Policia përdor muzikë klasike për të ndaluar të rinjtë të festojnë në plazhe

Policia në Espoo ka përdorur një metodë jokonvencionale për t’i mbajtur të rinjtë larg një plazhi popullor gjatë festimeve të fundvitit të shkollës, sipas yle.fi.

Vitet e fundit, oficerët kanë përdorur muzikë klasike përmes dy altoparlantëve të mëdhenj në plazhin e Haukilahti midis orës 18:30 dhe 23:30.

Këtë vit lista përmbante ”Danubin blu” të Straussit, ”Katër stinët” e Vivaldit dhe ”Ave Maria” të Schubert.

Mikko Juvonen i departamentit të policisë të Uusimaas tha për ”Yle” se metoda e tij përdoret edhe në pjesë të tjera të botës dhe duket se ka efektin e dëshiruar.

“Për disa arsye, muzika klasike nuk i tërheq të rinjtë dhe të rinjtë qëndrojnë larg vendeve ku ka muzikë klasike”, tha Juvonen.

Ai shtoi se departamenti e provoi metodën gjashtë vjet më parë dhe funksionoi aq mirë saqë ata e kanë nxjerrë muzikën klasike çdo vit që atëherë.

“Është më mirë për ne që t’i mbajmë të rinjtë në tokë të thatë dhe është mirë që familjet të vijnë dhe të notojnë këtu në mëngjes kur plazhi është i pastër”, tha ai duke vënë në dukje se para se të testohej nisma, plazhi ishte një vend popullor për festat në fund të shkollës.

Megjithatë, pati një reagim të përzier midis vendasve për përdorimin e muzikës klasike dhe arsyet pas saj.

“Më duket pak e çuditshme”, i tha ”Yle”-s banorja e Espoos, Iris Akesson./ KultPlus.com

Kurti: Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej

Shkruan Albin Kurti:

Sot janë mbushur saktësisht 100 vjet që nga dita kur Fan Noli u bë Kryeministër i Shqipërisë. Ishte 16 qershori i vitit 1924, kur ai u vendos në krye të qeverisë shqiptare dhe e ngriti një kabinet qeveritar me shtatë ministri, njëra prej të cilave pa portofol. Në kabinetin e Nolit, Sulejman Delvina ishte Ministër i Jashtëm; Rexhep Shala – Ministër i Brendshëm; Luigj Gurakuqi – Ministër i Financave; Stavro Vinjau – Ministër i Arsimit; Kasëm Qafëzezi – Ministër i Luftës; Qazim Koculi – Ministër i Bujqësisë dhe Xhemal Bushati – Ministër pa portofol.

Fan Noli erdhi në krye të Shqipërisë si kryeministër i qeverisë së saj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes së Qershorit, një organizimi opozitar që në mes të qershorit 1924, e pëmbysi qeverinë e kryeministrit Iljaz Vrioni, i cili ishte një eksponent në pushtet i liderit politik të atyre viteve, Ahmet Zogut. Kjo përmbysje që është quajtur edhe revolucion, ishte rezultat i përplasjeve të ashpra dhe rivaliteteve të forta politike në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur po përcaktohej natyra e shtetit shqiptar dhe kur po definoheshin kufijt e tij.

Më 19 qershor, tre ditë pasi ishte konstituar, qeveria e Nolit e shpalli programin e saj të reformave prej 20 pikash, në të cilin ndër të tjera parashihej vendosja e demokracisë në Shqipëri; çarmatosja e banorëve dhe vendosja e rendit dhe ligjit; lartësimi i autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose të paligjshme; pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë; reforma në administratën shtetërore dhe thjeshtësim i burokracisë në të; reforma agrare; lehtësira në hyrjen e kapitalit dhe investimeve të huaja në vend; ndryshime në sistemin e taksimit; investime në infrastrukturën rrugore; investime në sistemin e shëndetësisë dhe në sistemin arsimor; si dhe marrëdhënie të mira miqësore me të gjitha shtetet dhe sidomos me shtetet fqinje. Siqoftë, këto reforma nuk erdhën as për së afërmi në shprehje të realizoheshin, pasi që Noli qëndroi në detyrën e kryeministrit vetëm gjashtë muaj.

