Besim Zekthi: ‘Shqipja më dha krahë’, intervistë me legjendën e valles popullore

Folku shqiptar dhe etnosi, një ndër traditat më të papërsëritshme në historinë e përfaqësimit të identitetit tonë kombëtar në botë, një nga resurset më të pasura të visarit tonë shpirtëror, nuk mund të kuptohet pa vallën popullore dhe vetë ajo në gjënezën e saj, deri sot, nuk mund të identifikohet më kurrëçka tjetër, vetëm me “Vallja e shqipes”, apo  “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ndërsa shoqëritë zhvillohen dhe ne përpiqemi të jemi në një hap me ta dhe modernizimin që pa asnjë mëdyshje, ka prekur dhe përfaqësohet dhe nga ndryshimet në art, folku në tërësi dhe vallja popullore në veçanti, dëshmojnë se janë maja të dimensionit tonë artistik dhe shpirtëror.

Dhe vallja popullore në ecurinë e saj, në mëvetësimin e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe ndërimeve, që kanë ndjekur për katër dekada. Ndonëse në kufinjtë e 71 viteve jetë, ai është ende ai burrë shtatlartë, i hijshëm e plot rrezatim jete dhe shprehije emotive. Tek ai arti në tërësi dhe vallja në veçanti, kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Gjithçka tek ai është përplot, megjithëse në rrëfenjën për jetën dhe veprimtarinë e tij në art, nuk ka gjasa të japë dorëheqje. Madje ai nuk nguroi të  nxirrte dhe një sekret profesional. Bëhet fjalë në lidhje me ambicjet e tij artistike, një aktivitet që do të bëjë në vitin 2008, ku kryesisht do të dominojnë krijimtaritë e tija koreografike, natyrisht pa lënë jashtë skenës vallet që bënë epokë, ekzekutimi i të cilave i dha atij nderime dhe vlerësime në të gjithë botën.

Ai nuk hezitoi të na bënte me dije dhe për pagëzimin që i ka vënë paraprakisht këtij promocioni folk, “Shqipja më dha krahë”. Nuk e e fsheh, se kanë qënë “Vallja e shqipes”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, etj, të cilat e kanë bërë atë kaq të famshëm, kaq popullor dhe identitetin tonë kulturor një trofe në skenat prestigjozë të folkut. Ndjenjat e kombit tonë janë jashtëzakonisht të prekshme. Për shembull, vallja “Kreshnikët e lirisë”, siç i thotë populli “Vallja e shqipeve”, që është e filmuar në Krujë, këto karaktere vallesh, qofshin këto të Jugut, Shqipërisë së Mesme, apo Veriut kanë domethënien e tyre, kanë fjalën e tyre, kanë shprehinë e tyre. Me të vërtetë është pa gojë, por shpirti, interpretimi, sytë komunikojnë aq bukur me popullin saqë duket sikur çdo gjë cicëron, çdo gjë flet, kështu janë vallet dhe ai interpretim që i kemi bërë ne kësaj kulture kombëtare. Kam bindjen se uji do të shkojë në rrjedhën e vetë, atje ku duhet të shkojë. Çdo gjë mund të harrohet, kultura e kombit nuk mund të harrohet. Nuk mund të ketë komb pa një kulturë të traditës, të lashtësisë, të jetës, aty ku ka lindur ai komb dhe aty ku ka pasqyruar jetën, historinë, punën, vajin, gëzimin, vallen, këngën, instrumentin, kostumin popullor, të gjitha këto janë shkrirë në historinë e kombit tonë. Janë monumentet e kulturës, ajo s’diskutohet, por monumente më të gjalla se sa mund të jenë vallet dhe këngët e historisë së kombit tonë nuk ka.

Ku dhe si janë të vendosura zanafilat e para të ngjizjes suaj për nga ai talent i padiskutueshëm dhe ajo famë që mban të mbështjellë si në një brerorë shëndritëse Besim Zekthin?

Fillimet e mija janë të vendosura në fëmijërinë time, në lëvizjet e atëhershme, në aksivitetet e shtëpive të pionierit, siç quheshin asokohe. Më 1952 prezantohem në Filarmoninë e Shtetit, ku bënin pjesë pothuaj të gjithë hallkat e veprimtarisë kulturore artistike të kohës. Të gjithë jepnin shfaqje në Teatrin Popullor, ku drejtor ishte Kol Jakova. Më 1957 u ndje nevoja e ndarjes së institucioneve, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar. Po në këtë vit u krijua Ansambli ii Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja.

Çfarë do ta konsideronit si të rëndësishme, për atë periudhë, ndërsa domosdo duhej që duke ruajtur dhe pasuruar traditën, të mbartte me vete kjo dhe profesionalizmin?

Prezenca e disa profesorëve rus ka qenë shumë e frutshme dhe ndikoi në rritjen profesionale dhe forcimin e tabanit popullor. Mund të nominoj për kontributin e dhënë, profesor Georgi Perkun, Boris Ramazin. Kjo ndihmesë e profesorëve rusë, në bashkëpunim me koreografin Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, kanë ndikuar në zhvillimin, jo vetëm profesional por dhe shpirtëror të valles popullore shqiptare. Atë kohë u krijuan disa punë më vlerë dhe që do të mbetnin të pavdekshme në memorien artiskike të shqiptarëve, si “Vallja e shqipeve”, “Komitët e lirisë”, të Engjëll Tërshanës.

Tashmë ju do të hidhni hapin më të rëndësishëm të personalitetit tuaj artistik dhe konkretisht ju do të kishit dhe punët tuaja në vallen popullore shqiptare?

Po. Krijimtaria ime, e cila është produkt i një eksperience të çmuar dhe të vlerësuar. Do të ishin “Motivet e Librazhdit”. Në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mora përsipër një përgjegjësi të guximshme, të përpunoj vallën kosovare. Përpunimi im koreografik do të mbante vulën në vallen “Dasma e Rugovës”, e cila i kushtohej kryengritjes së famshme të Rugovës.

