Nicole Kidman, ikona e kinemasë sot mbush 57 vite

Sot, feston ditëlindjen një prej aktoreve më të shquara dhe më të dashura të Hollywood-it, Nicole Kidman. Aktorja e lindur në 20 qershor 1967 në St. Vincent në Australi, ka arritur një karrierë të shkëlqyer, duke fituar zemrat e shikuesve dhe kritikëve me talentin e saj të jashtëzakonshëm dhe prezencën skenike.

Kidman fillimisht u bë e njohur në Australi për rolet e saj në filma si “BMX Bandits” dhe “Dead Calm”, por ajo u bë vërtet e famshme në skenën ndërkombëtare me performancën e saj në filmin “Days of Thunder” në vitin 1990.

Pasi fitoi vëmendjen e Hollywood-it, Kidman vazhdoi të shkëlqejë në karrierën e saj me role të thella dhe të ndjeshme në filma si “To Die For”, “Eyes Wide Shut” dhe “Moulin Rouge!”, për të cilin ajo u nominua për Çmimin e Akademisë. Ajo fitoi Çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë në Rolin Kryesor në vitin 2003 për performancën e saj të mahnitshme në filmin “The Hours”.

Nicole Kidman është një aktore e sjellshme, e aftë të shfaqë emocionet në mënyrë të thellë dhe autentike. Ajo ka lënë gjurmë të thella në industria e kinemasë me larmishmërinë e rolave të saj, prekshmërinë e interpretimit dhe aftësinë e saj për të përcjellë histori të ndryshme në mënyrë të besueshme dhe të fuqishme.

Filmi “Big Little Lies” i prodhuar nga HBO, ku Kidman interpreton rolin kryesor, tregon talentin e saj të jashtëzakonshëm si aktore. Për këtë rol, ajo fitoi Çmimin Emmy dhe Çmimin Golden Globe, duke vënë në dukje aftësinë e saj për të portretizuar me saktësi emocione komplekse dhe konflikte psikologjike.

Përveç karrierës së saj në kinema, Nicole Kidman ka arritur sukses të madh edhe në skenën e teatrit dhe televizionit. Ajo ka luajtur në shfaqje teatrale të famshme dhe ka interpretuar role të rëndësishme në seriale televizive të suksesshme.

Nicole Kidman është një personalitet i njohur për stilin e saj të jashtëzakonshëm dhe elegancën. Ajo është një ikonë e modës, gjithmonë e veshur në mënyrë të përsosur dhe në harmoni me ngjyrat dhe stilin e saj.

Përveç talentit të saj të madh si aktore, Kidman është një humaniste aktive dhe mbrojtëse e të drejtave të grave.

Nicole Kidman, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë të UNIFEM-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Grave), vizitoi Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës, duke shfaqur angazhimin e saj të thellë për të drejtat e grave dhe përkrahjen e viktimave të dhunës dhe konfliktit. Vizita e saj ishte një simbol i solidaritetit dhe ndihmës së nevojshme për të rindërtuar dhe përmirësuar jetën e grave në një kohë kur vendi ishte në rrugën e shërimit dhe rinovimit. Nicole Kidman theksoi rëndësinë e barazisë gjinore, arsimimit dhe ndihmës sociale për të ndihmuar gratë në Kosovë të ndërtojnë një të ardhme të ndriçuar dhe të sigurtë. Vizita e saj në Kosovë tregoi angazhimin e vërtetë të Nicole Kidman për të ndihmuar dhe frymëzuar gratë në mbarë botën.

Me karizmën dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, Kidman ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e kinemasë. / KultPlus.com

Banesa 250-vjeçare në Shkodër, dëshmi e kulturës dhe traditës

Projekti “Të çelen arkapijat”, frymëzuar nga proza e Migjenit me të njëjtin titull, prezanton një tjetër banesë të vjetër të Shkodrës, si mundësi unike për të eksploruar dhe festuar trashëgiminë tonë kulturore.

Kësaj here është përzgjedhur banesa e familjes Çeka, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1963. Banesa ruhet mjaft mirë, përsa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin elemente me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250-vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibranë, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Me stil oriental, kjo banesë ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin “odës së miqve” të periudhës së shek XVIII-XX.
Ky projekt po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.

Projekti shihet si një kthim pas në historinë e qytetit të Shkodrës, në kohën kur nis emancipimi në shoqërinë shqiptare, në fillim-shekullin XX. Çelja e arkapijave shënon një kthesë për shoqërinë e kohës, ndryshim që synon lehtësimin e lidhjeve sociale dhe promovimin e lirisë së grave e vajzave.

“Të çelen arkapijat” është një projekt i shoqatës M.I.R.A, që sjell nga kujtesa në realitet disa nga dyert e familjeve shkodrane. Dyer që jo vetëm fshehin histori, por art, kulturë, trashëgimi, arkitekturë, qytetari, etj./atsh/KultPlus.com

20 qershori, Dita Botërore e Refugjatëve

Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbështetur refugjatët anembanë globit. Çdo vit më 20 qershor nderohet forca dhe guximi i njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.

Dita Botërore e Refugjatëve është një rast për të krijuar ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden si dhe për të vlerësuar këmbënguljen e tyre në rindërtimin e jetës, dikund tjetër.

Sipas të dhënave të OKB-së, çdo minutë 20 njerëz lënë gjithçka pas për t’i shpëtuar luftës, persekutimit apo terrorit. Ekzistojnë disa lloje të personave të zhvendosur me forcë: refugjatët, azilkërkuesit, të zhvendosurit brenda vendit, të kthyerit etj.

Sipas OKB-së me termin refugjat nënkuptojmë dikë që u largua nga shtëpia dhe vendi i tij/saj për shkak të “frikës prej  persekutimit për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik”.  Shumë refugjatë janë në mërgim për t’i shpëtuar efekteve të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu.

Azilkërkuesit janë refugjatë të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre siç bëjnë refugjatët, por kërkesa e tyre për statusin e refugjatit nuk është vlerësuar ende përfundimisht në vendin ku ata kanë ikur.

Personat e zhvendosur brenda vendit janë njerëz që nuk kanë kaluar një kufi ndërkombëtar, por janë zhvendosur në një rajon të ndryshëm brenda vendit të tyre.

Personat pa shtetësi nuk kanë një shtetësi të njohur dhe nuk i përkasin asnjë shteti. Situatat e pashtetësisë zakonisht mund t’i përjashtojë ata nga aksesi në shërbime të rëndësishme qeveritare, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin ose punësimin.