Teksa Fan Noli si kryeministër i nisi muajt e parë të qeverisjes së Shqipërisë, në anën tjetër, Ahmet Zogu që pas largimit nga Shqipëria ishte strehuar në Beograd, e organizoi një rikthim në pushtet po me forcë dhe trupa të armatosura, siç edhe e kishin larguar. Në dhjetor të vitit 1924, pas vetëm gjashtë muajsh prej kur ishte vendosur në detyrën e kryeministrit, Fan Noli bashkë me qeverinë dhe mbështetësit e krahut politik të tij, u përmbysën nga Ahmet Zogu.

Pak kohë pas largimit nga Shqipëria, Noli e gjykonte kështu qeverinë e drejtuar prej tij në një artikull që e botoi te Gazeta “Dielli”: “Qeveria e Qershorit 1924 nuk qe ideale, vërtet. Mungesat e saj s’munt t’ia dijë askush më mirë se i nënshkruari, që e ka parë maqinën e saj të punojë për së afërmi. Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: njerëzit e saj qenë patriot të kulluar; qenë mprojtës të pasurive të shtetit; qenë të nderçim; qenë të qytetëruar; qenë liberal; qenë njerës të kanunit.”

Përkundër kohës së shkurtër sa qe në krye të Shqipërisë si kryeministër i saj, Fan Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej. Për fat të keq, përpjekja e tij ishte e para në atë periudhë fillesh të shtetndërtimit shqiptar dhe mbeti e tillë deri në dekadën e fundit të shekullit. Pas largimit të Nolit nga zyra e kryeministrit, për Shqipërinë do të niste një periudhë e gjatë pushtetesh autoritare dhe diktatoriale. Eruditi Theofan Stilian Noli, do të jetonte edhe dyzet vjet të tjera deri më 1965, duke e ndërtuar një profil mbresëlënës prej dramaturgu e poeti, teologu e studiuesi, përkthyesi poliglot, politikani patriot e njeriu të përkushtuar për shqiptarizmën.

Në 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit, Kryeministër i Shqipërisë. / KultPlus.com

Veliaj shërben drekën e Kurban Bajramit në qendrën komunitare në Laprakë

Me rastin e Kurban Bajramit, bashkia e Tiranës shtroi drekë festive në të gjitha qendrat sociale për familjet në nevojë, të moshuarit dhe personat me aftësi të veçanta.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën në Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuara në Laprakë, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë për një Bajram plot mirësi dhe dashuri.

“Një qytet që i trajton të gjithë me respekt, një qytet i mirë, ka vend për të gjithë. Në këto ditë të shenjta festive shpresoj t’ua mbushim jetën me gëzim të gjithë engjëjve që janë këtu. Tirana nuk ka ndryshuar vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin kulturor dhe social. Sot, të gjithë drejtoreshat e çerdheve dhe kopshteve të trajnuara. Pjesa më e madhe e shkollave të reja janë me ashensor, të aksesueshme nga të gjithë. Por, kam edhe një falënderim për stafin tonë, që punon këtu, sepse meriton respekt dhe mirënjohje”, tha Veliaj.

Ai shtoi se deri dje, në zonën ku ngrihet sot kjo qendër komunitare, ka pasur debat për çështje pronësie, por nënvizoi se Tirana zhvillohet edhe duke negociuar.

“Kur dikujt i ka dalë e drejta e pronës, nuk e diskuton dot askush. Aftësia ime është që, në çdo hapësirë ku dikujt i del e drejta për të zhvilluar pronën e tij, bashkia të marrë një qendër sociale, një kopsht apo një shkollë. Tirana zhvillohet edhe nëpërmjet këtyre negociatave, ku privatit i lë hapësirën e tij, por ama do  japësh diçka për komunitetin, përveç taksës. Por, kam edhe një falënderim special për disa heronj, që ndoshta harrojnë t’i përmendim: e kam fjalën për prindërit, ata janë heronjtë e vërtetë. Janë ata që i kanë kushtuar jetën, që nuk dorëzohen, që refuzojnë të heqin dorë nga kjo detyrë dhe mision. Për prindërit heronj që janë këtu sot, e kam zemrën plot me mirënjohje sepse e kuptoj me çfarë sfide të jashtëzakonshme përballen çdo ditë”, u shpreh ai.

