Tony Blair sot takoi pesë djem të rinj kosovarë që mbajnë emrin e tij

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka takuar pesë djem kosovarë të cilët e mbajnë emrin e tij.

Takimi është mbajtur në presidencë, të cilët janë pritur nga Presidentja Vjosa Osmani.

“Nga takimi i përzemërt i Presidentes Vjosa Osmani, ish-Kryeministrit Tony Blair, dhe Toniblerëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Gonxhja: Rijetësim objekteve të trashëgimisë kulturore me vlera të historike

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Programit EU4Culture, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, zbatuar nga UNOPS.

Gonxhja bën me dije në një postim në rrjetet sociale se gjatë takimit diskutuan mbi transformimin dhe rijetësimin e objekteve e pasurive të trashëgimisë kulturore me vlera të historike, duke ruajtur të gjitha elementet origjinale të objekteve e duke aplikuar metoda inovative.

“Gjithashtu ndoqëm pasqyrën e ecurisë së deritanishme për shumë nga projektet e nisura, e ku koordinuam mbi përgjegjësi e detyra operative dhe zgjidhje teknike e administrative”, tha Gonxhja.

Këto projekte restaurimi, shtoi Gonxhja, jo vetëm që ruajnë pasurinë kulturore, por gjithashtu do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale.

“Bashkëpunimi me UNOPS-BE është kyç në arritjen e këtyre objektivave, duke sjellë ekspertizën dhe burimet e nevojshme për t’i realizuar me sukses këto projekte”, tha Gonxhja.

Kryeministri Kurti për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Këtu janë vënë themelet e shtetit shqiptarë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë dhe ishte njëri nga folësit kryesorë të ngjarjes së organizuar në Prizren për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtë vit po mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Në fjalën e tij, ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gur themelin e përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vite më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912, përcjell Arbresh.info.

“Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne. Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë”, u shpreh Kurti.

“Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën ndërtesën, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, si një përpjekje tjetër e Serbisë, e dimensionit të gjenocidit kulturor, për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare vrasjet masive dhe zhdukjen e kufomave. Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit”, thuhet në njoftimin nga ZKM.

E megjithatë, “as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri”, theksoi kryeministri.

Ai bëri thirrje që të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona, si dhe punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinjë me ne.

“Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Në këtë ngjarje, gjatë të cilës u shfaqë edhe një ekspozitë e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, të pranishëm ishin krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit.

Më në fund në Kosovën e Çliruar

Rexhep Qosja

Në Kosovë kthehem me një përvojë më shumë: me përvojën e të zhvendosurit prej shtëpisë dhe prej tokës së vet – me përvojën, sigurisht, më shpresëzhbërëse që mund të provojë krijesa njerëzore.

Të paktë janë brezat që e provojnë këtë përvojë tragjike megjithëse historia është, njëkohësisht, kronikë e tragjedive njerëzore.

Këtu, në Tiranë, me dhjetëra herë, me qindra herë e kam kaluar nëpër mend jetën time. E shoh se nuk e kam pasur të lehtë. Më ka takuar të përjetoj: Luftën e Dytë Botërore; turrin e tmerrshëm të kolektivizimit; dhunën e shumëllojshme të UDB-ës, kur më të egër e kur më të zbutur, por të vazhdueshme; demonstratat e rinisë studentore dhe shkollore në vitin 1981 dhe dhunën shtetërore serbo – jugosllave që do t’i pasojë; procesin e përdallimit (diferencimit) ideopolitik pas atyre demonstratave, në të cilin kërkohej dënimi i tyre; ekspeditat ndëshkimore ushtarako-policore serbo – jugosllave, që do ta bëjnë shumë të pasigurt jetën tonë dhe do ta nxisin shumë emigrimin; luftën vetëmbrojtëse, që do të bëhet luftë çlirimtare në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës; dhe, në fund, dëbimet dhe shpërnguljet e afër 1 milion vetave për një vit.

Shumë, tepër shumë për një jetë njeriu!

Në Kosovë kthehem me një përvojë tragjike më shumë – me përvojën e të shpërngulurit me dhunë, por në Kosovë kthehem edhe shpirtërisht shumë më i pasur. Kam pasur shumë takime, shumë bashkëbisedime, shumë biseda me intelektualë, me politikanë, me diplomatë, me qytetarë. Nuk jam njeri që i do udhëtimet, por jam i vetëdijshëm se një pjesë shumë të kuptimshme, shumë të rëndësishme, shumë të vlershme të jetës së njeriut e përbëjnë pikërisht takimet, bashkëbisedimet, bisedat me njerëzit e tjerë, të njohur e të panjohur, me njerëzit me të cilët pajtohesh dhe me njerëzit me të cilët nuk pajtohesh – takimet, bashkëbisedimet e bisedat që sjellin udhëtimet. Vetëm në takime me njerëzit e tjerë, të gjuhës e të kulturës tënde dhe të gjuhëve e të kulturave të tjera, njeriu dëgjon mendime të ndryshme, mëson, ngrihet, pasurohet shpirtërisht. Takimet, bashkëbisedimet dhe bisedat me të tjerët janë privilegj i njeriut, i pazëvendësueshëm në jetën e tij dhe për jetën e tij: në to krijohen idetë dhe mendimet fuqidhënëse, që e rrisin përvojën e tij, që e pasurojnë jetën e tij, që, më në fund, e çojnë përpara jetën e njerëzve në përgjithësi.

Është e nevojshme, prandaj, që këto takime, bashkëbisedime dhe biseda të njeriut me njeriun të bëhen të paharruara: të shënohen. Por, aq më parë, është e nevojshme që të bëhen të paharruara, të shënohen dhembjet e vuajtjet e mëdha, të përbashkëta, të njerëzve, siç ishin këto që përjetoi populli shqiptar sivjet.

Dikur e diku, dikush, para meje e ka thënë se, duke i shënuar ne edhe prej të këqijave më të mëdha nxjerrim diçka të dobishme.

Të shënuara, të përshkruara, të shpjeguara, dhembjet, vuajtjet, dëshpërimet, pikëllimet e mëdha: e para, kthehen në njohje të jetës, domethënë në njohuri për jetën dhe, e dyta, bëhen nxitje për veprime mirësie dhe njerëzillëku, domethënë frymëzim për luftë morale kundër të këqijave që e çkuptimësojne jetën e njerëzve.

Të gjitha këto janë arsyet pse unë jam përpjekur t’i shënoj në Ditar, domethënë prej dite në ditë, bëmat dhe të bërat e popullit shqiptar në Kosovë sivjet, dhembjet, vuajtjet, pikëllimet dhe dëshpërimet që i kanë sjellë atij vrasjet, masakrat, rrënimet, shpërnguljet e dhunshme; mendimet e ndryshme politike shqiptare dhe botërore për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi; ndërhyrjen e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropia në luftën në Kosovë. Domethënë: të gjitha këto janë arsyet pse unë jam përpjekur që çdo ditë, prej ditës së fillimit të fushatës së bombardimeve e deri në ditën e kthimit në Kosovë, t’i shënoj të gjitha ato që përbëjnë përjetimet tona në një situatë të jashtëzakonshme historike, në thelbin e së cilës ishte e përmbajtur një Vuajtje e madhe.

Ditari im është kallëzim historik për këtë Vuajtje.

Lexuesit e ditarëve, zakonisht, kanë dy arsye leximi: arsyet e leximit të historisë dhe arsyet e leximit të prozës letrare. Mund të thuhet kështu sepse ditarët sjellin të dhënat jetësore, shoqërore, politike, kulturore e të tjera – si edhe shkrimet historike dhe qëndrimin ndjenjor të autorit ndaj tyre – si edhe romanet.

