Kryeparlamentari Konjufca: Veprimtaria artistike e Shkurte Fejzës është arkiv i rrallë që artikulon dhimbjet kolektive të popullit tonë

Mbrëmë këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, për nder të 50 vjetorit të karrierës së saj e ka mbajtur një koncert.

Në mesin e personaliteteve, i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Ai u shpreh tejet i emocionuar për koncertin.

Konjufca tha se veprimtaria artistike e Fejzës, është arkiv i rrallë që artikulon dhimbjet kolektive të popullit.

“dramat dhe tragjeditë, përpjekjet sublime, rezistencën, luftën, heronjtë e dëshmorët, guximin, ëndrrat, shpresën dhe aspiratat tona që vijnë nga e shkuara dhe synojnë nga e ardhmja shpresëplotë. Shkurte Fejza i dha melodi në mënyrë mjeshtërore ngjarjeve dhe ndjenjave tona të përbashkëta”, tha ai.

“Duke e falënderuar për emocionet që na solli dhe na ka dhënë gjithë këto vite, Shkurte Fejzës i uroj që të vazhdojë edhe më tutje dhe me sukses punën e saj, që tashmë përbën kontribut të pakrahasueshëm”, tha Konjufca.

Shpallen çmimet e panairit të librit në Prishtinë

Në ambientet e panairit u ndanë sot çmimet tradicionale të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, për panairin e 24-t të librit “Prishtina 2024”.

Juria me përbërje Majlinda Rama, kryetare, Behar Gjoka anëtar dhe Alketa Gashi, anëtare, vlerësuan si vijon:

1 – Çmimi për letërsinë për fëmijë: FLORI KASAJ, për librin “Andrushi”, (botim i Argetës, Tiranë)
2 – Çmimi për përmbledhjen poetike: DONIKA DABISHVCI, për librin “E gjithkohshmja – ANDËRR”, (botim i Littera, Prishtinë)
3 – Çmimi për romanin: BESNIK MUSTAFAJ, për romanin “Fati i marrë”, (botim i Onufrit, Tiranë)
4 – Çmimi për studim – publicistikë: FATMIR TOÇI, për librin “Arbëreshët”, (botim i Toena, Tiranë)
5 –Çmimi për përkthimin: AIDA BARO, për librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, (botim i Dukagjinit, Prishtinë)
6 – Çmim si autor i vitit: BAJRAM KOSUMI, për librin “Enciklopedia imagjinare”, (botim Artini, Prishtinë)
7 – Çmim për vepër kapitale: SALI LUTOLLI, për librin “Kalorës i udhës pa fund”, (botim i Faik Konica, Prishtinë)
8 – Çmimi Special Klara Kodra – Për kontribut të shquar në letërsinë shqipe
9 – Çmim i Madh për Vepër Jetësore: ALI ALIU.
10 – Çmim i Madh për Vepër Jetësore: REXHEP QOSJA. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Fieri i transformuar

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Fierit.

“Beso a jo, Fieri i Rilindur”, shprehet Rama krahas videos të publikuar në rrjetet sociale me pamje nga shëtitorja, ku pemët e mbjella kanë çelur lulet e tyre në fillim të verës.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit.

Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.

Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.

Gjithashtu plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme. / KultPlus.com

Kandidatët për prokurorë të rinj të shtetit i nënshtrohen testit me shkrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar mbajtjen e testit me shkrim, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër (24) prokurorëve të rinj të shtetit, i cili është duke u mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Në njoftimin për media thuhet se në testin me shkrim janë duke marrë pjesë 281 kandidatë, prej tyre 150 meshkuj dhe 131 femra, prej të cilëve dy janë pjesëtarë nga radhët e minoriteve.

Kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, së bashku me anëtarët e tjerë, po e mbikëqyrin rrjedhën e mbajtjes së testit me shkrim.

“Ky proces është duke zhvilluar edhe nën mbikëqyrjen e monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se do të japë me kohë informacione për rrjedhën e procesit të mëtejshëm./ KultPlus.com

Bido: Unifikim i dokumentacionit online me Kosovën

Arkivistë, studiues dhe ekspertë të arkivave nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në Konferencën e 8-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës mbajtur në Elbasan.

Konferenca u bashkëorganizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, dhe kishte si qëllim shkëmbimin e ideve  dhe përvojave mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës, Ardit Bido tha se për të 8-in vit radhazi, bashkohemi me shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, për të shkëmbyer ide dhe për të bashkëndarë punën tonë.

“Kultura e kombit është e pandashme. Ndaj, kur vjen fjala për arkivistikën, shqiptarë të të gjitha trevave, bëhemi “një”  dhe lëvrojmë revistën unikale të këtij lëmi “Arkivat Shqiptare”, e cila ka një traditë solide publikimi prej 59 vjetësh”, theksoi Bido.

Në këtë edicion, u bashkuan edhe pasardhës të familjeve me kontribut të përveçëm në çështjen kombëtare. “Në sajë të afinitetit të trashëguar mes tyre, Petro Luarasi, Rozi dhe Suela Dako evidentuan letërnjoftimin e pioneres të të drejtave të grave, të arsimit dhe të diplomacisë shqiptare, Sevasti Qiriazi. Nga sot, ky dokument që zbulon përkatësinë fetare ortodokse të Sevastisë, do t’i shtohet fondit të pasur të kësaj veprimtareje pranë DPA-së”, deklaroi Bido.

Ndërsa gjatë një interviste televizive, Bido deklaroi se janë duke u punuar për të arritur një unifikim të dokumentacionit online të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ne kemi 6 vite që punojmë duke u unifikuar dhe qëllimi është që të bëjmë edhe një unifikim online të dokumentacionit mes vendeve. Ne morëm dokumente mbi arbëreshët e Zarës në Kosovë. Po ashtu Kosova ka marr disa dokumente të tjera të figurave të historisë tonë kombëtare që vijnë nga Kosova. Çdo dokument që po marrin i përket të dyja palëve”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Bislim Bislimi, tha se arkivi mes dy vendeve nuk mund të funksionojë si i ndarë, pasi sipas tij Shqipëria dhe Kosova kanë histori të përbashkët.

“Ne kemi qenë dhe do të jemi edhe në vazhdim gjithmonë bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndarë vizionin, dhe për të ecur përpara drejt unifikimit të arkivit, sepse si tha Bido nuk mund të funksionojmë të ndarë sidomos në arkivë sepse kemi një histori dhe të kaluar të përbashkët”, tha ai. / KultPlus.com

Nga historia te misteri: Çka lexojnë kosovarët?

Me “Flokëkuqen” e shkrimtarit turk, Orhan Pamuk, në dorë, Shaban Shkodra po vizitonte dhjetëra stenda me libra që kishin zënë një hapësirë të madhe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Për plot pesë ditë të kësaj jave, aty qëndroi i hapur panairi i librit “Prishtina 2024”.

“Çdo vit blej diçka, romane të mira, përmbajtje të mira… por që e kanë çmimin e lirë”, thotë Shkodra.

Panairi u ofroi sivjet lexuesve rreth 6.000 tituj, prej të cilëve 2.000 të rinj.

Llojshmëria varionte nga librat për fëmijë deri tek ata me tema fiktive, nga historia, krimi e të tjera. Çmimet ishin po ashtu të ndryshme: 5 euro, 7, 30….

Fatime Hasani, me profesion mjeke, po kërkonte tituj me përmbajtje psikologjike, por edhe disa për fëmijët e saj.

“Jam e interesuar në diçka të qetë, ku relaksohesh, e gjen vetveten… Ndoshta edhe për vajzat e mia… Pra, për tri lloje të grup-moshave”, thotë ajo dhe vazhdon kërkimin.

Me mendje të ndarë ishte edhe Fahri Avdiu. “Jam fokusuar në librat e historisë, meqë edhe vetë jam historian”, u shpreh ai.

Pamje nga Panairi i librit "Prishtina 2024".
Pamje nga Panairi i librit “Prishtina 2024”.

Ofertat karshi kërkesave

Panairi i librit “Prishtina 2024” ka traditë 25-vjeçare. Edicioni i parë i tij është organizuar menjëherë pas luftës, në vitin 1999.

Panairi nuk është organizuar vetëm në vitet 2020 dhe 2021, për shkak të pandemisë COVID-19.

Botues nga Kosova dhe Shqipëria, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se ofertat e tyre edhe sivjet janë ndërlidhur me kërkesat e tregut, por edhe me kultivimin e shijes së lexuesve potencialë.

Në një stendë të përbashkët dhe mjaft të madhe ishin radhitur titujt e Shtëpisë Botuese “Artini” nga Kosova, të Institutit Albanologjik të Kosovës, si dhe të shtëpive botuese “Toena”, “Living” dhe “Dudaj” nga Shqipëria.

Artin Ahmeti
Artin Ahmeti

Përfaqësuesi i përbashkët i tyre në panairin në Prishtinë, Artin Ahmeti, thotë se në mesin e autorëve mjaft të kërkuar janë ata të librave historikë.

“Do të thotë, libra të shkruar nga akademikë të huaj – janë kryesisht përkthime – si: Oliver Schmidt, Noel Malcolm, Robert Elsie… Këta që janë më në zë. Por, vërehet që kërkohen shumë edhe librat me parapsikologji, të zhvillimit personal etj.”, thotë Ahmeti.

Kristina Golemi, redaktore në Shtëpinë Botuese “Dituria” nga Tirana, ka përvojë të ngjashme me lexuesit në Kosovë. Thotë se ata preferojnë kryesisht librat shkencorë historikë dhe romanet me këtë përmbajtje.