Kontributi në vallen shqiptare dhe vlerësimi, natyrisht që nuk ka munguar edhe në skenat botërore. Madje në kujtesën e viteve ngelet e pashlyer triumfi i traditës artistike të tabanit popullor shqiptar në këto skena. Çfarë do të risillnit në retrospektivë?

Krahas një trajtimi profesional dhe një vlerësimi që i bëhej kulturës popullore në përgjithësi dhe valles popullore në veçanti, natyrshëm që frytet e punës, përpjekjeve dhe triumfit të shpirtit artistik do ti vilnim kudo ku Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore do të ngjitej në skenë. Por kulmin përfaqësimi kulturës tradicionale shqiptare e pati në Dizhin të Francës, në vitin 1970, ku u vlerësuam me Gjerdanin e Artë. Ai ishte arritja më e madhe e asaj kohe për artin dhe kulturën shqiptare në skenat prestigjoze botërore. Të mos harrojmë se ishim në Francë, në vendin e kulturës, sikurëse nuk duhet mënjanuar dhe sfidat e përfaqësuesve të vendeve të tjera që morën pjesë në këtë aktivitet.

Në këtë larushi aktivitetesh dhe pjesëmarrjesh, a do të kishit ndonjë eksperiencë, e cila ka lënë gjurmë në përvojën tuaj si e mrekullueshme dhe e paharrueshme?

Ishte viti 1971, pra një vit pas famës së Dizhonit, në Ohër të Maqedonisë. Atë vit organizohej Festivali i Ohrit. Ishte kontakti i parë i kulturës shqiptare me atë të trojeve etnike. Në Ohër deri në atë vit nuk mbahej mend një pjesëmarrje dhe një popullaritet kaq i madh. Ishin aty që nga Shkupi, Kërçova, Dibra e Madhe, Struga, Manastiri, etj. Kudo përballeshe me bashkëatdhetarë, me mallin që shpërthente me lotë dhe dashurinë që nuk mund të ndeshej askund tjetër me aq zjarr. Përfaqësues të kulturave dhe traditave të gadishullit ballkanik vlerësuan maksimalisht performancën dhe përmbajtjen, shpirtin dhe sharmin e artit shqiptar. Ata pranuan hapur dhe publikisht, se kultura dhe tradita artistike e popullit shqiptar është maja e kulturës së Ballkanit.

Megjithëse vend i izoluar, kultura ka mundur t’i thyej hekurat e rrethimit të diktaturës dhe të përfaqësojë shpirtin dhe temperamentin e këtij populli nëpër botë. Madje Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore ka një hartë të pasur të gjeografisë artistike, a mund të na rifreskoni kujtesën?

Nga Azia në Afrikë e në Evropë. Në Egjyptin e lashtë të piramidave deri në Kartagjenë, Algjeri  e Marok, nga Kina në Kore, Vietnam e Kamboxhia, Francë e Itali, Danimarkë e Norvegji, Suedi e Finlandë. Është vërtetë një larmi shtetesh dhe skenash ku trupa jonë është ngjitur me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe, nderime dhe vlerësime maksimale. Kudo kemi shkuar dhe kudo kemi marrë vlerësime dhe ovacione të publikut, i cili e ka mirëpritur dhe ka dashuruar menjëherë kulturën popullore shqiptare. Flamuri ynë është valëvitur në sa e sa skena dhe kudo është nderuar.

“Festë të madhe ka sot Shqipëria” është një nga vallet më të spikatura dhe që ka patur një jehonë dhe që të godet emocionalisht edhe sot për sfondin e saj kombëtar, virtuozitetin e vënies në skenë, natyrisht që ka zanafillën e saj?

Me rastin e 50-vjetorit të Festës së Flamurit në Vlorë, isha i ftuar, sigurisht për të kërcyer. Në një program qeveritar që do të mbahej atë natë, për nder të festës ndodhej një grup kosovarësh që rrinin në Rrushbull. Ata kanë pasur një rapsod, të quajtur Dervish Shaqja, një rapsod që rrallë e sjellë historia e tokës si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Atëherë, për të përshëndetur nga ana e Kosovës këtë natë feste të 50-vjetorit të Flamurit ishte zgjedhur grupi i Dervish Shaqes. Dhe si fillonte kënga e Dervishit? “Festë të madhe ka sot Shqipëria, këngë e valle për jetën e re, brohorasin të gjithë nga zemra, rrofsh sa malet, o jubile”. Kjo këngë pas një viti, u bë himni i valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Këtu filloi embrioni i kësaj valleje, nga kënga madhështore e jubileut të flamurit dhe që u bë simbol i kulturës kombëtare shqiptare në gjithë botën, deri në Gjerdanin e Artë në Francë. Me krijimtarinë e kësaj valleje u mor profesori im, “Artisti i Popullit”, Panajot Kanaçi. Sigurisht në bashkëpunim edhe me valltarin, se e do një bazament njeriu se ku duhet të mbështetet, e unë shumë herë isha inspirues i krijimit për profesor Panajotin, ai gjente tek unë figurën, jo vetëm artistike, por gjente figurën shpirtërore të valles shqiptare.

Natyrisht që edhe sot vallja luhet dhe spikasin penetrime të përvojave të huaja, madje edhe kur lëvrohet tabani kumtohet një vullnet dhe emocion që përçohet tek spektatori, ju çfarë mendoni për sot?

