Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  /KultPlus.com

Liria është përjetësisht foshnje


Dije Demiri-Frangu

Lirinë as buburreci s’ban me shkelë

Liria është e bukur

vetëm se çdoherë vjen e dërmuar e masakruar

dhe pa teshë në trup.

I ka do vragë, do plagë si kujtesa,

si faqet e historisë

e pastaj, ngadalë e bukur duhet dhënë krahët Lirisë,

sy të bukur e të prehët,

se i duhen

duhet dhënë djersët t’ i shërojë plagët,

rrobat më të bukura të njerëzisë t’ mos ngrinë e t’ mos djerësinë.

Duhet ruajtur t’ mos e shkel as buburreci,

është e ndjeshme

se Liria përjetësisht është foshnje,

një temperaturë e vogël mund t’ i shkaktojë meningetis.

Pranvera Hyseni tregon se në Kosovë do të funksionalizohet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës

Astronomja kosovare Pranvera Hyseni ka njoftuar se së shpejti në Kosovë do të funksionalizohet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, me pajisje që kapin vlerën rreth 100 mijë euro.

“Celestron mund të përshkruhet si një pionier dhe udhëheqës në fushën e teknologjisë optike, veçanërisht në prodhimin dhe zhvillimin e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Kompania shquhet për inovacionin e tyre të vazhdueshëm dhe cilësinë e lartë të produktit, duke ofruar një gamë të gjerë të pajisjeve për hobistët dhe profesionistët e astronomisë”, ka shkruar Hyseni në rrjete sociale.

Tutje, ajo ka spjeguar se Celestron që do të vjen në Kosovë për këtë projekt, njihet për angazhimin e tyre në mbështetjen e komunitetit global të astronomisë, duke sponsorizuar ngjarje dhe programe edukative që promovojnë interesin dhe shkencën e astronomisë në nivel botëror.

“Në përgjithësi, Celestron përfaqëson standardet më të larta të cilësisë dhe shërbimit në botën e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Ndjehemi të nderuar, që kjo kompani prestigjioze po vjen zyrtarisht në Kosovë për të instaluar teleskopin me aparaturë 14 inç, një mrekulli teknologjike që do të sjellë universin më afër se kurrë më parë për qytetarët e Kosovës, transformimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar në një qendër të rëndësishme shkencore dhe edukative”, ka shkruar më tej astronomja.

34 vite më parë u miratua dekreti që u lejonte shqiptarëve pajisjen me pasaporta

Për një kohë të gjatë jo të gjithë shqiptarët kishin të drejtën për të pasur një dokument për të dalë jashtë shtetit. Në kohën e diktaturës pasaporta për disa qytetarë konsiderohej si luks.

Pas vdekjes së diktatorit dhe në grahmat e fundit të komunizmit, shqiptarët u dyndën në ambasada, për t’u larguar nga vendi që ishte izoluar për gati pesë dekada. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto kushte, në 12 qershor të vitit 1990, u miratua një dekret që lejonte pajisjen me pasaporta për udhëtim jashtë shtetit.

Qeveria shqiptare kërkonte që shqiptarët të dilnin nga ambasadat në mënyrë që të pajiseshin me pasaporta e më pas me vizën nga ambasadat e huaja. Në këtë mënyrë shqiptarët nuk do të konsideroheshin azilantë politikë dhe as do të prezantonin një imazh negativ për Shqipërinë, e cila aspironte anëtarësimin në disa organizata evropiane. Në atë kohë edhe evropianët kërkuan ndërmjetësimin e OKB-së, për t’i kërkuar qeverisë shqiptare respektimin e të drejtave të njeriut./atsh/KultPlus.com

Eva Golemi dhe Gëzim Myshketa, në teatrin “Verdi” të Salerno-s

Sopranoja e mirënjohur e TKOB-së, Eva Golemi, dhe baritoni shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa, së bashku me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të debutojnë në skenën e Teatrit “Giuseppe Verdi” në Salerno, të Italisë. Kjo ngjarje artistike do të zhvillohet më 21 qershor.

Ky koncert vjen si një homazh në Festivalin e Muzikës 2024, në nderim të kompozitorit Giacomo Puccini, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së tij.

Teatri “Giuseppe Verdi” i Salernos është një teatër me strukturë druri i 1800-ës, me katër sektorë në plate dhe një galeri.