Kristina Golemi
Kristina Golemi

Krahas tyre, ajo numëron edhe zhanret triler, mister…

“Mund të përmend këtu ‘mbretëreshën e krimit’ , Agatha Christie. Një emër tjetër shumë i pëlqyer në Kosovë është romancieri Milan Kundera, e pastaj shkrimtari Umberto Eco”, thotë Golemi.

Sipas saj, kërkohen shpesh edhe romancat e autoreve Lucinda Riley dhe Anne Jacobs.

Për drejtorin e panairit, Edon Zeneli, oferta e botuesve dhe kërkesa e lexuesve “takohen diku në mes”.

Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ai thotë se panairin, çdo vit, e vizitojnë mesatarisht rreth 30.000 njerëz.

“Botuesit sjellin në panair libra që konsiderohen vlera në letërsinë botërore, por në mjaft raste u përshtaten edhe kërkesave të lexuesve dhe sjellin edhe libra që janë në modë”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, lexuesit kërkojnë vazhdimisht libra, qoftë në librari apo përmes postës elektronike e rrjeteve sociale, ndërsa vetë panairin ai e quan “festë të librit”, ku “autorët komunikojnë me lexuesit”.

Se sa libra janë shitur në edicionet e kaluara të panairit, por edhe në të sivjetmin, Zeneli thotë se nuk ka informacione të sakta.

Ai thotë se shtëpitë botuese pjesëmarrëse e ruajnë sekretin afarist dhe nuk ofrojnë detaje lidhur me shitjen.

Vizitorët në Panairin e Librit.
Vizitorët në Panairin e Librit.

Librin e marrin “ata që vërtet e duan”

Bota, aktualisht, jeton në epokën e digjitalizimit dhe libri fizik nuk është forma e vetme informative për atë që sjellin shkrimtarët vendorë e botërorë, thotë shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.
Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.

Blerja e librave, në përgjithësi, “nuk mund të jetë siç ka qenë dekada më parë”.

“Librin tash e marrin vetëm ata që vërtet e duan”, thotë ai.

Apolloni shton se epoka digjitale nuk është se e ka rrezikuar krejtësisht librin fizik.

Ai thotë se rrjetet sociale, në disa aspekte, kanë ndikuar në popullarizimin e librave dhe të autorëve, madje edhe të atyre të shekujve të kaluar.

“Është paradoks që shkrimtari më i famshëm në Tik-Tok është Franz Kafka. Pra, është zgjuar interesimi përmes Tik-Tokut për Franz Kafkën”, thotë Apolloni.

Dhe, siç e thotë vetë Kafka, “nëse libri që e lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, për çfarë po e lexojmë?”. /REL/ KultPlus.com

Këngëtarja e lirisë së Kosovës, Shkurte Fejza me një koncert madhështor shënoi 50-të vjetorin e karrierës

Vjollca Duraku

Një koncert madhështor me perla muzipkore të krijuara përgjatë gjysmë shekulli nga artistja Shkurte Fejza u mbajt mbrëmë në prezencën e autoriteteve më të larta shtetërore, për nderë të Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe në shënim të 50 vjetorit të karrierës së saj të pasur artistike, shkruan KultPlus.

“Mbretëresha jonë me kurorë” dhe “50 vjet zëri i kombit”  janë togfjalësha të cilët e karakterizuan këtë koncert jubilar, i cili rrumbullakësoi punën e madhe të artistes që ndër vite solli  45 albume, 500 këngë prej të cilave 400 origjinale, mijëra koncerte, festivale, turne e shumë çmime e vlerësime duke i vënë kurorën një misioni të përfunduar me sukses, i cili iu m’vesh këngëtares Shkurte Fejza mbi supe krejt natyrshëm vit pas viti.

Në prezencën e një publiku masiv, notë mbi notë, këngë mbi këngë u soll harta e plotë të atdheut të cilit Shkurtja i kishte kënduar 25 vite para dhe pas luftë, duke e përshkruar plotësisht edhe rrugëtimin shumë sfidues të popullit të saj, që gjithmonë ajo i kishte qëndruar pranë duke duke e motivuar dhe mbështetur nëpërmjet armës së saj më të fortë, zërit, me tekste dhe kompozime brilante nga më të zgjedhurit e kombit shqiptar.

Atdhedashuria e jashtëzakonshme e këngëtares së shquar, e kombinuar me seriozitetin e punës së saj dhe krijimet origjinale nga njerëz me vetëdije të lartë, sollën këngë me mesazhe të jashtëzakonshme patriotike, kushtrimi e qëndrese, që sot janë shëndrruar në hime si: Oj Kosovë, oj nëna ime…”, “Xhamadani vija-vija”, “Mora fjalë…”, “ Jo nuk ndahet Mitrovica”, “E kam emrin kosovar”… , të cilat edhe mbrëmë jehuan në sallë së bashku me zërin dhe shpirtin e publikut, duke krijuar atmosferë të paparë.

Kësaj amosfere, e cila i kishte rrënjët thellë në zemrën e këngëtares dhe publikut një ton të veçantë i dhanë edhe interpretimi i artistëve mysafirë si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, dhe Nikollë Nikprelaj  që përfaqësonin tre shtetet shqiptare Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi përmes këngëve “Besa e Shqiptarit”, “Një zemër”, dhe “Ah moj motër” duke dhuruar emocione pambarim, në këtë koncert që përveç artistikisht kombin shqiptar e kishte bashkuar edhe politikisht, duke ulur në një rresht liderë të partive të ndryshme politike.

Për t’u larguar pak nga serioziteti i temave kombëtare të cilat trajtoheshin përmes këtyre perlave muzikore, Shkurte Fejza u kujdes që mbrëmjen ta relaksonte duke sjellë atmosferë të ngrohtë dhe të ëmbël familjare përmes interpretimit të saj të përbashkët me të bijat Gresa dhe Besajana Behluli, përmes këngëve “Ani mori nuse…”, “Djali i Dukagjinit” dhe “Xhamadani kuq si gjaku” të cilat për motiv patën temën e dashurisë, dhe e ndezën edhe më tej atmosferën në këtë koncert madhështor, i cili ishte i tillë edhe falë profesionalizmit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, që mbrëmë u drejtua nga dirigjenti Valton Beqiri.

Në gjithë këtë natë magjike, me personalitete të shumta nuk kishte se si të mungonin edhe fjalët e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, të praruara në këngën “Kosovë-Shqipëri”, e cila ishte futur në agjendë pas kërkesës së Helena Kadaresë. “Etjen për liri që e ndien qysh në djep, si buqetë me lule kohës t’i ia jep, dhe liria të erdhi bota këtë e di, thërret Bashkimi i Kombit Kosovë-Shqipëri”, si mesazh dhe kërkesë që aktualisht përkon me kohën, drejtuar autoriteteve që e nderuan këtë koncert si: Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, Kryetari Përparim Rama, Ramush Haradinaj, ambasadori Petrit Malaj, ish- presidenti Fatmir Sejdiu, Memli Krasniqi etj.

Kohë pas kohe në koncert i cili u udhëhoq nga prezantuesja e ëmbël Alketa Gashi-Fazliu paraqiteshin edhe fotografi që e përshkonin tërë rrugëtimin e Shkurte Fejzës si dhe mesazhe urimi që vinin nga kolegët për këngëtaren të cilën presidentët shqiptar e kishin pajisur me tituj dhe dekorata si “Mjeshtër i madh” dhe “Medalje presidenciale të meritave” krahas shumë nderimeve që i ishin bërë duke e shpallur qytetare nderi në shumë qytete të shqiptarisë.

Në fjalimin e saj, drejtuar publikut prezantuesja Alketa Gashi- Fazliu e quajti këngëtaren Shkurte Fejza dhuratë të çmuar të popullit shqiptar.

“Ne sonte festojmë me dashuri për dhuratën e çmuar Shkurte Fejza që Zoti i dha këtij vendi, e ajo na dha zërin dhe shpirtin e vet përgjatë gjithë jetës së vet. Ju e dini, thuhet se çdo kohë i ka heronjtë e vet por shkurta ishte, pajtoheni të gjithë heroinë në çdo kohë. Për 50 vite karrierë, Shkurte Fejza këndoi 25 vjet në robëri dhe 25 vjet në liri. Edhe kur këndoi në robëri ajo ishte e lirë sepse duket se duke i kënduar lirisë, Shkurte Fejza e ndjeu më herët atë, si të thuash u bë lajmëtare e lirisë” ka thënë moderatorja plot sharm Gashi- Fazliu.

Kurse Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij shprehu mirënjohje të thellë për këngëtaren Fejza, e cila sipas tij në ditët më të errëta të kombit i dha shpresë e zemër mbarë shqiptarisë.

“Unë i kërkoj falje zonjës Fejza që po e marr fjalën fare shkurtimisht, për t’iu falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës. Me ju Shkurte mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Mbi gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë ne këtu dhe motrat e vëllezërit tanë të mërguar na i ke i ngushëlluar e frymëzuar, na keni dhënë shpresë e forcë që zemra kurrë të mos harrojë dashurinë për Kosovën dhe kombin. Prandaj do ta marrim qarkun si nga hera me këngët tuaja, çarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetëën e lirë, të dashurisë së pavdekshme për secilin që lindi, deshi, punoi e luftoi për Kosovën. Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot, gjithnjë e përgjithmonë”, është shprehur Kryeministri Kurti.

Krejt në fund të koncertit në një prononcim për media Ilir Shaqiri njëri ndër organizatorët e festivalit “50 vjet zëri i kombit”, u shpreh se ndihej i kënaqur me gjithë atë çfarë u realizua mbrëmë.

“Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, megjithëse nuk ka qenë fare e lehtë, fillimisht për të përzgjedhur 17 këngë që u transmetuan sonte në këtë koncert, sepse Shkurtja e ka gjithë atë bagazh të këngëve të bukura shqipe. Githçka ka shkuar ashtu siç duhet, kemi filluar me kohë, ka tre muaj që kemi filluar përgatitjet dhe mendoj që ka qenë një koncert që vlen të evidentohet posaqërisht për këtë jubile të 50 vjetorit të këngëtares sonë të dashur Shkurte Fejza” ka thënë drejtori artistik i RTK, Ilir Shaqiri duke potencuar se është fans i këngëve të Shkurte Fejzës .

“E mrekullueshme. Shkurta është e lidhur shumë ngushtë, shpirtërisht me kulturën tonë. Ajo që nga fillimet e saj ka sjellë jo vetëm muzikën por edhe poezinë, dëshirën e ndjenjat e popullit tonë për atë për të cilën jemi përgatitur ta bëjmë atdheun të lirë përmes luftës, e pastaj ta bëjmë pavarësinë e atdheut tonë. Prandaj Shkurte Fejza është emblematike kët në periudhë të vështirësive që ka pasur atdheu ynë deri në finalizimin e plotë të pavarësisë së republikës së Kosovës”.

Ndërsa drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, “Shota”, Ylber Asllanaj, këngëtaren Fejza e ka quajtur një prej artisteve më eminente dhe të shquara te vendit.

“Ishte një mbrëmje impozante ashtu siç i ka hije një shteti ta organizojë për një artist, për punën 50 vjeçare, për kontributin 50 vjeçar, siç është artistja Shkurte Fejza. Të gjithë e dijmë që kënga e Shkurtes ka qenë simbol i këngëve të rezistencës, të cilën populli jonë e ka bërë ndër vite. Natyrisht është një prej këngëtareve më eminente dhe më të shquara të popullit”, ka thënë organizatori Asllanaj.

Ndërsa bashkëperformuesi i Shkurte Fejzës në këtë koncert, Nikollë Nikprelaj, tha se ndihet i mrekulluar nga organizimi i një koncerti të tillë.

Kurse Kastriot Tusha i cili në këtë koncert u paraqit si interpretues mysafirë artisten Fejza e quajti artiste me vlera të mëdha kombëtare.

“Nuk është bashkëpunimi i parë, me shkurte Fejzën ne kemi bërë aktivitete pothuajse në të gjithë Evropën. E kam pasur për krenari që e kam pasur në krah. Është një artiste e madhe, një artiste që ka vlera kombëtare. Nga emocionet e kësaj mbrëmje që vërtetë pati urime nga gjithë shqiptaria, unë i uroj të gjitha të mirat, shëndet e jetë dhe ta shohim sa më gjatë në skenat tona” ka thënë Tushaj duke potencuar se Fejza bën pjesë në grupin e këngëtarëve që në ADN kanë gjuhën shqipe.

“Ajo ka bërë një përzgjedhje të bukur, një kompliment për organizatorët që e organizuan këtë koncert sepse nuk bëhen gjërat vetëm Vërtetë më vjen jashtë mase mirë që institucionet mbështesin artistë që kanë ADN shqip. Kështu që Shkurta është njëra nga ato që krenohet e gjithë shqiptaria, këngëtarët mysafirë dhe të tjerët sepse janë këngë karakteri dhe janë orkestruar me aq shije dhe duke mos iu larguar karakterit të këngës. Vërtetë duhen mbështetur këta artistë. Thash edhe një herë kjo është ADN e kombit shqiptar”, është shprehur Tusha.

 Edhe vet këngëtarja Shkurte Fejza u shpreh se ndihej e lumtur me ecurinë e gjithë ngjarjes,  pasi një koncert i tillë ka pasur kërkesa të larta teknike e muzikore.

“Përzgjedhja e këngëve ishte pjesa më e vështirë, sepse shumë këngë të bukura i kemi lënë anash, të cilat ka qenë e pamundur t’i përfshijmë. Koncerti ka qenë në tërësi live, dhe kjo jep mundësi që artisti thjesht ta përcjellë direkt emocionin te adhuruesi i vet. Mirëpo edhe interpretimi live i ka vështirësitë e veta, edhe pse jemi munduar për të pasur kushte shumë të mira për interpretim, që live-i mos të jetë shumë i vështirë. Thjeshtë është sfidë. Është sfidë ne vete, mirëpo unë u kënaqa sepse dhurova aq sa munda dhe publiku faleminderit që këndonte me mua dhe e vlerësoi një gjë të tillë” ka thënë artistja Fejza që dhuroi emocione të pa harruara në sallë.

Ndërsa në pyetjen se 50 vite më parë, në ëndërrat e saj më të mira a kishte arritur të shihet koncertin e mbrëmshëm, ajo u përgjigj:

Për të qenë krejtësisht e sinqertë, jo, sepse kam filluar shumë herët me këndu, ashtu sikur të gjithë fëmijët e tjerë të talentuar që veçohen prej mësuesit, prindit apo anëtari tjetër të familjes. Jo, nuk e kam ëndërruar, nuk e kam menduar, mirëpo tash jam  shumë e lumtur që i preka 50 vite. Më lumturon edhe më shumë pjesëmarrja e një publiku të mrekullueshëm që të jep shtysë që mund të vazhdoj. Kjo tregon se je e dashtun, je e mirëpritun, e admiruar me gjithë ato duartrokitje, me gjithë atë admirim, mendoj që duhet me vazhdu edhe pak, sepse mendoja që kur t’i bëj 50 vite do të pushoj. Por po më duket se jo” ka thënë këngëtarja Fejza.

Ndërsa dirigjenti Valton Beqiri tha se gjithçka ishte realizuar sipas planit, nga ku edhe kishte rezultuar një koncert i tillë të cilin publiku e vlerësoi shumë.

“Unë mendoj që koncerti i sotëm e ka arritur qëllimin që të prezantojmë gamën e gjerë të cilën e ka pasur në karrierë Shkurte Fejza, duke u nisur nga këngët të cilat kanë qenë më të hershme dhe gjenerata më e re nuk i ka dëgjuar, e deri te ato që sot i këndojnë edhe fëmijët si: “Xhamadani vija-vija” apo “Mora fjalë”. Të gjitha këto këngë kanë qenë të gërshetuara me një dramaturgji meqë e kam pasur edhe përgjegjësinë artistike të këngëve dhe programit. Jemi munduar që të kemi një zhvillim edhe të teksteve, tonaliteteve, tingujve, ritmeve duke i  menduar gradualisht. I uroj Shkurtes shëndet, jetë të gjatë me shumë këngë të reja” është shprehur Beqiri.  

Krejt në fund të koncertit publiku pati mundësi ta përgëzojë Shkurte Fejzën nga afër dhe të fotografohen së bashku, për të pasur një kujtim nga një koncert aq madhështor si ky i 50 vjetorit të saj të karrierës, i cili u mundësua nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Orkestra Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com

“Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari”

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim ne mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.

Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejme këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.

Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. / KultPlus.com

Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të karnavaleve me rreth 400 pjesëmarrës

Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve me rreth 400 pjesëmarrës.

E trashëguar ndër shekuj, festa e karnavaleve e shndërroi qytetin e Korçës në një paradë kostumesh dhe maskash të ndryshme dhe plot ngjyra ku kanë marrë pjesë 6 grupe nga vende të huaja.

Grupet e ndryshme pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo është shprehur se “festa e maskave dhe kostumeve shumëngjyrëshe solli atmosferën më të bukur e magjike në sheshet e rrugicat e qytetit juglindor dhe u shijua nga shumë turistë vendas e të huaj që mbushën Korçën këtë fundjavë”.

Kësaj feste i janë bashkuar edhe shqiptarët jashtë kufijve ndërsa pjesëmarrja e fëmijëve me kostumet dhe maskat e përzgjedhura nga ata e zbukuruan akoma më shumë këtë festë ndërkombëtare.

Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, Zamira Kita tha se në këtë paradë morën pjesë 28 grupe ndërsa shumë qytetarë iu bashkuan paradës së karnavaleve të veshur me kostume.

“Ne i zgjedhim përmes kostumeve, mesazhet që duan të përcjellin. Më e veçanta ka qenë Bullgaria, ka sjellë folklorin. Kishim 4 grupe me fëmijë”, është shprehur Kita. /atsh/ KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja me koncert recital në Kroaci

Sopranoja e njohur Adelina Paloja së fundmi ka bërë të ditur se sot do të mbajë koncert recital në Zagreb, Kroaci, përcjell KultPlus.

Koncerti mbahet për nder tê 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në sallën “Novinarski Dom”, duke filluar nga ora 18:00.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Po ndaj me ju KONCERTIN RECITAL, që do e mbaj në Zagreb – KROACI , duke ju ftuar me kënaqësi të jashtëzakonshme në një festë e përjetim muzikor në 25 Vjetorin e Çlirimit të Kosovës, në Sallën “Novinarski Dom”.

Organizuar nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës të Zagrebit,mbështetur nga  nga Këshilli i Pakicave Kombëtare, nën udhëheqjen artistike të Kitaristit të shkëlqyer e pedagogut Prof.Xhevdet Sahatxhija.

Shoqëruar në piano nga mikja dhe pianistja e shquar Alba Muçolli-Dehiri dhe me mysafire solokëngëtaren e re Rea Veseli. 

Mirësevini! / KultPlus.com

“GQ Italia”: Pushimet në Shqipëri në listat e dëshirave të turistëve 

Organizoni një udhëtim rrugor përgjatë bregdetit të Shqipërisë ku mund të gjeni plazhe ende të paprekura, shtretër deti të jashtëzakonshëm, male pranë detit dhe gjithashtu një kuzhinë të shkëlqyer.

