Vdes Anouk Aimee

Ylli i kinematografisë, Anouk Aimee, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.

Aktorja franceze ka lënë shenjë te klasikët e Valës së Re, si La Dolce Vita, A Man and a Woman, si dhe Lola.

Lajmin për shkuarjen e saj në amshim e ka bërë të ditur vajza e saj, Manuela Papatakis.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë për vdekjen e nënës sime. Isha afër saj kur vdiq këtë mëngjes, në shtëpinë e saj në Paris”, ka shkruar Papatakis.

“Good Morning America”: Shqipëria – zbuloni mrekullitë natyrore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Maggie Rulli, gazetare në “Good Morning America” tregon eksperiencën e saj në një nga destinacionet luksoze evropiane – me një kosto shumë më të ulët.

Rebecca: Ju mund të mendoni se është Greqia ose ndoshta Italia, por në të vërtetë po shikoni Shqipërinë – ku do të gjeni relaksin luksoz me një çmim shumë më të ulët – dhe Maggie Rulli është atje për të na e treguar – Përshëndetje Maggie!

Maggie – Hej Rebecca – po jeta është e bukur këtu këtë mëngjes- I futa këmbët në ujë dhe dielli po shkëlqen – dhe shiko këtë pamje absolutisht të mrekullueshme. Kur them Shqipëria – shumica ndoshta nuk mendojnë për një destinacion pushimesh dhe kështu ndoshta e lidhin vendin ende me komunizmin.

Por, kur e shihni këtë plazh, mund të shihni se sa shumë ka ndryshuar vendi në 30 vitet e fundit dhe po, ekipi ynë bëri një punë të vështirë për ju. Jeni të mirëpritur të eksploroni të gjitha plazhet, historinë, ushqimin që Shqipëria ka për të ofruar.

Ne shijuam pamjet e mesdheut, mrekullitë natyrore, rrënojat antike. Jo nuk jemi në Greqi, Itali apo Kroaci, të gjitha këto janë Shqipëri.  Vetëm 30 minuta udhëtim me traget nga Greqia – përballë Italisë dhe më pak se 200 milje në jug të vijës kufitare kroate.

Si akomodimi, ushqimi dhe aktiviteti kushtojnë më lirë – në vazhdim mund të gjeni plazhet më mahnitëse në të gjithë botën.

Le të fillojmë me atraksionet kryesore – plazhet e Rivierës Shqiptare –

Nuk ka ende një zinxhir të madh hotelesh këtu – por për një opsion akomodimesh pikërisht në plazh – një dhomë me pamje nga deti kushton rreth 250 dollarë në natë – në Greqi një hotel luksoz mund t’ju kushtojë mijëra – dhe hotele vetëm një bllok larg nga bregdeti kushton rreth 50 dollarë në natë.

Dhe tani që jemi në plazh, një shezlong i tillë do t’ju kushtonte 100 dollarë në Greqi – këtu në Shqipëri kjo është 5-10 dollarë.

Për një aventurë – ne shkuam në kajakë milje e milje drejt vijës bregdetare dhe zonave malore për të eksploruar. Malet pas meje janë mahnitëse  – do të thotë se ne mund të shijojmë pamjet magjepsëse me një kosto shumë më të ulët.

Pas një dite të gjatë në det ndihem e uritur. Një vakt kushton më pak se 20 dollarë këtu në Shqipëri – kjo mund të kushtojë tre herë më shumë në Greqi.

Dhe për një pushim larg bregdetit – zhytuni në historinë e Shqipërisë-

Butrinti është shtëpia e rrënojave që datojne nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin e XIX. Ky teatër është grek, këtu kjo skenë është romake – pothuajse duket sikur grekët dhe romakët ndodhen në një vend. Hyrja është rreth 10 dollarë për të rriturit dhe plotësisht falas për fëmijët nën 12 vjeç.

Mos humbisni qytetin e stilit osman të Gjirokastrës-

Gjirokastra një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s – i kompletuar me kështjellën
njihet për shtëpitë e tij prej guri dhe për atë që jam shumë e emocionuar ta vizitojë “Pazarin” vendas.