Mbrëmë, me Ismijen dhe me Qaniun, jemi marrë vesh që për Prishtinë të nisemi në orën 8, por nisemi në orën 9. Nuk jam unë fajtor për vonesën; unë, zakonisht, jam fajtor për nxitime e jo për vonesa!

Udhëtojmë me xhip të OESB-së, që na e ka siguruar ambasadori Dan Everts.

Xhipi më lehtë se vetura i kalon gropat, bllacat, kodrat në rrugën deri në Qafëthanë.

Policët dhe doganierët maqedonas në Qafëthanë kësaj here sillen më mirë se herë të tjera: nuk m’i hallakasin as librat! Nuk kanë arsye të brengosen se mund të ndalemi në Maqedoni: e kanë të qartë se mezi presim të mbërrijmë në Kosovë.

– Si të mbërrijmë në Prishtinë do t’ju thërrasim dhe do t’ju tregojmë a kanë filluar të dalin fëmijë në oborrin e shkollës Hasan Prishtina. Sot është e premte, nesër e shtunë, mandej e diel, më së miri është të vini të hënën, apo jo?

Buzëqeshjet e tyre tepër të përmbajtura tregojnë se nuk iu ka kaluar plotësisht hidhërimi.

Ato buzëqeshje ashtu të përmbajtura do të më rrinë gjatë parasysh në rrugën për Kosovë. Ato janë buzëqeshjet që po lindin, buzëqeshje ende të ndrojtura të fëmijëve të Kosovës pas gjithë atyre që kanë dëgjuar, që kanë parë, që kanë përjetuar në këtë pranverë – në pranverën pa lule të vitit 1999.

Në Qafëthanë na pret edhe Piteri me një xhip tjetër të OESB-së dhe me vozitësin e tij.

Ai që na solli deri këtu kthehet për Tiranë.

Në Gostivar hamë mëngjes dhe drekë njëkohësisht. Aty ndahemi me Ismijen: do të ndalet disa ditë te prindërit e, mandej, bashkë me ambasadorin Dan Everts do të vijë në Prishtinë – në detyrë të re.

Në rrugën që ka kaluar shumë herë njeriu sikur nuk e vështron me farë vëmendjeje natyrën. Por, si ta kalosh Gostivarin nuk mund të mos vëresh Kampin e Çegranit. Duket si një copë shkretëtire, e shkelur prej mija e mija këmbësh, e djegur prej vapës, me çadra të rralluara, në të cilat kanë mbetur ata që nuk kanë me çka të kthehen vetë në Kosovë, prandaj presin kthimin e organizuar dhe ata që nuk kanë ku të shkojnë në Kosovë se u janë djegur a shkatërruar shtëpitë.

Copë më e madhe shkretëtire është Kampi i Stankovecit mes Shkupit dhe Bllacës. Toka është edhe më e djegur, kurse çadrat edhe më të rralla se në kampin e Çegranit. Duke qenë më afër kufirit me Kosovën, banorët e tij më lehtë kanë vendosur të nisen për Kosovë.

Shpresa shikon e heshtur!

Pa fjalë ka mbetur edhe Qaniu.

Piteri, i ulur në vendin e parë, afër vozitësit, çon duart përpjetë: ja çka krejt mund t’u bëjnë jonjerëzit njerëzve!

Mendimet tona, shpejt, teksa i afrohemi kufirit, ndalen në rreshtin e gjatë, pesë-gjashtë kilometra të gjatë – na thonë – të tankeve, të autoblindave, të kamionëve ushtarakë të ngarkuar me çka ne nuk e dimë, të automjeteve të gjithfarëllojshme me oficerë e ushtarë, të Land Roverëve, të cisternave, të autobusëve, të veturave, të furgonëve, të kamionëve me ndihma humanitare, të këmbësorëve – burra, gra, fëmijë.

Xhipi i ynë përbirohet shumë shkathët mes autoblindave, automjeteve, ushtarëve, oficerëve e civilëve – kosovarë dhe të huaj. Piteri sa zbret sa hip në xhip. Piteri çel rrugë, sepse Piteri është amerikan e amerikanët i kanë të çelura të gjitha rrugët në këtë planet. Megjithatë, një amerikan tjetër, flokëkuq, me hundë artistike si të Marlon Brandos e mjekër të zgavërt si të Kirk Dagllasit na ndal, seriozisht, duke na e treguar me dorën e djathtë rreshtin e pafund të automjeteve e të udhëtarëve thuajse do të na thotë:

– Po ku jeni nisur ashtu vrap, a s’po shihni se s’mund të kaloni!

Piteri zbret me të shpejtë prej xhipit, bën një bisedë me të, që na duket shumë më e gjatë se ç’ishte dhe, në fund, ia mbush mendjen që të na lejojë të vazhdojmë teksa të kalojë rreshti i kamionëve ushtarakë që prej Kosovës po ecte në drejtim të Shkupit.

Në Doganë – gjendje plotësisht e ndryshuar. E zbukurojnë, në të gjitha pikëpamjet e zbukurojnë, uniformat e NATO-s.

E besoj se fytyrat tona e rrezatojnë një përjetim të papërjetuar kurrë më parë në këtë pikë kufitare.

Nuk ka më ushtarë serbë!

Nuk ka më policë serbë!

Nuk ka më doganierë serbë!

Nuk ka më udbashë serbë!

Nuk ka më as trysni, as britmë, as fyerje, por as frikë, as servilosje, as lutje.

Nuk na i kërkojnë pasaportat, që nuk i kemi.

Nuk ia kërkojnë askujt.

Për herë të parë në Kosovë mund të hysh i lirë dhe lirisht: Kosova është e çliruar.

Nëpër këtë pikë kufitare për herë të parë mund të kalohet me dinjitet të pacenuar.

Historia e Kosovës, vërtet, ka ndryshuar.

Në anën e majtë të rrugës kryesore, atje poshtë, është rrafshi i paharruar i Bllacës, ku shkularakët kanë pritur ditë të tëra që t’u lejohet të hyjnë në Maqedoni. Para tre muajsh – skëterrë e njerëzve, tani është kthyer në varr të veturave të ndryshkura, që kanë lënë të dëbuarit.

Të shumtat i kanë rrjepur serbët – dje apo janë duke i rrjepur shqiptarët – sot!

Këtu, gjithmonë, prej dikujt ke qenë i rrjepur!

Në Han të Elezit Shpresa na e tregon shtëpinë në të cilën – thotë – kemi gjetur miell dhe kemi gatuar bukë.

– A mund të ndalemi e të shikojmë a është kush aty? – pyet

– Po e lëshuam rreshtin vështirë hyjmë, mandej, në rresht – i them.

– Do të vijmë një ditë që t’i vizitojmë – ngushëllohet.

E vazhdojmë rrugën me hapa breshke.

Në Kaçanik fillon Kosova e luftës: shtëpi të rrënuara, shtëpi të djegura, shtëpi të mbetura shkretë!

Restoranti i njohur Evropa – murishtë!

Restoranti Fontana – rëndë i plagosur!

Pompa të benzinës – rrafsh me tokën!

Në të dy anët e rrugës ara të papunuara, të kthyera në livadhe e livadhet të pakositura! Ndonjë luledielli e vetmuar është përkulur në drejtimin e Diellit, që perëndon.

Askund njeri, dhe, askund frymor!

Masakruesit e njerëzve nuk i kanë kursyer as frymorët!