Teatri në historinë e tij, ka pësuar herë pas here dëme të mëdha, por tërmeti i 1980-ës, e bëri të papërdorshëm për rreth 14 vjet.

Prej vitit 2007 teatri “Verdi” i Salerno-s është vendosur në skenën kombëtare të operës si një teatër ekselence, me një program të përzgjedhur të karakterizuar nga prania e artistëve me famë botërore, duke e vendosur veten, pavarësisht nga përmasat e tij të vogla, në të njëjtin nivel me teatrot e mëdhenj kombëtarë, si Opera e Romës, “San Carlo” i Napolit apo “La Scala” e Milanos.

Në teatrin Verdi kanë punuar artistë si Marcelo Álvarez, Renato Bruson, Orkestra Mbretërore Filarmonike, Nikolaj Lugansky, Wiener Kammerensemble, Alexei Volodin, Martina Serafin, Orkestra Simfonike Sapporo./atsh/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar zbulon për artdashësit simbolikat e artit bizantin

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, përmes ciklit “Zbulo ikonën bizantine”, fton artdashësit ta vizitojnë duke zbuluar sekretet e simbolikat e artit bizantin.

“Zbulo ikonën bizantine” sjell vazhdimisht informacione mbi botën e pikturës bizantine e veçanërisht mbi objekte të fondit të këtij muzeu. “Gjithë Shenjtorët” (IN 5791) është ikona e shekullit XVIII, me autorë Kostandin & Athanas Zografin.

Kjo ikonë vjen nga Kisha e Manastirit të Apostujve, Vithkuq.

Ikona me përmasa 50.5 x 117 cm paraqet përfaqësime nga të gjitha grupet e shenjtorëve, në pamundësi për të paraqitur të gjithë shenjtorët, ajo ndahet në gjashtë breza: Në pjesën e sipërme në një rreth i cili brendashklruhet në një kuadrat, paraqitet Trinia e Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë në formën e pëllumbit. Ata rrethohen nga kerubinë, serafinë dhe fuqi të tjera qiellore.

Në katër cepat e kuadratit paraqiten simbolet e ungjillorëve. Në krahun e majtë paraqitet Hyjëlindësja dhe në të djathtë Joan Pagëzori në formë Deissis. Pas tyre paraqiten grupimet e kryeengjëjve dhe engjëjve.

Në brezin poshtë rrethit paraqiten Adami dhe Eva në qëndër, në të majtë grupimi i mbretërve dhe profetëve (Moisiu, Aaroni, Jezekil, Daniel, Avakum…), në të djathtë qëndrojnë oshënarët (Andoni i madh, Eftimi, Sava, Onufri etj.).

Në brezin tjetër shohim në qëndër kryeapostujt Pjetri e Pavli duke mbajtur maketin e kishës, në të majtë janë vendosur Hierarkët (Vasili, Grigori, Joan gojëarti, Spiridoni etj.), në të djathtë pjesa tjetër e apostujve (Joan teologu, Marku, Mateu, Andrea, Jakovi etj.).

Brezi më poshtë paraqet në pjesën qendrore Kostandinin dhe Elenën me veshje perandorake dhe pas tyre Shën Silvestri, Në të majtë janë paraqitur strategët martirë Gjergji dhe Dhimitri, pas tyre grupimi i mjekëve anargjendë (Kozma dhe Damian). Në të djathtë paraqiten mbretëreshat Varvara dhe Katerina si dhe Julita, Maria Egjiptiania dhe fëmija Kiriku.

Në pjesën fundore të ikonës paraqitet parajsa me bimësi të shumtë, tre etërit biblikë Abrahami, Isaku dhe Jakovi, të cilët mbajnë në duar shpirtrat e fëmijëve të masakruar nga mbreti Irod. Gjithashtu shohim edhe hajdutin e kryqëzuar me Krishtin./atsh/KultPlus.com

Kush e tradhëtoi Ana Frankun, vajzën hebreje simbol të Holokaustit

”Përshëndetje. Hebrenjtë fshihen në fund të rrugës Prinsengracht 263 në Amsterdam. Nga e di ti?” “E di”. “Dhe kush je ti?” “Askush”. Ishte kjo përmbajtja e bisedës ”tradhtare” ndaj Ana Frankut, e vrarë në mars 1945, shkruan focus.it.

Kjo mund të ketë qenë biseda telefonike e 4 gushtit 1944 që “dënoi” Ana Frankun, e cila është kthyer në simbol të persekutimit antisemit.