Veliaj kishte edhe një thirrje për qytetarët, që i çojnë fëmijët në të njëjtat shkolla me fëmijët e qendrës komunitare, që t’i mësojnë ata se socializimi nuk i dëmton, përkundrazi i bën më të dashur dhe më të mbarë në shoqëri. / KultPlus.com

Gjellë shqiptare

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin meny të pasur shqiptare

Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lotë të valë

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
aty këtu ndonjë veshkë
mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
ca tul plake a plaku pjekur në hell
njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

Në meskohë
bluanin vesh të majtë e të djathtë
gishtërinj duarsh e këmbësh
aty këtu ndonjë hundë të përgjakur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur

Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
sikur të mos ishin njerëz
sikur të mos ishim njerëz
apo jo Zot
derisa vera i ktheu në dhéun e tyre
kur u majmën nga vdekja / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAKT”


Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë MonoAKT 2024 këtë vit shënoi edicionin XVI, përcjell KultPlus.

Hapja solemne u bë më 09 qershor në Teatrin Dodona, në Prishtinë nga ora 19:30.

Po ashtu, si çdo herë në natën solemne të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MONOAKT 2024” në Teatrin Dodona, juria ndërkombëtare në përbërje: Nina Mazur ( Ukrain/Gjermani), Tatiana Czepurnyi ( Gjermani), Svetlana Ivanova ( Ukrain/ Qipro) ka ndarë çmimet:

Shfaqja më e mirë e Festivalit GRAND PRI – Monodrama “Z. Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, realizuar nga Marius Donkin, Bullgari.

Regjia më e mirë e Festivalit -Alvydas Vizgirda, Lituani ne shfaqjen “Fabijonas”.

Aktori më i mirë i Festivalit – Ismet Azemi, Kosovë, në shfaqjen “Artisti në tavan”.

Aktorja më e mirë e Festivalit – Dungaamaa Chimedtseye, Mongoli, në shfaqjen “E dashura ime. Ky është vetëm fillimi”.

Çmimi Special (për tekstin e shfaqjes Hedy) – Heather Massie, në shfaqjen HEDY! Jeta dhe shpikjet e Hedy Lamarr, SHBA.

“Çmmi – Monoperformansa më e mirë” – Zana Berisha

“Çmimi – Monostripi më i mirë – Fiona Abdullahu.

“Çmimi për Vepër Jetësore” – Safete Rogova

“Çmimi për Vepër Jetësore – Post Mortum” – Haqif Mulliqi

Festivali ndan mirënjohje edhe për Institucionet dhe bashkëpunëtorët që gjithmonë kanë qenë në mbështetje dhe përkrahje të Festivalit MONOAKT në edicionin XVI.


Premierë gjatë festivalit ishte shfaqja “Rrethimi 1999” me autor Mentor Zymberaj dhe nën regjinë e Mirak Zymberaj. Në shfaqje luanin: Altin Vraniqi, Dea Berisha, Dea Durguti, Driarda Bllacaku, Elona Fetahu, Entike Bogaj, Festim Sadiku, Lurni Krasniqi, Olt Batalli. / KultPlus.com

”The Sun”: Shqiptarët e kthyen në kuqezi murin e famshëm verdhezi të ”Borussia”

Tifozët shqiptarë, që ndoqën skuadrën e tyre, të udhëhequr nga ish-lojtari i ”Arsenal” dhe ”Manchester City”, Sylvinho dhe ndihmësi i tij Pablo Zabaleta, e kthyen kuqezi murin e famshëm verdhezi të ”Borussia”, shkruan gazeta britanike ”The Sun”.

Dhe ata ishin edhe më entuziastë se ”banorët” e zakonshëm të asaj tribune të famshme pas vetëm disa sekondash, kur i dhanë Italisë tronditjen e jetës.

Ai u shkaktua nga një gabim trashanik i Federico Dimarcos të ”Interit” duke lejuar Bajramin të shënonte.

Numri 10, i cili luan në Itali me ”Sassuolo”, bëri një prekje përpara se ta godiste topin mrekullisht në rrjetë.