Në Prishtinë mbërrijmë në ora 19 e 10 minuta – më herët se ç’kemi menduar.

Jam rishtazi aty ku për herë të parë kam shkelur në qershor të vitit 1954, në qytetin ku jam rritur dhe ku jam ngritur. Çdo rrugë e rrugicë, çdo shesh e ndërtesë ma kujton rininë! Në mendje kam Prishtinën që nuk është më dhe Prishtinën që do të bëhet!

Prishtina na pret me heshtje, me heshtje, me heshtje, me rrugë pa njerëz, me vetëshërbime të zbrazëta, me shitore e kinkaleri të mbyllura, me qoshqe të pa gazeta e të pa revista, me shkolla pa nxënës e mësues, me fakultete pa studentë e profesorë, me banesa, kryesisht, pa banorë, me oborre pa fëmijë.

Kohë pas kohe në këmbë a në Land Rover kalojnë ushtarë anglezë me automatikë në duar.

Ndalemi në adresën që aq dhembjen ma ka shkaktuar sivjet: Ulpiana, D3, Hyrja II, Nr.16.

E ftojmë Piterin të jetë mysafiri ynë.

Jo, i duhet të shkojë sonte në Prizren.

E ftojmë, bile, të pushojë pak.

Do të niset menjëherë – që të mos vonohet shumë.

Lamtumiremi me të dhe me Qaniun, të cilin Piteri e çon deri te banesa e tij.

I shtiem plaçkat dhe librat në banesë.

Më duket se jam në një banesë në të cilën nuk kam qenë kurrë!

Para se ta pushtojë nata ditën shkojmë në Breg të Diellit: që të shohim çka është bërë atje.

Para shtëpisë janë mbeturinat e veturës – bombë, të zeza – futë. Askush s’i ka luajtur vendit.

Muret, në anën e rrugës, janë bërë shoshë prej copave të veturës.

Xhama në dritare nuk ka më.

Grilat janë thyer ose nxirë.

Dyert e ballkoneve janë nxjerrë prej vendit. Dyert e garazhit kanë rënë mbi veturë e vetura është në garazh – siç ka qenë. Vetëm benzinën e kanë pirë!

Në bibliotekë është thyer sirtari: janë marrë të gjitha që kanë qenë në të.

– Na i marrshin të ligat – thotë Shpresa.

Të gjithë dollapët, përfundi rafteve me libra, janë hallakatur: fashikujt, skedat, fletoret, shkresurinat e ndryshme, fotografitë, kasetat, filmat, diplomat, dorëshkrimet e ruajtura të librave të botuar – të gjitha janë hedhur mbi tepih. Nuk ke ku e vë këmbën prej tyre.

Nuk është prekur asnjë libër! Nuk është marrë makina e shkrimit – e vjetër! Nuk janë prekur as fotografia e Naim Frashërit në mur, as flamuri kuq e zi në tryezën e punës!

E çuditshme!

Të gjitha shishet me pije të ndryshme janë tharë!

Bustit tim, të punuar prej drurit të arrës, iu kanë thyer “syzet”!

Kthehemi në banesë, në adresën Ulpiana D3, Hyrja II, Nr.16.

Fqinjët na sjellin urime dhe ushqime!

Pas 7 netësh në Shkup, 2 në Strugë, 2 në Bon dhe 76 netësh në Tiranë kjo është nata e parë në Prishtinë.

Gjumi nuk më merr lehtë. Dhe, si të më marrë?

Në Kosovë është bërë luftë mes shtetit serb dhe popullit shqiptar. Serbët kanë dashur ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë çështjen shqiptare! Por, në Kosovë është bërë luftë edhe më e madhe, më e përgjithshme se ç’mund të jetë lufta midis dy popujve: është bërë luftë – siç edhe është thënë me të drejtë – mes Lindjes dhe Perëndimit, mes komunizmit dhe kundërkomunizmit, mes socializmit dhe kapitalizmit, mes diktaturës dhe demokracisë, mes shovinizmit dhe humanizmit.

Edhe mbasi përfundon, lufta jehon gjatë, gjatë, gjatë në shpirtrat e njerëzve.

Në këtë luftë dikush ka luftuar e dikush ka shikuar; dikush është vrarë e dikush ka shpëtuar; dikush është fikur përgjithmonë e dikush ka përfituar!

As në paqe, as në luftë njerëzit nuk janë të barabartë. Barazinë, që është moralisht aq e drejtë, duket, e kundërshtojnë ligjësitë shoqërore, që mund të jenë aq të padrejta.

Ata që kanë mbetur gjallë, megjithatë, nuk do të duhej të ankohen.

Të gjallëve u bëhet çarja. Të vdekurit nuk kthehen më!

Megjithëse Kosova ende nuk është njohur e pavarur, ne jemi të lirë – për herë të parë pas shumë shekujsh.

Jeta do t’u kthehet burimeve të veta dhe ne do të mbledhim fuqi të reja.

Vështirësi do të ketë shumë – të parapara e më shumë të paparapara.

Ata që kanë qenë gjatë të sunduar prej të tjerëve nuk vetëqeverisen lehtë si duhet, së paku për një kohë.

Shkrimtari i madh francez, Andre Zhid, e thotë bukur: “Më e vështirë se të dish të çlirohesh është të dish të jesh i lirë”.

A do të dimë të sillemi në liri?

A do të dimë ta përdorim lirinë si duhet?

Pas kohëve heroike, zakonisht, vijnë kohët prozaike. Pas kohëve të burrërisë, zakonisht, vijnë kohët e burracakërisë. Pas kohëve të idealeve, zakonisht, vijnë kohët e parasë dhe të reshperisë. Pas kohës së idealistëve, zakonisht, vijnë kohët e përfituesve, matrapazëve, reshperëve, mashtruesve!

Ishim në sprovë të madhe historike.

E kaluam – me shumë mundime dhe me shumë dhembje, por e kaluam dinjitetshëm.

Ndërhyrja e NATO-s ishte dhurata e Zotit, e dhuruar, ndoshta, si shfajësim i fuqive të mëdha për të gjitha cenimet që na janë bërë me pajtimin e tyre gjatë historisë së re.

Tani do të jemi në provimin e pjekurisë historike.

Dhe, ky provim duhet të jepet.

Por, si do të jepet?

Rexhep Qosja, Tronditja e Shekullit (I,II), 2001/ KultPlus.com

Ndikimi i Lidhjes së Prizrenit mbi mendimin dhe publicistikën shqiptare

Milazim Krasniqi

Lidhja e Prizrenit është ngjarja më e rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve sepse i nxjerrë për herë të parë qartë kërkesat politike e kulturore të shqiptarëve për të krijuar identitetin kombëtar e rrjedhimisht edhe shtetin kombëtar shqiptar. Programi i saj kryesor filloi si program politik dhe format e organizimit si një organizatë politiko-ushtarake. Këtë model të organizimit e imponuan ngjarjet që u zhvilluan në Perandorinë Osmane (imponimi nga ana e Rusisë i Traktatit të Shën Stefanit, që copëtonte territoret shqiptare) dhe Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i cili edhe legjitimoi gllabërimin e tokave të banuara me shqiptarë nga shtetet e reja ballkanike, Serbia e Mali i Zi. Pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, si organizatë politike-ushtarake, shqiptarët iu kthyen organizimit kulturor, duke gjetur hapësira të reja të mobilizimit kombëtar e të afirmimit të ideve komb-formuese e shtet-formuese.