Le të zbulojmë se si u kryen hetimet për të vërtetuar se kush e tradhtoi Anën, përmes artikullit “Të tradhtuar!” nga Anita Rubini, marrë nga arkivat e Focus Storia.

Informacioni arriti në zyrën e Julius Dettmann, një oficer eses gjerman, i cili dërgoi menjëherë një ekip për të kontrolluar shtëpinë.

Pas një rafti librash është hyrja e strehës ku Otto Frank, gruaja e tij Edith dhe dy vajzat e tyre Anna dhe Margot, tre anëtarë të familjes Val Pels dhe dentisti Fritz Pfeffer kishin jetuar për dy vjet.

Ata u arrestuan të gjithë dhe u dërguan në kampin tranzit Westbord dhe më pas u transferuan në Aushvic.

Sot ai “askush” nuk mund të kishte emër.

Sipas dy gazetarëve flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop Van Wijk, ishte vërtet Nelly Voskuijl, një nga motrat e Elizabeth një daktilografiste e punësuar nga Otto.

Nelly filloi vullnetarisht të bashkëpunonte me Gestapon pas pushtimit gjerman deri në atë denoncim mizor./KultPlus.com

Vdes këngëtarja e njohur franceze, Françoise Hardy

Një nga kantautoret më të dashura franceze, Françoise Hardy, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.

“Mamaja është zhdukur”, ka shkruar në rrjetet sociale djali i saj, Thomas Dutronc, i cili gjithashtu është muzikant, sipas mediave të huaja.

Hardy shpërtheu në skenën muzikore në vitin 1962 dhe u bë një ikonë kulturore që frymëzoi njerëz si Mick Jagger dhe Bob Dylan. E njohur për baladat e saj melankolike, ajo simbolizonte lëvizjen pop franceze Yé-yé (po po), të ashtuquajtura për shkak të nocionit të saj ndaj muzikës angleze.

Këngët e saj më të famshme përfshinin All the Girls and Boys (Tous les garçons et les filles), It Hurts to Say Goodbye (Comment te dire adieu) dhe My Friend the Rose (Mon amie la rose).

Hardy lindi në Parisin e pushtuar nga nazistët në vitin 1944 dhe u rrit nga nëna e saj.

Si shumë vajza në atë kohë, ajo u rrit duke dëgjuar Elvis Presley, Cliff Richard dhe yje të tjerë amerikanë dhe britanikë në Radio Luksemburg dhe ajo nënshkroi marrëveshjen e saj të parë diskografike në moshën 17 vjeçare.

Shpërthimi i saj si muzikante erdhi në vitin 1962 me këngën e thjeshtë dhe ankuese, Tous les garçons et les filles, kur ajo këndoi për të gjithë djemtë dhe vajzat që ecnin dorë për dore, ndërsa “Unë eci vetëm nëpër rrugë, zemra më dhemb”, ishte një hit i menjëhershëm në Francë dhe madje depërtoi në listat e Mbretërisë së Bashkuar.

Stili i saj mahniti stilistët e modës, duke u bërë një model për Yves Saint Laurent dhe Paco Rabanne, të cilët projektuan një minifustan prej pjata ari për të.

Frontmeni i Rolling Stones, Mick Jagger, dikur e quajti atë “gruaja ideale”, ndërsa kolegu i këngëtarit dhe kantautorit Bob Dylan i shkroi asaj disa letra dashurie.

Ai iu drejtua asaj në një poezi në anën e pasme të albumit të tij të vitit 1964, Another Side of Bob Dylan.

Në mesin e atyre që i bënë homazhe Hardy pas lajmit për vdekjen e saj ishte edhe ministrja franceze e kulturës, Rachida Dati, e cila shkroi në rrjetet sociale: “Si t’i thuash lamtumirë asaj? Françoise Hardy e përjetshme, legjenda e këngës franceze, e cila hyri, përmes ndjeshmërisë së saj e melodive, në zemrën e një vendi të tërë”./tema/KultPlus.com

Mbajti ditar në vitet e 90-ta, Rrezarta Reka Thaqi promovon sot librin “Kronikë në zemër”

Rrezarta Reka Thaqi sapo ka botuar librin e saj më të ri “Kronikë në zemër: këto ishin të ‘’90-tat”, libër që do të promovohet sot, më datë 12 qershor në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery, promovim që do të vjen edhe në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” është një rrëfim personal i autores me përplot kujtime të ruajtura në ditar për Kosovën e viteve të 90-ta, përfshirë apartejdin, rezistencën dhe luftën. Përmes një kombinimi narrativ, lexuesi udhëton në të shkuarën, por njëkohësisht takohet edhe me një shikim retrospektiv nga pozicioni i ditëve të sotme, mbi ngjarje e përjetime që autores i kanë lënë shenjë në jetë.