Të kthyerit janë ish-refugjatë që kthehen në vendet ose rajonet e tyre të origjinës pas një kohe në mërgim. Të kthyerit kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë riintegruese për t’u siguruar që ata mund të rindërtojnë jetën e tyre në shtëpi.

Konventa e OKB-së e vitit 1951 për Refugjatët dhe Protokolli i saj i vitit 1967 janë të vetmet instrumente ligjore globale që mbulojnë në mënyrë eksplicite aspektet më të rëndësishme të jetës së një refugjati. Sipas dispozitave të tyre, refugjatët meritojnë, minimalisht, të njëjtat standarde trajtimi që gëzojnë shtetasit e tjerë të huaj në një vend të caktuar dhe, në shumë raste, të njëjtin trajtim si shtetasit./ atsh / KultPlus.com

Himara, qyteti i vogël bregdetar ku gjen gjithçka

Në Himarë gjen gjithçka. Himara edhe këtë mes qershori është thuajse plot. Qyteti i vogël bregdetar i Rivierës sonë, mbetet vendi i përsosur për t’u qetësuar, për një, dy ose më shumë ditë. E pohojnë vetë pushuesit të cilët thanë për ATSH-në se këtu kanë gjetur gjithçka.

Pyetëm si fillim një çift gjerman, të cilët po drekonin në një nga restorantet e vogla të Potamit.

“Jemi shumë të befasuar, vërtet. Për natyrën kishim krijuar një ide nga fotot dhe instagrami por kur erdhëm, ishte shumë më e bukur. Kemi bredhur në botë në vende të mrekullueshme, por energjinë e Himarës nuk e kemi përjetuar. Sa për ushqimin duhet të jeni krenarë se keni një prej kuzhinave më të mira në botë”, thanë ata.

Himara është një qytet relativisht i vogël, ku njerëzit vijnë për t’u çlodhur e asnjë qëndrim këtu nuk është i plotë pa përhumbjen nëpër plazhet dhe gjiret e saj të mrekullueshme.

Gjen këtu nga të gjitha, plazhe me guralecë, plazhe ranorë, limanë të vegjël, gjire të fshehura me ujëra bruzë e gurë të çmuar.

Një grup të rinjsh britanikë, ndaloi për pak (ishin me biçikleta) dhe iu përgjigj menjëherë pyetjes sonë. Si përfundim ia vlejti ky udhëtim?

“Po super kënaqemi, realisht një vend i paparë fare. Ishim në Kala Festival, fantastike vërtet. Këto ditë pas netëve pa gjumë, patëm mundësi të qetësoheshim dhe të bënim atë për të cilën edhe erdhëm, pedalim dhe aventurë. Kemi gjetur gjire dhe plazhe që janë si në ëndrra. Absolutisht fantastike dhe është kaq lirë. Pastaj Anglia fitoi, çfarë duam më shumë”, u shprehën disa prej tyre.

Patjetër që ky qershor është edhe më i veçantë pasi atmosfera e EURO 2024 e bën Himarën më nacionaliste se kurrë.

Të ndjekësh ndjeshjet e skuadrës së zemrës buzë Jonit është eksperiencë e bukur. Nëse dëshiron “Fan Zone”-n e bashkisë e gjen në pedonale, por nëse shkon me vonesë vështirë se gjen tavolinë, pasi janë të rezervuara. Ky është habitati i tifozave më të zjarrtë.

“Fan Zone” tjetër është mu buzë detit dhe është i veshur krejt me flamuj kuq e zi. Këtu gjen më së shumti grupmosha të reja dhe romantikët e buzëmbrëmjeve.

Ja kështu, qyteti i vogël bregdetar po kalon një tjetër verë të mbarë, pasi mbetet absolutisht një vend special, ku të gjithë turistët vendas dhe të huaj mund të gjejnë lehtësisht parajsën e tyre./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton ekspozitën e Xhafa-Mripës: Çdo fustan, fund dhe këmishë tregon një histori guximi

Presidentja Vjosa Osmani e ka vizituar ekspozitën “Thinking of You”, në Hagë, ekspozitë kjo e realizuar nga Alketa Xhafa Mripa.

Ekspozitën, Osmani e quajti të “fuqishme” e cila tha se “merr vëmendjen ndërkombëtare që meriton”.

Ky instalacion i jashtëzakonshëm, i cili ishte gjithashtu pjesë e #WPSRKS2024, dhe premierë në #IDESVC, sipas Osmanit, e ka shndërruar Hagën në një homazh prekës për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, raporton Klankosova.tv.

“Çdo fustan, fund dhe këmishë—dhuruar nga mbi 20 vende—tregon një histori guximi dhe qëndrueshmërie. Kjo ekspozitë, ku mori pjesë edhe e dërguara ime speciale Vasfije Krasniqi, si dhe Shyrete Tahiri dhe të tjerë të panumërt, është e përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin global për këtë çështje kritike, duke fuqizuar të mbijetuarit të gjejnë zërin e tyre dhe të ndajnë të vërtetën e tyre”, ka thënë Osmani në një postim në X.

Shaqiri hyn në histori, i pari që shënon në gjashtë turne të mëdhenj ndërkombëtarë

Futbollisti shqiptar me shtetësi zvicerane, Xherdan Shaqiri, sonte është bërë i pari në histori të futbollit që shënon në gjashtë turnet më të mëdhenj ndërkombëtarë.

Shaqiri me Zvicrën shënoi në Kupën e Botës në vitin 2014 dhe në Kampionatin Evropian në vitin 2016.

Ai e vazhdoi traditën e shënimit të golave edhe në Kupën e Botës në vitin 2018, më pas në Kampionatin Evropian 2020, për ta bërë të njëjtën gjë në Kupën e Botës në vitin 2022 dhe sonte në Kampionatin Evropian 2024, njofton Klankosova.tv.

Deri më tani në kampionate Botërore dhe Evropiane, Shaqiri ka shënuar gjithsej 10 gola.

Golin e fundit Shaqiri e shënoi sonte kundër Skocisë në minutën e 23-të të ndeshjes.

Nuk mjafton supergoli i Shaqirit, Zvicra ‘ndahet’ në paqe me Skocinë

Zvicra dhe Skocia kanë marrë nga një pikë në ndeshjen e sotme.

Rezultati përfundimtar në ”Rhein Energie Stadion”, ishte i barabartë 1-1, shkruan IndeksOnline.

Një autogol nga Fabian Schar në minutën e 13-të i dha epërsinë Skocisë.