Ky rend i lëvizjeve në kuadër të Rilindjes Kombëtare, fillimisht si lëvizje politiko-ushtarake e më vonë kulturore, ishte i imponuar nga rrethanat e pafavorshme me të cilat u ballafaquan shqiptarët në shekullin XIX. Natyrisht, mobilizimi politik e ushtarak në atë përmasë kombëtare ka qenë i frymëzuar edhe nga frytet e lëvizjes kulturore që ekzistonte edhe më herët në gjirin e lëvizjes, por që ishte më e zbehtë dhe në një proces më të ngadaltë konsolidimi. Zhvillimet politike ndikuan si katalizatorë edhe për dinamizmin e lëvizjes kulturore shqiptare. Urgjenca e zhvillimeve politike ia imponoi edhe lëvizjes kulturore tonin dhe tematikën kryesore që do të trajtohej prej saj. Ishte fjala për një reagim urgjent, ndaj faktorëve të jashtëm që po e kërcënonin kombin shqiptar me zhbërje. E para, pasi Perandoria Osmane u detyrua pas disfatës në luftën ruso-turke që të pranonte projektin rus të emërtuar si Traktati i Shën Stefanit (1877), kjo u përjetua si rrezik direkt për shqiptarët. Lëshimet territoriale të cilat po i bënte Perandoria Osmane në favor të krijimit të një shteti të madh bullgar, përfshinin një hapësirë të madhe të territoreve shqiptare. Traktati parashihte që Bullgarisë t’i jepej Maqedonia e sotme, Kosova deri në Sharr, Shqipëria e mesme, duke u zgjatur deri në bregdetin e sotëm shqiptar. Fuqitë e Mëdha evropiane nuk kanë pasur si ta pranonin këtë projekt, pasi që me të Rusia do të merrte zemrën e Ballkanit.

Si rezultat i refuzimit të Fuqive të Mëdha ndaj Traktatit të Shën Stefanit, në qershor të vitit 1878 u organizua Kongresi i Berlinit, në të cilin u anuluan vendimet e Traktati i Shën Stefanit. Edhe pse nuk u pranua krijimi i Bullgarisë së Madhe, sipas projektit rus, në Kongresin e Berlinit u bë një vizatim i ri i hartave të Ballkanit, që rezultoi me pavarësinë e Serbisë e Malit të Zi dhe me pranimin e një Bullgarie autonome. Shqipëria e Kosova bashkë me Maqedoninë e sotme mbeten edhe më tutje nën Perandorinë Osmane. Me një fjalë, Kongresi i Berlinit ligjësoi riorganizimin e territoreve shqiptare në favor të fqinjëve ballkanikë, ndërsa Perandoria Osmane u tregua e paaftë që të mbronte tërësinë e saj formale. Prandaj, kjo është periudha kur shqiptarët e kuptuan përfundimisht që Perandoria Osmane më nuk ishte e aftë për t’i mbrojtur, prandaj ata e intensifikuan organizimin politiko-ushtarak dhe kulturor, i cili merrte përsipër mbrojtjen e territoreve të veta me anën e fuqisë së vetë shqiptarëve. Ky ishte faktori i jashtëm që shqiptarët i kishte detyruar të lëviznin nga status-kuoja, ku kishin qëndruar gjatë.

Faktorët që ndikuan në formimin e Lidhjes së Prizrenit

Faktor i brendshëm shqiptar për ta formuar Lidhjen e Prizrenit ka qenë formimi i një elite shqiptare, e cila edhe pse ishte formuar në gjirin e Perandorisë Osmane, mori një kurs të fortë kombëtar, në kohën kur u shpërfaqën dobësitë e Perandorisë Osmane dhe kur u rriten pretendimet e kombeve fqinje, serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve, për të grabitur tokat shqiptare. Në gjirin e kësaj elite kishte diplomatë, profesorë, shkrimtarë, ushtarakë, etj., të cilët kishin mbërritur në kulmin e karrierave të tyre dhe në fazën që ishin, kishin vetëdijesimin se duhej të bënin diçka më shumë për atdheun e për kombin e vet. Ndër ta veçohen Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Petro Poga, etj. Aktiviteti më i rëndësishëm i këtij grupimi intelektualësh u zhvillua në asociacionin “ Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip (tetor 1879) ose “Shoqëria letrare” a “Shoqëria e Kostandinopojës”, sikundër i emërton Mid’hat Frashëri. Ky ishte një organizim kulturor legal, i cili kishte lejen e veprimit nga autoritetet osmane. Nga aktivitetet e kësaj shoqërie kulturore e atdhetare, u realizua botimi i librave shkollorë, botimi i revistës letrare “Drita” (përkatësisht “Dituria”) e u iniciua edhe studimi i gjuhës shqipe. Alfabeti që përdorej nga kjo shoqëri ishte alfabeti latin, gjë që trasoi rrugën dhe e lehtësoi miratimin e alfabetit latin në Kongresin e Manastirit të vitit 1908.  Mid’hat Frashëri pohon: “Shoqëria letrare zhvilloi një veprimtari mjaft të madhe për të përhapur mësimin në gjuhën shqipe dhe për ta bërë praktike studimin e gjuhës kombëtare.”(Kulla: 132)  

Përderisa pikat kryesore të programit të Shoqërisë letrare ishin kultivimi dhe studimi i gjuhës shqipe, përgatitja e librave për shkolla në gjuhën shqipe, pikat kryesore të programit të Lidhjes së Prizrenit, në sfondin e procesit të rrezikshëm të copëtimit të territoreve shqiptare, kishin qenë: ruajtja e tërësisë territoriale të gjithë territoreve të tokave shqiptare, duke u përfshirë në një vilajet (entitet) të vetëm ngritja e gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare, kryerja e shërbimit ushtarak brenda territoreve shqiptare (përveç në raste të luftërave) e kështu me radhë. Lidhja pati organizuar edhe njësitë ushtarake për mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe të Ulqinit.

Është me rëndësi të theksohet se Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit është mbajtur tre ditë para fillimit të punëve të Kongresit të Berlinit. Pra, ishte një ngjarje që ka pasur synimin t’i paraprijë një ngjarjeje për ta bërë me dije se ekzistojnë shqiptarët dhe se kanë kërkesat e tyre politike. Por kryetari i Kongresit të Berlinit, Otto von Bismark, citohet të ketë thënë se Shqipëria është vetëm një nocion gjeografik. Për shkak të raportit të pafavorshëm të forcave, Lidhja për fat të keq nuk i përmbushi objektivat e veta, mirëpo, rezultati më i madh i saj ka qenë që megjithatë ka mbërritur ta ndërkombëtarizojë çështjen e shqiptarëve dhe pas aktivitetit të Lidhjes, as Bismarku dhe askush tjetër nuk kanë mundur të thotë se fjala Shqipëri ekziston vetëm si një nocion gjeografik. Lidhja e Prizrenit i ka kompaktësuar shqiptarët deri në njëfarë mase pavarësisht prej përkatësive fetare dhe rajonale. Ka qenë një Lidhje në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë pa marrë parasysh përkatësitë, e cila ka ndikuar në formimin e kombit shqiptar mbi një koncept të gjuhës, prejardhjes dhe historisë së përbashkët. Ky është rezultati më i madh që ka realizuar Lidhja e Prizrenit. Pra, që ka krijuar bazat ideologjike e kulturore të formimit të kombit e të shtetit shqiptar. Rilindësit tanë kanë qenë vizionarë. Nëse marrim për analogji mënyrën e formimit të kombeve fqinje ballkanike, serbëve, kroatëve e boshnjakëve, shohim se ata ndoqën rrugën e ndarjes në vija fetare, edhe pse gjuhën, historinë e hershme dhe prejardhjen etnike i kishin të përbashkëta. Tek shqiptarët kjo për fat të mirë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ka ndodhur bashkimi dhe kompaktësimi në idenë e një kombi unik në bazë të historisë, gjuhës, kulturës, prejardhjes së përbashkët dhe kjo është njëra prej meritave më të mëdha që ka pasur Rilindja Kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit që si e tillë është lëvizje që ka vënë themelet e kombit shqiptar.