Mund t’i kishte dënuar italianët dhe t’i kishte vënë ata në lëvizje që në fillim të mbrojtjes së titullit.

Italia ka kaluar një kohë të turbullt që kur mposhti Anglinë me penallti në ”Wembley”, tre vjet më parë.

Axurët nuk arritën të kualifikoheshin për një Kupë Botërore të dytë radhazi kur u mundën nga Maqedonia e Veriut në një lojë play-off përpara Katarit.

Menaxheri Roberto Mancini dha dorëheqjen vitin e kaluar për të ndjekur paratë me një punë të re si trajner i Arabisë Saudite.

”Spalletti e zëvendësoi atë dhe po i lëkunden gjërat”, përfundon ”The Sun”. / KultPlus.com

Rama: Berati, i gjithi i rezervuar nga turistë anekënd botës

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të turistëve që vizitojnë pikat më atraktive të qytetit, ndërsa vuri në dukje se strukturat hoteliere janë të gjitha të rezervuara nga turistë që vijnë nga gjithë bota.

“Berati, i gjithi i rezervuar nga turistë anë e kënd botës”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./ KultPlus.com

Rama ndan videon e veçantë: Parku i Butrintit ju pret me yjet e vegjël

Parku Kombëtar i Butrintit është një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët vendas e të huaj gjatë gjithë vitit.

Por këto ditë, një grup vizitorësh të veçantë e kanë vizituar këtë park duke sjellë gjallëri në rrënojat e qytetit antik.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me performancën e një kori fëmijësh, të cilët performojnë këngën e njohur italiane “Bella Ciao”.

“Parku i Butrintit ju pret me yjet e vegjël”, shkruan Rama.

Zërat dhe performanca e fëmijëve mbushën plot energji parkun e Butrintit. Aktivitetet në parkun e Butrintit vazhdojnë duke ftuar vizitorët të shijojnë një eksperiencë të paharrueshme, ku ndërthuren bukur arkitektura, natyra dhe energjia e pashterueshme.

Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare në Butrint ngjall kuriozitetin e pushuesve nga e mbarë bota. / KultPlus.com

‘Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Rama: Pogradeci çel sezonin turistik me paketë të plotë turistike

Pogradeci çeli dje sezonin turistik 2024, një sezon që sigurisht do të jetë edhe më i suksesshëm se vitin e kaluar.

Bashkia e Pogradecit organizoi dhjetëra aktivitete për çeljen e sezonit të ri që u ndoqën nga qytetarët dhe turistët e shumtë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e organizuara në qyetin e Pogradecit.

“Me një paketë të plotë turistike nga liqeni i magjishëm tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar”, shkruan Rama.

Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloi në rrugët kryesore të qytetit.

Bujtinat dhe restorantet e qytetit organizuan një panair me ushqimet tradicionale të zonës, ndërkohë artizanët ekspozuan punimet e tyre si në qëndisje, punime me grep, gliko, reçelra të ndryshëm.

Gjithashtu, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh si koncerte me këngë dhe lojëra për fëmijë.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.

Turistët dhe vizitorët nuk kanë munguar në asnjë stinë në Pogradec, por kjo verë pritet  jetë edhe më e gjallëruar, pasi qyteti është më i bukur, me më shumë aktivitete dhe shërbimi ka arritur nivele shumë të mira./ KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Osmani e takon në Zvicër këshilltarin kryesor të Biden – thotë se kanë folur për rritjen e bashkëpunimit

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një “takim të rëndësishëm” në Zvicër Jake Sullivan, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Joe Biden.

Osmani ndau disa fotografi nga takimi, ndërsa shkroi shkurtimisht për takimin që e cilësoi si të rëndësishëm.

“Një takim i rëndësishëm me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, z. Jake Sullivan, dhe Ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, mbi rolin jetik të Shteteve të Bashkuara për paqe dhe siguri të qëndrueshme si dhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit tonë.🇽🇰🇺🇸”, shkroi Osmani në Facebook.