A ia vlejnë ende pushimet në Shqipëri? Sipas mendimit tonë, Po, duke qenë se xhevahiri i vogël i Ballkanit vazhdon të konfirmoje aftësinë e tij për të befasuar dhe mahnitur sërish turistët, shkruan Elena Barassi në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “GQ Italia”.

Shumë pranë Italisë, qiellor dhe gjithashtu ekonomike, Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve falë bregdetit të saj, e karakterizuar nga plazhe të bardha, limane të egër dhe ujëra të pastra kristal.

Gjithashtu, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse në thellësi të Bjeshkëve të Nemuna, një park kombëtar ideal për ekskursione dhe shëtitje me biçikletë, por i njohur edhe për besën shqiptare, një kod nderi që përkthehet – mikpritje, ndershmëri, besnikëri dhe besim.

Më poshtë vijojnë vendet që nuk duhet të humbisni (për t’i vizituar ose rivizituar absolutisht këtë verë!) në Tokën e Shqiponjave.

Dhërmiu

Ndalesa e parë për pushimet tuaja në Shqipëri duhet të jetë Dhërmiu.

Dhërmiu është një fshat përrallor me shtëpi të bardha dhe kisha me kupola blu.

I rrethuar nga peizazhi i thyer malor dhe një portë hyrëse në Parkun Kombëtar të Llogorasë dhe peizazhet e egra të Gadishullit të Karaburunit – i njohur për shpellat detare dhe limanet e fshehura të arritshme vetëm me varkë ose udhëtime të gjata nëpër male – Dhërmiu, vetëm 15 kilometra në veri të Himarës, është bërë i njohur ndërkombëtarisht falë “Kala Festival”, një ngjarje e njohur ndërkombëtarisht që ndërthur muzikën vendase, techno dhe elektronikë.

Gjithashtu, ofrohet një program ekskursionesh për të zbuluar zonën përreth, në një atmosferë arratisjeje të vërtetë mendore dhe fizike.

Gjithashtu nuk mungojnë klubet elegante të stilit balinez në plazhet e Drimadhes në Dhërmi si “Havana Beach Club” dhe “Bacarò Beach Bar”.

Në plazhin e Palasë, i cili po shndërrohet me shpejtësi në një nga plazhet më ekskluzive në Shqipëri, ndodhen baret e plazhit më të mira për të dashuruarit që kërkojnë privatësi.

Plazhi i Gjipesë, i fshehur mes tokave të thyera të mbuluara me shkurre mesdhetare, në gjysmë të rrugës midis Dhërmiut dhe fshatit Vuno mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë.

Saranda e gjallë

Saranda në jug të vendit, ofron një ndërthurje perfekte të hapësirave të rërës së bardhë apo shkëmbinjve gëlqerorë si plazhi i Qiellit, Plazhi i Manastirit dhe Plazhi i Pulëbardhës, baret e plazhit dhe klubet e natës e bëjnë atë vendin e përsosur për pushime plot argëtim.

Pranë plazhit, “Mango Beach” është ndër baret më të njohura në vend me DJ gjatë gjithë verës, por “Disco Tropical” dhe “Disco Ecuador” nuk bëjnë përjashtim gjithashtu.

Përveç jetës së natës këtu, ju mund të zbuloni perla autentike kulturore si Kalaja e Lëkurësit – nga e cila gjithashtu mund të shijoni një pamje të mrekullueshme të qytetit, sitin arkeologjik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mbetjet e qytetit antik grek janë zhytur në një pyll në bregun e një liqeni brenda një Parku Kombëtar 29 hektarësh dhe në fund mbetjet e sinagogës së lashtë çifute (e cila daton në shekullin e V).

Dy opsione për të shijuar një darke perfekte; “Taverna Fish Filipi”, një tavernë tradicionale shqiptare qe sherben peshk, gaforre, oktapod dhe ushqime deti mikse por edhe linguine dhe rizoto dhe “Limani”, një institucion i vërtetë në vendin më të izoluar të marinës së Sarandës.

Peshku, padyshim është një pjatë mjaft e shijshme – por edhe Trileçja, ëmbëlsira me 3 lloje qumështesh – që së bashku me Bakllavanë janë ëmbëlsirat më të pëlqyera nga shqiptarët.

Arkipelagu i Ishujve të Ksamilit

Brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, Ksamili mbetet një ëndërr, ose më mirë Parajsa e Rivierës Shqiptare, e cila ka një shtrirje bregdetare që vështron bregun e Jonit në anën ballkanike dhe që është padyshim spektakolar.

Gjashtë milje nga Greqia (Ksamili në fakt do të thotë ‘gjashtë milje’), ose më mirë nga Korfuzi që ndodhet pikërisht përballë tij, ju mund të zbuloni bukurinë e tre ishujve idilik, të arritshëm me not ose me varkë, të mbuluar nga bimësia mesdhetare dhe një rrip i vogël rëre të bardhë që derdhet në ujërat bruz dhe që lidh një ishull me tjetrin dhe me të cilin mund të ecësh në ditët e baticës,kur dallgët përplasen mes një ishulli dhe një tjetri, duke krijuar një veçori të pabesueshme ujore, madje do të ndiheni sikur jeni në Karaibe ose në Maldive.

Mos humbisni plazhin “Tre Ishujt”, ku deti është një akuarel bruz dhe çadrat e kashtës ofrojnë strehë nga vapa e verës.

Vendi i përkryer, mbi të gjitha, për ata që duan të pushojnë nën ritmin e muzikës.

Dhe për darkë vizitoni restorantin “The Mussels House”, me pamje nga laguna, ku siç thotë edhe vetë emri, do të provoni variacione të ndryshme midhjesh, duke përfshirë saganaki, por edhe karkalecat rozë të kripur dhe madje edhe hurma deti.

Me varkë në gjirin e Vlorës

Qyteti i lashtë dhe porti natyror në kanalin e Otrantos – Vlora ndodhet në pikën ku deti Adriatik i hap rrugën detit Jon, shtrati i detit bëhet gjithnjë e më i thellë, brigjet më të thepisura dhe plazhet ndryshojnë nga rërë në shkëmbinj dhe guralecë.

Por xhevahiri i vërtetë këtu është Gadishulli i Karaburunit, një zonë ish-ushtarake, tashmë e hapur për turizmin, një park natyror i mbrojtur me përmasa 15 me 4 kilometra, i mbushur me maja malesh që arrijnë 1200 metra lartësi, shkëmbinj të thepisur që zhyten në det, gjire të virgjër që hapen në ujëra të pastër dhe shpella që fshehin mrekulli të jashtëzakonshme natyrore.

Por, edhe shumë bunkerë, emblema e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

Dhe janë pikërisht bunkerët, 3600 prej tyre, por jo vetëm kaq, atraksioni i Sasenos, një ishull i vogël, jo shumë larg nga bregdeti i Vlorës, dikur një bazë ushtarake italiane dhe më pas sovjetike, më vonë shtëpia e rojeve të qeverisë së Enver Hoxhës.

Por sot ajo është, me të gjitha qëllimet, një Parajsë e Vogël e natyrës së egër dhe të pandotur.

Mos humbisni, në jug, “Plazhin e Admiralit”, ku deti i kristaltë është i rrethuar nga pisha, apo Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Shën Nikollës dhe Gryka e Djallit, ku mund të admironi peizazhin e mrekullueshëm të një hyrjeje të thellë të ngjashme me një shpellë në ajër të hapur.

Ekspertët ju këshillojnë të vizitoni “Restorant Joni”, buzë detit të Vlorës, ki ofrohen produkte të freskëta te ditës, ravioli me karkaleca deti dhe domate qershi, por edhe një tartar i shkëlqyer me levrek! Çmimet? Më pak se 20 euro për një menu të plotë.

Gjipe, mes plazhit dhe kanionit

Eden i vogël i Shqipërisë është plazhi i Gjipesë, i fshehur mes shkëmbinjve të lartë të një kanioni. Vështirë për t’u arritur, pa dyshim, por sapo të mbërrini do të kuptoni se kjo është një strehë e vërtetë paqeje.

Para së gjithash, këtu nuk mund të arrish me makinë, por vetëm përmes një shtegu të ngushtë përgjatë bregut, ose dembelët mund të arrijnë gjithmonë me varkë nga Jala, një plazh i vogël i vendosur midis kodrave të thepisura të mbjella me ullinj në një gji të mbrojtur nga malet, shumë i frekuentuar në verë.

Mure të larta shkëmbore, bimësi e dendur dhe ujëra bruz janë pjesë e Gjipesë, por e pajisur me disa çadra dhe një kioskë të vogël.

Por Perla e vërtetë këtu është kanioni piktoresk, 80 metra i lartë i mbuluar plotësisht nga një pyll i padepërtueshëm dhe një shteg që duket si një shtrat lumi dhe Dhërmiu, fshati i vogël që ndodhet pranë qafës së Llogorasë, rrëzë Maleve te Rrufeve.

Në Himarë, 16 kilometra në jug të Gjipesë, “Taverna Lefteri” është vendi klasik ku ofrohet gjithçka – nga djathi grek i prerë në feta me vaj të papërpunuar dhe ullinj shumë të shijshëm, te Fergesa tipike, e bërë me speca, domate, qepë, rikota dhe erëza dhe e shoqëruar me bukë vendase aromatike dhe të shkëlqyer.

Borshi, Retro

Ndër fshatrat më piktoreskë të Rivierës Shqiptare, Borshi ka ruajtur shpirtin autentik të vendit.