Autorja beson që libri do të zgjoj nostalgji te gjeneratat që e kanë jetuar atë kohë, e njëkohësisht do të zgjoj kurreshtjen e të rinjve që duan të mësojnë më shumë për të kaluarën.

Rrezarta Reka Thaqi lindi në Shkup, ndërkaq jeton në Prishtinë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ka kryer studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore./ KultPlus.com

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor të vitit 1929 në Frankfurt am Main.

Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës. Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes, ditar ky që u publikua pas vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus sjell disa nga thëniet më të njohura të saj, të cilat janë shkëputur nga ditari i saj.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.

“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / KultPlus.com

Fjalimi i Wesley Clark më 12 qershor të vitit 1999: Millosheviq u bind që po humbiste

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, më 12 qershor të vitit 1999, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.

Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.

Ai i kishte falënderuar ushtarakët e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke pohuar se familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.

“Jo vetëm që forcat tona kanë kryer një fushatë të suksesshme ajrore e cila e detyroi Millosheviqin të përmbushte pesë kërkesat tona qendrore, por ato gjithashtu kanë qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar”, ka thënë Clark.

“Puna jonë, natyrisht, është shumë larg nga kryerja dhe rreziqet janë larg nga përfundimi. Forcat tona po hyjnë në një territor të vështirë, por ata e dinë se kauza e tyre është e drejtë dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar Kosovën dhe për t’u përgatitur për kthimin e qindra mijëra refugjatëve që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ky spastrim etnik brutal”.

Gjenerali Clark ka pohuar se Slobodan Millosheviq ishte bindur që NATO po fitonte, dhe se duhej të largoheshin forcat e ushtrisë së tij nga Kosova.

“Në fillim, ne thamë se do të sulmonim sistematikisht dhe në mënyrë progresive, do të sulmonim, degradonim, shkatërronim nëse presidenti Millosheviq nuk do t’i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfundimisht t’i shkatërrojë forcat serbe në Kosovë, objektet e tyre, logjistikën dhe të gjitha asetet e saj. Presidenti Millosheviq e vlerësoi dhe ne e bëmë pikërisht këtë, dhe Millosheviqi u bind”.

“Kur u pyetën se sa kohë do të zgjaste, udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se mund të duheshin ditë, javë ose muaj, në fund të fundit do të varej nga sa dënime dhe vuajtje do të ishte i gatshëm Presidenti Millosheviq t’u impononte forcave të tij të armatosura. Edhe kjo ishte e vërtetë dhe ne kemi thënë prej javësh që ne po fitonim, ai po humbiste dhe e dinte. Mendoj se ngjarjet na kanë nxjerrë në pah në çdo rast”.

“Tani, një detyrë tjetër e madhe është duke u zhvilluar, nxjerrja e forcave serbe dhe futja e forcave tona është një operacion i madh logjistik që nuk është pa rrezik”, ka thënë Clark. / KultPlus.com

“Zgjidhja më e mirë për Kosovën, është një Kosovë e pavarur”, presidentja Vjosa Osmani shënon 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës me një video

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video të shpërndarë në rrjete sociale, ka shënuar 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

“Përjetësisht mirënjohës për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë!”, ka shkruar presidentja Osmani.

Në një video të gjatë 1 minutë e 30 sekonda, janë përmbledhur copëza të momenteve më të rëndësishme që kanë sjellë çlirimin e Kosovës.

“Zgjidhja më e mirë për Kosovën, është një Kosovë e pavarur”, dëgjohet duke thënë ish-presidenti historik Ibrahim Rugova.

