografi popullor, shfaqja kushtuar artistit Gazmend Golemi, krijues i shumë valleve popullore

Veprimtaria 45-vjeçare e koreografit të njohur Lezhjan Gazmend Golemi, u ngjit në skenën e pallatit të kulturës.

Mbrëmja e djeshme bëri bashkë valltar të grupmoshave të ndryshme, të cilët prezantuan të artin dhe kulturën përmes valleve popullore dhe folklorike.

Ishin dhe artistë të tjerë lezhjan që ju bashkuan kësaj mbrëmje me performancat e tyre artistike.

Një veprimtari 45-vjeçare ka pasur si qëllim të mbajë gjallë traditën dhe ta përcjelle tek brezat e rinj thotë koreografi Golemi. Puna dhe përkushtimi i tij do të vijojë më gjatë që tradita dhe kultura të vijojë brez pas brezi.

Koreografi Gazmend Golemi u ngjit për herë të parë në skene në moshën 6 vjeçare, e që prej asaj kohe arti koreografik u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve  ai ka nxjerr dhjetëra grupe valltaresh të cilët kanë qenë pjesë në aktivitet kulturore brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësua dhe me çmime./TopChannel/KultPlus.com

Promovohet libri ‘Shqiptarët dhe Serbët’, shpërfaqet e vërteta kundrejt trillimit

Vjollca Duraku

“Nuk ka zot më të lartë se e vërteta” – është një thënie e Mahatma Gandit të cilën autori Shyqri Nimani e ka përdorur si pikënisje në librin “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, i cili post-mortem u promovua në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky libër, i teti me radhë i autorit Nimani, i cili erdh plot një vit pas vdekjes së tij shpërfaqë argumente me fotografi, dokumente e harta të papublikuara më parë për autoktoninë shqiptare, kundrejt miteve dhe trillimeve serbe të cilat përgjatë historisë me planifikim synonin rrëmimin e historisë, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Siç u tha në promovim vet titulli i librit “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, parathotë një ballafaqim në mes të fakteve historike dhe trillimeve mitologjike të cilat përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe të asgjësimit të tjetrit, në këtë rast të popullit serb ndaj shqiptarëve.

Profesori  Jusuf Buxhovi ka thënë se autori Nimani i paraqet raportet në mes të vërtetës faktike dhe asaj që është gënjeshtër, mbi përvetësimin serb.

“Ky libër është vazhdimësi e punës së gjatë të Shyqri Nimanit për ta pasqyruar një të vërtetë të fshehur apo një të vërtetë të përvetësuar nga politika hegjemoniste serbomadhe në planin historik dhe kulturor”, ka thënë Buxhovi duke potencuar se shteti i Kosovës duhet ta shpërndaj sa më shumë këtë libër mënyrë që t’i përgjigjet propagandës të cilën po e bën Serbia, veçmas në planin e rrënimit të historisë dhe kulturës shqiptare.

“Unë them se e vërteta absolute dhe e vërteta të cilës i referohet Shyqyri Nimani është aspekt moral. Raportet shqiptaro-serbe nuk kanë qenë raporte morale, por kanë qenë raporte hegjemoniste, raporte në mes të viktimës dhe viktimizuesit, raporte në të cilat më së paku ka pasur moral. Prandaj këtu mund të merret edhe një asimetri në aspektin e të drejtës politike dhe të drejtës ndërkombëtare, sepse sipas këtij libri Nimani i thotë të vërtetat kundër të pavërtetave. Esenca është viktima kundër viktimizuesit. Viktimë është kultura shqiptare dhe historia shqiptare prej gjysmës së dytë të shek. XIX”, ka thënë Buxhovi.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa autorin Shyqri Nimani e quajti personalitet të respektuar, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.

“Në artin, historinë, shkencën dhe përgjithësisht kulturën shqiptare prof. Shyqyri Nimani është ndër emrat më të rëndësishëm dhe më të respektuar. Nimani është studiues që kulturës shqiptare i la një pasuri të madhe të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike. Është autori që me punën e tij të palodhshme bëri shumë për të rigjetur dhe për të rizbuluar edhe personalitete të njohura botërisht që patën gjak e rrënjë shqiptare”, ka thënë Tafa duke potencuar se tendencës së serbëve për të përvetësuar figurat të shquara shqiptare, Nimani iu është kundërvënë përmes argumenteve shkencore.

“Shyqyri Nimani ka bërë përpjekje të vazhdueshme e këmbëngulëse për vërtetësinë e autoktonisë shqiptare. Në këtë drejtim edhe kjo vepër që profesori Shyqyri Nimani e la në dorëshkrim vazhdon në shtjellimin e temave të çështjeve që lidhen me etninë shqiptare, historinë e trazuar e me fatin e popullit tonë gjatë historisë. Kështu ai i qaset edhe temës për pushtimin e trojeve shqiptare nga Serbia dhe masakrat që përcollën gjatë tërë historisë”, ka thënë ai.

Kurse akademik Pëllumb Xhufi tha se si te asnjë studiues tjetër shqiptar tek Shyqyri Nimani bashkoheshin historiani, fotografi, epigrafi, piktori, hartografi, heraldisti dhe kaligrafi, të cilat edhe i dhanë privilegjin për të shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

 “Titulli i librit na parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër, të cilat, këto të fundit përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe asgjësimit të tjetrit qysh në kohën e Nemanjiqëve serbë në shekujt XIII dhe XIV”.