Pak Retro me kështjellën e tij mesjetare dhe atë joshjen e viteve ’80, por me një pamje të pashembullt të një bregdeti 7 kilometra me zhavorr të bardhë dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pemëve të ullirit dhe agrumeve.

Një parajsë e vërtetë për adhuruesit e sporteve ujore si lundrimi, kanoe, kajak, këtu në mbrëmje mund ta gjeni veten duke parë yjet nën tingujt e muzikës.

Dhe për të drekuar vizitoni “Luna Mare”, bari më elegant i plazhit në bregdet, ku muzika në sallë pritjeje është sfondi ideal për kokteje të pazakonta dhe një supë peshku të nivelit të lartë. / KultPlus.com

39 vepra të Andy Warhol në Galerinë e Artit në Tiranë

39 vepra që ofrojnë një shëtitje në botën e ikonës së “pop artit”, Andy Warhol, janë ekspozuar prej datës 5 Qershor në muret e Galerisë së Artit të Tiranës.

Në vizitën e tij në ekspozitë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana është kthyer një pikë e rëndësishme pritëse e artit të mirëfilltë bashkëkohor.

“Tirana është bërë epiqendra e gjërave të bukura që ndodhi në rajonin tonë, me art, kulturë dhe koncerte. Sot jetojmë një kohë kur në Tiranë po vjen e gjithë bota. Për ata që i kanë parë shumë nga riprodhimet e Andy Warhol në kabinat elektrike të qytetit, për ta bërë artin pak më miqësor me fëmijët, tani kanë mundësinë që të shohin 39 vepra të mirëfillta të artistit në Tiranë. Sot ky qytet nuk jeton vetëm me turizëm, me IT, por jeton edhe me art dhe kulturë”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj tha se, Tirana sot ka kalendarin më të dendur artistiko-kulturor në të gjithë rajonin.

“Ky fakt na bën të ndihemi vërtet krenarë. Sot në Tiranë është sfidë të zgjedhësh se çfarë do të bësh më parë në mbrëmje. Mund të vish te ekspozita e Andy Warhol, mund të shkosh te festivali te Kinema “Agimi”, mund të shkosh te festivali tjetër te “Reja”, mund të shkosh te kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, mund të ndjekësh aktivitete pa fund në sheshin “Skënderbej”. Askush nuk ka çfarë të thotë për mungesën e ofertës. Kemi ndoshta menunë më të gjerë dhe më të gjatë të aktiviteteve”, tha ai.

Një ftesë për ta vizituar ekspozitën kryebashkiaku Veliaj pati për të gjithë artëdashësit.

“Më vjen mirë që kemi pasur një fluks jo vetëm të turizmit, që sigurisht vijnë nga vende ku njihet arti bashkëkohor dhe ndoshta kanë qenë shumë herë më të hapura se ne, edhe para viteve ‘90. Por, më vjen mirë që për ekspozitën kanë treguar interes shkollat dhe universitetet, për të provuar një shije të asaj që vlonte në vitet ‘80-‘90 në të gjithë botën, kur ne fatkeqësisht ishim të izoluar. Ndaj, ftesa për të gjithë është: Mos e lini për më vonë! Ne do të jemi hapur deri në datën 5 Gusht”, shtoi ai.

39 veprat e pop artit amerikan po shfaqen për publikun në ambientet e Galerisë së Artit të Tiranës. / KultPlus.com

Zgjedhjet në BE, çfarë do të ndodhë më pas?

Që nga e enjtja evropianët janë duke zgjedhur Parlamentin e ri të BE-së për të dhjetën herë. Rreth 360 milionë votues me të drejtë vote vendosin për 720 përfaqësues nga 27 vende të BE-së. Ndërsa rezultatet e para tashmë vijnë nga disa vende, si Holanda dhe Irlanda, si dhe në 20 vende të tjera, ku jepet vota për Parlamentin e ri Evropian dhe politikat e pesë viteve të ardhshme.

Çdo vend në Bashkimin Evropian përfaqësohet me një numër të caktuar deputetësh – në varësi të madhësisë së vendit, por jo edhe aq shumë në proporcion me popullsinë e tij. Si shteti anëtar me popullsi më të madhe, Gjermania përfaqësohet nga 96 anëtarë. Shtetet më të vogla anëtare si Malta, Luksemburgu dhe Qipro dërgojnë nga gjashtë secila.

Votime në Irlandë – pllakat ku shkruhet “përdore votën tënde, ose dikush tjetër do të vendosë për ju”Votime në Irlandë – pllakat ku shkruhet “përdore votën tënde, ose dikush tjetër do të vendosë për ju”
Votime në Irlandë – pllakat ku shkruhet “përdore votën tënde, ose dikush tjetër do të vendosë për ju”Fotografi: Artur Widak/NurPhoto/picture alliance
Cilat janë temat që shqetësojnë evropianët?

Ruajtja e paqes, siguria sociale dhe migracioni janë tre aspektet më të rëndësishme për gjermanët në këto zgjedhje evropiane, sipas sondazhit të ARD Deutschlandtrend nga fundi i majit. Kurse në nivel të BE-së, për evropianët çështjet më të rëndësishme zgjedhore janë lufta kundër varfërisë dhe kujdesi shëndetësor. Pas kësaj, sipas Eurobarometrit në prill vijnë forcimi i ekonomisë, krijimi i vendeve të reja të punës dhe politika e sigurisë dhe e mbrojtjes në BE.

Cilat janë detyrat më të rëndësishme të Parlamentit Europian?

Në shumë drejtime si mbrojtja e mjedisit, politika e migracionit dhe politikat ekonomike, Parlamenti i BE-së është një nga dy ligjvënësit. Eurodeputetët duhet të vendosinpër ligjet e reja të BE-së gjithmonë bashkë me Këshillin e Bashkimit Evropian, organi përfaqësues i 27 shteteve anëtare. Në fusha të tjera, si politika e sigurisë dhe e mbrojtjes, Parlamenti i BE-së thjesht informohet dhe ka funksion konsultimi. Vetë PE nuk mund të propozojë ligje si rregull, kjo është detyrë e Komisionit Evropian.

Mbi 70 për qind e evropianëve u shprehën në sondazhin e Eurobarometrit se BE-ja ndikon në jetën e tyre të përditshme. Megjithatë, pjesëmarrja në zgjedhjet e BE-së është tradicionalisht e ulët. Në vitin 2019, pas një kohe të gjatë, ajo arriti sërish shifrën prej 50 për qind. Në Gjermani, pjesëmarrje ishte e konsiderueshme, mbi 61 për qind. Për herë të parë në Gjermani në këto zgjedhje lejohen të votojnë të rinjtë e moshës 16 vjeç e lart.

Pas votimeve fillon gara për postet më të rëndësishme

Një javë pas zgjedhjeve, më 17 qershor, liderët e BE-së takohen në Këshillin Evropian në Bruksel. Në agjendë është zgjedhja e posteve kryesore në BE, duke përfshirë Presidenten/Presidentin e Komisionit të BE-së. Traktatet e BE-së parashikojnë që ky samit i BE-së duhet të emërojë kandidatët.

Në përgjithësi vlen “parimi i kandidatit kryesor”, sipas të cilit, partia me numrin më të madh të votave merr kryesimin e Komisionit të BE-së. Nëse krerët e shteteve dhe qeverive ndjekin këtë parim, Ursula von der Leyen, kryetarja aktuale dhe kandidatja e Partisë Popullore Evropiane (EPP), do të kishte shanset më të mira të vazhdonte të ishte në krye të të KE, sipas sondazheve të fundit. Megjithatë, pas zgjedhjeve të BE-së në vitin 2019, kur von der Leyen e mori këtë detyrë, krerët e shteteve nuk e zbatuan këtë parim. Më pas presidenti i ardhshëm i Komisionit zgjidhet nga Parlamenti i BE-së me një shumicë të thjeshtë.

Pazaret ndërkohë kanë filluar

Tratativat për arritjen e shumicës kanë filluar prej kohësh në Bruksel. Presidentja aktuale e KE, Ursula von der Leyen tha në një debat televiziv se do të punonte me deputetët që mbështesin qartë Evropën dhe sundimin e ligjit – dhe që mbështesin Ukrainën. Ajo përfshiu këtu edhe kryeministren italiane populiste të krahut të djathtë, Giorgia Meloni. Por von der Leyen përjashtoi bashkëpunimin me partinë franceze “Rassemblement National”, parti kjo nacionaliste e krahut të djathtë, e drejtuar nga Marine Le Pen.

Ursula von der Leyen do të jetë sërish në krye të KEUrsula von der Leyen do të jetë sërish në krye të KE
Ursula von der Leyen do të jetë sërish në krye të KEFotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance
Partitë e këtyre dy politikaneve, Meloni dhe Le Pen më parë i përkisnin deri tani familjeve të ndryshme partiake. Vëllezërit ultra të djathtë të Melonit në Itali janë pjesë e grupit “Konservatorët dhe Reformatorët Evropianë”, kurse partia e Le Pen në grupin e krahut të djathtë ID (Identitet dhe Demokraci). Afrimi me kampin e djathtë nuk është pa rrezik për von der Leyen, sepse grupe të tjera partiake, si Socialdemokratët mund të refuzojnë të votojnë për politikanen gjermane. Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD i ka dërguar ndërkohë paralajmërimet e para.