Ndërsa, pjesë e videos është edhe momenti kur njëri nga pjesëtarët e NATO-s, iu drejtohet serbëve se nga ai moment, kanë mbetur vetëm 30 minuta që të largohen nga vendi ynë./KultPlus.com

25 vite nga dita e çlirimit të Kosovës, ndërhyrja e NATO-s ktheu refugjatët në atdhe

Ishte mëngjesi i 12 qershorit të vitit 1999 në Kosovë. Kjo datë do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në librat e historisë pasi shënon triumfin ndaj agresorit serb dhe natyrisht çlirimin e vendit. Asokohe sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’i mundësuar këmbësorisë hyrjen në Kosovë, që më pas do të largonin forcat serbe nga aty.

Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës do të ktheheshin në shtëpitë e tyre pas vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, që dërgoi 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Falënderimi i refugjatëve të kthyer në atdhe, për forcat paqeruajtëse, ishte tepër prekës.

Sot Kosova feston 24 vjetorin e Çlirimit. Trupat paqeruajtëse të KFOR-IT janë ende prezente në territorin e Kosovës edhe pse tashmë misioni i tyre është zvogëluar ndjeshëm në numër, pasi Kosova ka konsoliduar institucionet shtetërore, policinë dhe madje ushtrinë.

Integriteti territorial është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës. / KultPlus.com

Media italiane: Zbuloni Lukovën dhe Ksamilin, ideale për pushime verore

Zbuloni Lukovën dhe Ksamilin, dy vende magjepsëse në Shqipëri – të konsideruara si Maldivet e Evropës – ideale për pushime verore, shkruan Daniela Caruso në një artikull të botuar në revistën italiane “viaggi.nanopress.it” .

Shqipëria është një nga destinacionet më të pëlqyera të kohëve të fundit. Edhe në verën e 2024, ajo do të jetë “mbretëresha” e pushimeve për italianët, dhe jo vetëm.

Për më tepër, në këtë vend do të zbuloni dy vende të mrekullueshme që konsiderohen si “Maldivet e Evropës”; Lukova dhe Ksamili.

Të dyja këto fshatra bregdetare ndodhen në Rivierën Shqiptare.

Shqipëria, një vend që pret të zbulohet

Lukova dhe Ksamili përkufizohen si “Maldivet evropiane”, pasi karakterizohen nga peizazhe vërtet magjepsëse. Ju mund të kaloni pushime ekonomike: kini parasysh që do të shpenzoni vetëm 25 euro nata për akomodimin më të lirë.

Në verën e vitit 2024, duket se Shqipëria do të jetë një nga destinacionet më të pëlqyera për italianët dhe më gjerë.

Në fakt, vendi ballkanik ka shënuar një rekord në sektorin e turizmit, duke mirëpritur 9,5 milionë vizitorë të huaj.

Shqipëria regjistroi një rritje prej 33,2% krahasuar me një vit më parë: një shifër shumë e rëndësishme, duke qenë se ky vend ballkanik ka vetëm 2,8 milionë banorë.

Arsyet për të vizituar Shqipërinë janë të ndryshme. Ky destinacion ndodhet shume pranë Italisë, dhe mund të arrihet me traget me një kosto të përballueshme – krahasuar me vendet më të njohura evropiane – që për më tepër janë shumë më shtrenjtë.

Gjithashtu, Shqipëria karakterizohet nga plazhe të bukura, të pastra dhe ushqimi është shumë i shijshëm dhe me kosto të ulët.

Maldivet e Evropës: Zbuloni Lukovën dhe Ksamilin

Dy perlat e Shqipërisë, të quajtura “Maldive të Evropës”: Lukova dhe Ksamili, janë dy nga atraksionet kryesore të vendit.

Udhëtimin mund ta nisni nga Saranda, “kryeqyteti turistik” i Shqipërisë, i karakterizuar nga plazhe me rërë të bardhë dhe një det i kristaltë dhe transparent.

Lukova ndodhet pranë ishullit të Korfuzit dhe Syrit të Kaltër – një burim ujor, dukuri natyrore dhe vend turistik i shpallur Monument i Natyrës.

Ndërsa, Ksamili është i famshëm për ujërat smerald që karakterizojnë detin që e rrethon si dhe për ishujt shkëmborë që ndodhen aty pranë – të cilat mund të arrihen me varkë ose me not.

Gjatë muajve të verës, Saranda dhe Ksamili janë shumë të mbushura me turistë, prandaj ju këshillojmë t’i planifikoni pushimet tuaja në periudha në të cilat ka më pak prezencë turistike – në mënyrë që të shijoni bukurinë e peizazheve, plazheve dhe klimën dhe atmosferën e pranishme në këto vendpushime./atsh/KultPlus.com

‘Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme’

Sonte KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com

Eleanor Roosevelt: Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën

“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”

“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”

“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”

“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”

“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.”