Më tej akademik Xhufi tha se profesor Nimani i konsideron si pasues të ideologjisë mesjetare  serbe të asgjësimit të shqiptarit apologjetët modernë të asaj ideologjie si Ilia Garashanin dhe “Naçertanien” e tij, Vaso Çubriloviqin dhe elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” apo edhe nobelistin Ivo Andriq, i cili në memoarin e tij tregon se s’ka asgjë të përbashkët me humanizmin, që është një rekuizitë kryesore për ata që aspirojnë për çmimin Nobel.

“Një nënvizim të fortë autori i bën rolit të historiografisë serbe si gjenerator të pavërtetash e mitesh. Këtu vijnë në konsideratë dy mite të montuara me art nga historianë e më shumë nga kleri serb. Miti serb i Kosovës- 1389 dhe miti i së ashtuquajturës ikje e madhe- 1690-1691”, ka thënë akademik Xhufi.

Botimi i libri “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës” u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Krijoi muzikën e dokumentarit të Celine Dion, flet shqiptari: Si u përzgjodha nga diva e muzikës botërore

Redi Hasa është kompozitori dhe violincelisti shqiptar që i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Ai është përzgjedhur nga diva e muzikës shqiptare Celine Dion për të kompozuar muzikën e dokumentarit biografik të jetës së saj.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Redi ka treguar se si i erdhi ftesa për të qene pjesë e këtij projekti madhështor. Ai ka zbuluar se kompozimin e ka përgatitur për tre ditë dhe ka pasur në dispozicion vetëm 350 fjalë kyçe, pa asnjë imazh.

“Takimi i parë ka qene me regjistren, e cila ishte në djeni të muzikës sime, të dy disqeve që kanë dalë para katër vitesh. Shkruajti në agjencinë ku jam unë në Milano.

Është një punë jashtë mase e vështirë, është një përqendrim 100%. Kjo punë me dokumentarin ka qene totalisht e ndryshme me punët që unë kam bërë. Ata më dhanë 350 fjalë si fjalë kyçe dhe puna ime ishte që unë këto fjalë t’i ktheja në muzikë. Unë kam punuar pa asnjë imazh, filmin e kisha të dokumentuar. Është një krijim i imi, totalisht origjinale. E kam shkruar, e kam luajtur dhe rregjistruar për tre ditë. Nuk kisha mundësi të gjeja një orkestër të madhe, me violinçel i kam bërë të gjitha”, u shpreh Redi./abcnews.al/KultPlus.com

Vdes në moshën 88-vjeçare aktori i ‘Hunger Games’, Donald Sutherland

Aktori i dashur Donald Sutherland ka vdekur, ka njoftuar të enjten djali i tij Kiefer Sutherland.

Ikona e Hollivudit, i cili ishte i njohur për rolin e Presidentit Snow në ekskluzivitetin e filmit “Hunger Games”, ishte 88 vjeç, transmeton KultPlus.

“Me zemër të rëndë, ju them se babai im, Donald Sutherland, ka ndërruar jetë”, shkroi Kiefer në X. “Unë personalisht mendoj se një nga aktorët më të rëndësishëm në historinë e filmit.”/KultPlus.com

Stormzy, emri i radhës që vjen në Sunny Hill Festival  

Reperi me nam botëror është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival

 Sunny Hill Festival po vazhdon të sjellë emra të njohur botërisht për edicionin e sivjetmë. Stormzy është artisti i radhës që i shtohet listës së performuesve në Sunny Hill Park. Ai është veç një nga yjet që do të performojë në skenën kryesore të festivalit që pritet të publikojë edhe emra të tjerë të njohur gjatë ditëve në vazhdim.  

Përveç Stormzy, deri më tani janë zbuluar edhe disa emra të artistëve si: Black Coffe, Burna Boy, The Blaze, DJ Snake, Martinez Brothers, Griff, Chloe Caillet, Edgar Kerri, MYGAL, DJ Regard. Po ashtu janë bërë të ditur edhe artistë vendas përfshirë Dafina Zeqirin, Dhurata Dora e Yll Limani.  

Stormzy, ishte pjesë e festivalit edhe në vitin 2022 në edicionin që u mbajt në Tiranë. Në Kosovë vjen për herë të parë. Disa prej çmimeve të fituara nga Stormzy përfshijnë Brit Awards, BBC Awards, Global Awards, MTV Europe Music Awards, Mercury Prize, AIM Independent Music Awards etj. 

Në vitin 2019, Stormzy ishte artisti kryesor në Glastonbury Festival që mbledh mbi 200 mijë njerëz në ditë. Ndërsa në  nëntor të 2022-së publikoi albumin e tij të tretë “This Is What I Mean”. 

Artisti njihet edhe për anën filantropike të tij. Në vitin 2018 ai themeloi fondacionin Merky përmes të cilit mbështet ndër vitet kauza të rëndësishme për të. Ndër të tjera është edhe dhurimi i bursave për studentët më ngjyrë në Universitetin e Kembrixhit. 