Për të eksploruar mrekullitë natyrore shqiptare vizituam Syrin e Kaltër-

Një burim me ujin blu të thellë – aq transparent sa mund të shihni fundin e tij.

Dhe në fund të ditës një jetë nate-

Një shishe birrë këtu kushton 2,50 dollarë – rreth gjysma e çmimit që ofrohet në Greqi. Por nxitoni pasi perla e fshehur – Shqipëria është duke u bërë e njohur!

Maggie: Pse vendose të vish në Shqipëri?
Turistët: U njohëm me vendin nga TikTok-u, shumë video – është e mrekullueshme – është argëtuese!

Maggie: Shqipëria po planifikon gjithashtu të ndërtojë një aeroport të ri ndërkombëtar pikërisht këtu në qytetin bregdetar,  vitin e ardhshëm – kështu që kjo perlë e fshehur nuk do të qëndrojë e fshehur për shume kohë!/atsh/KultPlus.com

Turistët “zbulojnë” muzeun “Marubi”, rritet numri i vizitorëve

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” përveç vizitorëve vendas, vizitohet edhe nga një numër i madh turistësh, numri i të cilëve është gjithnjë në rritje.

Duke ftuar artdashësit të vizitojnë ekspozitën “Felice Beato dhe Adolfo Farsari – Dy italianë në Lindjen e Largët (1863-1890)” e cila do të jetë e hapur deri javën e parë të korrikut, Muzeu “Marubi” ndau edhe shifrat sa i përket kombësisë së vizitorëve të tij.

“Marubi” kujtoi se, në vitin 2022 në vend të parë të vizitorëve të huaj ishin francezët me 11,20%, në vend të dytë gjermanët me 8,00% dhe të tretë italianët me 7,90%. Ndërsa në vitin 2023 ishin italianët ata që e vizituan më shumë, me 11,12%, pastaj u renditën francezët me 9,76% dhe gjermanët me 8,41%.

Sipas Muzeut “Marubi”, tashmë që jemi në mesin e sezonit veror, fluksi i vizitueshmërisë së muzeut është gjithnjë në rritje, por është ende herët për të shuar kuriozitetin se vizitorët e cilit shtet do të jenë në vendin e parë për frekuentimin sa i përket 2024-ës./atsh/KultPlus.com

Sami Frashëri: Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij

Thënie nga Sami Frashëri

Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. / KultPlus.com

Petrit Çeku aktiv gjatë tërë verës, publikon datat dhe vendet ku do të luajë me kitarën e tij në disa shtete

Kitaristi i njohur shqiptar, Petrit Çeku, i cili është fitues i disa çmimeve, ka njoftuar se gjatë ditëve të nxehta të verës do të jetë i pranishëm në shtete të ndryshme, ku do të luajë për publikun me kitarën e tij në disa festivale.

Çeku ka bërë të ditur se që nga data 30 qershor ku do të fillojë në Magione të Italisë deri më 8 shtator, ku do të përformojë në Graz të Austrisë, do të luajë pothuajse çdo ditë.

“Ja ku do të luaj me kitarën time gjatë verës 2024. Më shumë informacione gjeni në faqen time të internetit. Nëse jeni rreth këtyre vendeve, ejani”, ka shkruar Çeku.

Ai do të luajë në Itali, disa qytete të Kroacisë, Austri e Ibiza./KultPlus.com

Himara, qyteti i vogël bregdetar ku gjen gjithçka

Në Himarë gjen gjithçka. Himara edhe këtë mes qershori është thuajse plot. Qyteti i vogël bregdetar i Rivierës sonë, mbetet vendi i përsosur për t’u qetësuar, për një, dy ose më shumë ditë. E pohojnë vetë pushuesit të cilët thanë se këtu kanë gjetur gjithçka.

Pyetëm si fillim një çift gjerman, të cilët po drekonin në një nga restorantet e vogla të Potamit.