Në Zvicër, Osmani shkoi për të marrë pjesë në një samit paqeje për Ukrainën. / KultPlus.com

Konferenca për Paqen, 80 vende mbështesin integritetin territorial të Ukrainës

Tetëdhjetë vende kërkuan së bashku të dielën (sot) që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë baza për çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia. Megjithatë disa vende që ishin pjesëmarrëse në një konferencë paqeje në Zvicër nuk iu bashkuan kësaj deklarate. Analistët thonë se konferenca dy-ditore ka të ngjarë të ketë pak ndikim konkret drejt përfundimit të luftës, sepse vendi që e nisi dhe po vijon luftën, Rusia, nuk ishte i ftuar. 

Tetëdhjetë vende së bashku kërkuan të dielën që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë baza për çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia, megjithëse disa vende që ishin pjesëmarrëse në një konferencë paqeje në Zvicër nuk iu bashkuan kësaj deklarate.

Në këtë konferencë nuk ishte e ftuar Rusia, ndërsa shumë pjesëmarrës shpresonin se mund të gjendej një udhërrëfyes drejt paqes mes dy vendeve. 

Rreth 100 delegacione, kryesisht vende perëndimore, por edhe disa vende kyçe në zhvillim, morrën pjesë në konferencë dhe sipas ekspertëve rëndësi ka se si u rreshtuan këto vende. India, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat u përfaqësuan nga ministra të jashtëm ose në nivele më të ulët, ishin midis atyre vendeve që nuk nënshkruan dokumentin përfundimtar, i cili fokusohej në çështjet e sigurisë bërthamore, sigurisë ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve. Po ashtu edhe Brazili nuk e nënshkroi deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës – e ka nënshkruar deklaratën. 

Dokumenti përfundimtar kërkon arritjen e një paqeje bazuar në Kartën e OKB-së dhe “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”. 

Viola Amherd, presidentja zvicerane që drejtoi këtë takim tha se fakti që “shumica e madhe” e pjesëmarrësve ranë dakord për dokumentin përfundimtar “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”. 

“Një zgjidhje e qëndrueshme duhet të përfshijë të dyja palët. Është e rëndësishme të kuptohet se rruga drejt paqes në Ukrainë duhet të ndiqet në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe në veçanti, Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha ajo

“Shpresoj se ne do të mund të arrijmë rezultate sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe janë pikërisht këta dhe hapa të tjerë të ngjashëm praktik për të rivendosur sigurinë dhe paqen që do t’i dëshmojnë të gjithëve në botë se Karta e OKB-së mund të rikthehet në efektivitet të plotë. Të gjitha parimet dhe propozimet e kartës së OKB-së”, tha presidenti i Ukrainës.

“Rusia kundërshton kartën e OKB-së, kundërshton logjikën bazë. Të gjithë ne do të dëshironim të jetonim në një botë që udhëhiqet nga ato parime, sepse ato na bëjnë të gjithëve të sigurt . Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ecin me krenari përkrah Ukrainës në këtë rrugë derisa atje të mbizotërojë paqja”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombetare.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se konferenca kishte “me të drejtë” titullin “Rruga drejt Paqes”, sepse paqja nuk do të arrihet në një hap të vetëm. 

“Nuk ishte një negociatë paqeje sepse Putini nuk është serioz për përfundimin e luftës. Ai po këmbëngul për kapitullim. Ai po këmbëngul për marrjen e territorit ukrainas, madje edhe territorin që sot nuk është i pushtuar. Ai po këmbëngul për çarmatosjen e Ukrainës, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj agresionit të ardhshëm. Asnjë vend nuk do t’i pranonte kurrë këto kushte”, tha ajo. 

Analistët thonë se konferenca dy-ditore ka të ngjarë të ketë pak ndikim konkret drejt përfundimit të luftës, sepse vendi që e nisi dhe po vijon luftën, Rusia, nuk ishte i ftuar. Aleati kryesor i Rusisë, Kina, e cila nuk mori pjesë dhe Brazili kanë kërkuar së bashku të krijojnë një rrugë alternative drejt paqes. 

Tre temat kryesore të kësaj konference: siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve u mbështetën në deklaratën përfundimtare. 

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se ato përbënin “kushtet minimale” për negociatat me Rusinë, duke aluduar se disa fusha të tjera mosmarrëveshjesh midis Kievit dhe Moskës do të jenë më të vështira për t’u kapërcyer. 