Edicioni i sivjetmë i festivalit mbahet prej 25 deri më 28 korrik. Biletat janë akoma në shitje dhe mund të blihen në këtë link./KultPlus.com

“Muza Competition”, 10 finalistet prezantojnë koleksionet e tyre në një finale madhështore në Piramidën e Tiranës

“Muza Competiton”, që mbledh të rinj të talentuar nga gjithë rajoni rikthehet në edicionin e tretë.

Projekti i suksesshëm i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, që mbështetet nga Fondacioni Dritan Hoxha dhe ka si partner Top Channel finalizohet të enjten, më 20 qershor. Këtë herë do të jetë ambienti jashtë Piramidës së Tiranës, që do të shndërrohet në një pasaralë mode, ku 10 finalistet e përzgjedhura me kujdes nga juria, do të prezantojnë koleksionet e tyre, të gjitha punime dore.

Sipas producentes së projektit, Andriola Kambo, “Muza Competition” erdhi si ide për të kontribuar në turizmin rajonal dhe moda është mënyra e duhur për të motivuar të rinjtë dhe për të promovuar punën e dorës.

Kompeticioni përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.

Data 21 korrik, të dielën ora 21:00 në ekranin e Top Channel, “Muza Competition”!/TopChannel/KultPlus.com

‘Paraja njerin’ e mundon, e bije ndë balt’ e rrëzon’

Poezi nga Hasan Zyko Kamberi

Për para njeriu hyn ndë rrusht
për para rrihetë me grusht
për para hapte edhe pusht
ja di kimenë parasë…

Për para njeriu çan denë,
për para ngre muhabenë,
për para e humb xhenenë,
ja di kimenë parasë…

Paraja të bën të rrihesh,
paraja të bën të fshihesh,
paraja t’ep sedrë e ngrihesh,
ja di kimenë parasë…

Paraja njerin’ e mundon,
e bije ndë balt’ e rrëzon,
e bën qeraxhi, e dërgon,
ja di kimenë parasë…

Po s’ka gjë të gjallë
që të mos ia ketë mallë,
turli ensaf’ e bakallë,
ja di kimenë parasë.

(Poezia nuk është në versionin e saj të plotë) / KultPlus.com

“New York Times”: Kjo është Shqipëria, pak e çmendur – që i bëri rivalët e Grupit B të djersiten

Para se të shkelmonte një top në Grupin B, kroati Luka Modric kishte paralajmëruar se ky ishte grupi më i vështirë i turneut. Ai mund të mos jetë fokusuar thjesht në përballjet e ekipit të tij me Italinë dhe Spanjën, por, kur shumë të tjerë folën para turneut për “Grupin e vdekjes”, ndoshta nuk kishin në mendje Shqipërinë, sipas “New York Times”.

Pak do të kishin pritur që ata të ishin elementi më luftarak i grupit, megjithatë Shqipëria – e renditur e 66-ta në botë – është bërë variabli argëtues në kuartet. Me një ndeshje për të luajtur, ata kanë ende një shans për avancim.

E drejtuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho, Shqipëria është një skuadër kundërsulmuese fizike që kërkon të mbulojë çdo hendek të perceptuar të talenteve – mes tyre dhe kundërshtarëve, përmes vrapimit të vështirë.

Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në Euro 2024 – pasi Nedim Bajrami vendosi një rekord të ri për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian kur hapi rezultatin kundër Italisë.

Ndërsa Shqipëria e humbi përfundimisht atë ndeshje 2-1, goli i tyre i hershëm shërbeu si një paralajmërim; nënvlerësojeni këtë ekip dhe do të jeni në rrezik.

Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi i së mërkurës mes dy ekipeve ishte një rrëmujë e papritur dhe argëtuese. Përsëri e pa Shqipërinë të ecë përpara herët.

Qazim Laci shënoi gol pas një goditje me kokë – pas një krosimi të shkëlqyer nga Jasir Asani në minutën e 11-të. Në pjesën e parë, Kroacia kishte regjistruar 69 për qind të posedimit të topit, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës.

Kristjan Asllani humbi një shans të artë pas një sulmi të shpejtë të shkaktuar nga humbja e topit nga Modric. Edhe sulmuesi shqiptar Rey Manaj dukej i dëshpëruar pasi nuk arriti të realizonte një goditje me kokë. Kjo ka qenë një temë e zakonshme për skuadrën e Sylvinhos, të cilit i ka munguar rrjedhshmëria sulmuese në pika të caktuara gjatë periudhës së tij 18-mujore në krye të Kombëtares Shqiptare.

Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese.

Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzunin, Keidi Baren dhe Sokol Cikalleshin gjithashtu bëri bujë.

Cikalleshi – një sulmues i klubit turk Konyaspor – nuk ishte golëshënuesi më i mirë, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.

Megjithatë, ky ekip gjen gjithmonë një mënyrë për të krijuar rrugën e tij përmes turneut, duke tensionuar edhe ekipet më të njohura të botës;. Mario Mandzukic – tani një ndihmës trajner me Kroacinë – mund të shihej duke kërcyer papushim nga pankina për t’u kërkuar lojtarëve të tij të përputheshin me intensitetin e Shqipërisë në pjesën e parë.