Nëse do të ketë një kthesë djathtas në BE, sipas shumë paralajmërimeve këto muaj, kjo lidhet edhe me atë, nëse partitë populiste dhe nacionaliste të krahut të djathtë dhe ultra të djathtë të Evropës do të mund të bashkohen. Marine Le Pen po e ndjek këtë synim, sepse, sipas parashikimeve, këto parti mund të formojnë më pas forcën e dytë më të fortë në Parlamentin e BE-së pas PPE. Por kjo nuk është e sigurt.

Parlamenti i ri i sapozgjedhur do të mblidhet për herë të parë në Strasburg më 16 korrik. Deri atëherë do të jetë kristalizuar, se si dhe në cilat grupime parlamentare do të bashkohen deputetët e rinj./ DW/ KultPlus.com

Begaj në festivalin “Netët e Bejkës së Bardhë”: Në Pilur kënga është institucion

Presidenti Bajram Begaj, ishte i pranishëm mbrëmë në festivalin folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, që u zhvillua në Pilur të Vlorës, në sofrën që pret çdo vit këngëtarë, instrumentistë, valltarë dhe krijues nga të gjitha viset shqiptare.

Kreu i Shtetit, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, artistëve pjesëmarrës dhe banorëve të Pilurit, vlerësoi këtë traditë folklorike të frymëzuar nga “Nderi i kombit”, poeti dhe këngëtari Lefter Çipa, dhe të pasuar nga “Mjeshtri i madh”, poeti tjetër i familjes isopolifonike, Kristo Çipa, i cili çdo edicion sjell grupe të reja polifonike dhe interpretues të rinj.

“Në Pilur kënga është institucion dhe shpirti juaj krijues është një akademi natyrale”, u shpreh Begaj.

Presidenti rikujtoi figurat emblematike të isopolifonisë që, sipas tij, kanë lënë pas një thesar unik të pavdekshëm, një pasuri botërore dhe në këtë mënyrë do të mbeten në kujtesën artistike të vendit, të institucioneve të trashëgimisë dhe të artit kombëtar.

“Talenti dhe forca e madhe interpretuese në mishërim të papërsëritshëm me tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike e atdhetare të brezave njerëzorë të këtyre trevave, bregdetit, Himarës, labërisë dhe hapësirës sonë kombëtare”, u shpreh Presidenti i cili e vlerësoi këtë festival si një provë të fisme të vijimit të traditës dhe besnikërisë ndaj trashëgimisë pilurjote.

Veç pasurisë shpirtërore të përcjellë përmes isopolifonisë apo “këngëvë vençe”, siç i quajnë pilurjotët, Begaj theksoi, gjithashtu, kontributin patriotik të burrave që ka nxjerrë ky fshat ndër breza.

“Ndërgjegjja juaj patriotike, dashuria dhe respekti evident për simbolet dhe vlerat identitare kombëtare janë një shembull dhe krenari për shumëkënd”, deklaroi Presidenti.

Kreu i Shtetit u ofroi pilurjotëve mbështetjen e tij për të ruajtur, forcuar dhe trashëguar këto vlera, të cilat janë bërë të ditura botërisht.

“Jeni ndër të parët që turizmit tuaj malor dhe piktoresk i keni bashkëngjitur edhe vlerën kulturore, atë të riteve dhe të trashëgimisë”, vlerësoi Presidenti Begaj duke iu referuar promovimit që banorët e Pilurit po i bëjnë traditës unike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj./ KultPlus.com

Promovohet kompleti i veprave i autorit Sali Bashota, përfshihet krijimtaria e tij dyzetvjeçare

Me moton “Përgjigjja është libri”, është hapur tashmë edicioni i 24-t i Panairit të Librit, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe në kuadër të aktiviteteve të ndryshme, dje është zhvilluar një promovim i veçantë i kompletit të veprave të autorit të njohur Sali Bashota, vepra këto të botuara muaj më parë nga shtëpia botuese Logos-A, shkruan KultPlus.

Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.

Duke filluar nga ora 13:00, ngjarja u mbajt në Pallatin e Rinisë, me ç’rast u moderua nga gazetarja Alketa Gashi Fazliu.

Për krijimtarinë letrare të Bashotës në panel kanë folur shkrimtarët dhe profesorët universitarë: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha dhe Osman Gashi.

Fillimisht, profesori Milazim Krasniqi tha se poeti Sali Bashota mbetet një nga zërat më kumbues të poezisë shqipe.

“Botimi i veprës së zgjedhur nga vetë autori vetvetiu paraqet një ngjarje letrare e kulturore në kuadër të një ambienti konkret letrar, shkencor e kulturor. Bashota, si poet e ka ruajtur kontinuitetin e krijimtarisë së vetë artisitke, duke e përsosë dhe duke e legjitimuar fort stilin e vet. Sot, është njëri nga zërat më kumbues të poezisë shqipe në nivelin e saj kombëtar”, thotë ai.

Sipas tij, Bashota e ka ruajtur edhe një lidhje diskrete me letërsinë shqipe të traditës e sidomos me rrjedhat e poezisë moderne botërore. Pra, poezia e tij mbetet një poezi që aspiron harmoninë dhe sintesën e elementeve që në dukje të jashtme duken si të kundërta, siç janë në fakt tradita dhe moderniteti.

“Brenda opusit krijues të tij, lexuesi do të mund të komunikojë sado që nganjëherë me një gjuhë jo shumë dekoduese,  gjendjet emocionale, njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës personale e sociale, idealet dhe ëndrrat, zhgënjimet dhe pësimet, bukurinë dhe shëmtinë e dukurive dhe të realitetit. Falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrinë t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin”, përfundon ai.

Tutje, shkrimtari Ibrahim Berisha ka folur rreth kuptimeve të ndryshme që ka në thelb krijimtaria e Sali Bashotës.

“Toka dhe uji kanë kuptim të veçantë për ekzistencën në qenien e poetit. Është ajo që nuk përfundon asnjëherë së qeni Nana e Madhe, që mbush begati dhe farë, ku qeniet kanë të drejtën e plotë për të jetuar në ciklet reale dhe simbolike. Pa këto nuk ka jetë as materiale as jomateriale. Te poeti Bashota, është toka, pjesë e dashurisë që lartësohet deri në qiellit (mitologji antike) një lloj Kopshti i Edenit (mitologiia çifute)”, thotë Berisha.

Sipas tij, shkrimi i Bashotës ka edhe permasën e enigmës. Pra, ai është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. Dhe se poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja. “Shpirti dhe shpirtrat janë sa të munguar, po kaq edhe të pranishëm, një papërcaktim ky i pagjetur ndërmjet fajësisë dhe pafajësisë, dhe që mund të preket lehtë në një degë të ëndrrës që tashmë kahere ia ka plasë vajit të papajtueshëm.”

Drita, në anën tjetër është konsideruar si një nga konceptet e rëndësishme, shumë të rëndësishme të poezisë së Bashotës. Kështu ka qenë edhe në vjershat në librat e mëparshëm të tij.

“Drita është përmbajtja e kosmologjisë së tij lirike që duket se ndjek si frymë nëpër vargje, por e vërteta, poeti e mban me vete, nuk i ndahet vetë, dhe ajo vetëm sa i jep flatër në ethet e krijimit. Kjo i përgjason hijes së bukurisë. Poeti Bashota edhe kur udhëton në rrugët e heshtjes, do të na shkund nga termekja se megjithatë dikush e meriton të jetë i lumtur në këtë botë. Është çasti kur fiken dritat dhe dashuria shkon pa e kuptuar se nuk është më. Atëherë pason: Dhimbja”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vepra e Bashotës nga SHB Logos, në këtë botim reprezentues, është dëshmi e një e një shenjë shkëlqyese unike në letërsinë moderne shqipe, një enigmë, që do të krijojë arsye për zbërthime dhe kënaqësi të reja leximi, mendimi dhe përjetimi, si dhe një udhëtim që do të motivojë pafundësisht.

Profesori Osman Gashi, pas analizave të teksteve kritike të Bashotës, ka gjetur përgjigje në pyetjet dhe konstatimet nismatore të këtij shkrimi. 

“Duke analizuar tekstet kritike të Sali Bashotës, do të gjejmë shumë përgjigje në pyetjet dhe konstatimet nismatore të këtij shkrimi. Nuk na duket assesi pretencioz fakti nëse kemi pranuar se mund të bëjmë fjalë për një profil të veçantë kritik të Bashotës. Duke u nisur nga vera e tij e parë me kritika e recensione, dallojmë qartë një trajektore ngjitëse, një evoluim të natyrshëm, një gjithanshmëri analizash e vëzhgimesh dhe një bagazh të pasur përdorimi të shprehjeve e të nocioneve teorike-letrare. Vështruar në përgjithësi, përkushtimi i tij themelor është letërsia shqipe e traditës”, thotë ai.

Një nga autorët për veprën e të cilit ka shkruar Bashota është Mitrush Kuteli. Ai ka botuar një monografi të plotë për veprën letrare të Kutelit, ku trajton prozën e tij të gjatë, rrëfenjat e tij karakteristike si dhe poezinë dhe shkrimet kritike. Sipas Gashit, aty do të gjejmë të analizuar, të interpretuar e të sintetizuar përcaktuesit themelorë të veprës së Kutelit: bazamentin, që është letërsia popullore; rrafshin tipologjizues, që prozën e tij e vendos në kategorinë e prozës së ngjarjeve e herë-herë të prozës së karaktereve; temat, siç janë kurbeti, gjakmarrja, kaçakëria, ëndrra, vdekja.

“Duhet të konstatojmë pa hezitim se gjuha analitike e Bashotës është krejtësisht e veçantë. Bota e preokupimeve të tij kritike është shumë e gjerë e komplekse. Sali Bashota është në radhë të parë lexues i pasionuar i letërsisë dhe pastaj gjurmues i suksesshëm vlerash e domethëniesh letrare”, përfundon ai.