“Jemi shumë të befasuar, vërtet. Për natyrën kishim krijuar një ide nga fotot dhe instagrami por kur erdhëm, ishte shumë më e bukur. Kemi bredhur në botë në vende të mrekullueshme, por energjinë e Himarës nuk e kemi përjetuar. Sa për ushqimin duhet të jeni krenarë se keni një prej kuzhinave më të mira në botë”, thanë ata.

Himara është një qytet relativisht i vogël, ku njerëzit vijnë për t’u çlodhur e asnjë qëndrim këtu nuk është i plotë pa përhumbjen nëpër plazhet dhe gjiret e saj të mrekullueshme.

Gjen këtu nga të gjitha, plazhe me guralecë, plazhe ranorë, limanë të vegjël, gjire të fshehura me ujëra bruzë e gurë të çmuar.

Një grup të rinjsh britanikë, ndaloi për pak (ishin me biçikleta) dhe iu përgjigj menjëherë pyetjes sonë. Si përfundim ia vlejti ky udhëtim?

“Po super kënaqemi, realisht një vend i paparë fare. Ishim në Kala Festival, fantastike vërtet. Këto ditë pas netëve pa gjumë, patëm mundësi të qetësoheshim dhe të bënim atë për të cilën edhe erdhëm, pedalim dhe aventurë. Kemi gjetur gjire dhe plazhe që janë si në ëndrra. Absolutisht fantastike dhe është kaq lirë. Pastaj Anglia fitoi, çfarë duam më shumë”, u shprehën disa prej tyre.

Patjetër që ky qershor është edhe më i veçantë pasi atmosfera e EURO 2024 e bën Himarën më nacionaliste se kurrë.

Të ndjekësh ndjeshjet e skuadrës së zemrës buzë Jonit është eksperiencë e bukur. Nëse dëshiron “Fan Zone”-n e bashkisë e gjen në pedonale, por nëse shkon me vonesë vështirë se gjen tavolinë, pasi janë të rezervuara. Ky është habitati i tifozave më të zjarrtë.

“Fan Zone” tjetër është mu buzë detit dhe është i veshur krejt me flamuj kuq e zi. Këtu gjen më së shumti grupmosha të reja dhe romantikët e buzëmbrëmjeve.

Ja kështu, qyteti i vogël bregdetar po kalon një tjetër verë të mbarë, pasi mbetet absolutisht një vend special, ku të gjithë turistët vendas dhe të huaj mund të gjejnë lehtësisht parajsën e tyre./atsh/KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë gjurmë të reja për qytetin ilir në Shkodër

Arkeologët shqiptarë dhe polakë kanë zbuluar gjurmë të reja dhe të dhëna për një qytet ilir në Bushat të Shkodrës.

Gërmimet u drejtuan nga Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.

Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, shkruan “ATSH”.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 (p.e.s), sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.

Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite, në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.

Falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni shqiptaro-polak, i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij./tema/KultPlus.com

Dita e Gastronomisë së Qëndrueshme

Sot është Dita e Gastronomisë së Qëndrueshme.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “gastronomi e qëndrueshme” do të thotë kuzhinë që merr parasysh se nga janë përbërësit, si rritet ushqimi, si arrin në tregje dhe përfundimisht në pjatat tona.

Gastronomia shpesh i referohet ushqimit dhe kuzhinës lokale ndërsa qëndrueshmëria ka lidhje me mos shpërdorimin e burimeve natyrore dhe të sigurojë që në të ardhmen të evitohen dëmet për mjedisin ose shëndetin tonë.

Disa nga nismat e UNESCO-s që ndërgjegjësojnë lidhur me këtë ditë janë:

Nisja e Rrjetit të Qyteteve Kreative të UNESCO-s, i krijuar në 2004 për të ndarë praktikat më të mira dhe për të zhvilluar partneritete në 7 fusha krijuese. Që nga viti 2024, 49 qytete janë caktuar si Qytete Kreative të Gastronomisë;

Promovimi i energjisë së pastër për restorantet lokale (përdorni gaz dhe energji elektrike në vend të qymyrit, përdorni gaz natyror në vend të karbonit);

Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për gastronominë e qëndrueshme përmes kanaleve televizive ushqimore dhe shfaqjeve gastronomike dhe përmes ekspozitave kulturore ushqimore, të destinuara për industrinë ushqimore dhe fermerët.