Kujtojmë se sot bëhen 138 vite nga lindja e Eleanor Rooseveltit, ish-zonja e parë e SHBA-ve.

Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.

Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.

Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut./ KultPlus.com

Ka poetë që s’dinë të përkthejnë

Lasgush Poradeci

S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?

Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?

(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com

Fotografi e rrallë e grupit ‘Gjurmët’

KultPlus ju sjell fotografi të vjetër ku mund të shihen anëtarët e rok grupit Gjurmët, para ëmbëltores Elida në Pallatin e Rinisë (ish Boro Ramizi), në Prishtinë.

Gjurmët është grup artistësh i njohur, grupi është formuar në vitin 1981 ne Prishtinë dhe ka qenë aktiv deri në vitin 1988. Grupi kishte pesë anëtarë. Vokalisti i grupit ishte Migjen Kelmendi, tani gazetar dhe publicist i njohur. Anëtarët tjerë ishin Tomorr Kurshumliu, Bekim Dyla, Petrit Riza e Armando Gjini./ KultPlus.com

Wilde: Përvoja është emri që u japim gabimeve tona

KultPlus sjell disa nga thëniet e Oscar Wilde:

Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.

Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.

Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.

Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet./KultPlus.com

Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare

KultPlus, sjell disa kujtime nga Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Ajo për herë të parë para publikut si dirigjente ka dalë me suitën për kor dhe orkestër “Vullnetarët” të të ndriturit dhe të madhit kompozitorit Tonin Harapi.

Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike.
“Mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos.

Rozmari ka lindur në një familje me tradita muzikore nga ana e të atit , “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para muzikore në këtë qytet.

Vetë qyteti i Korçës ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja,( e cila ka qenë dhe regjisorja e parë e TKOB), Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj, ( kanë qenë dhe mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri).

Shkoi për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pati si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko.

Më pas shkoi për studime në Konservatorin e Moskës për kanto ku ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor Xhemali “Artist i Popullit”,Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre ishte Rozmari që ishte dhe më e reja në moshë, vetëm 15 vjeç!

Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të muzikës, ajo gjeti të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston, Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për dirigjentë me të kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i Merituar” dirigjent kori.

Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit”, këngëtaret si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba, Gaqo Çako “Artist i Popullit”. Vazhdoi dirigjimin dhe kanton për 7 vjet duke dalë shkëlqyeshëm. Në vitin 2017, në moshën 80-të vjeçare ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”./ KultPlus.com

‘Një grimcë ti një grimcë unë, kështu fati e do këtë punë’ (VIDEO)

Gjurmët, rock grupi kosovar që ishte i pranishëm në skenën e muzikës shqiptare gjatë periudhës 1980-1986 kanë realizuar shumë këngë që edhe sot këndohen nga rock grupet tjera e vazhdojnë të dëgjohen akoma nga adhuruesit e këtij zhanri.

“Mendoja çdo gjë merr fund pa ty’’, është një ndër këngët më të njohura të grupit. Kjo, një këngë që përçon një emocion të jashtëzakonshëm dhe është himn i plot gjeneratave dhe realiteteve të ndryshme prej njëra tjetrës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në vitin 2002, Gjurmët publikuan projektin Gjurmët LP, një përmbledhje e këngëve të tyre me incizim të lartë dhe shkrime retrospektive të Kelmendit për kohën e funksionimit të grupit.

Më poshtë keni tekstin e plotë të këngës:

Vallë është e mundur
më kalon pranë
dhe një copë akull
më bën një puthje ta kujtoj
Ishe ti ajo

Duket me bëhet
nuk di çfarë kam sot..