Natyrisht që interpretimi ka nevojë për shumë punë. Shumë, ose pothuaj të gjithë kanë kaluar përvojën arsimorë për profesionin, por mund të mbarosh disa shkolla dhe nuk arrin atë që spektatori është i gatshëm ta marrë. mish populli në interpretimin e tij. Unë gjithë jetën time rëndësinë më të madhe ia kam vënë interpretimit, çfarë ka dashur shpirti i popullit me thënë me atë. Në qoftë se nuk ke arritur ta zbërthesh shpirtërisht, nuk ke bërë asgjë, je një kukull, nuk ke asnjë vlerë, prandaj fatkeqësia është se në këto raste mjeshtrit e mëdhenj duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë me këta elementë të rinj që janë mësuar të kërcejnë gjoja në mënyrë moderne, do të thosha, është pseudomoderne, nuk është absolutisht moderne, moderne është ajo që është antike, janë monumentet e kulturës, janë piramidat e Egjiptit. Kanë nevojë për një punë shumë të imët, shumë profesionale, në mënyrë që të mos e zhveshin vallen nga shpirti i popullit. Unë e kam mishnu popullin tim shpirtërisht. Në radhë të parë i kam dhënë shpirtin, pastaj i kam dhënë krahët.

Kush ka qenë  kërcimi i fundit i juaji në një skenë prestigjozë dhe a mendosi se ai do të jetë i fundit?

Kërcimi i fundit ka qenë në Festivalin e fundit Folklorik të Gjirokastrës. Natyrisht që sot 71 vite nuk janë pak dhe e lehtë për t’u sfiduar, por mendoj se shpirti dhe dashuria që më ka ngjizur në shpirtë vallja popullore shqiptare nuk do të më lënë të kërcej asnjëherë kërcimin e fundit.

Çfarë do të mendonte Besim Zekthi për prurjet e fundit muzikore në përgjithësi dhe atë koreografike në veçanti. A mendoni se ndikimet e kulturave të huaja do të kërcënojnë traditën e këngës dhe vallës popullore shqiptare?

Montalisht edhe mund të flasësh për një kërcënim të mundshëm, por unë nuk do ta shikoja këtë si një rrezik për traditën e shkëlqyer të kulturës popullore shqiptare. Gjithë këto prurje i konsideroj si një ndikim kalimtar në kulturën tonë. Ata nuk mund të ndikojnë në ndryshimin apo tjetërsimin e tabanit të kulturës popullore dhe shpirtin e folkut.

Kush janë planet e afërta artistike për mjeshtrin Besim Zekthi?

Më 2008 do të jem me një krijim timin koreografik të titulluar “Shqipja më dha krahë”. Po punoj për këtë projekt. Mendoj se kjo do ti shërbejë një rigjallërim të emocioneve dhe shpirtit shqiptar. Vallet shqiptare janë të mrekullueshme.

01.12.2007

Intervistoi dhe përgaditi Albert Vataj (01.12.2007)/ KultPlus.com

Sot, ditëlindja e albanologut të jashtëzakonshëm Robert Elsie

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Europë me një bursë studimesh.

Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.

Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur.

Qysh nga vitet ’90 deri ne fillim të shekullit XXI ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës, etj. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.

Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991.

Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.

Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; autor i shumë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.

Albanologu Robert Elsie u nda nga jeta më 2 tetor të vitit 2017 pas një sëmundje të rrallë të neuroneve motorike./ KultPlus.com

Biden pranon se nuk kishte paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin: Nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur

Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të tij, nxitën shqetësime edhe në mesin e anëtarëve të partisë së tij se 81-vjeçari nuk është i gatshëm të udhëheqë vendin edhe për katër vjet të tjera. Pas debatit u krijua një moment krizë në fushatën e Bidenit dhe në presidencën e tij, teksa anëtarët e Partisë Demokratike filluan të mendonin për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm për të, përderisa donatorët dhe mbështetësit e tij po ashtu shprehën shqetësim lidhur me përballjen e tij karshi Trumpit.

Biden duket se pranoi kritikat gjatë një tubimi të premten në Karolinën e Veriut, duke thënë “unë nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur”.

Por, ai shtoi se “e di këtë punë. Dhe e di se si bëhen gjërat”.

Gjatë një fjalimi 18 minutës, Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen dhe ndëshkimin”.

“Zgjedhje në këto votime është e thjesht. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj”, tha ai.

Biden, duke aluduar në kandidaturën e tij, tha se “kur të rrëzojnë, t’i ngrihesh”.

Zonja e Parë, Jill Biden, gjatë një ngjarjeje të premten mbrëma në Qytetin e Nju Jorkut, tha se burri i saj i tha pas debatit: “Nuk di çfarë ndodhi. Nuk u ndjeva mirë”.

Edhe para debatit, mosha e Bidenit ka qenë shqetësim për votuesit dhe debati i së enjtes mbrëma duket se përforcoi këto shqetësime të votuesve disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Fushata e Bidenit po ashtu ka tentuar që të ulë shqetësimet, teksa ligjvënësit demokratë e kanë pranuar se presidenti pati paraqitje të dobët në debat, por tentuan të ndalnin diskutimet për zëvendësimin e tij si kandidat për president.

“Presidenti nuk pati një natë të mirë, por as Donald Trumpi me gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme dhe me vizionin e errët të tij për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper për Associated Press.

“Nuk mund ta kthejmë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ai është kërcënim ekzistencial për kombin tonë”, tha ai.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, mbështeti ish-nënpresidentin e tij, duke postuar në X – që më herët njihej si Twitter – se “paraqitje të këqija gjatë debateve ndodhin ”.

Duke aluduar në paraqitjen e tij të dobët në debatin e tij gjatë fushatës për rizgjedhje më 2012, Obama tha se “më besoni, e di. Por, këto zgjedhje ende janë një zgjedhje mes dikujt që ka luftuar për njerëzit e zakonshëm gjatë gjithë jetës së tij dhe dikujt që vetëm ia ndien për veten”.