Sa i përket FAO-s, Organizata promovon dietat e kulturës së gjelbër që nuk janë vetëm të shëndetshme, por të qëndrueshme dhe sugjeron që vendet që tashmë kanë udhëzime dietike duhet të fillojnë të marrin në konsideratë një proces të përfshirjes së qëndrueshmërisë në to./atsh/KultPlus.com

Daçiq bën thirrje që të ndalohet festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, organizatori Koliqi: Ne po punojmë për organizimin e festivalit

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi, ka reaguar rreth festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, duke “bërë thirrje” që ky manifestim të anulohet. Përmes televizionit serb “TV Pink” Daçiq është shprehur se policia nuk ka dhënë leje për tubime në ambiente të mbyllura dhe se organet serbe nuk do të marrin pjesë.

“Do të shohim se çfarë do të jetë. Un kam thënë se ky tubim është me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për një hapësirë ​​që nuk është publike. Organet tona shtetërore nuk marrin pjesë. Ne apelojmë që të anulohet ajo ngjarje. Nuk mund të them se çfarë do të bëjë shteti më pas”, ka thënë Daçiq.

Lidhur me deklaratën e ministrit të brendshëm serb dhe politikanëve të tjerë të shtetit fqinj, ka reaguar Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra”, që organizon festivalin “Mirëdita, Dobardan”, i cili është shprehur për KultPlus se akoma nuk ka një vendim zyrtar për anulimin e këtij festivali.

“Neve nuk na çudisin reagimet e politikanëve serbë karshi festivalit që zakonisht nuk ka kaluar në mënyrë të qetë. Më vjen keq për këto reagime kur baza e këtij festivali është mirëkuptimi, toleranca, solidariteti mes vete. Ne nuk kemi marrë një vendim prej shtetit serb që festivali është ndaluar”, është shprehur Koliqi.

Tutje, ai shtoi se partnerët e festivalit në Beograd janë duke vazhduar me përgatitjet dhe përpjekjet që policia serbe të jetë e pranishme gjatë festivalit për mbajtjen e rendit dhe sigurisë së pjesëmarrësve.

“Deri në momentin që nuk ka një vendim zyrtar për ndalimin e mbajtjes së festivalit, ne do të vazhdojmë procedurat e rregullta për organizimin e festivalit. Nëse vjen ndonjë vendim zyrtar atëherë do të shohim se si do të veprojmë”, ka shtuar tutje Koliqi./KultPlus.com

Nesër do të promovohet libri i Shyqri Nimanit, panelistë: Albin Kurti, Pëllumb Xhufi, Jusuf Buxhovi e Lulzim Tafa

“Shqipëtarët dhe Serbët – E Vërteta Kundër të Pavërtetës”, është libri  nga Shyqri Nimani i cili do të mbahet më 19 qershor, prej orës 18:00 në Galerinë e Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky vëllim monografik, në shqip dhe anglisht, që ka gjithsej 23 kapituj, shqyrton çështje të rëndësishme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb gjatë shekujve.


Panelistë për diskutimin e librit do të jenë: Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës,  Dr. Pëllumb Xhufi, Historian, Jusuf Buxhovi, Historian, dhe Dr. Lulzim Tafa, Poet. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga tuneli i Llogorasë: Hapet në 5 korrik

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro, po jetësohet me ritme të shpejta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin e tunelit që pritet të inaugurohet në 5 korrik 2024.

Tuneli i Llogorasë pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta dhe do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.

Tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë./atsh/KultPlus.com

“T’knoft zemra”, Ramë Lahaj publikon datat e Ramë Lahaj International Opera Festival”

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka njoftuar se që nga data 21 korrik deri më 2 gusht do të mbahen pesë mbrëmje muzikore, në këtë edicion të “Ramë Lahaj International Opera Festival”.

Festivali do të mbahet nën moton “T’knoft zemra”, dhe do të hapet me mbrëmjen “Nexhmije Pagarusha”, dedikuar muzikës shqipe.