Mbi këtë ideologji kombëtare janë formuar edhe mediat dhe shtypi shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Pra, janë media dhe është një shtyp, i cili e ndjek në masën më të madhe këtë ide kombëtare të formimit të kombit dhe të shtetit mbi parimet e gjuhës, historisë, prejardhjes së përbashkët dhe vlerave që i kanë formuar Lidhja e Prizrenit dhe ideologët e saj. Tashmë kërkesat politike dhe kulturore të shqiptarëve ishin të artikuluara në atë mënyrë që tregonin se ishte formësuar një komb i veçantë, me kërkesa të veçanta politike dhe kulturore. Normalisht, edhe shtypi shqiptar i asaj periudhe ishte në masën më të madhe zëdhënës i këtyre kërkesave politike dhe kulturore kombëtare dhe si i tillë padyshim ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në afirmimin e këtyre kërkesave dhe në kompaktësimin politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Pra, shtypi ka qenë thjesht një mjet, në duart e elitës politike dhe intelektuale shqiptare në luftën e saj për identitet dhe shtet kombëtar.

Fryma romantike e publicistikës së Rilindjes Kombëtare 

Një element i rëndësishëm që ka ndikuar në natyrën e shtypit shqiptar të asaj periudhe të Rilindjes, ka qenë se shtypi ka bashkëjetuar me frymën e Romantizmit, si një lëvizje letrare dhe kulturore, e cila në fokus të vetin kishte pikërisht afirmimin e vlerave kombëtare, krenarinë me të kaluarën, kultit për gjuhën e për atdheun. Prandaj, kemi të bëjmë me një shtyp që brenda vetes ka një simbiozë interesante, një shtyp që është mjet politik dhe armë ideologjike e çastit konkret jetësor e në të njëjtën kohë brenda vetes i ka disa elemente stilistike të romantizmit ëndërrimtar. Prirjet e Pashko Vasës, të Sami Frashërit, të Abdyl Frashërit, po edhe të tjerëve për ta glorifikuar  të kaluarën e lashtë, prejardhjen pellazge të shqiptarëve, për të treguar se shqiptarët kanë epërsi ndaj të gjithë popujve të tjerë, se i kanë bërë shërbime të mëdha Evropës e kështu me radhë, janë projeksione romantike në esencën e tyre, sepse përmes tyre thjesht bëjnë përpjekje ta zmadhojnë rëndësinë dhe vlerën e kombit shqiptar. Kështu që gazetaria shqiptare e periudhës së Rilindjes, në një farë mënyre bashkëjeton me letërsinë romantike, sepse kanë dhënë dhe kanë marrë njëra prej tjetrës. Kjo është një karakteristikë e stilit të saj dhe e përmbajtjes së një pjese të madhe të gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes, pra, të periudhës së shek. XIX. Karakteristika kryesore e shtypit shqiptar të periudhës së Rilindjes është se është zhvilluar kryekëput në diasporë. Pra, të gjitha gazetat, revistat e përkohshme që kanë dalë prej vitit 1848 deri më 1912, janë botuar jashtë Shqipërisë. Arsyet se përse kështu ka ndodhur janë të shumta por ne do të fokusohemi vetëm në një aspekt qenësor të kësaj, dhe kjo ka të bëjë në fakt me krijimin e një elite shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, e cila aktivitetin e vet e realizonte në qytetet e mëdha të Perandorisë Osmane, e më vonë edhe në qytetet e mëdha të shteteve të reja ballkanike, që u krijuan, po edhe të atyre evropiane. Kjo lidhet thjesht me statusin dhe fatin e tyre. Shumica e ideologëve të Rilindjes Kombëtare, duke përfshirë Hoxha Hasan Tahsinin, Pashko Vasën, Abdyl, Sami e Naim Frashërin, Koto Hoxhin, Petro Pogën, Jani Vreton, etj, kanë jetuar në Stamboll, në Liban, ose në Egjipt, pra në qytete apo metropole të mëdha që ishin pjesë e Perandorisë Osmane ose që kishin qenë pjesë e saj.

Larmia gjuhësore si qëllim strategjik

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj ka të bëjë me qëllimin e tyre parësor, që të ndikojnë mbi opinionin publik të vetë Perandorisë Osmane, por edhe të shteteve tjera evropiane në mënyrë që të kuptoheshin më mirë kërkesa politike dhe kulturore të shqiptarëve. Shumë prej këtyre personaliteteve, tekstet e veta i kanë shkruar në gjuhë të tjera, frëngjisht, greqisht, turqisht, arabisht, gjermanisht, e kështu me radhë, sepse qëllimi i tyre ishte që të komunikojnë me opinionin publik të atyre shteteve në të cilët ata jetonin ose me diplomacinë të cilët merreshin me çështjen shqiptare.

Një karakteristikë tjetër e shumë revistave të asaj kohe ishte se, kanë qenë ose dy gjuhësore ose tri gjuhësore, pra dilnin edhe në shqip, por paralelisht edhe në një ose dy gjuhë të tjera dhe kjo prapë inkuadrohet në këtë ide të pasjes mundësi të komunikohet me edhe me ata që nuk dinë shqip, por që flasin gjuhë të tjera. Normalisht, këtë mundësi të komunikimit në gjuhë tjera, shumicës së këtyre intelektualëve ua ka mundësuar fakti që ata kanë qenë intelektual të formatit të lartë, kanë ditur shumë gjuhë, jo vetëm t’i flasin por edhe t’i shkruajnë dhe kjo u ka mundësuar që të shkruajnë edhe në gjuhë të tjera. Fjala vjen, Hoxha Tahsini, ka folur dhe ka shkruar njëmbëdhjetë gjuhë paralelisht, pra, ka qenë një poliglot, i cili nuk e ka pasur vështirë që të komunikojë në cilëndo prej 11 gjuhëve.

Në realitetin e zvogëluar, në horizontin e ngushtuar kulturor, ne sot na duket e çuditshme që njerëzit e asaj periudhe kanë pasur aso aftësish, që të flasin aq shumë gjuhë, por në kushtet e një aktiviteti politik, kulturor, intelektual, në një perandori siç ka qenë Perandoria Osmane, edhe në rritjen e komunikimeve siç ka qenë periudha e shek. XIX dhe XX, kjo duket një gjë shumë e natyrshme, aq më tepër që shumica e tyre kanë qenë diplomatë dhe njerëz që tërë jetën janë marrë me punë intelektuale./ KultPlus.com

146 vite nga Lidhja e Prizrenit, Ministri Çeku: Ngjarje historike që vazhdon të frymëzoj edhe sot

Sot janë bërë 146 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë përvjetor të kësaj ngjarjeje madhore Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e ka quajtur ngjarje historike që vazhdon të frymëzoj edhe sot.

“Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarje historike që vazhdon të na frymëzoj edhe sot.  146 vite nga rezistenca dhe bashkimi për mbrojtjen e çlirimin e trojeve shqiptare”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com

Nis Festivali i Filmit Ndërkombëtar ‘DEA OPEN AIR’ në Tiranë

Në Amfitetarin e Akadamisë së Arteve nisi edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, me pjesëmarrjen e 39 filmave nga 25 vende të botës.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë artistë, kineastë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Evropa dhe bota, pjesëtarë të trupit diplomatik, politikanë, personalitete të kulturës dhe arsimit, përfaqësues të institucioneve dhe medias.