Ndërkaq, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve u përgjigj me “jo”, kur u pyet nëse Bideni duhet të tërhiqet nga gara.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tentoi të bindte mbështetësit e Bidenit duke thënë se “kjo garë nuk do të vendoset nga një natë qershori”.

“Kjo garë do të vendoset nga ju. Na ne. Kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm do të përcaktohet nga ajo se çfarë ne së bashku do të bëjmë në 130 ditët e ardhshme”, tha ajo gjatë një tubimi në Las Vegas.

Drejtori për media i fushatës së Bidenit, Michael Tyler, tha se nuk ka pasur “asnjë” bisedë të brendshme që Biden të tërhiqet nga gara, por ai e pranoi se Bideni pati “një natë të keqe” gjatë debatit.

Sipas sondazhit të CNN dhe Ipsos, që u realizua pak pas debatit, shumica e shikuesve të debatit shprehën mendimin se Trumpi kishte paraqitje më të mirë sesa Bideni.

Sipas rregullave aktuale të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, që Biden të zëvendësohet si kandidat zyrtar i partisë pa dëshirën e tij ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë që të ndryshojnë rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht./REL/ KultPlus.com

132 vjet nga vdekja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasës

Sot, përkujtojmë 132 vjetorin e vdekjes së veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit, Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892).

Pashko Vasa lindi në Shkodër aty ku edhe kreu mësimet e para dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane.

Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”.

Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti njofton mërgimtarët se nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit – Kosova ju pret me krahë t’hapur

Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në Facebook, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.

“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.

Kërcënohet një nga organizatoret e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’

Një nga organizatoret e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Sofija Todoroviq, është kërcënuar përmes një letre që i është dërguar në adresë të saj, një ditë pasi autoritetet shtetërore serbe ndaluan mbajtjen e këtij festivali në Beograd.

Letra kërcënuese u shoqërua edhe me një kuti, brenda së cilës ishte vendosur koka e prerë e një derri.

Në letër thuhej se “situata në botë po ndryshon dhe kohë të tjera po vijnë”.

Letra kërcënuese u nënshkrua nga “Patrulla Popullore”. Kjo është një organizatë e paregjistruar ultra-djathtiste, e njohur për veprimet e saj kundër migrantëve dhe lidhjeve ideologjike që ka me grupet nga Federata Ruse.

Fillimisht, Todoroviq shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se një person e thirri në telefon dhe iu prezantua si korrier dhe solli paketën me letrën.

Ajo më pas thirri policinë, e cila e hapi kutinë.

“Kjo është fundërrinë njerëzore dhe shteti qëndron pas tyre. Mos harroni, kështu e mbrojnë Kosovën”, shkroi ajo në një postim tjetër.

“Patrulla Popullore” që mori përsipër mesazhin kërcënues është një organizatë që u bë e njohur për publikun në Serbi më 2020, kur përmes një videoje u shfaqën 20 burra të rinj të veshur me të zeza, duke penguar migrantët dhe refugjatët në një qendër në Beograd. Në mesin e tyre ishte edhe Damjan Knezheviq, i cili thotë se është lideri i organizatës.

Ky grup po ashtu njihet për mesazhet kundër komunitetit LGBT, por edhe për përhapje të urrejtjes mbi baza kombëtare, racore dhe fetare.

Ndryshe, festivali “Mirëdita, dobar dan” organizohet që nga vitit 2014 nga organizata joqeveritare nga Kosova dhe Serbia.

Qëllimi i festivalit është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë.

Vazhdimisht kjo ngjarje, që mbahet herë në Kosovë, e herë në Serbi, është përballur me protesta në Beograd.

Më 27 qershor, në vendin ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit, grupet e ekstremit të djathtë dhe tifozët bllokuan hyrjen për organizatorët dhe të ftuarit e festivalit. Pak më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë urdhëroi ndalimin e mbajtjes së festivalit, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Por, organizatorët thanë se me këtë ndalesë, shteti u rreshtua me huliganët, teksa ndalimi i festivalit u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian dhe zyrtarët në Kosovë.

Gjatë kohës kur djathtistët po protestonin, disa nga organizatorët, që mbetën të bllokuar në zonën ku do të duhej të mbahej festivali – e që u larguan vetëm në orët e vona të 27 qershorit pasi u shpërndan protestuesit – thanë për Radion Evropa e Lirë se aty kishte vetëm katër apo pesë pjesëtarë të policisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar më 28 qershor se autoritetet shtetërore e kanë prë detyrë që të ofrojnë kushte të sigurta për pjesëmarrësit në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka mbrojtur vendimin për ndalimin e festivalit dhe madje ka thënë se nuk “ka arsye” që të ketë një festival të tillë në Serbi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”.

MKRS del me sqarim për objektin e Xhafer Devës: Punimet po zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pas disa diskutimeve publike lidhur me punimet restauruese të cilat po realizohen në “Ish-Ambullantën e vjetër – Shtëpinë e Xhafer Devës”, ka dalur me një sqarim publik për punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore, i cili bën pjesë në listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.

Një fotografi e cila paraqet anën e pasme të objektit, ende pa përfunduar procesi i restaurimit, duke e krahasuar me gjendjen paraprake të këtij munumenti, këto ditë ka bërë bujë. Ky krahasim i pamjes aktuale të fasadës me pamjen e dikurshme të objektit me tulla është cilësuar si tjetërsim nga pamja origjinale e këtij monumenti të arkitekturës, të ndërtuar gjatë viteve 1930.

“Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e MKRS.

MKRS gjithashtu ka bërë të ditur se përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të MKRS në facebook:

“Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së ndërtuar gjatë viteve 1930. Nga zjarrvënia e parë në vitin 2015, e dyta në vitin 2018, ky monument është lënë në gjendje shumë të keqe fizike, në mëshirë të kohës.