Ndërsa, përmbyllja e festivalit do të bëhet me Gala Night – Rame Lahaj & Friends.

“Shënoni datat në kalendar! Pesë mbrëmje muzikore ju presin në këtë edicion që fillon me 21 Korrik dhe përmbyllet më 2 Gusht. Nën moton ‘T’knoft zemra’ sivjet festivalin e hapim me mbrëmjen ‘Nexhmije Pagarusha’ dedikuar muzikës shqipe dhe do ta përmbyllim me Gala Night – Rame Lahaj & Friends”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Gonxhja: 53,3 % më shumë vizitorë në parqet arkeologjike krahasuar me vitin 2023

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se në 5-mujorin e parë të vitit 2024, parqet arkeologjike kanë shënuar rritje të vizitueshmërisë me 53,3 %, krahasuar me shifrat e vitit 2023.

“136,293 vizitorë në parqet tona arkeologjike gjatë 5-mujorit të parë të 2024”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, ku kujtoi edhe një herë se orari zyrtar i sezonit veror, nga muaji maj e deri në tetor është 09:00-19:00.

Vizitueshmëria e parqeve arkeologjike ashtu edhe nëpër institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore, ka ardhur në rritje, sidomos pas periudhës së vështirë të Covid-19. Shifrat e vizitorëve të objekteve të trashëgimisë kulturore kanë shkuar në ngjitje ashtu si edhe rritja e numrit të turistëve në vend. Parqet arkeologjike janë një ndërthurje e natyrës së bukur shqiptare me objektet e trashëguara nga lashtësia. Dhe shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po kuptojnë vlerat që përcjellin hapësira të tilla.

Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin përmbyllës për sezonin 2023/2024

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin përmbyllës me program “a capella” për sezonin 2023/2024.

Sipas njoftimit, koncerti organizohet në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë – Portugali, i cili mbahet më 19 dhe 20 qershor 2024 në Prishtinë.

Në këtë koncert, i cili mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” në kryeqytet, do të interpretohen vepra nga baroku deri te muzika bashkëkohore, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Koncerti mbahet të mërkurën, më 19 qershor 2024, prej orës 20:00 dhe është i hapur për publikun./KultPlus.com

Thënie nga Sami Frashëri, një prej mjendjeve më të ndritura të Rilindjes Kombëtare

Sami Frashëri ishte një nga personazhet më të njohur dhe mendjet e ndritura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij intensive ai shkroi më shumë se 50 vepra, si fjalorë, enciklopedi, drama, vepra letrare etj., ndër të cilat edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila vlerësohet edhe si “Traktati politik i çështjes kombëtare shqiptare”.

Më poshtë po sjellim disa nga shprehjet më të bukura të Sami Frashërit:

Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë.

Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.

Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.

Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.

Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.

Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.

Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.

Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.

Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.

Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.

Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.

I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.

Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.

Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.

Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.

Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij ështe morali i përgjithshëm.

Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbetë por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat.

Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

Njeriu me sa të rrojë më shumë sheh dhe më shumë mëson.

Njeriu në të njëjtën kohë është edhe nxënës edhe mësues.

Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

Dajaku e bën të paedukuar njeriun e edukuar; të paedukuarit ia shton edhe më shumë atë.

Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.

Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.

Mos e qorto atë që ka rënë në greminë pse nuk i dëgjoi këshillat tuaja, as mos e këshillo përsëri. Po e nxorre nga gremina që ka rënë, atëherë ai panon këshillat e tua.

Biseda lind nga mendimi; biseda pa mendim nuk eshtë bisedë, është grindje.

Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.

Aq sa ka nevojë personi me përvojë, por i paditur, për ndihmën e dijetarit, edhe dijetari i papërvoje ka po aq nevojë për ndihmën e atij që ka përvojë, por që nuk është i ditur.

Mëson shumë ai që plotëson çka di dhe përpiqet të përvetësojë çka nuk di, ai që le mangut çka di dhe çohet të mësojë gjëra të tjera, nuk mëson kurrëgjë.