Futbollisti kosovar, Xherdan Shaqiri shënoi një supergol në minutën e 26-të, duke barazuar shifrat në 1-1.

Rezultati nuk u ndryshua deri në fund dhe të dyja kombëtaren moren nga një pikë.

Zvicra është afër kualifikimit në fazën e 1/16, pasi renditet e dyta në Grupin A, me katër pikë, dy më pak se Gjermania e cila ka siguaruar kuallifikimin tutje.

Skocia është në vendin e tretë me një pikë, ndërsa Hungaria e fundit me 0 pikë./IndeksOnline/ KultPlus.com

ANALIZË EURO2024 – Shqipëria përballon suksesshëm Kroacinë

Klaus Gjasula nga ferri në parajsë, kur barazoi  2-2 për Shqipërinë kundër Kroacisë në Euro2024 pas një autogoli, një rezultat që nuk ndihmon ambiciet e asnjërës palë për të dalë nga Grupi B.

Kroacia kapërceu një pjesë të parë të dobët dhe dukej në rrugën e duhur kur golat e  Andrej Kramaric në të 74-ën dhe fatkeqësia e Gjasulës – goditur nga një tentativë largimi nga shoku i skuadrës Berat Gjimshiti – në të 76-ën i çuan 2-1.

Gjasula, i cili kishte hyrë vetëm në të 72-ën minutë, më pas doli në fushë dhe gjuajti në këndin e poshtëm të majtë në minutën e pestë të kohës shtesë.

Shqipëria kaloi në epërsi, jo pas 23 sekondash si kundër Italisë, por në minutën e 11-të, nga goditja me kokë e Qazim Laçit, ku portieri Dominik Livakoviç duhet të kishte bërë ndoshta më mirë.

Skuadra e moshuar e Kroacisë ,e udhëhequr nga 38-vjeçari Luka Modric, i dyti në Kupën e Botës në 2018 dhe i treti në 2022, dukej se e kaloi kulmin e tij në pjesën e parë, por u rikuperua shumë përpara se të mbetej pa fat.

Ishte një ndeshje kyçe për të dyja skuadrat pasi kishin humbur përballjet e tyre hapëse, Kroacia 3-0 kundër Spanjës dhe Shqipëria 2-1 kundër italianëve.

Shqipëria ishte më e lumtur me rezultatin, por barazimi nuk i përmirëson shanset e asnjërës palë, sepse Kroacia përballet me Italinë në ndeshjen e fundit të hënën, ndërsa Shqipëria përballet me Spanjën.

Por, së pari vjen dueli i favoritëve Italia dhe Spanja, të enjten.

Nga ferri në parajsë

“Kam kaluar në ferr në 15 minutat e para”, tha Gjasula për Magenta TV.

“Të gjitha emocionet çlirohen. Dhe me pak fat u bë i mundur edhe një grusht me fat në fund”, shton ai.

Shoku i skuadrës Kristjan Asllani nga kampioni italian Inter Milan foli për “emocione të mëdha për ne”, ndërsa kroati Luka Sucic e quajti rezultatin “shumë të hidhur”.

“Shqipëria ishte shumë kompakte, shumë agresive. Ata na e bënë shumë të vështirë. Por ne duhet të qëndrojmë pozitivë. Ne e dimë se kemi cilësinë për të avancuar në fund të fundit”, tha Suçiç.

Kroacia pasive i lejon Shqipërisë të shënojë

Kroacia kishte tre lojtarë të rinj në formacion në formën e Ivan Perisiç, Bruno Petkoviç dhe Josip Juranoviç.

Ata dominuan topin, por nuk kërcënuan dhe shpejt mbetën prapa.

Shqipërisë iu dha shumë hapësirë ​​për të goditur topin kundër një mbrojtjeje pasive dhe krosimi i Jasir Asanit nga e djathta e gjeti Laçin në shtyllën e afërt, me Livakoviçin që nuk dukej mirë edhe pse goditja me kokë ishte e shkurtër.

Megjithatë, Livakoviç ishte i kujdesshëm ndaj Nedim Bajramit në të 15-ën, akoma më shumë në të 31-ën kur Shqipëria u thye dhe Bajrami provoi sërish, dhe kundër një goditjeje me kokë të Rey Manajt pak para intervalit.

Kroacia lufton pas pushimit të pjesës së parë

Kroacia, e cila nuk kishte arritur një goditje në portë në pjesën e parë dhe ishte me fat që ishte vetëm një gol më pak, tregoi më shumë vendosmëri pas rifillimit, me Mario Pasaliç dhe Sucic në vend të Lovro Majer dhe Marcelo Brozoviç.

Shqipëria u rikthye dhe goli i barazimit nuk ishte befasi.

Kroacia e bëri kthesën vetëm dy minuta më vonë, e merituar, por me shumë fat.

Goditja e Suçiçit nga afër u ndal nga Berat Gjimshiti, por topi goditi këmbën e fatkeqit Gjasula dhe shkoi në rrjetë.

Kthim i vonë

Shqipëria dukej e mposhtur, por gjeti një energji të re në fazat e mbylljes dhe u shpërblye në minutën e 95-të, kur Manaj e vendosi Gjasulën në pozicion goli.

Gjasulës i kishte mbetur ende kohë për të pasur një tjetër tentativë, e cila u bllokua nga Sutalo, ndërsa në anën tjetër Strakosha i mohoi një gol Kovaçiçit./ atsh/ KultPlus.com

Raportet e Nolit me Zogun, Ilir Ikonomi zbulon detaje interesante/ Si u kthyen në armiq, miqtë e mirë

Gazetari Ilir Ikonomi në emisionin “Open” në News24 ka folur për vëllimin e parë të librit Apostull, për të cilin tha se ka gjetur detaje interesante mbi Fan S. Noli, duke theksuar se ai shkonte në Vjenë, për të gjetur në arkiva të dhënat për Skënderbeun.

“Kur ai erdhi në Shqipëri, ai pati rastin të shkonte në Vjenë. Gjithashtu ai tentoi të shkonte në Moskë, por nuk u pajis me vizë. Në vitin 1923 bën një tjetër përpjekje për të shkuar në Moskë, këtë rradhë qeveria atje ia dha vizën, por Noli hezitoi të shkonte, pasi nuk do të mirëpritej ky udhëtim në Shqipëri”, rrëfeu Ikonomi.