Krejt në fund, poeti dhe profesori Sali Bashota ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, si dhe ka treguar angazhimin e tij letrar përgjatë viteve.

“Moshën e letërsisë e përbëjnë autorët dhe veprat e tyre, prandaj jeta dhe shkrimi për secilin autor i ka shenjat e përveçme që ndërlidhen me një fakt të përbashkët: dëshirën dhe vullnetin për punë dhe aftësinë për të shkruar. Për më tepër, regullat e letërsise, në radhë të parë, varen nga vetë autori. Prandaj, letërsia e autorit është vetëdije shkrimore përbrenda veprimtarisë krijuese, por edhe përbrenda punës intelektuale”, thotë ai.

Mbi dyzet vjet, ai ka bërë përpjekje të vazhdueshme që me veprat e tij ta ndërtojë një karrierë letrare, ndërsa me angazhimin tij në fushën e arsimit të jap kontribut në edukimin e gjeneratave. Besimi dhe bindjet e tij gjithmonë kanë qenë te letërsia, te fryma dhe qëllimi i saj, edhe kur ka shkruar veprat e tij, edhe kur ka shpjeguar veprat e shkrimtarëve të letërsisë romantike shqipe. Ai, dyzet vitet në Fakultetin e Filologjisë në rolin e mësimdhënësit, sidomos ligjëratat dhe bashkëpunimi me studentë, i konsideron si periudhat më të veçanta në jetë.

“Kam mësuar shumë nga shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë dhe shkrimtarë botërorë, nga veprat dhe përvoja e tyre krijuese. Ky mësim është shndërruar në frymëzim. Për ta sistemuar dhe funksionalizuar tërësinë harmonike të fjalës, mendimit, figurës, mbi të gjitha, më ka pushtuar magjia e poezisë nga vëllimi i parë më 1986 deri te i fundit më 2023. Poezia, proza poetike dhe studimet letrare vazhdojnë të mbesin preokupimi im krijues. Poezia, është dhe do të mbetet githmonë e para”, përfundon Bashota. / KultPlus.com

Miliona njerëz votojnë në ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

Banorët e 20 vendeve të Bashkimit Evropian do të votojnë të dielën, në ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Këto zgjedhje po konsiderohen si shumë të rëndësishme pasi kontinenti evropian po përballet me politika polarizuese dhe rritje të nacionalizmit.

Grupi më i madh i qendrës së djathtë në Evropë, Partia Popullore Evropiane, pritet të fitojë më së shumti vota në gjithë vendet e BE-së, ndonëse partitë e të djathtës ekstreme po synojnë sa më shumë vota në nivel kombëtar.

Marshi Kombëtar i Francës, Vëllezërit e Italisë në Itali dhe Partia e Lirisë në Austri, janë në krye të sondazheve, ashtu sikurse partia separatiste dhe kundër migrimit në Belgjikë, Vlaams Belang.

Votimet kanë nisur prej të enjtes dhe më pas janë zhvilluar nëpër disa shtete, mirëpo shumica e evropianëve e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të dielën.

Parlamenti Evropian lidh direkt evropianët me institucionet e Bashkimit Evropian.

Duke qenë zgjedhjet e para pas pandemisë së koronavirusit, nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, valës së imigrantëve, dhe rritjes së rreziqeve prej ndryshimeve klimatike, këto zgjedhje po konsiderohen tejet të rëndësishme për të ardhmen e Parlamentit Evropian.

Kjo, gjithashtu, është herë e parë që mbahen zgjedhje të tilla pa Britaninë e Madhe, e cila është larguar zyrtarisht prej BE-së më 2020./ REL/ KultPlus.com

154 vjet nga vdekja e shkrimtarit anglez, Charles Dickens

Charles John Huffam Dickens ishte një shkrimtar anglez, i quajtur ndryshe edhe si më i madhi i periudhës Viktoriane, transmeton KultPlus.

Charles Dickens lindi më 7 shkurt 1812 në Landport, një rrethinë të Portsmouth, i dyti prej gjithsej 8 fëmijëve të John dhe Elizabeth Dickens. Babai i tij ishte një punonjës në zyrën e pagesave detare. Ai kaloi fëmijërinë në Catham-Kent. Ishte romancieri më popullor në gjuhën angleze i të quajtur Epokës Viktoriane. Ai ka krijuar disa nga personazhet më domethënëse e portretizuese të letërsisë, me temë sociale drejtimin e reformës në të gjithë punën e tij. Popullaritetit të vazhdueshëm të romaneve të tij dhe tregimet e shkurtra është e tillë që librat e tij nuk kanë dalë kurrë jashtë printimit madje janë bërë dhe filma në kinema. Pjesa më e madhe e punës së tij të parë në shtypin periodik dhe revista në formë e serive, një mënyrë të popullarizuara të botimit trillim në kohë.

Më 8 qershor 1870, Dikens pësoi një goditje tjetër në shtëpinë e tij pas një pune të plotë në Edwin Drood. Ai kurrë nuk u rikthye në vetëdije, dhe të nesërmen, pesë vjet deri në ditën pas rrëzimit të hekurudhës Staplehurst, ai vdiq në Gads Hill Place. Biografia Claire Tomalin ka sugjeruar se Dikens ishte në të vërtetë në Peckham, kur ai pësoi goditje, dhe zonja e tij Ellen Ternan dhe shërbëtoret e saj e kishin kthyer atë në Gadin Hill kështu që publiku nuk do të dinte të vërtetën rreth marrëdhënies së tyre.

Realizmi në Angli fillon me Çarls Dikensin dhe romanin social që lëvroi ai. Karakteristikë e veçantë e këtij autori është se gati të gjitha veprat e tij kanë emra të fëmijëve, dhe personazhe kryesisht fëmijë, kjo për arsye se ai pati një fëmijëri jo të mirë. Ai në moshën 12-vjeçare detyrohet të lërë shkollën për shkak të varfërisë dhe madje detyrohet të hyjë në fabrikë për të nxjerr kafshatën. Fëmijëria e tij dhe përvojat e tij që do pasojnë, janë faktorët kyç të një letërsie të suksesshme, të Dikensit por edhe për të tjerë autorë. Tek Dikensi gjejmë këto vepra: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell”, “Nikolla Nikwllbi”.

Oliver Tuist është protagonisti kryesor i novelës së Çarls Dikensit me po të njëjtin emër; Oliver Tuisti njihet të jetë protagonisti i parë fëmijë në novelat angleze. Kjo vepër është vepra e dytë e Çarls Dikensit e cila u botua në një revistë mujore me titull origjinal “Bentley’s Miscellany”. Ky roman është një roman social i cili synon të paraqesë jetën e mijëra fëmijëve të pastrehë e pa të ardhme. Dikensi tallet me hipokrizinë e kohës, duke goditur tema serioze me një sarkazëm dhe humor të zi. Thuhet se Dikensi u frymëzua për këtë vepër nga ngjarja e vitit 1830, ku një jetim me emrin Robert Blionce po si Oliver Tuisti përballej me jetën e vështirë: pastrehën, punën e rëndë dhe të ardhmen jo të sigurt. Me këtë vepër Dikensi sfidon epokën e tij duke venë në lojë tërë shtetin anglez të asaj kohe, një shtet pa ligje dhe pa mbrojtje për të varfërit, një shtet në të cilin mbizotëron krimi dhe padrejtësia. Me “Oliver Tuist”-in Dikensi na sjell një vepër realiste, një vepër pa hijeshi të ngjarjeve, të paraqitura ashtu siç janë, një vepër reale pa përdorim të ndonjë lloji të romantizmit. Oliver Tuisti është bërë inspirim për shumë filma dhe telenovela në botë, si dhe për shumë shfaqje muzikore e teatrale. Nënshtetësia e tij ishte Angleze. Ndërsa dita e vdekjes e tij ishte më 9 qershor të vitit 1870. Oliver Tuist njihet si vepra e tij më kryesore. Ky ishte guximtar i patrembur dhe me krenarinë e tij ka bërë shumë libra. Vendvdekja e tij ishte në: Gad’s Hill Placce, Higham, Kent Angli. / KultPlus.com

Mbrëmje operistike në ‘Chopin Piano Fest’, Ulpiana Alijaj dhe Peter Valentovic sjellin madhështinë e veprave monumentale operistike

 Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’, publiku pati rastin të shijojë magjinë e disa nga kryeveprave të muzikës operistike botërore, interpretuar nga sopranoja Ulpiana Alijaj dhe pianisti italian Peter Valentovic, shkruan KultPlus.

Mbrëmja magjike filloi me “Non si da follia maggiore ‘Il Turco in Talia’ të Rossinit duke vazhduar me LA boheme’ të Puccinit, përformanca këto që morën vëmendjen e audiencës qysh në fillim.

Koncerti më tutje filloi me veprat e Lehar, Jezek, Mozart, Dvorak e Rushiti. Ndërkaq, pjesa kulmore e koncertit ishte performanca solo e Valentovic i cili improvizoi në piano mbi temën e Rachmaninoff.

Për gati dy orë, dyshja Aliaj e Valentovic, i dhuruan publikut një shfaqje të mahnitshme e plot virtuozitet.

Pas koncertit, për KultPlus foli pianisti Peter Valentovic, i cili shprehet i lumtur për prezencën e tij në këtë festival dhe për ngrohtësinë që mori nga publiku.