Ledhatimet a thua ishin
dhe ajo ëndërr

Një sheti s’me bie n’mend
sa je larg nga unë
sa afër ishim
të premtoja mrekulli
i marri, thosha çdo gjë merr fund pa ty

Një grimcë, ti një grimcë unë
kështu fati e do këtë punë
Një grimcë, ti një grimcë unë
kështu fati e do këtë punë

Kthehem rrotull nganjëherë
ç’kanë këta njerëz ç’shikojn n’qiell

Ledhatimet a thua ishin
dhe ajo ëndërr

Një sheti smë bie n’mend
sa je larg nga unë
sa afër ishim
të premtoja mrekulli
i marri, thosha çdo gjë merr fund pa ty

Një grimcë, ti një grimcë unë
kështu fati e do këtë punë
Një grimcë, ti një grimcë unë
kështu fati e do këtë punë
Kthehem rrotull nganjëherë
ç’kanë këta njerëz ç’shikojnë n’qiell. / KultPlus.com

Media franceze ‘Public’: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin ideal për pushime verore unike dhe ekzotike

Shqipëria, me peizazhet e saj të larmishme dhe koston e përballueshme të jetesës, është një destinacion ideal për pushime verore unike dhe ekzotike, shkruan Jeanne Zisou në një artikull të botuar në të përditshmen franceze “Public.fr” .

Vera ka ardhur dhe ju po kërkoni një destinacion unik dhe të lirë? Mos kërkoni më tej, Shqipëria është vendi i duhur për ju.

E vendosur në Ballkan, Shqipëria është vend i kontrasteve.

Ajo ofron pasuri kulturore dhe natyrore të ruajtura ende nga turizmi masiv.

Me plazhet e saj të kristalta, malet madhështore dhe trashëgiminë historike magjepsëse, Shqipëria është një destinacion që ia vlen të zbulohet.

Por, të udhëtosh drejt Shqipërisë do të thotë edhe të gëzosh një kosto jetese shumë të përballueshme.

Qoftë për akomodimin, ushqimin apo aktivitetet, buxheti juaj i pushimeve nuk do të shtrëngohet.

Nga Tirana, kryeqyteti dinamik, në fshatrat piktoreske të Rivierës Shqiptare… çdo cep i vendit është plot me thesare të fshehura.

Ne ju rekomandojmë të vizitoni vendin mesdhetar dhe të shijoni një përvojë ekzotike këtë verë.

Zbuloni Tiranën dhe rrethinat e saj

Filloni aventurën tuaj në Shqipëri me kryeqytetin e saj, Tiranën.

Ky qytet i gjallë dhe plot ngjyra është zemra kulturore dhe politike e vendit. Mos e humbisni një shëtitje në Sheshin Skënderbej.

E vendosur në qendër të qytetit, ajo është e rrethuar nga muzetë, xhamitë dhe ndërtesat historike.

Shëtisni nëpër zonën e Bllokut, dikur i lejuar vetëm për elitën komuniste, sot një vend për jetën e natës dhe kafenetë më në tendencë.

Vizitoni Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 në lartësitë e qytetit. Këta dy bunkerë janë dëshmitarë të vërtetë të historisë.

Sot të shndërruar në muze historikë dhe bashkëkohorë.

Rrethinat e Tiranës ofrojnë gjithashtu një arratisje të mrekullueshme. Mes tyre, ai i malit të Dajtit, i aksesueshëm me teleferik.

Me të mbërritur atje, shijoni panoramën befasuese të qytetit dhe maleve përreth.

Për një zhytje në historinë mesjetare, vizitoni Kalanë e Krujës, rreth një orë larg me makinë.

Eksploroni Shqipërinë, mes plazheve dhe mbetjeve antike

Riviera Shqiptare shpesh krahasohet me bregdetin francez. Megjithatë, ajo është një perlë e vërtetë e ruajtur ende.

Me plazhet idilike dhe ujërat bruz, Shqipëria është destinacioni ideal për pushime relaksuese.

Vendpushimet bregdetare të Dhërmiut dhe Himarës janë veçanërisht të njohura për atmosferën e tyre qetë.

Por, mbi të gjitha, peizazhet e tyre që të lëne pa frymë.

Për adhuruesit e natyrës dhe emocioneve, ofrohen aktivitete të ndryshme ujore ose thjesht të shijoni diellin në rërën e imët.

Mbi të gjitha, mos e humbisni një vizitë në qytetin e Sarandës.

Saranda është porta hyrëse për në mbetjet antike të Butrintit, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ky qytet i lashtë greko-romak është një domosdoshmëri për adhuruesit e historisë dhe arkeologjisë.

Shqipëria është një destinacion që ndërthur sharmin, diversitetin dhe aksesueshmërinë.

Pavarësisht nëse jeni një adhurues i kulturës, natyrës apo relaksit, ky vend ka diçka për të kënaqur të gjitha dëshirat tuaja.

Peizazhet e tij të larmishme, trashëgimia e pasur dhe mirëpritja e ngrohtë e bëjnë atë një vend ideal për pushime.