Gjithashtu, gazetari zbuloi se Nolin nuk e kanë lejuar të zbresë nga anija në Durrës, ndërsa në Vlorë pa zbritur nga anija, e kishin pritur mirë.

Përsa i takon marrëdhënieve të Nolit me Qeverinë shqiptare apo për përfshirjen e tij nga Kisha në politikë, Ikonomi tha se Noli ishte shumë ambicioz dhe ai mendonte se do të ishte njeriu i vetëm që do të sillte ndryshimin në Shqipëri.

“Noli u mor me kishën në Korçë dhe e njoftuan se e kishin zgjedhur ministër të Jashtëm. E njoftonin Nolin në mënyrë telegrafike që të vinte në Tiranë dhe ai i thoshte jo nuk vij. Më në fund ai pranoi me ndikimin e Zogut. Ne kishim përshtypjen se ata ishin armiq, por në fillim ata ishin miq të mirë. Ka dokumente që Noli i kërkonte Zogut që të paguante shërbëtorin, të paguante qeranë e shtëpisë, madje edhe të priste mobiljet e shtëpisë së Nolit që vinin në portin e Durrësit. Dhe Zogu i kthente përgjigje: shërbëtorin e pagova, qeranë e banesës e pagova dhe mobiljet nuk kanë ardhur ende. Në këtë kohë Zogu ishte ministër i Brendshëm, ndërsa Noli i çonte telegrame nga Italia. Pastaj Noli nisi atë luftën për ta rrëzuar”, tha Ikonomi.

Gazetari ka zbuluar një tjetër detaj interesant kur Sejfulla Malëshova i shkruante Nolit nga Roma. “Më vjen keq që nuk je këtu se po jepen shfaqjet e reja”, ishte detaji i zbuluar nga Ikonomi, duke shtuar se kjo e bënte të kuptonte se Noli dhe Malëshova shkonin dhe shikonin bashkë këto shfaqjet.

Ikonomi tha se Noli ishte i majtë, ndërsa Zogu ishte për një Shqipëri të stabilizuar. “U bë një grusht shteti, i shkuan Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, në hotel dhe i kërkuan dorëheqjen, në një kohë kur Parlamenti ishte shpërndarë. E mori Qeverinë, Kaculi i cili pendohet 6 orë pasi mori detyrën, pra kishim një grusht shteti”, tha gazetari./ balkanweb/ KultPlus.com

Feja nuk më mësoi ta dua veten

Arbër Selmani

Feja nuk m’i lindi këngët, mendimet, pranimin, sigurinë.
Profetët pastruan vetëm pasqyrat e tyre
Imamët mbollën veç në kopshtet që kishin
Budistët as ujë për mëshirë nuk më dhanë
Të krishterët gjithmonë më harruan, më zvogëluan
Hoxhallarët qëndisën xhemperë, kurrë për mua
Pastorët shtypën dritën e hyjit tim
Myslimanët ma duan dënesën, vdekjen, pendesën
Gurutë më lanë jashtë poezisë së shenjtë
Myftinjtë bëjnë gjumin në kurriz të sëmundjes sime
Shamanët ankohen për Diellin tim, për çakrat e mia
Murgjit kërkojnë të m’i qepin buzët
Kantorët vjellin mbi letërsinë e letrave që shkruaj.
Feja ma ndalon ta dua tjetrin, atë që dua
Liderëve nuk u puthen idetë
Edhe puthjen feja ma ndalon me vulë
Teologjia më jep veç lot.
Ka një jetë që feja nuk më merr poshtë çarshafit të njerëzisë,
çarshafit të dashnisë./ KultPlus.com

Qeveria i ndan mbi 10 mijë euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës

Qeveria e Kosovës i ka ndarë 10 mijë e 270 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Vendimi u mor në mbledhjen e ekzekutivit, që u zhvillua online.

Ndarja e këtyre parave, u bë me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve lobuese të këtij këshilli, gjatë vizitës në Gjermani këtë muaj.

Kjo u bë e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Jorge Luis Borges i përgjigjet pyetjes “Përse shkruaj?”

Përgatiti: Albert Vataj

Unë nuk do rrija dot pa shkruar. Përherë kam qenë i bindur se fati im ishte një fat letrar lexuesi si dhe, çuditërisht, shkrimtari. Unë shkruaj për t’iu përgjigjur një domosdoshmërie, një kërkese të brendshme. Sikur të kisha qenë një Robinson Kruzo në ishullin e vet apo një Edmond Dantes i Kontit të Monte Kristos, nuk do të kisha shkruar. Deri në moshën 30-vjeçare besoja gjithçka shkruhej për mua. Më vonë nuk ua vura më veshin. Miqtë e mi e dinë se kur botoj ndonjë libër, nuk duhet të më flasin për të. Prandaj dhe ndodh që kur botoj një libër, nuk di asgjë si e ka pritur kritika, në se e ka pritur mirë apo keq, në se kritika ka qenë e drejtë apo e padrejtë. As si ka shkuar shitja nuk di gjë. Ajo mund t’u interesojë librarëve apo botuesve, s’ka pse t’i interesojë shkrimtarit.

Më kujtohen vargjet e famshme të Kiplingut Duhet të dish të përballosh dështimin dhe suksesin dhe këto dy mashtrime duhet t’i trajtosh njëlloj. Sepse asgjë nuk është aq e dështuar dhe aq e suksesshme sa kujtohet.

Unë nuk i lexoj kurrë ato që kam shkruar. Më ndodh që njerëzit më pyesin: Çfarë do të thotë kjo frazë në këtë rrëfim? Unë u përgjigjem: Unë e kam shkruar këtë rrëfim në kohën e vet dhe që atëherë nuk e kam lexuar më. Një rrëfim shkruhet në një çast të caktuar. pastaj vinë njerëz që kanë kohë për të lexuar. në fund të fundit rrëfimi më shumë u përket lexuesve se sa autorit. Unë mendoj se nuk është fare e mirë të mendosh për të shkuarën, unë mendoj se nuk është mirë të mendosh me rast përvjetorësh. Unë përpiqem të jetoj drejt të ardhmes. Mendoj për atë që do të shkruaj dhe jo për atë që kam shkruar. Në këtë shtëpi është e kotë të kërkoni një libër timin, nuk keni për të gjetur asgjë, me përjashtim vetëm të njërit, një libri të parrezikshëm mbi budizmin që e kemi bërë. Alisia Jurado dhe unë dhe që është përkthyer në gjuhën japoneze. Unë përpiqem të ruaj bibliotekën time.

E kush jam unë që të krahasohem me Volterin apo me Montenjin?