Drejtori i festivalit DEA OPEN AIR, Edmond Topi përshëndeti të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen për qëndrueshmërinë e markës DEA në secilin prej edicioneve të veta.

“Pasi kemi lënë 10 vjet prapa, kemi 10 herë më shumë kurajo të shohim përpara: për më shumë kontakte, më shumë shkëmbime, më shumë produkte cilësore dhe forca të bashkuara në emër të njerëzores, të bukurës, sublimes, në emër të së ardhmes dhe gjithçkaje, që na bashkon. Festivali është një platformë e rëndësishme ku talenti dhe kreativiteti marrin jetë, duke krijuar një hapësirë për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Topi.

Drejtoresha artistike e festivalit, Mirela Oktrov, duke iu referuar thelbit të DEA-s dhe kontributit të festivalit në shoqëri, tha se “festivalet e filmit janë dhe platforma rituali dhe audience, mundësi për kinema të të gjitha moshave dhe interesave, akses në filma që ndryshe, s’të bie rasti t’i shohësh. Po festivali është dhe zgjedhje. Festivali, që ne bëjmë, është festivali i zgjedhjes sonë, festivali, ku do të kishim dashur të merrnim pjesë edhe vetë, në rastin tonë, një festival i orientuar nga përmbajtja, programi dhe interesi për mjeshtërinë”.

Oktrova theksoi gjithashtu, se DEA tashmë ia ka dalë të kthehet në një markë të qëndrueshme oferte filmike të orientuar sa nga kinemaja cilësore aq edhe nga tentativa e vazhdueshme për të tërhequr publikun në një vend, ku kinemaja vazhdon të mungojë në pjesë të konsiderueshme të tij.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi tha se është një mik i kahershëm i DEA dhe se bashkia do të vazhdojë ta mbështesë.

“Tirana tanimë përveçse është një qendër zhvillimi, turizmi kulture dhe sportesh, falë DEA OPEN AIR këto 5 ditë do të kthehet në qendrën e kinematografisë botërore. Ne do të jemi bashkë sërish vitin që vjen”, u shpreh Seferi.

Konkurimi në festival zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, marrin pjesë filma nga Italia, Portugalia, Turqia, Moldavia, Kosova dhe Gjermania,  në Seksionin e Filmit Studentor – 11 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër – 19 filma nga 15 vende të botës.

Kontributet filmike vlerësohen nga ana artistike nga dy juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.

E gjithë oferta filmike e këtij edicioni të DEA OPEN AIR është e orientuar fort nga individi, sfidat e tij marrëdhëniet e tij me veten dhe botën, luftërat e tij të vogla dhe të mëdha, dhe para së gjithash përpjekja për të gjetur veten në një botë që gjithnjë e më shumë tenton të të largojë prej saj…

Konkurrimin në Seksionin e filmit me metrazh të gjatë, e hapi filmi “Djali i diskos” (Disco Boy), me regji të Giacomo Abbruzzese, një bashkëprodhim kineastësh nga Italia, Franca, Belgjika, Polonia, i vitit 2023, i cili është një përfaqësues pretencioz i kësaj qasjeje përsiatëse në kinemanë bashkëkohore. Heroi i filmit, Aleksei, mbërrin në Paris për t’iu bashkuar Legjionit të të Huajve, pas një udhëtimi të dhimbshëm nëpër Evropë. Ndërkohë, në deltën e lumit Niger, Jomo lufton kundër kompanive të naftës, që kërcënojnë fshatin dhe jetën e familjes së tij. Fati do ta puqë me Aleksein një ditë, kur ai, në krye të një grupi të armatosur, rrëmben disa shtetas francezë. Pas ndërhyrjes së komandos së Legjionit të të Huajve, drejtuar nga Aleksei, fatet e tyre do të shkrihen dhe lidhen përtej kufijve, trupave, jetës dhe vdekjes.

Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR vazhdon. Oferta e tij shfaqet nga datat 9 – 13 qershor 2024 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, sallën e Kinema AGIMI dhe sallën e kinemasë së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD)./atsh/ KultPlus.com

Pamje të rralla të Teatrit Kombëtar, atëherë kur quhej ‘Savoy’ (FOTO)

Studiuesi Aurel Plasari, ka sjelle detaje dhe foto interesante nga historia e Teatrit Kombëtar, godina e të cilit u shemb më 17 Maj. Pse duhet gënjyer- pyeti Plasari në një intervistë në emisionin “Opinion”, ku solli elementë të historisë së godinës, që u projektua që në vitin 1938, pikërisht për qëllime artistike dhe kulturore.

“Flitet për projektin e themelimit të rrethit italo- shqiptar “Skënderbeg” nga mbreti Zog në vitin 1938. Është krijuar një komision, një status dhe po hidhen përvijimet e projektit. Njoftimi i përurimit është në 31 Maj 1939. Vendimi thotë për të promovuar bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencore etj, midis dy vendeve. Konceptimi ishte dy seksione.


Seksioni a iu kushtua kryesisht kinemasë, teatrit dhe muzikës. Ishte dhe seksioni shkencorë. Në seksionin shkencor u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare, themelimi i studimeve albanologjike në Shqipëri, i trashëguar në ‘46 edhe nga institutet që u krijuan nga regjimi tjetër”, tregoi Plasari, ndërsa bëri me dije, se arkitekti Xhulio Berte në atë periudhë ishte vlerësuar për prirjen e tij futuriste.

Më tej, ndërsa sjell edhe imazhe krejt të veçanta të ambienteve të brendshme të teatrit, Plasari kujton edhe pllakat e mermerit në kombinim e ngjyrës së kuqe dhe të zezë.

“Seksioni i dytë ishte klubi i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, ka një zonë për kafe dhe një zonë ku lexohen gazetat. Në mes të dy godinave dhe në fund ishte një palestër bashkëkohore. Dyshemeja ka qenë me pllaka mermeri të kuqe dhe të zeza”, tregoi Plasari.

Në rrëfimin e tij, historiani mohoi faktin e artikuluar së fundi se teatrit i mungonte gardëroba, dukë bërë të ditur që ajo ndërtesë ka qenë e pajisur edhe me gardërobë. / KultPlus.com

Për Letërsinë

Umberto Eco

Përktheu Donika Omari

Letërsia, para së gjithash, e ushtron gjuhën si trashëgimi të përbashkët. Gjuha vetvetiu shkon aty ku do vetë, asnjë dekret nga lart, as nga politika, as nga akademia, nuk mund ta ndalojë në rrugën e saj dhe ta bëjë të shmanget drejt situatave që pretendohet se janë më të mirat. Gjuha shkon ku i do qejfi, por është e ndjeshme ndaj sugjerimeve të letërsisë. Pa Danten nuk do të kishte një italishte të unifikuar.

Kur Dantja te “De Vulgari Eloquentia”, analizon dhe dënon dialektet e ndryshme italiane dhe merr përsipër të përpunojë një latinishte të re vulgare të shkëlqyer, askush s’kishte për të vënë bast për një akt të tillë kryelartësie, e megjithatë ai, me Komedinë e fitoi davanë. Vërtet që për t’u bërë gjuhë e folur prej të gjithëve, latinishtes vulgare të Dantes iu deshën disa shekuj, por ama ia doli, sepse bashkësia e atyre që besonin te letërsia vazhdoi të frymëzohej te ai model.