U deshën një sërë ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favor të saj. Marcelo Brozovic dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasalic dhe Luka Sucic në pjesën e parë. Njëzet minuta më vonë, sulmuesi Ante Budimir u fut në lojë për t’i dhënë ekipit të tij një referencë më të mirë për krosimet.

Kroacia rriti besimin. Mbrojtësit e tyre u futën gjithnjë e më tej në fushë. Budimir e vuri Andrej Kramaric në pozicionin e përshtatshëm për barazimin e tyre në minutën e 74-të. Dy minuta më vonë, dyshja u bashkuan për një tjetër gol. Një krosim i dedikuar për Luka Suçiqin, i goditur me pinboll në zonën e rreptësisë para se të kthehej nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula.

Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën sërish forcën për një gol të dytë.  Asllani, 22-vjeçari – një mesfushor mjaft luftarak po shfaqet shpejt si pasardhësi përfundimtar i Brozovic në Inter Milan dhe ishte zemra e skuadrës së tij kombëtare.

“Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin tonë dhe për federatën tonë”, tha Sylvinhos pas ndeshjes.

Në minutën e 94 e 23 sekonda Shqipëria mori golin e barazimit (goli i fundit i shënuar në një Euro jashtë kohës shtesë). Ishte një gol barazimi që ndihej si një fitore e minutës së fundit.

Gjasula – lojtari i dytë që shënoi autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje në Euro 2022 – i dha skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.

“Kjo është Shqipëria; është pak e çmendur”, tha Asllani pas barazimit 2-2.

“Ne e nisëm me këmbën e djathtë, dhe më pas mund të them se humbëm një shans të madh, por mendova se Modric do të merrte topin para meje. Mendoj se pësuam dy gola të shmangshëm. Ne do t’i shqyrtojmë ato, me siguri. Loja ishte e çmendur në 15 minutat e fundit”, shtoi ai.

“Luftëtarët” e Sylvinhos do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të arritur një rezultat kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë.

Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën atë një kundërshtare të vështirë në këtë turne./KultPlus.com

Vdes aktorja Nancy MacKenzie, “zëri” i Marge Simpson

Ka vdekur aktorja e zërit të Marge Simpson në Amerikën Latine.

Nancy MacKenzie, e cila luajti personazhin e dashur të filmit vizatimor në 15 seritë e para, vdiq në moshën 81-vjeçare.

Artistja gjithashtu e ka dubluar Trinity në The Matrix mes roleve të tjera të saj.

Vdekja e saj u njoftua në rrjetet sociale nga artistët e zërit të Amerikës Latine të Lisa dhe Bart, Patricia Acevedo dhe Claudia Motta.

“Me dhimbje të thellë, fëmijët Simpson (Lisa dhe Bart) njoftojnë vdekjen e nënës sonë të dashur, Marge Simpson (Nancy MacKenzie).

U prehsh në paqe, ne nuk do të të harrojmë kurrë”, shkruan ata, krahas një montazhi të fotove ndër vite./KultPlus.com

Papa Françesku miraton shpalljen e dy martirëve të tjerë shqiptarë

Papa Françesku ka miratuar sot shpalljen e dy martirëve të tjerë shqiptarë.

Lajmin e dha Kisha Katolike Shqiptare e cila bën të ditur se gjatë audiencës që dha Hirësia e Tij Kardinal Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, Papa Françesku autorizoi të njëjtin dikaster të shpallte dekretet në lidhje me martirizimin e dy martirëve shqiptarë.

Papa autorizoi shpalljen martir të Shërbëtorit të Hyjit Luigi (i lindur Matteo) Palić në shqip Paliq, i shpallur Meshtarë i Urdhrit Françeskan Minor; i lindur më 20 shkurt 1877 në Janjevë (Kosovë) dhe i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913 në Pejë (Shqipëri) si dhe
dhe të Shërbëtorit të Hyjit Gjon Gazulli, prift dioqezan; i lindur më 26 mars 1893 në Dajç të Zadrimës (Shqipëri) dhe i vrarë në urrejtje ndaj fesë më 5 mars 1927 në Shkodër (Shqipëri).

Me shpalljen martir të Luigi Paliq dhe Gjon Gazullu shkon në 40 numri i klerikëve të shpallur martirë, që janë vrarë për shkak të besimit të tyre.

Përkujtohet poeti e publicisti i viteve ’40, Nexhat Hakiu

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin dhe poetin lirik Nexhat Hakiu (20 qershor 1917- 18 qershor 1978).

Nexhat Hakiu lindi në qytetin e Vlorës, në qershor të vitit 1917. Përfundoi shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe më vonë u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut.

Në vitet ’30-’40, ai ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare. Fillimisht punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë e më pas u bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës si “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”.

Bashkë me emra të tjerë të dëgjuar të kulturës si Mitrush Kuteli, Vedat Kokona dhe Sterjo Spasse, ishte ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Gjithashtu drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Krahas botimeve në shtypin e kohës, botoi vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët” (1977).