Kryeministri i Katarit vuri në dukje një ditë më parë se si vendi i tij po punon me delegacionet ukrainase dhe ruse për ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre dhe që deri më tani ka rezultuar në ribashkimin e 34 fëmijëve. 

Qeveria ukrainase beson se mbi 19 mijë fëmijë janë zhvendosur me forcë dhe komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova ka konfirmuar më parë se të paktën 2 mijë janë marrë nga jetimoret e Ukrainës. 

Të premten, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi takimin e Zvicrës “një dredhi për të larguar vëmendjen”. Presidenti rus ofroi një plan për armëpushim në Ukrainë dhe nisjen e bisedimeve nëse Kievi fillon të tërheqë trupat nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara nga Moska në vitin 2022 dhe heqjen dorë nga planet për anëtarësim në NATO. /VOA/ KultPlus.com


Osmani: Siç bota qëndroi me Kosovën 25 vjet më parë, sot duhet të qëndrojmë me Ukrainën, s’është luftë veç e tyre

Presidentja Vjosa Osmani tha se sikur që qëndroi me Kosovën në fund të viteve ’90, bota duhet të qëndrojë sot me Ukrainën, në fjalimin e saj përmbyllës në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të të gjitha kontinenteve.

Osmani i falënderoi shtetet mbështetëse të Kosovës që tha se u bënë “shpëtimtarët tanë”, ndërsa tha se shpreson që mundësia e njëjtë t’u jepet edhe fëmijëve ukrainas.

“Ashtu si bota qëndroi me popullin e Kosovës 25 vjet më parë, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për të arritur paqen, një paqe të drejtë”, tha Osmani.

Në ditët më të vështira për popullin e Kosovës, Osmani tha se shtetet demokratike erdhën në ndihmë duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen e shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet.

Dhe tash, 25 vjet pas, ajo tha se “Kosova është pjesë e aleancave që po mbrojnë vlerat e lirisë”. 

Kjo luftë tash, Osmani tha se “nuk është thjesht lufta e Ukrainës”, por “është një betejë për vlerat dhe idealet tona të përbashkëta, të cilat sot janë nën rrethim, por janë po aq të qëndrueshme sa shpirti i atyre që i mbrojnë”./ KultPlus.com

Dita Botërore e Breshkave të Detit

Sot është Dita Botërore e Breshkave të Detit që i dedikohet informimit, sensibilizimit dhe kujdesit që duhet treguar për të ofruar një habitat të shëndetshëm për këto lloj speciesh.

Sot AdZM Vlorë në bashkëpunim me Shoqata Flag Pine organizoi një orë mjedisore me nxënësit, pranë mjediseve të Qendrës së Rehabilitimit të Breshkave të Detit.

Breshkat detare kanë një rol thelbësorë në ekosistemin detar.

Dita Botërore e Breshkave përkujtohet çdo vit më datë 16 qershor, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë ruajtjes së këtyre llojeve globalisht të rrezikuara.

Të kërcënuara nga ndotja, plastika, ndryshimet klimatike, shkatërrimi i habitatit, përplasja me mjetet lundruese apo ngecja në rrjetat e peshkatarëve, breshkat detare janë një ndër speciet më të rrezikuara në botë.

Samiti në Zvicër, Begaj kërkon njohjen e Kosovës nga Moldavia

President i Shqipërisë, Bajram Begaj është takuar me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu.

Takimi është realizuar në kuadër të Samitin për Ukrainën, që po mbahet në Zvicër.

Begaj i kërkoi homologes së tij njohjen e Kosovës nga Moldavia.

“Kam kërkuar rishqyrtim për njohjen dhe mbështetjen e Kosovës për anëtarësimin e saj ndërkombëtar. Mirënjohës për kontributin e Moldavisë në KFOR”, tha Begaj.

‘Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij’

Thëniet më të mira persiane.

Sot, po sjellim një koleksion nga mençuria e kulluar e një populli të largët e të lashtë.

E çuan llafazanin në ferr dhe tha: “Sa të njoma qenkan drutë.”

Njerëzit fatkëqinj shpesh bëhen me besëtytni, shpesh nga padituria.

Njeriu modest dhe punëtor vlen më shumë sesa njeriu i fuqishëm dhe i rrezikshëm.