Ministria e Kulturës ka përfshirë këtë monument në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim, restaurimin e ndërtesës dhe rifunksionalizimin e saj në shërbim publik për komunitetin.

Projekti i restaurimit të ndërtesës është hartuar nga ekipi i profesionistëve të organizatës jo-qeveritare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe është pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (Nr. 41/2021, data 07.10.2021)

Projekti i restaurimit është hartuar në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, ku krahas rehabilitimit të strukturës së ndërtesës, është marrë parasysh trajtimi i vlerave estetike, me qëllim të rikthimit të pamjes fillestare të saj. Hartimi i projektit gjithashtu ka marrë parasysh transformimet e shumta që janë bërë në ndërtesë gjatë kohës, sikurse hapja dhe mbyllja e dritareve, të cilat nuk kanë ekzistuar në gjendjen fillestare të ndërtesës.

Bazuar në shtresat e ngjyrave në përdhesë, në fotografitë e vjetra të ndërtesës, dhe në analogjinë me ndërtesa të stilit të ngjashëm të ndërtuar gjatë periudhës së njëjtë në Kosovë, kjo ndërtesë është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur, të mbuluar me suva, si material që mbron strukturën e murit të ndërtuar me tulla.

Gjendja e ndërtesës para fillimit të restaurimit, ka qenë si rezultat i zjarreve të shkaktuara, dhe i ndërhyrjeve restauruese të filluara në vitin 2018, e të papërfunduara, ku janë shfaqur muret e zhveshur nga suvaja, të ekspozuar ndaj ndikimeve atmosferike.

Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500,000 euro për restaurim të plotë të monumentit. Ndërhyrjet restauruese po zhvillohen nga kompania e licencuar për fushën e trashëgimisë kulturore, në përputhje me rregullativën ligjore, duke siguruar kështu që punimet të zhvillohen nga mjeshtër e profesionistë të licencuar, nën mbikëqyrjen e stafit profesional të institucioneve tona.

Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre./ KultPlus.com

‘Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë, detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë’

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Këpucët blu prej kamoshi të Elvis Presley shiten për 120 000 paund

Një palë këpucë blu prej kamoshi të veshura nga Elvis Presley gjatë karrierës së tij do të shiten në ankand 120 000 paund (151 713 dollarë).

Ylli, i njohur si mbreti i rock and roll-it, i veshi këpucët në dhe jashtë skenës gjatë viteve 1950, duke përfshirë edhe në shfaqjen televizive të Steve Allen, ku këndoi “Hound Dog”.

Presley ia dha këpucët e tij (numër 41) një shoku pasi u thirr për t’u bashkuar me ushtrinë amerikane.

Ai ishte Alan Fortas, menaxheri dhe miku i Elvisit.

Këngëtari i kishte marrë ato nga Carl Perkins – pasi performoi “Blue Suede Shoes” në albumin e tij debutues, “Elvis Presley”.

Këpucët u vlerësuan nga 100 000 deri në 120 000 paund kur u ekspozuan në ankandin “Henry Aldridge & Son” në Wiltshire.

Ata u vlerësuan fillimisht me 95 000 paund, duke e çuar totalin në 120 000 paund duke përfshirë premiumin e blerësit dhe TVSH-ja.

Këpucët janë ekspozuar në muze të ndryshëm në vitet e kaluara.

Drejtuesi i ankandit Andrew Aldridge tha se këpucët ishin verifikuar nga Jimmy Velvet, një mik i ngushtë i Presley dhe një autoritet kryesor i këngëtarit.

Vitin e kaluar, shtëpia e ankandit i shiti një pallto në pronësi të këngëtarit për 128 000 paund një koleksionisti amerikan./KultPlus.com

‘Nji za dashnije’ në Prishtinë, Adelina Thaçi përcjell nostalgji e potencial në shënimin e 25-vjetorit të karrierës

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, Prishtina jehoi me tingujt e veçantë të këngës së Adelina Thaçit në koncertin recital ‘Nji za dashnije’, që erdhi si shënim i 25-vjetorit të karrierës së saj në muzikë dhe në 25-vjetorin e çlirimin e Kosovës, një koncert ky që mbushi përjetimet e publikut me emocione të mëdha dhe ndjenja nostalgjie, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me këngën ikonike “Shko”, e cila që në tingujt e parë, zgjoi vëmendjen e publikut të cilët kënduan njëzëri me këngëtaret. Nën përcjelljen e filharmonisë së Kosovës me dirigjent Edon Ramadani, Adelina Thaçi dëshmoi edhe njëherë potencialin e rrallë dhe repertorin e pasur që posedon.

Vazhdimi i koncertit solli këngën “Tanë moj Tanë”, e pas saj këngën dedikim për babain e saj, një përjetim i rrallë që solli lot e ndjenjë dashurie në të njëjtën kohë.

Më pas, Adelina Thaçi ftoi në skenë kengetarin Denik Prizrenin për të interpretuar “Kontrast”, një tjetër këngë ikonike e saj. Ky bashkëpunim në skenë mes tyre solli energji dhe emocion, e duke ftuar publikun në një ritëm të nostalgjisë e argëtimit.

Denik Prizreni vazhdoi me interpretimin e tij të fuqishëm në këngën “Ne Shkoder te Vish”, duke shtuar një tjetër dimension në atmosferën e koncertit.

Në vazhdim, emocionet u rritën kur Adelina Thaçi ftoi në skenë Gjon’s Tears, një nga kengetarët shqiptarë më të njohur në skenën ndërkombëtare.

Adelina Thaçi më pas e la skenën vetëm për Gjon’s Tears, i cili çoi koncertin në një tjetër dimension teksa interpretoi këngën ‘Tout l’univers’, këngë me të cilën ai përfaqësoi Zvicrën në Eurovision.