Gjatë periudhës së komunizmit u dënua për motive politike, prej dhjetorit të vitit 1944 deri në korrik të vitit 1945 dhe nga shkurti i vitit 1951 deri në prill të vitit 1952. U nda nga jeta në moshën 61 vjeçare, në qershor të vitit 1978./atsh/KultPlus.com

“Lonely Planet”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

Vera në Evropë është madhështore – por gjithashtu është një nga muajt më të ngarkuar të turizmit, që do të thotë se ju do të ndani ‘madhështinë’ me shumë vizitorë të tjerë, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet”.

Ne ju rekomandojmë disa nga destinacionet më magjike të Evropës pa turma vizitorësh.

Shqipëria është renditur mes gjashtë destinacioneve fantastike në Evropë për të kaluar pushimet në gusht.

Riviera Shqiptare

E quajtur ndryshe si perla e fshehur, ku plazhet janë mahnitëse dhe çmimet vërtet të përballueshme, bregdeti i lavdishëm i jugut të Shqipërisë mbetet një ‘kënaqësi’ për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

Saranda është një qytet bregdetar i gjallë, i mbushur me bare të shumtë.

Për vendpushime më të qeta, shkoni në bregdet në Himarë, i rrethuar nga një shumëllojshmëri plazhesh magjepsëse – vizitoni plazhin e Potamit, në jug.

Gushti iu garanton diellin, ujin e ngrohtë dhe temperaturën që arrin në 30°C.

Çuditërisht, shezlongët dhe çadrat e plazhit ofrohen me një çmim premium, por ju mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende të tilla si, Palasa, Borshi, Buneci me guralecë dhe ishujt jashtë Ksamilit.

Gjithashtu, ju mund të vizitoni Qafën epike të Llogorasë për në Gjirin e Vlorës, ku do të zbuloni më shumë vendpushime dhe bëni udhëtime me varkë në plazhet e izoluara në fund të Gadishullit të Karaburunit.

Për një pushim larg bregdetit, vizitoni sitin arkeologjik të Butrintit, ku rrënojat greke, romake dhe bizantine, që datojnë 2500 vjet më parë, janë të grumbulluara në një kodër me gurë.

Gjashtë vendet më të mira evropiane për të shkuar me pushime në gusht sipas “Lonely Planet”:

1-Riviera Shqiptare
2-Gadishulli i Pelionit, Greqi
3-Minho, Portugali
4-Austria Qendrore
5-Belgjika bregdetare
6-Arkipelagu i Stokholmit, Suedi/atsh/KultPlus.com

Java e Kulturës Braziliane, Karnavale në Lungomare

Javët kulturore Ndërkombëtare sjellin për herë të parë në Shqipëri Javën Kulturore Braziliane. Nga datat 21 deri më 29 qershor nga Tirana në Vlorë do të organizohen shfaqje filmash, koncert harqesh, aktivitete letrare dhe muzikore.

E veçanta e kësaj jave do të jenë Karnavalet Braziliane, një traditë e njohur në mbarë botën.

Energjia dhe kultura unike e Brazilit nis me një natë poetike më 21 qershor, në Teatrin Metropol, në Tiranë. Mbrëmja e 24 qershorit i është rezervuar koncertit të harqeve nga ansambli i njohur “Camerata Balcanica”, tek Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse në kryeqytet. Ky grup përbëhet nga 10 artistë të rinj dhe të talentuar të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të sjellin në skenë një përvojë të jashtëzakonshme muzikore me një repertor që do të përfshijë vepra nga kompozitorë të njohur brazilianë, duke ofruar një përzierje harmonike të tingujve klasike dhe motiveve tradicionale braziliane.

Për të gjithë admiruesit e kinematografisë, në Kinema Millenium më 25 qershor do të transmetohet, filmi brazilian “Behind the Sun”. Prodhim i vitit 2001, realizuar me regji të Walter Salles dhe frymëzuar nga novela “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë, trajton jetën e një familjeje të varfër në Brazilin rural, e cila përballet me konflikte të brendshme dhe sfida të shumta në përpjekje për të mbijetuar dhe për të ruajtur shpresën.

Edhe datat 27 qershor dhe 28 qershor, i janë rezervuar dy filmave të tjerë interesant brazilian. “Bossa Nova”, një komedi romantike që tregon historinë e një grupi njerëzish në Rio de Janeiro, të cilët ndërlidhen përmes dashurisë dhe pasionit për muzikën pa dyshim që do sjellë një natë emocionuese tek Qendra e Artit Agimi më 27 qershor.

Ndërsa me 28 qershor, do të shfaqet filmi brazilian “Two Sons of Francisco”, një dramë emocionuese dhe frymëzuese që rrëfen historinë e vërtetë të jetës së dymbëdhjetë vjeçarëve nga një fshat i varfër i Brazilit të cilët ndjekin ëndrrën e tyre për të bërë karrierë në botën e muzikës sertanejo.

Ato që priten më me shumë entuziazëm janë karnavalet Braziliane që do të organizohen mbrëmjen e 29 qershorit, në Lungomaren e Vlorës nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në një shfaqje të paparë, ky manifestim kulturor do të sjellë ritmin, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit në zemrën e bregdetit. Karnavalet Braziliane do të sjellin për publikun një performancë e mrekullueshme, duke përfshirë perkusionistë të talentuar brazilianë, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të disiplinës “Capoeira” që me lëvizjet e tyre do të na tërheqin në botën ritmike të karnavaleve./atsh/KultPlus.com

E moshuara gjermane nervozohet nga zhurma e tupanit, i bërtet të riut që po e mbante (VIDEO)

“Euro 2024”, që këtë vit po mbahet në Gjermani, ka krijuar shumë zhurmë në qytetet e këtij shteti, nga tifozët e zjarrtë që po përkrahin kombëtaret e tyre.