Njeriu ka nevojë për arsim ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër që thahet pema kur është e njomë, po nuk u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri, sepse nuk i mbetet gjë për t’i shërbyer njerëzimit.

Idetë e mëdha formohen te shpirtërat e mëdhenj.

Edukimi nuk është për ta zhveshur njeriun nga natyra, por për të ushqyer moralin e tij brenda natyrës së tij.

Epokat që përmenden shkurt në histori, janë epokat më të lumtura të njerëzisë.

Vetëm opinioni publik është baza e lirisë, forca e edukimit, udhëheqës i qeverive.

Merita dhe talenti që qëndrojnë të heshtur dhe të fshehur në periudhën e tiranisë, fillojnë të ndriçojnë porsa lind drejtësia.

Modestia dhe thjeshtësia është një e mirë, të cilën çdo njeri dëshiron ta shikojë te tjetri, por nuk don ta ketë vetë.

Qeverisja e racës njerëzore me edukim është shumë më e lehtë se qeverisja me ligj.

Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapëseprapë i lirë është.

Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër.

Mendimi s’kuptohet nga sasia, por nga pesha; mendimi i një dijetari nuk mund të krahasohet me mendimin e një mijë injorantëve.

Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit.

Shumë rrallë del e mundur dhelpëria në luftë me nderin.

Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia; s’ka sukses ai që nuk has në vështirësi.

Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të edukuar dhe të mësuar.

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

Ashtu sikundër që gratë të shumtën e herës mbajnë në dorë një pasqyrë për të rregulluar të metat e stolisë së tyre, edhe shoqëria njerëzore nuk duhet ta largojë nga sytë pasqyrën e diturisë e të shkencës dhe të përpiqet që të përmirësojë të metat që sheh.· Po të luajë mësuesi ç’ka nuk bëjnë nxënësit.

Nuk është për t’u çuditur po nuk u pa patriotizëm prej atyre që shiten si atdhedashës, sepse duke shitur herëpashere, natyrisht, u është sosur.

Dituria nuk është për të poshtëruar të paditurit e për t’u bërë kryelartë, por është për të pasur dhimbësuri për të paditurit, për t’i stërvitur ata sa të jetë e mundshme, që t’i bësh ata të përfitojnë nga dituria që ke.

Më i ligu i kopracëve është ai i diturisë, domethënë ai që nuk do të përfitojë njeri nga ato që di ai.

Elokuencë e vërtetë është të thuash plotësisht atë çka është për t’u thënë dhe të mos thuash gjë tepër saj.· Nuk i thuhet frikacak çdo njeriu që nuk është trim; ka shumë shkallë në mes trimërisë e frikës.

Turma është armike e arsyes dhe e së drejtës. Po t’i përshtatet një gjë arsyes dhe së vërtetës, tërheq përbuzjen e turmës; gjërat që nuk i mbështeten asnjë arsyeje dhe që janë në kundërshtim me të vërtetën, janë gjithmonë të pëlqyera nga turma.

Njeriu i mirë asnjëherë nuk arrin të hakmerret; derisa armiku i tij të jetë i fortë, nuk është në gjendje t’i bëjë gjë, kur do ta gjejë armikun të dobët, e mund mëshira dhe i ikën dëshira për t’u hakmarrë.

Lulja rritet me diell, por thahet nga vapa e madhe; njeriu edukohet me arsim, por rëndimi me mësime në fëmijëri jashtë forcës së tij e dërmon. Ashtu sikundër bima që ka nevojë për nxehtësi, ujë e freski, edhe njeriu bashkë me arsim dhe edukim ka nevojë edhe për zbavitje e shëtitje./libohova.com/Kultplus.com

36 vite nga vdekja e aktores së shquar shqiptare, Marie Logoreci

Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.

Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.

Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. /KultPlus.com

120 vite nga vdekja e ideologut themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri

Sot shënohen 120 vite nga vdekja e intelektualit, gjuhëtarit, romancierit dhe ideologut themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll. Ai ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin. 

Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk, i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht. Në opinionin turk njihet si “babai i enciklopedistëve.”

Ai nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës  turke, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

 Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861).