Përveç kësaj, udhëtimi në Shqipëri është sinonim i ofertave të favorshme.

Çmimet mbeten shumë konkurruese në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.

Ndaj, për këtë verë, guxoni të jeni aventurier dhe nisuni për të zbuluar Shqipërinë. Nuk do të zhgënjeheni!/abcnews/ KultPlus.com

Islanda miratoi gjuetinë e 128 balenave këtë vit

Qeveria e Islandës tha se i ka dhënë leje kompanisë së fundit të gjuetisë së balenave për të kapur 128 balena këtë vit.

Grupet e të drejtave të kafshëve deklaruan se ndërsa numri është dukshëm më i ulët se në vitet e mëparshme, vendimi për ta lejuar atë është çnjerëzor dhe zhgënjyes.Qeveria njoftoi se kompanisë “Hvalur hf” iu dha leja për të gjuajtur në ujërat islandeze dhe pjesë të Grenlandës dhe Ishujve Faroe gjatë sezonit, i cili zakonisht zgjat nga qershori deri në gusht.Kuota është gjysma e asaj që ishte në vitin 2023, kur qeveria islandeze lejoi gjuetinë e 264 balenave me fin, sipas organizatës jofitimprurëse Fondi Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve.

Njoftimi i sotëm përfaqëson një ulje të ndjeshme të kuotës dhe kohëzgjatjes së gjuetisë”, tha Patrick Ramage, drejtor i grupit. Por ai shtoi se është “absolutisht qesharake të lejosh çdo lloj gjuetie”.“Është një lajm i keq për Islandën dhe një lajm i keq për ruajtjen e detit,” tha ai.Qeveria islandeze pezulloi përkohësisht gjuetinë komerciale të balenave me fije vitin e kaluar për arsye të mirëqenies së kafshëve./abcnews/ KultPlus.com

Hajdutët gërmojnë nga tunelet e nëndheshme drejt argjendarisë në Romë dhe largohen me 500,000 euro bizhuteri

Një grup grabitësish kanë shpuar nga kanalet e lashta drejt bodrumit të një argjendarie në qendër të kryeqytetit italian, dhe kanë vjedhur bizhuteri me vlerë të paktën €500,000.

Banda mori ora dhe metale të çmuara nga dyqani ‘Bulgari’ para se të zhdukeshin sërish në kanalizimet e qytetit teksa policia është vënë në ndjekje të tyre.

Goditja ishte bërë mesnatën e të shtunës, kur ata hynë nga një vrimë që ksihin hapur nga poshtë në bodrumin e argjendarisë në rrugën Via Condotti, e cila është e mbushur me dyqane të mallrave të luksit.

Mediat vendase thonë se tre grabitësit e maskuar ishin regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe alarmi i dyqanit ishte aktivizuar në kohë .

Policia kishe ardhur për shtatë minuta por iu deshën dhe pesë minuta të tjerë për të thyer derën e dyqanit që ishte përforcuar si barrikadë nga brenda prej grabitësve.

Vjedhësit kishin mbledhur objektet e grabitura dhe ishin zhdukur sërish në vrimën nga kishin hyrë brenda 11 minutave, sipas mediave italiane.

“Teksa ne po hapnim derën i dëgjonim ata që thonin, ‘Ikim tani , ikim’,” tha një hetues për të përditshmen vendase La Repubblica.

Kanalizimet e Romës datojnë prej kohërave romake me një rrjet të gjerë e kompleks tunelesh, të ngjashëm me një sistem të nëndheshëm metroje.

“Qendra e Romës është e mbushur me tunele kanalizimesh që datojnë prej epokës romake dhe përdoren ende”, tha Marco Placidi, i grupit ‘Sotterranei di Roma’, që eksploron arkeologjinë e vjetër të tuneleve.

“Ato janë të lartë sa të ecësh në këmbë dhe nuk kanë shumë ujë. Nuk janë totalisht të përshkruara në harta prandaj është e vështirë të zbulosh se nga kanë kaluar grabitësit”, shtoi Placidi, sipas The Independent.

Një tentativë e ngjashme është bërë në gusht 2022, kur një bandë grabitësish tentuan të hynin në një bankë në Vatikan, por dështuan pas bllokimit të një prej grabitësve dhe arrestimit nga policia./ topchanel/ KultPlus.com