Mirëpo, festa e tyre me muzikë e të bërtitura, duket se ka shqetësuar një të moshuare të Gjermanisë.

Në një video që po qarkullon në rrjete sociale, ajo shihet e acaruar nga zhurma e tupanit. Sipas pamjeve tifozët duket të jenë të kombëtares së Turqisë./KultPlus.com

Kori i Fëmijëve “Okarina” dhe “KultPlus” me mbrëmjen e veçantë “Muzika në lagje”

Dita e Muzikës do të shënohet me një ngjarje të këndshme në lagjen Ulpiana, përkatësisht në KultPlus Caffe Gallery ku do të performojnë fëmijët e Korit Okarina, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje është organizuar nga “Kori i Fëmijëve Okarina” dhe gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” dhe ka për qëllim përfshirjen e lagjes në evente kulturore dhe mu për këtë qëllim eventi titullohet “Muzika në lagje”.

Ky event do të mbahet më 21 qershor, prej orës 19:30 në KultPlus Caffe Gallery dhe është i hapur për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e festës së muzikës.

Më poshtë është njoftimi i plotë e organizatorëve.

Festojmë Ditën e Muzikës me Korin e Fëmijëve “Okarina” dhe KultPlus 🎶

Bashkohuni në një koncert të veçantë për Ditën e Muzikës, organizuar nga Kori i Fëmijëve “Okarina” në bashkëpunim me KultPlus.

Do të jetë një mbrëmje e mbushur me muzikë, argëtim dhe momente të paharrueshme!

📅 Data: 21 Qershor
🕒 Ora: 19:30
📍 Vendi: KultPlus CaffeGallery

Fëmijët e talentuar të korit “Okarina” do të performojnë një përzgjedhje të bukur këngësh që do të kënaqin çdo zemër. Ky është një event që nuk duhet humbur për të gjithë dashamirësit e muzikës!

Në koncert do të kemi kënaqësi të dëgjojmë dhe instrumentist nga institucione te ndryshme të muzikës që veprojnë në kryeqytet!

Merreni nga nje batanije me vehte, uluni ku të ju dëshiron zemra në ambientin e jashtëm të KultPlus, dëgjoni muzikë të bukur dhe festoni me ne fuqinë dhe bukurinë e muzikës! 🎤🎵/ KultPlus.com

“Na vaftë mbarë”, Elhaida Dani fillon punën si drejtoreshë artistike e Festivalit të 63-të në RTSH

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, ka njoftuar se ka marrë rolin e ri si Drejtoresha Artistike e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

Ajo ka shkruar se ky festival ka një rëndësi të madhe për të, sepse është rritur në atë skenë dhe e ka të qartë se sa e veçantë është për të gjithë.

“Të jesh pjesë e këtij eventi madhështor është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe që e marr me shumë seriozitet. Patjeter nuk do jem vetëm por do kem ekipim tim të profesionistëve më të mirë në Shqipëri, të cilët do i bëjmë të ditur në ditët në vazhdim”, ka shkruar këngëtarja.

Tutje, Dani është shprehur se do të jetë rigoroze në të gjitha fazat e punës, në mënyrë që ky festival të jetë më i miri ndonjëherë, dhe se është e lumtur se po merr mësime nga më të mirët si Sanremo, direkt në selinë e Rai.

“Këto mësime të vlefshme do t’i sjell me vete në vendin tonë për të bërë më të mirën për festivalin tonë të dashur”, ka shtuar ajo.

Filma kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit në kinemanë verore të DPA-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi kalendarin e shfaqjeve të filmave në Kinemanë Verore, kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit, si dhe aplikacionin e ri të rezervimit të biletave, ku hyrja është falas.  Në kinemanë verore të DPA-së do të mbahen edhe shfaqje teatrore dhe filma artistikë të Universitetit të Arteve (UA), që do të mund të rezervohen përmes këtij aplikacioni.

Duke filluar nga data 24 qershor, Kinemaja Verore pranë DPA-së do të nisë një sezon të ngjeshur artistik me shfaqjen e realizimeve filmike, që risjellin kushtrimin e dëshmorëve të atdheut. Përmes kësaj nisme, DPA-ja përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm: janë pikërisht të rinjtë dhe të rejat ata që kanë dalë në mbrojtje të atdheut, kur liria e tij ka qenë e rrezikuar. Falë tyre, gëzojmë sot një vend të pavarur, që e drejtojnë vetë shqiptarët.

Kinemaja verore ka një kapacitet prej 140 ulësesh, ku do të shfaqen 10 filma, për ndjekjen e secilit prej tyre, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin e ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.

Kjo nismë, që gëzon bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), vjen në vazhdën e synimit të DPA-së për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën, nëpërmjet formave bashkëkohore.