Nga të shtatë zogjtë e bilbilit vetëm njëri del këngëtar.

Ngushëlloje atë që mendon të ketë arritur lumturinë.

Nuk i jepet elefantit për të pirë me lugë.

Në kokën time tullace mëson zanatin e berberit.

Në punët e veta edhe i verbëri ka sy.

Në shtëpinë e kadiut ka arra plot, por ato janë me numër.

Mos i bjer atij që e ka dënuar fati.

Mos i bjerë derës së botës, që të mos i bien derës sate.

Muret kanë minj, minjtë kanë veshë.

Nata është me barrë, ç’do të na pjellë mëngjesi.

Më mirë një buqetë me trëndafila, se një mullar me bar.

Më mirë uthullën në dorë, sesa hallvën e premtuar.

Kush ka rënë në bela, s’e çan kokën për taksat.

Lakuriqit çdo këmishë i rri tamam.

Lavdërimet e tepërta çorodisin fëmijën.

Lehja e qenit nuk i pengon retë.

Kur ke hall, mund të puthësh gomarin në bisht.

Kur mund të rrosh në paqe , mos trokit në derë të luftës.

Kur piqen frutat, kopshtari nuk i vë re të njohurit.

Kur të të kenë bërë ty njeri, do të jem bërë unë budalla.

Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga.

Ku do ta dijë pusi se kova ka fundin e çpuar.

Kujt iu dogj mullari, s’kish pse i trembej rrufesë.

Kumarxhiut hileqar çdo gjë që t’ia zhvatësh e ke qar.

Kundërshtari më i rrezikshëm është miku i kthyer në armik.

Kur i ka ardhur koha, preja shkon vetë te gjahtari.

Kur janë dy akçinj, gjella del o shumë e kripur, o pa kripë fare.

Je i nderhsëm në veprime me çdonjeri, do, s’do, do të nderojë.

Jo gjithçka e rrumbullakët është arrë.

Kam dhënë kaq këshilla, sa më ka zënë gjuha lesh.

Kandili që i duhet shtëpisë nuk çohet në xhami.

Kot mburret daullja, brenda është bosh fare.

Gjelin që do ta rrëmbejë çakalli në mëngjes, le ta rrëmbejë që në mbrëmje.

Gjëegjeza e gjetur të duket e lehtë.

Gjuha e kuqe merr në qafë kokën jeshile.

Hajduti njeh hajdutin; shenjti njeh shenjtin.

Ha pak të kesh shëndet.

Ha si do vetë, vishu si duan të tjerët.

I mbyturi kapet pas fijes së kashtës.

Inteligjenti flet atëherë kur të tjerët përreth heshtin.

Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij.

Frikoju nga ai që ta ka frikën.

Fut djathin në shishe e fërkon bukën nga jashtë.

Gërmove në mur, mos i qendro pranë.

Gratë janë sikur hija juaj, nëse shkoni pas tyre – ato ikin nga ju, ndërsa nëse ikni prej tyre – ato vijnë pas juve. / KultPlus.com

Gonxhja: Rritje me 60.1% e vizitorëve në kalatë dhe monumentet e kulturës

Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se numri i vizitorëve për periudhën janar – maj 2024 shënoi  rritje me 60.1%, krahasuar me vitin që lamë pas.

“Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota. 66,323 vizitorë për periudhën Janar – Maj 2024, rritje me 601% në krahasim me vitin që lamë pas”, u shpreh ministri.

Ndërkohë, Gonxhja bëri të ditur se autoritetet në vend kanë zgjatur edhe orarin e vizitave në të gjitha kalatë dhe monumentet e kulturës për periudhën maj-tetor 2024.

Ato do të jenë të hapura nga ora 09:00-19:00 në të gjitha ditët e javës.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër.

Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, Muzeve arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj.