Pas këtij emocioni të paharruar, Adelina Thaçi vazhdoi me performancën e këngëve të tjera të njohura si “S’dua të lë gjurmë” dhe “Comsi Comsa”, duke e mbushur skenën me një energji dhe një shfaqje të vërtetë artistike.

E pak para përfundimit, në skenë u ftuan ansambli ‘Zanat’ të cilat interpretuan këngën shumë të dashur për publikun ‘Të fala nga Prishtina’, këngë kjo që plotësoi mozaikun e këngëve të mirëfillta që u sollën para publikut mbrëmë.

Magjia e mbrëmjes u plotësua kur Adelina Thaçi e mbylli koncertin me këngën e saj shumë të dashur “Sonte”, duke lënë një ndjesi të paharruar tek të pranishmit

.Pas emocioneve të mëdha që dhuroi, Adelina Thaçi pas koncertit u shpreh se pavarësisht dilemave që kishte, ky concert shkoi ashtu siç ajo e kishte planifikuar.

“Kur një artist ka pauza, sido që të shkojë koncerti edhe po të jesh një artist profesionist, ekzistojnë ato dilemat se si do të shkojë koncerti, mirëpo duke e parë nderimin që ma ka bërë publiku, kam qenë sigurt se ata do të jenë këtu me mu dhe do të festojnë këto 25 vite të karrierës sime dhe unë sot vërtet ndihem aq e lumtur dhe e përmbushur sa zemra don të me dalë nga vendi. Jam kënaqur sot duke i parë fytyrat e publikut dhe kjo më ka bërë të jem në top formë dhe ka qenë një natë e pa harrueshme”, u shpreh Thaçi për KultPlus.

Ajo më tutje foli edhe për këngën dedikuar babait të saj, duke u shprehur se pavarësisht emocioneve, në këtë mbrëmje mblodhi forcat që fjalët e kësaj kënge të shkojnë në vend.

“Prej momentit kur ka fillu me u punu kanga, por edhe kur e kam inçizuar, kam pasë shumë probleme se gjithmonë filloja të qaj, e kisha shum të vështirë të filloja të këndoj, mirëpo sot i kam mbledhur forcat dhe të këndoj ashtu që fjalët të shkojnë në vend sepse eshte pikerisht babi im, i cili ka qene një shtylle e fortë edhe nji mburojë për mua, qe unë sot këtu e gezoj këtë skenë”, u shpreh Thaçi duke shtuar se pavarësisht pse ai nuk ishte present, beson se e ka dëgjuar dhe shijuar koncertin nga qielli.

Pas koncertit, për KultPlus foli edhe artisti Gjon’s Tears i cili shprehet i lumtur qe pranoi ftesën dhe ndau të njëjtën skenë me Adelina Thaçin.

“Për mua ishte kënaqësi të jem në një skenë me Adelina Thaçin, sepse unë jam rrit me humorin e babait të saj. Adelinën e kam zbuluar më vonë dhe gjithmonë më ka pëlqyer, ka një repertor gjigant me shumë këngë, njëfarë mënyre është edhe e popullit, ka një klas, më pëlqen shumë prandaj edhe e pranova ftesën”, tha Gjon’s Tears për KultPlus.

“Ishte një kënaqësi e madhe me ardhë prapë me performu para publikut shqiptar, sepse e di qe e ka një zemër të madhe dhe duartrokitjet i pranova me një zemër të madhe po ashtu”, u shpreh Gjon’s Tears i cili në vazhdim falënderoi mediumin e KultPlus qe e mbështet dhe beson në punën e tij. 

Ju kujtojmë se ky koncert i dedikohet gjithë punës së Adelina Thaçit, karrierës, dashamirësve të këngës së saj, dhe e fundit, ky koncert erdhi edhe dedikim për 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës./KultPlus.com

Dhe dashuria shpërtheu në këngë…

Poezi e shkruar nga Else Lasker-Schüler.

Mbrëmja puthte mistershëm
Landrën që çelej.
Ne luanim e ndërtonim tempujt Apollo
Dhe kalamendeshim të mallëngjyer
Mes njëri-tjetrit.
Dhe qielli i natës përhapte aromën e tij të zezë
Në valët e gufuara të ajrit të qullur.
Dhe shekujt gremiseshin
Dhe rrafshoheshin
Dhe rreshtoheshin serish madhërisht
Drejt intrigash vezulluese.
Ne luanim me fatin gazplotë,

Me frytet e parajsës së majit,
Dhe në arin e egërsuar të flokëve të tu të kërleshur
Këndova mallin tim të thellë
Britmë,
Ashtu si një zog i zi i pyjeve të errët.
Dhe qiej të rinj ranë përposh
Të papritura, aroma të ëmbla të egra;
Ne shqyem mbulojat
Dhe bërtitëm!
Të dalldisur nga mushti i erërave.
Unë lidhesha me jetën tënde,
Gjersa ajo zhbëhej e tëra,
Dhe pastaj sërish merrte trajtë
Dhe sërish zhbëhej pastaj.
Dhe dashuria shpërtheu në këngë,
Në dy simfoni të egra!

Ekspozita “I shtrenjti Pinok”, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit

Në hollin kryesor në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në Tiranë është çelur një ekspozitë e veçantë, kushtuar Pinokut, personazhit kryesor në librin “Aventurat e Pinokut” të shkrimtarit italian Carlo Collodi.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga kjo ekspozitë, teksa ftoi vizitorët të vijnë, siç shkroi Gonxhja, “në Botën Magjike të Pinokut”.

““I shtrenjti Pinok”, ekspozita më interesante që ju kanë zënë sytë, kuruar nga Giulio Iacchetti, mirëpret të gjithë vogëlushët të takojnë kukullën e famshme që vjen në jetë dhe përjeton aventura të pabesueshme”, u shpreh Gonxhja.