Dhe po të mos kishte qenë ky model, ndofta nuk do të merrte udhë as ideja e bashkimit politik.

Letërsia, duke dhënë ndihmesë për të formuat gjuhën, krijon identitet dhe bashkësi. Fola më parë për Danten, por le të mendojmë pak se çdo të ishte qytetërimi grek pa Homerin, identiteti gjerman pa përkthimin e Biblës nga Luteri, gjuha ruse pa Pushkinin, qytetërimi indian pa poemat e veta bazë.

Por praktika letrare mban të ushtruar edhe gjuhën tonë vetjake. Sot shumë veta ankohen për lindjen e një të foluri neotelegrafik që po imponohet nëpërmjet postës elektronike dhe mesazheve të shkurtra të celularëve, ku të dua thuhet edhe vetëm me një sigël; por të mos harrojmë se ata të rinj që dërgojnë sot mesazhe me këtë stenografi të re, janë të paktën një pjesë prej tyre, po ata që mbushin ato katedrale të reja të librit që janë libraritë e mëdha shumëkatëshe, dhe që, qoftë edhe duke shfletuar një libër pa blerë gjë, vijnë në kontakt me stile letrare të ngritura e të përpunuara, të cilat prindërit e tyre, dhe sigurisht as gjyshërit e tyre nuk kishin mundësi t’i njihnin./ KultPlus.com

Fjalimi historik i Esat Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com

‘Zare trëndafile’, nga e mrekullueshmja Tefta Tashko-Koço (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Syt’ e Lumtur

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ishe vogeloshe…isha mituri…
Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perendimi me te vagelluar
Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar.
Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur,
shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur.
Kur me pe se pari, more-e m’u largove,
Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove,
Kur me pe se treti, more-e me pushtove,
Te putha ne gushe, ti m’u turperove,
Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com

‘Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuroni, rëndësi ka që dashuroni’

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.” / KultPlus.com

Rama: Mbi 20 mijë pjesëmarrës nga bota në festivalin UNUM në Shëngjin

UNUM, festivali i muzikës elektronike në natyrë, mblodhi në Shëngjin, Lezhë 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga aspekte të ndryshme që përcolli ky festivali plot me aktivitete sportive, atmosferën muzikore nga DJ më të njohur .

“UNUM Festival për të pestin vit në Ranën e Hedhun në Shëngjin. Mbi 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës shijuan atmosferën nga DJ më të njohur”, shkroi Rama.

Ky festival mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.

Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.

Me një pamje të rrallë mesdhetare, “Rana e Hedhun”, 3-4 kilometra larg Shëngjinit është kthyer në një prej destinacioneve turistë të shumtë, vendas e të huaj.

Antoneta Kastrati dhe Kaltrina Krasniqi fitojnë mbështetjen për filmat e metrazhit të gjatë

Pas një procesi disa mujor të shqyrtimit dhe përzgjedhjes nga një volum prej 134 projektesh aplikuese, numër krahasimisht më i madh nga vitet e kaluara, Qendra Kinematografike të Kosovës ka shpallur rezultatet e konkursit të hapur me 12.12.2023. 

Numrin e saktë të projekteve aplikuese për kategori në këtë konkurs gjeni në listë me poshtë:

1. Për film të metrazhit të gjatë artistik (mbi 60 min) – 14 projekte

2. Për film të metrazhit të gjatë dokumentar (mbi 60 min) – 9 projekte

3. Për film të metrazhit të shkurtë dokumentar (nën 30min) – 9 projekte

4. Për film të metrazhit të shkurtër të animuar (nën 30 min) – 7 projekte

5. Për film të metrazhit të shkurtë artistik (nën 30 min) – 31 projekte

6. Për film të metrazhit të gjatë të regjisorëve debutant (mbi 60 min) – 5 projekte

7. Për zhvillim skenari të metrazhit të gjatë ( artistik & animuar) – 25 projekte

8. Për zhvillim projekti të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar & animuar) – 4 projekte

9. Për film të metrazhit të gjatë artistik – koproduksion minor (mbi 60 min) – 12 projekte

10. Për post-produksion për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar – 9 projekte.

11. Për film të metrazhit të shkurtë artistik studentor – 9 projekte

Ndërsa listën e projekteve të përzgjedhura për kategori gjeni tek njoftimet zyrtare në këtë link.

Sipas Rregullores për Konkurset dhe Mbështetjen Financiare të Veprave Filmike dhe Audiovizuele (02/2023), të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave në QKK ka 8 ditë nga dita a shpalljes së rezultateve./ KultPlus.com

Dokumentet e princave shqiptarë në Moldavi “vijnë” në DPA

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë. Përmes kësaj marrëveshjeje, sigurohet shkëmbimi i dokumenteve, dijeve dhe përvojave mes dy arkivave.

Në fjalën e tij për mediat, drejtori i përgjithshëm i DPA, Bido u shpreh se përmes këtij akti synohet zhvillimi i arkivave bashkëpunëtore dhe të të gjithë rajonit.

“Është kënaqësi të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi me Arkivat e Republikës së Moldavisë, të cilat edhe pse nuk janë kufitare të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë, ndajnë një pjesë të historisë sonë kombëtare. Në arkivat moldave gjenden historitë e emigrantëve shqiptarë dhe të diasporës shqiptare të hershme, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare”, u shpreh Bido.

Moldavia moderne është themeluar nga princër shqiptarë, dokumentet e të cilëve gjenden në arkivat moldave, por që tashmë do jenë në edhe në arkivat shqiptare.

Ndërkaq, Casu e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin e dokumenteve.

Marrëveshja dypalëshe motivohet nga aspirata për bashkëveprim mes dy institucioneve arkivore simotra. Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.

Në kuadrin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së, u mbajt një kalendar i ngjeshur aktivitetesh. DPA-ja nënshkroi dy marrëveshje të tjera bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës dhe me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës, duke siguruar përkatësisht shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e diasporës shqiptare në Ukrainë dhe informacione mbi komunitetin e bashkëkombasve tanë në Bosnje dhe Hercegovinë./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti takon drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës: Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet

Kryeministri Albin Kurti e priti sot në takim Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, i cili po ashtu është edhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti e vlerësoi miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, ku edhe rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale. U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Duke e falënderuar Kurtin për takimin, Suljagiq shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Dritan Nasi hap ekspozitën vetjake “Meteorite times” në galerinë FAB

Në Galerinë FAB u hap ekspozita e pikturës vetjake e artistit Dritan Nasi, titulluar “Meteorite times”. Në ceremoninë e inaugurimit pati pjesëmarrës nga bota e artit, studentë dhe profesorë të Fakultetit të Arteve të Bukura si dhe artdashës.

Të gjitha pikturat vijnë si krijimtari e re e viteve 2023 -2024, dhe përfshijnë 20 piktura kompozime të përmasave të mëdha, me subjekt mitologjinë dhe reflektimet e saj në realitetin e sotëm. Hapja e ekspozitës u shoqërua me leksione të hapura mbi simbolikën e mitologjisë në art dhe mundësitë e përdorimit të saj në realitetin artistik të ditëve të sotme.

“Kjo ekspozitë është tërhequr nga historia dhe raportet që krijohen me të tashmen. Tani jam në një fazë që më pëlqen  të skicoj duke krijuar një sipërfaqe prozaike dhe lineare, duke u përpjekur ta ndërthur me poezinë e ngjyrave”, deklaron artisti.

Sipas tij “Meteorite times” rrëfen mbi një kohë relative dhe të thyeshme dhe në këtë rrëfim synohet të jepen mitet në historinë antike të vendit tonë dhe pasqyrimin e tyre në ditët e sotme.

Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën është përpjekja për të realizuar krahas meditimit edhe komunikimin me gjithë publikun, duke përfshirë dhe studentët e Universitetit të Arteve, në lidhje me tematikën e miteve dhe të gjithë historisë që egziston në vendin tonë./atsh/KultPlus.com

Festivali “AlBa”, këtë muaj me koncerte kushtuar muzikës së dhomës

Në vazhdën e bashkëpunimit me Konservatorin e Potenzës, TKOBAP do të sjellë edhe gjatë këtij muaji koncerte kushtuar muzikës së dhomës me festivalin “AlBa”, ku do të interpretojnë virtuozë të famshëm italianë.

“Song of souls” titullohet koncerti i ditës së martë, datë 11 qershor, në Hollin Koncertor të TKOB-së.

Filomena Fittipaldi, sopranoja që ka debutuar në teatro me emër të Italisë e më gjerë, në kryevepra si “La Boheme”, “Turandot”, “Carmen”, “Iris”, do të interpretojë pjesë nga Bellini, Schumann, Puccini, Mozart, De Curtis e të tjerë kompozitorë të shquar. Ajo do të shoqërohet në piano nga Maria Sarli, profesoreshë në konservatorin “Gesualdo da Venosa” të Potenzës.

Në koncertin e radhës do të interpretohen pjesë si “Dolente immagine” nga Bellini,  “Apres un reve”, nga Fauré, “Widmung” nga R. Schumann, nga Puccini do të interpretohet “Addio mio dolce amor!” e shumë të tjera./atsh/KultPlus.com

Lidhja e Prizrenit, Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike

Në 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit që përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Ajo njihet gjerësisht si përpjekja e parë shtetformuese e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së Besëlidhjes së Lezhës (1444).

Të detyruar nga rrethanat e kohës, pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit (3 mars 1878) mes Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, ku shqiptarëve nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, atdhetarë nga katër vilajetet u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878, për t’i dhënë zgjidhje çështjes së njohjes së pretendimeve shqiptare nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori përsipër të adresonte tri çështje themelore për kohën: njohjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare; shmangien e copëtimit të trojeve shqiptare në favor të monarkive ballkanike; dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hap i parë për krijimin e shtetit të parë shqiptar, të pavarur e demokratik.

Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e nderoi në vitin 2013 përmes dy monedhave numizmatike përkujtimore, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA dhe vizatimet e tyre janë realizuar nga piktori Petraq Papa. Këto monedha gjenden në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë./ora/KultPlus.com

Albin Kurti pas vizitës së ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Kosovë: E falënderova përzemërsisht për mbështetjen e palëkundur asokohe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas fjalimit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Shkrimin e tij në rrjete sociale, Kurti e ka filluar me thirrjen e kryeministrit britanik më 23 mars të vitit 1999, që jehoi në Parlamentin e Britanisë së Madhe.

“Ne duhet të veprojmë: të shpëtojmë mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm nga katastrofa humanitare, nga vdekja, barbarizmi dhe spastrimi etnik nga një diktaturë brutale; për të shpëtuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ku e dimë se kaosi mund të përfshijë të gjithë Evropën”, ishte thirrja e Blair.

“Të nesërmen e 24 marsit 1999, NATO do të fillonte fushatën që ndali pikërisht spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, fushatë kjo që do të përfundonte më 10 qershor të po atij viti. 25 vjet më pas, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, e patëm mysafir në Republikën e Kosovës. Roli dhe kontributi i tij në çlirimin e vendit tonë dhe sigurimin e paqes, bashkë dhe me partnerët e aleatët tanë, mbetet sa i rëndësishëm aq edhe jetik në pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të vendit tonë. Çlirimi dhe liria në Kosovë, solli fundin e luftërave në Ballkan të viteve të ’90-ta, dhe fillimin e një rrugëtimi të demokracisë, progresit dhe zhvillimit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se e ka falënderuar përzemërsisht mikun e vendit tonë Tony Blair, për mbështetjen e palëkundur asokohe dhe lidhjen e përjetshme të krijuar mes popullit tonë dhe popullit britanik./KultPlus.com

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, u drejtohet deputetëve të Kosovës nga foltorja e Kuvendit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne, ku ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, u është drejtuar deputetëve duke ua kujtuar momentin nga vendimi për të ndërmarrë veprime për të ndalur luftën në Kosovë në vitin 1999.

Në njoftim thuhet se blair u shpreh se ndjehet i lumtur dhe i nderuar që sot, për 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, po i drejtohet popullit nga foltorja e Kuvendit.

“Ish-kryeministri Blair, në adresimin e tij u shpreh se ndihet jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar njëkohësisht që sot, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, t’i drejtohet popullit dhe përfaqësuesve të tij nga foltorja e Kuvendit, ndërsa shtoi që në këtë datë veçanërisht përkujtojmë kontributin dhe sakrificën e të gjithë atyre që për lirinë dhe pavarësinë e vendit nuk kursyen asgjë”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Në fasadën e bashkisë së Pogradecit shfaqet mozaiku i Selcës

Ky është moment kur në fasadën e Bashkisë së Pogradecit shfaqet mozaiku i Selcës.

I frymëzuar nga brezarja e gjetur në varret Ilire që datojnë 500 vite para erës sonë tregon fitoren e Ilirëve ndaj armiqve të kohës.

Mozaiku është realizuar nga piktori Anastas Kostandini i cili thekson rolin e Enkelejdëve në lashtësi.

‘’Kjo është bota e Enkelejdëve.

Dhe Enkelejdët kanë qenë një nga fiset e mëdha Ilire.

Është zëmadh’’.

Mozaiku i shtohet gjetjeve të cilat konfirmojnë lidhjen e shqiptarëve me Ilirët.

‘’Ky përfaqëson Ilirinë.

Ilira është temë e madhe e lashtësisë së kombit shqiptar dhe vepra të tilla nuk janë të shpeshta’’.

Për kryetarin e bashkisë Ilir Xhakolli realizimi i një mozaiku të tillë është një nga veprat e cila i mungonte qytetit.

‘’Është gjetur në Selcë , në pjesën e varreve të Selcës.

Është një simbolikë e vyer që ka bashkia e Pogradecit’’.

Pogradeci së fundmi ka shtuar dhe një tjetër zbulim, atë të një fshati të ngritur mbi liqen që daton mbi 8 mijë vite më parë, ndërsa varret e mbretërve Ilirë prej vitesh tërheqin vëmendjen e turistëve./ora/KultPlus.com

Kori “Prenkë Jakova” vlerësohet për performancën më të mirë në festivalin e Gjakovës

Në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Këndimit Koral, organizuar nga Komuna e Gjakovës, Bashkia Shkodër u përfaqësua nga kori “Prenkë Jakova”.

Performanca e korit “Prenkë Jakova” u cilësua si më e mira e festivalit.

I krijuar në vitin 1997, Kori Polifonik “Prenkë Jakova” përbëhet nga artistë amatorë dhe profesionistë të përkushtuar, dhe ka meritën të jetë i pari kor shqiptar që i dedikohet në mënyrë të plotë polifonisë klasike perëndimore.

Ky ansambël vokal ishte baza e krijimit të Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova”, që ka meritën të jetë ndër të parat që, pas viteve ’90, arriti të organizojë dhe realizojë veprimtari artistike dhe muzikore me pretendime profesionale.

Bashkia e Shkodrës uroi korin për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe e falenderoi për kontributin në kulturën dhe muzikën shqiptare./atsh/KultPlus.com