Kur Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli i këndonin perëndeshës së bukurisë (VIDEO)

Një figurë si ajo e Nexhmijes kurrë nuk është tepër të kujtohet, të dëgjohet e të përjetohet, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell serenatën korçare ”Perëndeshë e bukurisë”, nën interpretimin e dy zërave të fuqishëm të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Perëndeshë e bukurisë je
un për tynë do t’pëlcas
dashurinë që kam shtënë për ty
u bu bu si do t’ia bëj

Se në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
jak o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bëre të vdes

Ilaçet nuk më bëjnë gjë
s’më shërojnë plagëtë
përveçse syri yt i zi
që më dogji zemrënë

Dhe në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
mjaft o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bërë të vdes. / KultPlus.com

‘SHQIPËRIA qan HOMERËT’, promovohet libri për Arbënor e Astrit Deharin

Është promovuar libri për Astrit e Arbënor Deharin, e që e mban titullin “SHQIPËRIA qan HOMERËT”.

Dy vëllezërit ishin aktivistë të Lëvizjes së Vetëvendosjes, si dhe djemtë e shkrimtarit e deputetit, Avni Dehari, njofton Klankosova.tv.

Libri u promovua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ky libër me poezi të shkruara për Arbënor e Astrit Deharin ka disa autorë, që janë përmbledhur e redaktuar nga Rushit Ramabaja dhe Nebih Bunjaku, për t’u botuar nga Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja Lena Graphic.

Shqipëria

Poezi nga Pablo Neruda

S’kam qënë ndonjëherë
Në Shqipëri
n’atë tokë të ashpër e të dashur,
n’atë dhe malor barinjsh.

Sot
shpresoj të vij si për të kremte,
për një të kremte të re, dasmë mbi tokë;
pa të vete të shoh
si shkëlqen dielli
majë krahëve plot muskuj
të vargmaleve të tua,
si më rritet në mes të shkëmbinjve
si zambaku i ri dhe i njomë,
kultura,
letërsia,
që po nis e shtrihet,
nderi ndaj bujkut të moçëm,
djepi i punëtorit,
përmendorja e shquar e vëllazërimit,
si merr përpjetë mirësia posi bima e re
që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.

O Shqipëri e vogël, e fortë,
e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
‐ ujë dhe çelik i gjallë –
vjen e më t’i shtohet tingullit
të historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash
dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë.
(Përktheu: A.Pilika) / KultPlus.com

Xhubleta, veshja më e vjetër që e ka të qëndisur historinë e popullit shqiptar

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Historia e popullit shqiptar është tejet e lashtë, në të gjejmë doke e zakone që nuk i përkasin asnjë vendi tjetër në botë. Populli ynë njihet për tradita disa prej të cilat akoma i mbijetojnë kohës.

Xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi.
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjën e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh.

Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholine, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmeri me veshjen e disa figurinave neolitike te gjetura në Bosnje, por edhe ne vise te tjera te mesdheut, qe i perkasin mijëvjecarit te dyte p.e.s dhe lidhen me qytetërimet e vjetëra mesdhetar. Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kultures sonë ilirjane ku vetëm nëpërmjet saj ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malsorët tanë e përcollen deri në vitet 1950 -1960, pra e vetmja qe jep identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për te gjitha është shqiponja.

Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femres malësore.
Vlen të ceket se xhubleta peshon diku rreth 15 kilogram dhe duke qenë se daton prej 4000 vjetësh, ajo paraqet qytetërimin ilir në kulturën popullore shqiptare. / KultPlus.com

Panairi i madh dhe ndër më të njohurit, përfshin artistë shqiptarë

Art Basel është një nga panairët më të njohur dhe më të rëndësishëm për artin bashkëkohor në botë.

Ky event ndodh çdo vit në tri qytete të ndryshme: Basel në Zvicër, Miami Beach në Floridën e SHBA-së, dhe Hong Kong.

Ai u themelua për herë të parë në vitin 1970 nga galeristët Ernsr Beyeler, Trudl Bruckner dhe Balz Hilt, me synimin për të sjellë së bashku botën e galerive, koleksionistëvet artistë dhe dashamirës të artit.

Mijëra vizitorë ka çdo vit, përfshirë galeristë të shquar, artistë, koleksionistë, kuratorë dhe kritikë arti.

Panairi lejon galeritë të prezantojnë veprat e artistëve të tyre, dhe është një platformë që mundëson shitjen e artit.

“Art Basel”, po ndodh tani me pjesëmarrje edhe të artistëve shqiptarë./ balkanweb/ KultPlus.com