Në repertorin e përzgjedhur, bëjnë pjesë filmat:

“Gjeneral Gramafoni”, më 24 qershor, ora 20:00;

“Lulëkuqe mbi mure”, më 16 korrik, ora 20:00;

“Partizani i vogël Velo”, më 25 korrik, ora 20:00;

“Mëngjese lufte”, më 14 gusht, ora 20:00;

“Yjet e netëve të gjata”, më 29 gusht, ora 20:00;

“Njeriu me top”, më 11 shtator, ora 20:00;

“Nusja dhe shtetrrethimi”, më 24 shtator, ora 18:00;

“Malet me blerim mbuluar”, më 8 tetor, ora 18:00;

“I teti në bronz”, më 28 tetor, ora 18:00;

“Kthimi i ushtrisë së vdekur”, më 11 nëntor, ora 18:00./atsh/KultPlus.com

“Nji za dashnije” koncerti recital i Adelina Thaqit, Gjon’s Tears mysafir special

Këngëtarja e njohur Adelina Thaqi është në përgatitjet e fundit të koncertit të saj recital, koncert që e ka titulluar “Nji za dashnije – Për ty Prishtinë” e që përpos që shënon prezantimin e saj në një format të tillë, Thaqi në të njëjtën kohë këtë koncert ia dedikon edhe 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Adelina Thaqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se këtë koncert nuk e quan si rikthim në skenë, por si vazhdimësi e krijimtarisë së saj artistike, duke pas parasysh se angazhimin me fushën e muzikës nuk e ka ndërprerë asnjëherë.

“Është një ndjenjë e bukur, përmbushëse, më bën me u ndi e fuqishme, e gjallë, sepse muzika, këndimi është gjuha ime me të cilën unë shprehi ndjenjat, dashurinë, jetën, gjithë anët e mira të jetës, por edhe ato sfiduese”, ka thënë Thaqi e cila ka shtuar se rikthimi i saj po bëhet në një mënyrë shumë të bukur, pasi që po vjen me një koncert recital.

Ajo në këtë koncert do të prezantohet me 15 paraqitje, paraqitje që do të shoqërohen edhe nga artistë të tjerë, por që nuk ka zbuluar se kush do të jenë ata këngëtarë që do të ngjiten në skenë bashkë me Adelinën, përpos emrit të mysafirit special e që është Gjon Muharremaj, i njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, i cili kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovision, i cili me vota të jurisë pat zënë vendin e parë, sukses që e kishte shënuar në vitin 2021.

“Gjoni do të paraqitet me një këngë, sikurse që do të prezantohet me një këngë tjetër edhe me mua. Dua ta falënderoj publikisht, sepse na ka nderuar shumë me pjesëmarrjen e tij në këtë koncert” ka thënë Thaqi.

Adelina Thaqi ka zbuluar se në këtë koncert recital do të publikohet edhe një këngë e re, këngë që është dedikim për babin e saj të ndjerë.

Krejt në fund ajo ka thënë se ky koncert i dedikohet gjithë punës së saj, karrierës, dashamirësve të këngës së saj, dhe e fundit, por më thelbësorja, ky koncert vjen edhe dedikim për 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës. Koncerti do të mbahet më 27 qershor, në Klan Arena e që do të fillojë në ora 19:30. / KultPlus.com

20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend

Më 20 qershor 1944, Gjergj Kokoshi ngarkohet zyrtarisht për të drejtuar arsimin në vend.

Gjergj Kokoshi u lind në Shkodër më 1904, studimet i kreu në Itali dhe Francë për filozofi, më pas mori titullin doktor në Paris për letërsi. Në vitin 1930 ai u kthye për tu bërë pjesë e trupës akademike në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë.

Në vitin 1944 emërohet Ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, ku organizoi kongresin e arsimtarëve antifashistë dhe hartoi platformën për një arsim cilësor. Kokoshi pa kaluar shumë kohë jep dorëheqjen më 13 janar 1945.

Më pas ai dënohet me 30 vite burg dhe dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel aty ku edhe vdiq në vitin 1960.

Gjergj Kokoshi nuk u martua asnjëherë dhe nuk la pasardhës. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të at Antonio Belushit

Ka vdekur Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

Me këtë rast ka shpreh ngushëllime edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila veprimtarinë dhe kontributin e Belushit për shqiptarët e vlerësoi lart.

KultPlus ju sjell yë plitë reagimin e presidentes Osmani.

Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri.

Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.

Kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje.

Si Presidente e vendit, kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse e iu plotësua dëshira e tij jetësore.

I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin!/ KultPlus.com

Festivali “The NECE” sjell në Tiranë edukimin qytetar mbi sfidat e reja të shoqërisë

“The NECE Festival” do të vijë në Tiranë, në datat 14-17 nëntor, për të bërë bashkë shoqërinë civile, politikën, akademikët, median dhe kulturën për bashkëpunim dhe shkëmbim ndërdisiplinor të ideve të ndryshme mbi “Edukimin Demokratik në Evropë”.

Në takimin e organizuar nga The Civic Innovation Hub dhe partnerët SCiDEV ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja për të promovuar këtë festival.

Ministri është shprehur se, nismës “Edukimi për Demokracinë në Evropë” i bashkohet edhe Shqipëria, për t’u përballur me edukimin qytetar mbi sfidat e reja që hasen në shoqëri.