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

 Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

 Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

 Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Ai vdiq në Stamboll më 18 qershor 1904/KultPlus.com

ELLE: Shqipëria – një perlë e turizmit evropian në zhvillim

Shqipëria mund të njihet më së shumti si vendlindja e Dua Lipës, por destinacioni nën radar ofron shumë më tepër, shkruan Kirsty Thatcher në të përditshmen australiane “ELLE” (elle.com.au).

E vendosur në detin Adriatik midis Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria krenohet me peizazhin mahnitës që shumë pushues ëndërrojnë.

Histori e pasur, kuzhinë cilësore, plazhe të fshehura në jug dhe shtigje të famshme alpine për ecje në veri.

Njohja e ngadaltë e Shqipërisë si një destinacion turistik është kryesisht falë historisë së saj politike: vendi ishte nën sundimin e rreptë komunist për 40 vjet, kohë gjatë së cilës pothuajse asnjë turist nuk lejohej të vizitonte vendin.

Në ditët e sotme, gjithçka ka ndryshuar dhe Shqipëria ka një reputacion të fituar si një perlë e turizmit evropian në zhvillim.

Një kërkim i shpejtë në TikTok zbulon se gjithnjë e më shumë vizitorë po vërshojnë në Shqipëri për te shijuar arratisjet e tyre evropiane.

Shqipëria është shumë më e përballueshme se fqinjët e saj më të njohura si , Greqia, Italia, madje edhe Kroacia, duke e bërë atë destinacionin ideal për ata që kërkojnë të kalojnë një verë të paharrueshme pa ndikuar në buxhetin e tyre.

Të intriguar? Lexoni udhëzuesin tonë gjithëpërfshirës për të udhëtuar në Shqipëri;

Ku të shkoni në Shqipëri

Si çdo vend, do të ishte e pamundur të shihje të gjithë Shqipërinë në vetëm një udhëtim.

Por, nëse po planifikoni pushimet tuaja të ardhshme dhe ndiheni të mbingarkuar nga gjithçka që Shqipëria më poshtë gjeni destinacionet më të mira shqiptare dhe, saktësisht pse duhet t’i vizitoni ato.

Shkodra

Me një popullsi prej pak më shumë se 100,000 banorë, Shkodra është qyteti i pestë më i madh në Shqipëri, i vendosur rreth 10 kilometra larg kufirit me Malin e Zi.

Shkodra ofron një histori të pasur në formën e rrënojave që datojnë që nga koha e Venedikut, një qendër e çuditshme e qytetit, një pamje panoramike e maleve të Ballkanit dhe liqeni i famshëm i Shkodrës.

Ky qytet është gjithashtu një pikë ndalimi e përshtatshme për ata që shkojnë në veri drejt maleve shqiptare.

Thethi

Adhurues të aventurës, ky është vendi ideal për ju. Pavarësisht se në cilën stinë do të vizitoni Shqipërinë, ia vlen të bëni një udhëtim në Theth, një fshati bukur malor dhe pikënisja e përsosur për ecjet e shumta në Shqipëri. Këshilla jonë?

Përjetoni mikpritjen shqiptare në të gjithë lavdinë e saj dhe zgjidhni të qëndroni në një nga bujtinat e shumta të fshatit, ku do të jeni nën kujdesin e familjeve shqiptare (përfshirë të gjitha vaktet tuaja!).

Lumi i Shalës

Me siguri i keni parë imazhet e ujit jashtëzakonisht blu të lumit të Shalës dhe akomodimet në stilin e Maldiveve në rrjetet tuaja sociale.

Me ujërat e pastra kristal, malet e larta dhe një atmosferë krejtësisht të izoluar, ka një arsye pse lumi i Shalës ka fituar një reputacion si një nga atraksionet natyrore më të bukura të Shqipërisë.

Ndërkohë që, mund të bëni një udhëtim ditor nga lumi i Shalës, ju rekomandojmë të qëndroni në bujtinën “Livadhi”, ku mund të shijoni plazhin privat dhe të zgjoheni me pamjen e pabesueshme malore.