“Bashkohuni me ne për një udhëtim të mbushur me fantazi dhe aventura magjike. Ju mirëpresim çdo ditë”, tha minsitri.

Ekpozita “I shtrenjti Pinok”, në TKOB, mundësohet nga Muzeu i Dizajnit ADI, i cili prezanton një përzgjedhje projektesh, kushtuar ikonës që frymëzoi breza krijuesish dhe mendimtarësh.

Giulio Iachetti, kuratori i kësaj ekspozite shprehet se bëhet fjalë për 62 projekte të reja nga 31 dizajner dhe 31 grafistë, të realizuara posaçërisht për ekspozitën.

Vjosa Osmani në “Global Women Leaders Summit” bashkë me Hillary Clinton dhe Melanne Verveer: Dy ditë me diskutime përmbajtësore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,në rrjete sociale është shprehur se ka kaluar dy ditë të mbushura me diskutime në Itali në “Global Women Leaders Summit”, bashkë me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton dhe ambasadoren Melanne Verveer.

“Dy ditë të mbushura me diskutime përmbajtësore në Itali në “Global Women Leaders Summit”, bashkë me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton, ambasadoren Melanne Verveer, si dhe gra të tjera të jashtëzakonshme nga mbarë bota të cilat janë shembulli më i mirë i lidershipit transformues”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithnjë në krah të aleatëve të saj për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme e më të sigurt për të gjithë./KultPlus.com

Ul siparin Festivali Ndërkombëtar i Kitarës

Festivali Ndërkombëtar i Kitarës, ka mbyllur siparin mbrëmjen e kaluar, pas një muaji me performaca emocionuese nga kitaristë të mirënjohur nga Europa. Një muaj që muzika shëtiti edhe në qytete të tjera, veç Tiranës, por mbi të gjitha ishin vetë artistët ata që sollën shijen muzikore botërore në skenën shqiptare.

Mbrëmja e fundit i takoi kitaristit virtuoz nga Gjermania, Gerhard Reichenbach, i cili erdhi në Shqipëri për herë të parë falë festivalit. Një publik që e priti ngrohtë dhe që nuk kaloi pa u vënë re as nga vetë ai, ishte një nga kënaqësitë që do të marri me vete.

Një rrugë të gjatë, tetëvjeçare ka bërë Festivali Ndërkombëtar i Kitarës, dhe drejtuesi artistik Denis Bizhga, është gati me emra të tjerë të mëdhenj pjesëmarrës për edicionin e 9të.

Veç emocioneve, muzikanti gjerman mori mbrëmë një dhuratë simbol që i është dhënë të gjithë pjesëmarrësve, “Sahatin e Tiranës”. Veç promovimit të muzikës së mirë, dhe trashëgimisë kulturore që u realizua edhe këtë vit, ky festival ka patur në vëmendje edhe aspektin edukues për muzikantët e rinj, që me 1 Korrik do të kenë mundësinë të shfaqin atë çfarë kanë mundur të mësojnë deri më tani./tvklan/KultPlus.com

Nicholas Abbott emërohet ambasador i Britanisë së Madhe në Shqipëri

Nicholas Abbott është emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë. Ambasadori Abbot do të marri detyrën në muajin shtator, pas përfundimit të mandatit të ambasadorit aktual Alastair King-Smith.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Britanike në Shqipëri përmes një postimi në rrjete sociale. Ambasada Britanike sqaron se Abbott ka punuar në Evropë dhe Lindjen e Mesme dhe se ai ka një përvojë të jashtëzakonshme edhe si ambasadori i Madhërisë tij në Kosovë.

Nick Abbott është emëruar Ambasador i Madhërisë së Tij në Shqipëri. Të gjithë ne në ambasadë mezi presin ta përshëndesin në shtator 2024. Ai ka punuar në Evropë dhe Lindjen e Mesme dhe sjell një përvojë të jashtëzakonshme edhe si Ambasadori i Madhërisë tij në Kosovë”, njofton Ambasada Britanike në Tiranë, teksa ka publikuar dhe historikun e karrierës së diplomatit që pritet të vijë në vjeshtë në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Fyelli

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.
Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!
Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!
Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.
Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!
Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.
Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.
Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.
Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!
I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.
I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.
Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,
Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.
More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë. / KultPlus.com

Mahatma Gandhi: Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen

“E vërteta më ka tërhequr mua brenda fushës së politikës; dhe unë pa hezitimin më të vogël mund të them se ata që thonë se religjioni s’ka të bëjë asgjë me politikën, nuk e din se çka nënkupton religjioni.”

“Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen. Nëse unë besoj se nuk mund të bëjë diçka, kjo më bënë mua të paaftë për ta bërë atë. Por kur unë të besoj se mundem, atëherë unë e fitoj aftësinë për ta bërë atë, madje edhe nëse në fillim nuk e kam pasur këtë aftësi.”

– Mahatma Gandhi, “The Story of My Experiments With Truth”

/KultPlus.com

Letra e Franz Kafkës del në ankand me vlerën fillestare 114,000 dollarë. Ja çfarë shkruhej në të

Një letër nga Franz Kafka që i thoshte një miku se nuk mund të shkruante më është ofruar për shitje në Sotheby’s, 100 vjet pas vdekjes së shkrimtarit të madh, për të paktën 114,000 dollarë.

Kafka, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për veprat “Procesi”, “Metamorfoza”, i shkroi një letër poetit dhe botuesit austriak Albert Ehrenstein, gjoja në përgjigje të një kërkese për kontribuon me tekstet e tij në revistën letrare “Di Gefferten”, shkruan Living.

Në një faqe të asaj letre në gjermanisht, të nënshkruar vetëm “Kafka”, ky shkrimtar gjerman me origjinë hebreje-çeke i lindur në Pragë shprehet se nuk ka shkruar asgjë për tre vjet, shkruan observerkult.