Nëqoftëse, papritur, më duket se diçka dojë ndodhë, zhytem brenda kësaj rrethane, braktıs pasivitetin dhe pres.

Atëherë më shfaqet diçka, një farë zbulimi i turbullt, kjo fjalë është pak pretencioze, prandaj më mirë do ishte të thosha, atëherë më duket sikur shoh diçka që mund të jetë një poemë, një rrëfim, një faqe prozë, që do më zbulohet më pas. Unë përpiqem të ndërhyj sa më pak në atë që shkruaj. Dhe meqenëse nuk kam një mendim të ngrirë, për shembull, etik apo politik, përpiqem t’i përmbaj mendimet e mia të ndërhyjnë në atë që shkruaj. Kiplingu thoshte se një shkrimtari mund t’i ndodhë të shkruajë një fabul pa e ditur ashtu si duhet moralin e saj. Kjo do të thotë se shkrimtari është mbartësi i një trillimi, leximi i së cilës më vonë do të jetë i ndryshëm. Kështu një vepër e tërë mund të përftojë një vlerë që është përtej asaj që ka dashur të shprehë shkrimtari. Një vlerë që për të është e huaj. Ja kjo përputhet me konceptin antik të Muzës, të Shpirtit të shenjtë ose me subkoshenca./ KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i 1 person

Kurti në Hamburg: Jemi të interesuar për skaner me rreze X, që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se synim i Qeverisë është që Kosova të ketë një tregti të sigurt, duke përmendur mundësinë e pajisjes me skanimin me rreze X, sikurse Gjermania.

Këto komente Kurti i bëri gjatë vizitës së tij në Portin e Hamburgut me një delegacion nga Kosova me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Përfaqësuesin e posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin të cilin e falënderoj për mikpritjen e ngrohtë, për këtë vizitë e cila ka të bëjë me vëzhgimin dhe mësimin e këtij skanimi me rreze X që zhvillohet në portin e Hamburgut për kontejnerët, maunët, dhe transportuesit e tjerë”.

“Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt andaj siguria në Kosovë nënkupton sigurinë e kufijve dhe sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt. E falënderoj edhe një herë Sarrazin për këtë mundësi në portin e Hamburgut ku bëhet kontrolli kulmor i mallrave sa i përket sigurisë”, ka thënë Kurti.

‘Në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. /KultPlus.com

‘Shqipëria, avokatja më e mirë e Kosovës’, Begaj për DW: Beleri? Nuk besoj se çështjet bilaterale do të ndikojnë për në BE

Presidenti Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Gjermani, ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle, ku ka folur për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Kosovën, ngërçin me Greqinë për çështjen Beleri, por edhe për kampionatin evropian.

Duke u ndalur te Kosova, Begaj thekson se “Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo organizatë ndërkombëtare”.  I pyetur për çështjen Beleri dhe kërcënimet nga ana e Greqisë, Begaj thotë se Shqipëria i ka bërë më së miri detyrat e shtëpisë dhe se çështjet bilaterale nuk mund të ndikojnë në rrugëtimin evropian.

Sa i përket problematikave me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, Begaj thekson se do të vazhdojnë të mbrojë interesat e shqiptarëve atje.  Një koment ka bërë edhe për problematikat e brendshme dhe situatën maxhorancë-opozitë.

“Në zbatim dhe në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë unë jam President i Shqipërisë dhe qëndroj mbi palët, nuk merrem me politikën e ditës. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e ndjek, që nuk jam i vëmendshëm karshi politikës së ditës, por gjithsesi, në çdo mesazh timin, të cilin ma lejon kushtetuta t’ia adresoj Kuvendit apo ta adresoj në takime të rëndësishme me ambasadorët e huaj apo në ngjarje të rëndësishme në vend, kam adresuar nevojën për të pasur një komunikim dhe dialog të qëndrueshëm midis opozitës dhe pozitës, sepse mendoj që vendi i duhur për të ballafaquar idetë është parlamenti. Është parlamenti ai që duhet të bëjë ligjet dhe të adresojë zgjidhjet në interes të qytetarëve, në interes publik, në interes kombëtar, në interes të të gjithëve.”, tha Begaj.

Intervista e plotë:

Deutsche Welle: Zoti President, kryefjala këto ditë në Gjermani është futbolli. Si e vlerësoni lojën e deritanishme të kombëtares shqiptare?

Bajram Begaj: Përshëndetje, kënaqësi të jem në këtë intervistë me ju, padyshim që kryefjala botërore tani është futbolli. Dhe për mua si President i Republikës së Shqipërisë është ekipi kombëtar i Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur me ekipin kombëtar, ju uroj shumë suksese dhe besoj se dhe Kampionati Evropian i Futbollit është fitore për tifozët shqiptarë, për tifozët kuqezi.

Çfarë roli mund të luajë kjo pjesëmarrje e Shqipërisë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Evropë?

Unë mendoj që imazhi i Shqipërisë në Evropë është i përmirësuar goxha vitet e fundit. Shqipëria është prezente në faqet e para të mediave botërore, për faktin që turizmi në Shqipëri vitin e shkuar ishte një shifër rreth 10 milionë turistë, këtë vit mendohet dhe parashikohet që të jenë rreth 15 milionë turistë. Kjo tregon që Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, sidomos zhvillimi i Shqipërisë, siguria dhe ajo çfarë bën në arenën ndërkombëtare është shumë e mirëpritur dhe e respektuar.
Ju do të takoheni edhe me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Cilat janë pritshmëritë tuaja për rolin e Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit?

Patjetër është kënaqësi të mirëpritem nga Presidenti i Gjermanisë. Është kënaqësi që do të vazhdojë bisedën miqësore të zhvilluar dy vite më parë në Shqipëri, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në lidhje me procesin e integrimit në BE, po ashtu edhe për ngjarjet e rajonit.

Ne patëm zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe kemi vënë re një shtyrje nga e djathta. A keni frikë se kjo do ta ngadalësojë pak procesin e zgjerimit?

Unë nuk kam asnjë frikë. Pritshmëritë tona janë që procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE do të jetë një proces strategjik për Evropën dhe jetik për Ballkanin Perëndimor. Besoj shumë që ky proces të përshpejtohet. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën dhe besoj se Shqipëria është në avangardë të këtij procesi për faktin që është kampione e bashkëpunimit rajonal, ndikon shumë për miqësitë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe aspiratën dhe ëndrrën për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ju e thatë vetë, ju jeni promotor i bashkëpunimit rajonal. Nga ana e Kosovës ka shpeshherë pakënaqësi. Ministrja e Jashtme thotë se politika e Shqipërisë ndaj Serbisë do të duhet të kalojë nëpërmjet Kosovës. Ju çfarë mendimi keni për këtë?

Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në çdo organizatë ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova. Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës. Para dy ditësh isha në Kosovë, mora pjesë në festimet e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kjo tregon që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.

Marrëdhënie shumë të mira kemi, thotë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, edhe me Greqinë, por Greqia e ka bllokuar procesin e integrimit për shkak të çështjes Beleri. Si mund t’i tejkalojë Shqipëria këto sfida?

Shqipëria i ka bërë më së miri detyrat e shtëpisë. Shqipëria ka kaluar me sukses procesin e screening, ka hapur konferencën e parë ndërministrore dhe pret për hapjen e kapitullit të parë që ka të bëjë me kapitullin themelor të legjislacionit. Nuk besoj se çështjet bilaterale do të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ju jeni president i të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që janë jashtë atdheut. Si i adresoni ju problemet e shqiptarëve në Serbi kur flisni me kolegët tuaj?

Patjetër që e kam përgjegjësi kushtetuese të mbroj shqiptarët kudo ku ata punojnë e jetojnë dhe një prej tyre është komuniteti shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës. Unë në fjalën time në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kam ngritur shqetësimin në lidhje me shpopullimin e rajonit të Luginës së Preshevës, me pasivizimin e adresave, dhe besoj se është në nderin tonë që të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shqiptarëve në këtë Luginë.

Ju u takuat me diasporën shqiptare. Një problem kryesor për diasporën është edhe mungesa e mundësisë për të votuar në vendet ku jetojnë. Si po angazhoheni ju për ta realizuar këtë?

Unë kam bërë disa takime me diasporën shqiptare dhe sot bëra një takim për diasporën që jeton në Berlin. Patjetër që për mua diaspora është frymëzim, është me idetë e saj e nevojshme për të kontribuar në atdhe, dhe besoj se bota e diasporës do të adresohet dhe përfaqësimi politik i tyre do të jetë i mirëpritur.

Një problem mbetet çështja e brendshme, panorama ndërpartiake në Shqipëri, marrëdhëniet pozitë-opozitë, të cilat akoma nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për vendin. Çfarë mund të bëni ju për të pajtuar më shumë?

Në zbatim dhe në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë unë jam President i Shqipërisë dhe qëndroj mbi palët, nuk merrem me politikën e ditës. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e ndjek, që nuk jam i vëmendshëm karshi politikës së ditës, por gjithsesi, në çdo mesazh timin, të cilin ma lejon kushtetuta t’ia adresoj Kuvendit apo ta adresoj në takime të rëndësishme me ambasadorët e huaj apo në ngjarje të rëndësishme në vend, kam adresuar nevojën për të pasur një komunikim dhe dialog të qëndrueshëm midis opozitës dhe pozitës, sepse mendoj që vendi i duhur për të ballafaquar idetë është parlamenti. Është parlamenti ai që duhet të bëjë ligjet dhe të adresojë zgjidhjet në interes të qytetarëve, në interes publik, në interes kombëtar, në interes të të gjithëve.

Në vjeshtë zhvillohet për herë të dhjetë procesi i Berlinit. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?

Patjetër që unë e shikoj procesin e Berlinit si një proces që duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Vitin e shkuar patëm fatin ta organizojmë procesin e Berlinit me mjaft sukses dhe të gjitha ato elementë që lidhen me adresimin e çështjeve për tu zgjidhur, gjatë këtij samiti do të adresohen për zgjidhje dhe do të gjejmë vendin e merituar.

Çfarë parashikoni për ndeshjen Kroaci-Shqipëri?

Nuk jam i mirë për parashikime, por shpresoj shumë që ekipi kombëtar shqiptar të fitojë dhe dua që të fitojë./abcnews.al/ KultPlus.com

Emmanuel Levinas, filozofi i përgjegjësisë…

Emmanuel Levinas është një nga filozofët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Mendimi i tij, huazimi nga judaizmi, hap një rrugë të re: nga vetja tek vetja, qenia është e pakuptimtë, vetëm tjetri, “Tjetri” në gjuhën e Levinas, vjen për të na kërkuar dhe na lejon të qasemi drejt njohurisë…

Emmanuel Levinas, filozofi i personalitetit, mikpritjes dhe përgjegjësisë, është aktual më shumë se kurrë. Lindur në janar 1906 në Lituani, ai studioi filozofi në Strasburg (1923-1930), qëndroi në Fribourg të Gjermanisë pranë mjeshtërve të tij filozofë, Husserl dhe Heidegger, më pas u kthye në Francë, ku u natyralizua francez në vitin 1930 dhe ku vazhdoi karrierë si profesor i filozofisë në Universitetin e Poitiers, Paris Nanterre dhe në Sorbonne. Me gjithë statusin e tij si një figurë kryesore në filozofinë e shekullit XX, ai u lexua dhe u mësua pak. Filozofia e tij, huazimi nga judaizmi dhe përdorimi i inovacioneve gjuhësore që e vështirësojnë leximin tonë të parë, gjithsesi hap një rrugë të re: duke e bërë Etikën, kundër Ontologjisë, filozofinë e parë.

Nëse “fytyra e Tjetrit” është një formulë që përmbledh shpesh mendimin e Levinas, pse është ky nocion kaq i rëndësishëm për të? Çfarë nënkupton, zbulon apo urdhëron një fytyrë? Dhe çfarë ndodh kur, fjalë për fjalë, ne “humbasim fytyrën”?

Emmanuel Levinas është filozofi i etikës dhe pa dyshim, moralisti i vetëm i mendimit modern. Por, atyre që e konsiderojnë specialist të etikës, si të ishte etika një specialitet, etika është filozofia fillestare, nga e cila fitojnë kuptim degët e tjera të metafizikës.

“Sigurisht, në historinë e filozofisë ndodh që më vonë të rizbulohen tendencat që retrospektivisht dukej se paralajmëronin risitë e mëdha të të sotmes; mirëpo, këto kishin të bëjnë së paku me tematizimin më parë. Tematizim, ky që kërkon gjenialitet dhe ofron një ligjërim të ri. Puna që e kisha bërë atëherë mbi “teorinë e intuitës” te Husserli ka qenë e ndikuar kështu nga Sein und Zeit, në atë masë saqë kërkoja ta paraqes Husserlin si ta kishte hetuar problemin ontologjik të qeniesimit, më shumë çështjen e statusit se sa atë të esencës së qenieve”, – shprehet Levinas.