“Jam shumë i lumtur që mora pjesë në ‘Chopin Piano Fest’, në këtë festival të mrekullueshëm. Njerëzit janë të mrekullueshëm, organizimi po ashtu. Ne patëm një ndihmë nga ambasada e Sllovakisë këtu, për të cilën ne jemi shumë mirënjohës. Jam shumë i lumtur që erdha këtu dhe solla muzikë për publikun e Kosovës.Publiku këtu ishte shumë i ngrohtë, pati shumë duartrokitje dhe kjo më bëri akoma më të lumtur”, tha Valentoviç për KultPlus.

Ndërkaq sopranoja Ulpiana Alijaj vlerësoi paraqitjen që patën në këtë koncert e në veçanti, bashkëpunimin me Valentovic.

“Kam qenë vërtet e emocionuar sepse besoj se u paraqitëm në një program shumë impenjativ dhe pjesa më e madhe ishte premierë për skenën kosovare, kështu që ishte një përgjegjësi shumë e madhe edhe për vetë faktin që ‘Chopin Piano Fest’ tashmë gëzon një vulë të garancisë dhe besnikërisë artistike, kështu që për ne ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Bashkëpunimi me maestron Valentovic për mua si eksperiencë vjen si e disata herë për shkak se ne kemi një njohje të hershme profesionale, prandaj ka qenë një kënaqësi shumë e madhe fakti që ai e mirëpriti ftesën në Prishtinë”, u shpreh Alijaj.

Lejla Pula, drejtoreshë artistike e ‘Chopin Piano Fest’, tha se ndjehet e lumtur që kjo dyshe u paraqit në natën që ishte e rezervuar për koncert operistik.

“Sonte ishim prezentë në mbrëmjen e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’ dhe vërtet u kënaqëm me mbrëmjen operistike me Ulpiana Aliaj në përcjellje me Petet Valentovic nga Sllovakia, një pianist i cili është edhe dirigjent edhe një shoqërues i kantos fantastik. Unë kam vërtet dëshirë që Opera e Kosovës edhe në të ardhmen ta angazhojë si dirigjent të operas sepse është një rang botëror i dirigjentit. Ndërkaq Ulpiana Aliaj shpalosi për herë të parë gjithë paletën e virtuozitetit edhe tingullit të saj, një timbër fantastik me të cilin mahniti publikun sonte me interpretimin e saj”, theksoi Pula për KultPlus.

Ndërkaq, sonte, më 9 qershor, do të mbahet ceremonia përmbyllëse e ‘Chopin Piano Fest’ ku do të përformojë pianisti i njohur italian Giovanni Bellucci./KultPlus.com

‘Të negociosh paqen’ nga Qendra Multimedia në Zagreb të Kroacisë

Shfaqja “Të negociosh paqen” e Qendrës Multimedia do të prezantohet sot më 7 qershor në Teatrin Kerempuh në Zagreb të Kroacisë.

Shfaqja do të prezantohet si pjesë e edicionit të 48-të të festivalit “Ditët e satirës – Fadil Hadžić”

Festivali “Ditët e satirës – Fadil Hadžić” është festival ndërkombëtar i Teatrit Kerempuh, i cili që nga viti 1976 mbahet çdo vit në qershor, me qëllim të promovimit të shfaqjeve cilësore të satirës dhe komedisë, dhe mbi të gjitha përballjes së publikut me problemet aktuale të përditshmërisë tonë përmes elementeve të pashmangshme të humorit dhe satirës, duke e pasuruar jo vetëm jetën kulturore, por edhe vetëdijen shoqërore. Ditet e Satirës Fadil Hadžić çdo vit na kujtojnë rëndësinë e humorit dhe satirës që na bëjnë më tolerantë, na lidhin me të tjerët, na mësojnë, na japin pikëpamje të reja për botën.

Prezantimi në këtë festival që është ndërtuar mbi parimin e lirisë së fjalës dhe rezistencën kundër cenzurës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Qendrën Multimedia. “Të negocosh paqen” është shfaqje që ballafaqon shoqërinë me dinamikat e tryezave të negociatave që përcjellin shoqëritë e pasluftës dhe me pyetjet e vështira se kush e ka legjitimitetin të negociojë paqen e a është falja një akt kolektiv, apo individual si dhe a përfaqësohen zërat e viktimave në këto tryeza, si kategoria e shoqërisë që i vuan më së shumti humbjet dhe pasojat nga luftërat.

Prezantimi në Zagreb i shfaqjes “Të negocosh paqen” vjen pas prezantimeve nëpër festivale e teatro të ndryshme evropiane në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Gjermani, Çeki dhe i paraprin prezantimeve të mëvonshme të shfaqjes në Itali e në Mal të Zi në festivalin Mittelfest, përkatësisht festivalin FIAT. 

Negotiating Peace e Qendrës Multimedia, e cila u dha premierë më 16 tetor në Teatrin ODA, zgjoi interesim të jashtëzakonshëm të kritikës ndërkombëtare. Media si The Guardian e Britanisë, Politis e Francës e Taggespiegel e Gjermanisë e vlerësuan atë për relevancën shoqërore e qasjen e veçantë ndaj një çështje politikisht të komplikuar. Në kritikën e tij për The Guardian, Philip Oltermann shkroi, “Kur udhëheqësit politikë e paraqesin luftën si të vetmen zgjidhje, është detyrë e artistëve t’ua kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pikënisja për një kompani teatrore në Kosovë, “Qendrën Multimedia”, e cila nëpërmjet shfaqjes së re kthehet te lufta e fundit në Evropë para invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe eksploron se si u ndal ajo.

Duke u nisur nga negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, bisedimet politike — ende pa shumë rezultat —  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke e paramenduar si do të duket fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Qendra Multimedia ka bërë bashkë një ansambël pan-evropian për të krijuar NEGOTIATING PEACE. Ky produksion është krijuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

/Express/ KultPlus.com

‘I kam aq vite mbi shpinë sa ta braktis frikën dhe të bëj çka dua dhe çka ndiej’

Poezi nga Jose Saramago

Jam në atë moshën, ku gjërat shihen me qetësi, por duke mos harruar se rritja vazhdon.

Jam në atë moshën, ku ëndrrat përkëdhelen me duar dhe iluzionet bëhen shpresë.

Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është një hov i çmendur dhe plot ankth, që digjet nga dëshira për jetë dhe pasioni i shumëpritur.

Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është si një qoshk qetësie, si një perëndim dielli në plazh.

Sa vjeç jam?

Nuk kam pse t’i tregoj vitet e mia me një numër, pasi dëshirat e përmbushura, lotët e derdhur gjatë udhës teksa shihja iluzionet e mia të humbura, vlejnë më shumë se një numër.

Çfarë rëndësie ka nëse mbush 20 vjeç, 40 vjeç apo 60 vjeç ?!

Rëndësi ka vetëm mosha që ndiej.

I kam aq vite mbi shpinë sa të jetoj i lirë dhe pa frikë.

Ta vazhdoj pa frikë udhën time, sepse kam me vete përvojën dhe forcën e ëndrrave të mia.

Sa vjeç jam unë?

Kujt i bëhet vonë!

I kam aq vite mbi shpinë sa ta braktis frikën dhe të bëj çka dua dhe çka ndiej.

Përktheu: Elona Caslli / KultPlus.com

‘Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve’

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

• Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

• Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

• Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

• Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

• Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

• Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

• Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

• Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

• Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

• Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

• Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

• Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

• Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

• Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

• E ligë është çdo gjë dëfryese.

• Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

• Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

• Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

• Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

• Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

• Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

• Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

• Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

• Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

• Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

• Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

• Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

• Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

• Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

• Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

• Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

• “Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

• Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

• Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

• Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

• Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

• Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.

• Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

• Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

• Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

• Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

• Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

• Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

• Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

• Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

• Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

• Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

• Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

• Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji.

‘Dashunia si rrufe ç’më goditi mu në kokë’

Fitnete Rexha ishte një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase.

Rreth moshës 15 vjeçare këndoi dhe regjistroni këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Ndër këngët më të bukura të kënduara prej Fitnete Rexhës përmendim: ”Te selvitë e Namazgjasë”, ”Qënke veshur me të bardha”, ”Mun aty tek shtatë zymbylat”, ”Dy të bukurat në nji derë” etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.

Sonte, KultPlus ju sjell këngën ”Dashuria si rrufe”, e cila kësaj radhe vjen nën zërin e mahnitshëm të Fitnete Rexhës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Dashunia si rrufe
Ç’më goditi mu në kokë x2

Nuk kam gjuhë që t’ju rrëfej
O ç’më ka gjetur more shokë x2

Ç’më gremisi sevda e shkretë
Pleqënia s’mund ta mbajë x2

Rrojtja ime s’osht ma jetë
Oh natë e ditë me lot po qaj x2

Ku qëlloi kjo ditë e zezë
Me u taku o ne të dy x2

Unë kam ngelun krejt pa shpresë
O s’kam me t’pamun ma me sy x2
. / KultPlus.com

Ditë e mahnitshme

Shkruan: Dritëro Agolli

Ditë e mahnitshme!
Lulet lahen me vesë,
Kuajt hingëllijnë e lopët pëllasin për viçat,
Shtërgu në plepin pa majë rri mes folesë
Dhe trëndafili i bardhë fsheh spicat
Fletëve të dendura nën kurorat me palë,
Ndërsa këndezi mburret, se tej nga plevicat,
Mposhti një natë, megjithse ngadalë.
Ditë e mahnitshme!
Duket sikur kësaj dite, që herët me natë,
Zoti kishte mbaruar të gjitha krijimet
Dhe nisej tani drejt një pushimi të gjatë
Majë Tomorrit diku në burimet,
Ose atje në Kulmak në barakë
Pa gjë në trastë,
Pa skicat, pa zhgarravitjet, pa vizatimet,
Veç me peshqirin e bardhë në qafë.
Ditë e mahnitshme! /KultPlus.com