Vetë filozofia e The NECE Festival bazohet në një platformë e cila mbledh njerëz nga e gjithë bota për t’u lidhur, mësuar dhe për t’u rritur në frymën e demokracisë qytetare.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke u mbështetur në misionin dhe strukturat e saj është e motivuar për të qenë një nga pikat e forta të vendit për edukimin qytetar dhe implementimin e reformave demokratike evropiane në vend”, shkruhet në një postim të MEKI-t, në rrjetet sociale.

“A Thua Ëndërr Ishe Ti”, ekspozita që do të prezantojë veprat e artistëve të njohur

Në kuadër të edicionit të katërt të RLIOF do të hapet edhe një ekspozitë me kuratore Arta Aganin, ekspozitë që do të përfshijë kryevpera të artistëve të njohur shqiptarë, si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 22 korrrik dhe do të rri e hapur deri më 31 korrik.

Më poshtë është njoftimi i plotë i RLIOF.

Ekspozitë në RLIOF 4: A Thua Ëndërr Ishe Ti 🎨✨

Bashkohuni me ne në ekspozitën e veçantë ‘A thua ëndërr ishe ti’ që shënon fillimin e rrugëtimit të edicionit të 4-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operas – Rame Lahaj.

Kuruar nga Arta Agani, ekspozita shpërfaq kryevepra të koleksionit privat të biznesmenit Rasim Mrlakut, përfshirë ato të artistëve të njohur si Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj. 🖼️🌟

Ekspozita hulumton simbolet e thella dhe shpesh të fshehura që artistët përdorin për të përfaqësuar ëndrrat, dashurinë dhe nostalgjinë. Duke eksploruar këto tema përmes pikturës, ‘A thua ëndërr ishe ti’ synon të zbulojë gjuhën universale të simboleve që flet për thellësitë e përvojës njerëzore. Pikturat e koleksionit të z. Mrlakut përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe shprehjesh; megjithatë disa prej tyre në veçanti lidhen për nga poetika që përmbajnë e që korrespondon me festivalin dhe temën e sivjetme ‘T’knoft zemra’.

🗓️Hapja për publikun nga 22 Korriku deri më 31 Korrik

📍Galeria e Fakultetit të Arteve./ KultPlus.com

Ka vdekur ati shpirtëror i arbëreshëve, Antonio Belushi

Ka vdekur Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

I quajtur edhe “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”, Belushi ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik, veprimtar e humanitar.

Ai ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”.

Antonio Belushi ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”.

Prej nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi.

Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”./ KultPlus.com

“Albania Guitar Festival” zhvillohet edicioni i 8-të në muzeun “Onufri” në Berat

Në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri” në Berat u organizua “Albania Guitar Festival”. Bëhet fjalë për edicionin e 8-të të festivalit të Kitarës që këtë vit ngriti siparin në qytetin e një mbi një dritareve. Kitaristi Denis Bizhga me interpretimin e tij mbushi me emocion artdashësit e shumtë, ndërkohë që në flaut ishte edhe artistja holandeze Corien Woestengurg.

 “Këtë vit ne jemi në edicionin e 8 të festivalit të kitarës, kemi zgjedhur qytetin e bukur të beratit, në muzeun Onufri për të dhënë një recital për kitare dhe flaut, do të luaj unë në këtë mbrëmje së bashku me artisten nga Hollanda, Korinë Vashënburg. Një repertor i zgjedhur me periudha të ndryshme stilistike gjithmonë dhe për të respektuar objektin e kultit, por dhe muzeun Onufri dhe gjithmonë për ti dhënë atraksion kulturor qytetit të bukur të Beratit”, Denis Bizhga.

Kitaristi i mirënjohur tregoi edhe arsyen se përse zgjodhi që këtë festival ta zhvillonte në qytetin e Beratit.

“Mendoj që kur muzika është e gërshetuar dhe me objektet të trashëgimisë tonë kulturore, vjen si një vlerë e shtuar për promovimin e traditave tona më të mira dhe kulturës tonë për të gjithë turistët e interesuar “, Denis Bizhga.


Edhe vetë drejtori i Muzeut Ikonografik Onufri tregoi se evente të tilla promovojnë vlerat e jashtëzakonshme jo vetëm të muzeut, por edhe të qytetit.

 “Muzeu ikonografik Onufri si pjesë e qendrës muzeore Berat prej kohësh ka hapur dyert e tij për evente të veçanta kryesisht kulturore dhe muzikore për të promovuar jo vetëm vlerat e këtij muzeu, vlerat e tij të jashtëzakonshme por edhe vlerat e qytetit të Beratit”, Miklor Pasku.

“Turistëve mos ti ofrojmë thjeshtë një orar vizite të muzeut por edhe përtej këtij orari të kemi aktivitete të cilat mbushin dhe plotësojnë në mënyrë perfekte gjithë paketën turistike që ka në bazë trashëgimin kulturore dhe historinë e qytetit të beratit”.Keep Watching

Albania Guitar festival mbyllet në datën 27 qershor ku kitaristi Bizhga do të performojë në natën e fundit  me profesorin dhe kitaristin e njohur Gjerman Gerhard Rahemba.