Projekti intelektual i Emmanuel Levinas ishte të zhvillonte një filozofi të parë. Në një kohë që tradicionalisht filozofia e parë nënkupton ose metafizikën ose teologjinë, vetëm që të rivendosej nga Heidegger si ontologji themelore, Levinas argumentoi se është etika, ajo që duhet të konceptohet. /Hejza/ KultPlus.com

Franc Kafka, vizita e fundit e Milenës në spital, shkrimtari që dukej se mbante peshën e botës

100 vjetori i vdekjes së Franc Kafkës është shënuar në Bibliotekën kombëtare me një ekspozitë dhe dy kumtesa të studiuesve austriake e çeke. Nga letërsia te jeta plot tallaze që u mbyll shpejt për shkak të sëmundjes, takimi rikthen në vëmendje kontributin e tij letrar.

“E dashur Milena ka kaq kohë që këtu jupret një copëz letre, por nuk arrij ta përfundoj, sepse vuajtjet e vjetra më kanë gjetur edhe këtu, më sulmuan dhe më hodhën poshtë”.

Kjo është veçse një nga letrat që shkrimtari i njohur Franc Kafka i drejtonte Milenës, një prej grave më të rëndësishme të jetës së tij. Për shumë kohë, pyetja ka qenë, a shkoi Milena ta takonte në Austri, ndërsa ai kurohej dhe priste fundin? Studiuesja austriake Charlote Aigner i jep përgjigje kësaj pyetjeje.

“Unë kam gjetur regjistrime audio në arkiva që tregojnë për këtë vizitë të sajën në vendin ku ai kurohej dhe jo vetëm që e ka vizituar por kjo është dëshmia e vetme për pamjen e tij në ditët e fundit të jetës”, tha Charlote Aigner.

Në 100 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të njohur me origjinë hebre, që jetoi në Çeki, shkroi gjermanisht e vdiq në Austri, në Bibliotekën Kombëtare u ekspozuan veprat e tij përkthyera në shqip ndërsa ambasadori çek, Karel Urban dhe ai austriak Christian Steiner , vlerësuan shkrimtarin.

Ambasadori Çek: Besoj se nuk jam i vetmi që mendoj, se kush ishte Franc Kafka në të vërtetë? A ishte çek apo gjerman? Kam dëgjuar një shprehje interesante për të, që gjatë jetës së tij kishte probleme me botën dhe tani ka bota probleme me Kafkën, si ta kuptojë veprën e tij.

Ambasadori Austriak, Steiner tha se “Jam i lumtur jo vetëm në mënyrë zyrtare por edhe personale sepse Franc Kafka dhe vepra e tij më pëlqejnë shumë”.

Përtej diplomacisë së dy shteteve, portreti i imtë i shkrimtarit që u shenjua nga elementet e ekzistencializmit dhe i dha mbiemrin e tij përshkrimeve për pasardhësit, Kafka u përshkrua edhe si ëndërrimtari të cilit bota i rrinte ngushtë.

“Franc Kafka shihej si një vëzhgues i qetë dhe një person ku dukej se qëndronte gjithë pesha e botës. Si është e mundur që ky njeri modest që vështirë ta vësh re, që u diplomua në drejtësi dhe botoi vetëm disa tregime gjatë jetës së tij u bë një nga shkrimtarët e shek 20. Një djalë i butë dhe i ndjeshëm që jetoi në ëndrrat e tij dhe u përplas me një baba pragmatik dhe nëna Pragë ka kthetra që nuk të lëshojnë kurrë”, tha studiuesja çeke, Marketa Malisova.

‘Kështjella’, ‘Metamorfoza’, ‘Procesi’, ‘ Letra Babait’, apo ‘Letra Milenës’, janë disa prej veprave të tij më të njohura. Në shqip ai erdhi vetëm pas ‘90-ës ndërsa siç vërejti nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, shqiptari që pati admirimin e Pragës ishte Aleksandër Moisiu./ Balkanweb/ KultPlus.com

MKRS e British Council nisin punën në fushën e artit dhe ekonomisë kreative

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se, rreth një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Ministrisë së Kulturës dhe British Council në fushën e artit dhe ekonomisë kreative, puna e përbashkët e tyre ka nisur.

“Ministri Çeku dje ka pritur në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ekspertin nga Britania e Madhe për arte dhe ekonomi kreative, John Newbigin, i cili do të jetë i angazhuar në hartimin e strategjisë për industritë kreative në Kosovë”, ka njoftuar ministria.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se kontributi i ekspertit britanik do të fokusohet në hartimin e politikave, kërkimeve dhe avokimit në sektorin e ekonomisë kreative dhe ngritjen e kapaciteteve për profesionistët krijues dhe politikëbërësit, duke siguruar që individët dhe organizatat në fushën e industrisë kreative të rriten.

Vendi ynë nuk ka pasur asnjëherë strategji për zhvillim të industrive kreative dhe, si duket, tash kjo fushë ka marrë vëmendjen e duhur.

Kryeministri Kurti pas ndeshjes Shqipëri- Kroaci: Atmosferë që nuk përsëritet me lojë të bukur futbolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndeshjes  futobiollistike Shqipëri- Kroaci.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ndeshja Shqipëri- Kroaci ka dhuruar një atmosferë që nuk përsëritet.

“Çfarë Shqipërie që na mbush ndjenja dhe entuziazëm! Pjesa e parë ishte e jona. Pjesa e dytë e Kroacisë. Në fund u ndamë me nga një pikë secila. Atmosferë që nuk përsëritet me lojë të bukur futbolli. Ëndrra vazhdon!”, ka shkruar Kurti në facebook./ KultPlus.com

Barazim drithërues, Shqipëria merr një pikë në frymën e fundit kundër Kroacisë

Shqipëria ka marrë një barazim të rëndësishëm në minutën e fundit përballë Kroacisë, me Klaus Gjasulën që shënoi në minutën e fundit për t’i dhënë pikën e parë kuqezinjve në këtë Europian.

Sfida nisi mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 11’ me anë të Qazim Laçit pas një goditje me kokë.

Rastet ishin të shumta nga kuqezinjtë me Asllanin dhe Manajn, por pa arritur ta çonin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, kroatët shënuan dy herë në dy minuta me Kramaric dhe një autogol të Gjasulës.