Besohet se Franz Kafka e shkroi atë letër në periudhën midis prillit dhe qershorit 1920, ndërsa ishte duke qëndruar në një sanatorium në qytetin Merano në veri të Italisë, ku po trajtohej për tuberkuloz.

“Kur shqetësimet kanë depërtuar në një shtresë të caktuar të ekzistencës së brendshme, shkrimet dhe ankesat me sa duket pushojnë. Në të vërtetë, rezistenca ime nuk ishte shumë e fortë,” shkruante Kafka në letrën e tij drejtuar Ehrenstein./vizionplus/KultPlus.com

‘Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote’

Kanga e rinisë nga Migjeni

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand` të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q`i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. /KultPlus.com

1 vit nga vdekja e aktores Mary Mara

Aktorja Mary Mara u shfaq në seriale të shumta televizive gjatë karrierës së saj.

Mary Mara, një aktore e njohur për rolet në “ER” dhe “Ray Donavan”, ka vdekur në moshën 61 vjeçare, më 29 qershor 2023, kishte deklaruar menaxheri i saj, Craig Dorfman, në një deklaratë për CNN, transmeton KultPlus.

“Mary ishte një nga aktoret më të bukura që kam takuar ndonjëherë,” tha Dorfman. “Më kujtohet ende që e pashë në skenë në vitin 1992 në ‘Mad Forest’ në Broadway. Ajo ishte elektrike, qesharake dhe një individ i vërtetë. Të gjithë e donin atë. Ajo do na mungojë.”

Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Shtetit të Nju Jorkut, oficerët iu përgjigjën një thirrjeje të dielën rreth orës 8:10 të mëngjesit me orën lokale për një “mbytje të mundshme”. Ambulanca mbërriti në vendngjarje dhe “zbuluan një grua të vdekur në lumin St. Lawrence”, thuhet në njoftim.

Mara kishte një listë të titujve që përfshinin televizionin dhe filmin, duke përfshirë role me shumë episode në shfaqje si “Dexter”, “The Practice” dhe “Star Trek: Enterprise”. Ajo ishte ndoshta më e njohur për rolet e saj në “Nash Bridges”, “ER” dhe “Ray Donovan”.

Meritat e filmit të Marës përfshinin “Mr. Saturday Night” dhe “Love Potion #9”. Projekti i saj i fundit ishte në filmin e vitit 2020, “Break Even”. / KultPlus.com

Anulimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën “grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.

“Fatkeqësisht, Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”, shkroi Kurti në X pak pas mesnatës të enjten.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 27 qershor, pak para hapjes së planifikuar të tij në Beograd.

“Pasi refuzoi përsëri ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, e cila u ndërmjetësua nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja, Serbia e ndaloi të enjten edhe një iniciativë të sponsorizuar nga BE-ja, ‘Mirëdita, dobar dan’”, tha Kurti, i cili i paraqiti të mërkurën në Bruksel tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë sheshin Dorqol, ku mbahet festivali, grupi i protestuesve u dëgjua duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

“Një festival kulturor me një histori njëdekadeshe të festimit të shumëllojshmërisë që bashkon artistët nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, [Aleksandar] Vulin dhe ministri i Brendshëm [Ivica] Daçiq, të cilët e shtrembëruan atë duke e shndërruar në paradë groteske të mesazheve diskriminuese dhe urrejtëse”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të enjten se urdhri për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” u lëshua shkaqe sigurie.

“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.

Prej themelimit të tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.

Disa përfaqësues të autoriteteve serbe kanë bërë thirrje për anulimin e mbajtjes së festivalit gjatë këtij vitit, që është paraparë të mbahet nga 27 deri më 29 qershor.

Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.

“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova./rel/KultPlus.com

Gonxhja: Butrinti, mbi 38 mijë vizitorë në pesë muaj

Nga rrënojat antike deri tek peizazhet natyrore, Butrinti vijon të mbetet destinacioni unik që tërheq vizitorët nga e gjithë bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bën të ditur se “vetëm gjatë pesëmujorit të parë të vitit, Parku i Butrintit mirëpriti 38,285 vizitorë, 79.4% më shumë krahasuar me vitin 2023”.

Sipas tij, rreth 52% e vizitorëve kanë qenë turistë nga vende të ndryshme të botës.

Butrinti është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit.

Butrinti ky thesar i lashtësisë që ruan historinë e qytetërimeve të mëdha ka qenë dëshmitar i shumë epokave nga antikiteti deri në mesjetë. Rrugët e tij antike mbartin gjurmët e Romës, të bizantit, venecianëve dhe ende dëshmojnë për madhështinë e qytetit në kohët e lashta.

Mes rrënojave të lashtësisë muzeu i Butrintit shfaq një kronologji të historisë mijëra vjeçare të qytetit antik. Teatri i Butrintit ka pritur shfaqje dhe rituale të shumta gjatë shekujve dhe është një dëshmi e kulturës dhe artit të lashtësisë. Në zemër të tij ndodhen bazilika dhe nimfeumi që tregojnë ndërthurjen unike të arkitekturës dhe religjionit.Mozaikët e ruajtur me kujdes me figurat e tyre të ndërlikuara me rrëfejnë histori të rralla për jetën dhe traditën e pasur të këtij vendi magjik./atsh/KultPlus.com

Qeveria ndalon TikTokun në institucionet publike

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të TikTokut në të gjitha institucionet publike.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila ishte e 211-ta me radhë, njofton Klankosova.tv.

Aty u tha, se ndalimi i TikTokut është bërë me qëllim të eliminimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i këtij rrjeti social./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadoren Lobbezoo për angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Holandës përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme. Presidentja theksoi se Holanda mbetet aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përkrahjes së Holandës për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, duke u fokusuar në nevojën anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjë që është në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve./KultPlus.com