Ksamili

Më në jug do të gjeni fshatin bregdetar të Ksamilit. Nëse jeni të tërhequr pas bareve të plazhit, ushqimit të jashtëzakonshëm dhe kulturës luksoze – ky është vendi i duhur për ju.

Himara

Pak më e qetë se Ksamili, Himara është një qytet i vogël përgjatë Rivierës Shqiptare – me plazhe të izoluara bruz.

Një vizitë në Kalanë e lashtë të Himarës (e cila daton në vitin 5 p.e.s.), në qytetin e vjetër të çuditshëm dhe shëtitjet në bregdet, do t’ju bënin të mendonit se keni përfunduar në një ishull të izoluar grek./atsh/KultPlus.com

Trendi i nisur nga shqiptarët, austriakët i ngacmojnë francezët me bukën “Baguette”

Trendi i nisur nga tifozët shqiptarë, po vazhdon të jetë një temë më e përfolur.

Të shtunën tifozët “Kuq e Zi” realizuan spektakël në rrugët e Dortmundit.

E një nga skenat më virale ishte thyerja e Shpagetave, para syve të tifozëve italianë.

Ndërkaq sot, thuajse në të njëjtin gjest e bënë para ndeshjes edhe tifozët austriak.

Këta të fundit i ngacmuan tifozët kundërshtarë, ata francezë me bukën e tyre të njohur “Baguette”.

Hesse: ‘Ose poet ose asgjë’

Një prej shkrimtarëve më të shquar gjermanë të shekullit të njëzetë, Herman Hesse u lind më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Shtutgartit dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Përveç shkrimeve në prozë, ai shquhet si poet me më shumë se 680 poezi, të përmbledhura këto në 12 vëllime. Se një ditë do të bëhej shkrimtar, ai e kishte të qartë, por tjetër gjë shihnin prindërit tek ai. Sipas tyre, duhej të bëhej klerik, si ata vetë: i ati punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, ndërsa e ëma ishte bijë e një misionari. Në këto kushte, poeti u rrit në një familje me tradita të forta fetare. Në vitin 1891, prindërit e dërguan në seminarin protestant “Maulbronn”. U largua vetëm pas disa muajsh, pasi nuk mund ta duronte edukimin kristian.

Brenda vetes, ai ishte i vendosur: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë!” Por, rruga nëpër procesin krijues, për të qe një odise e vërtetë. Hesse ndërroi disa shkolla dhe nuk mundi të përshtatej, ndaj në një fazë depresive, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, u përpoq të vriste veten. Më vonë, ai punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate për kulla, si dhe në librari.

Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon kështu interesin mbarë-botëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe. ”

Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike, politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu, një nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, Hesse u bë qytetar zviceran, ndërsa më 1946 iu akordua çmimi “Nobel” në letërsi. /Hejza/ KultPlus.com

Një qenie që zgjohet për ju

Nga Stefan Zweig

I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe net, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtimë për ju – një grua, një e huaj. Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qenies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj. Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndrrat e tua. Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qenie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj. Është i kotë tentimi i juaj për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju. Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo. / KultPlus.com

‘Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh’

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”

“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Dita e Çlirimit të Kosovës më e rëndësishmja në 100 vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se për shqiptarët nuk ka datë me rëndësishme në 100 vitet e fundit, se Dita e Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në tubimin me strukturat e partisë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të ‘Javës së Lëvizjes”, tha se nuk është rastësi që Lëvizja Vetëvendosje u formua në përvjetorin e çlirimit të Kosovës në vitin 2005.

Ai tha se nuk është rastësi Vetëvendosje gjithmonë e ka nderuar 10 qershorin e Lidhjes ë Prizrenit dhe 28 Nëntorin e Vlorës, dhe tash me qeverisjen e Vetëvendosjes, edhe 17 shkurtit po i japin kuptimin e vërtet, siç kanë dashur dëshmorët dhe martirët tanë dhe populli liridashës i Kosovës.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka përmendur dhe ish krerët e UÇK-së që janë në gjykim në Hagë e që tha se presin që të kthehen në Kosovë siç e meritojnë ata.

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./ atsh/ KultPlus.com