Por ishte pikërisht ky i fundit, i cili në frymën e fundit të gabimit korrigjon gabimin e tij dhe i jep barazimin skuadrës së Sylvinhos.

Kështu Shqipëria shkon në kuotën e një pike në grupin B, po aq sa edhe Kroacia./topchanel/ KultPlus.com

Sot bëhet promovimi i librit ‘Shqiptarët dhe Serbët – E Vërteta Kundër të Pavërtetës’ në GKK

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ora 18:00 do të promovohet libri ‘Shqiptarët dhe Serbët- e vërteta kundër të pavërtetës’ i autorit Shyqri Nimani.

Ky vëllim monografik, në shqip dhe anglisht, që ka gjithsej 23 kapituj, shqyrton çështje të rëndësishme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb gjatë shekujve. Kapitulli i parë fillon me hyrjen që paraprihet me sintagmën e urtë të Mahatma Gandhit (1869-1948) dhe titullohet ‘Nuk ka Zot më të lartë se e Vërteta’. Kjo sintagmë reflekton pikërisht qëllimin thelbësor që ka të bëjë me ballafaqimin e të vërtetave me falsifikimet e zakonshme të historianëve serbë, që janë ndikuar rregullisht nga qeveritarët e tyre dhe nga kisha ortodokse serbe. 

Kapitulli i dytë mban titullin ‘Trojet shqiptare – margaritarë të Ballkanit’, ku shfletohet trashëgimia historike dhe kulturore e trojeve shqiptare si një tërësi komplekse. Kapitujt në vazhdim zgjojnë interesim të jashtëzakonshëm, sepse sjellin dëshmi relevante mbi atë se Cila është e vërteta për pjesëmarrësit në Betejën e Kosovës (1389)?; Si u bë lahutari shqiptar – guslar sllav me emrin Avdo Medjedović?; Përse u vendos përkrenareja e Skënderbeut në kokën e gjyshit të tij, Palit?. 

Vallë, a do të kujdesen shqiptarët për trashëgiminë e tyre në vendet fqinjë? është një kapitull me interes të veçantë. Autori na ofron kumte për ekzistencën e mjaft kishave të rëndësishme dhe artefakteve të çmueshme që gjenden në vendet fqinje e që historikisht i takonin trojeve etnike shqiptare. Pala serbe, siç dihet tashmë, ka trilluar sajesa – apo mëmirëtëthuhet – falsifikime të vazhdueshme. Andaj, kjo monografi demaskon një numër të madh të pa vërtetave që serbët i kanë  plasuar. 

Promovimi i monografisë organizohet nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyrës së Kryeministrit, në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit. Panelistë për diskutimin e librit do të jenë: Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, Dr. Pëllumb Xhufi, Historian, Jusuf Buxhovi, Historian, dhe Dr. Lulzim Tafa, Poet.

7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Veliaj i dhuron “Çelësin e Tiranës” Shkurte Fejzës, nesër koncerti te Pallati i Kongreseve

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka përgatitur një surprizë për tifozët shqiptarë që po mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë, që është duke zhvilluar ndeshjen me Kroacinë.

Ai ka bërë të ditur se në Tiranë, do të këndojë artistja shqiptare Shkurte Fejza, për të gjithë mbështetësit e kombëtares.

Para përformancës, Shkurte Fejza u prit në takim nga Veliaj, ku iu dhurua edhe Çelësi i Qytetit.

“Çelësi i Tiranës është simboli i një dere të hapur, i një zemre të hapur dhe i një mendjeje të hapur. Ti na ke frymëzuar pafund në çdo festim, në çdo tubim, sidomos në gëzimet me Kombëtaren tonë. Sot në Tiranë kemi shumë qytetarë të Kosovës, por edhe nga vendet e tjera, por fakti që kënga jote ka qenë tamam si ai filli që i ka lidhur shqiptarët kudo ku janë, në një copë të madhe kuq e zi, është diçka e jashtëzakonshme. Duhet të jesh shumë krenare. Ne, po e po! Por edhe ti vetë, për këto 50 vjet dashuri që na ke dhënë pa kushte dhe pa u kursyer. Lajmi i dytë i mirë është që, Shkurte Fejza do të jetë pas pak te Fan Zone, ku do të kemi një surprizë për të inkurajuar Kombëtaren, përpara se të fillojë ndeshja me Kroacinë” u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë se ditën e nesërme Shkurte Fejza do të mbajë një koncert në Pallatin e Kongreseve, si qershia mbi tortë për 50 vite karrierë. “Nesër te Pallati i Kongreseve, në orën 20.00, Shkurte Fejza ka koncertin e saj, qershia mbi tortë, i 50 vjetorit të karrierës. Të jemi shumë mirënjohës dhe të duam shumë”, tha Veliaj.

Artistja Shkurte Fejza tha se është shumë e nderuar me këtë çmim që merr sot nga Bashkia e Tiranës, si jetësim i ëndrrës së saj rinore. “Faleminderit shumë kryetar. Jam shumë e nderuar dhe tani po shoh se thjesht po jetësohet ëndrra ime rinore. Në çdo këngë timen, unë kam kënduar atdheut tonë të përbashkët dhe tani jam e lumtur që ky çmim me të cilin unë u vlerësova, nuk e ke vlerësuar veç njëherë Kombëtaren nga Kosova, por gjithë Kosovën, gjithë shqiptarët kudo ku janë, bashkëpunëtorët, familjen time dhe të jam jashtëzakonisht mirënjohëse. Shumë faleminderit”, deklaroi ajo./KultPlus.com

Rritet numri i netëqëndrimeve të turistëve të huaj me 56.3 %, kryesojnë italianëti

Rritja e shifrave të treguesve të turizmit në vendin tonë, tregon se tanimë Shqipëria është një destinacion turistik që preferohet gjithnjë e më shumë.

Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 62%, në krahasim me prillin 2023.

Ndërsa numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 56.3 %, në krahasim me muajin prill 2023.

Numri më i lartë i pushuesve jorezidentë u shënua nga Kosova, ndjekur nga pushuesit italianë dhe ata gjermanë. Sipas INSTAT pushuesit italianë jorezidentë shënuan rritje me 10.7 %. 5.2 % e pushuesve jorezidentë ishin gjermanë, 3 % ishin britanikë dhe 2.6 % polakë.

Referuar statistikave, numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në rajonin qendër ka shënuar rritje me 86.8 %.

Në zonat jobregdetare ky tregues është rritur me 77.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 74.5 %./atsh/KultPlus.com