OJQ ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptian’ kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë

Po kërkohet hapja e një qendre multikulturore në Prishtinës.

Kjo kërkesë vie nga organizata, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

Përmes një adresimi VoRAE kërkon nga pushteti lokal në kryeqytet, për ndarjen e një hapësire për ndërtimin e kësaj qendre.

Sipas kësaj shoqate, krijimi i një qendre kulturore në Prishtinë do të ishte një hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët.

” Një qendër e tillë mund të shërbejë si një platformë për të shfaqur pasurinë kulturore, historinë dhe traditat e këtyre komuniteteve, duke kontribuar në ndryshimin e perceptimeve negative dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kultura dhe mentaliteti i një kombi pasqyrohen në mendimet dhe imagjina e njerëzve të tij. Përmes aktiviteteve kulturore, ekspozitave artistike, pë rformancave muzikore dhe teatrale, një qendër kulturore mund të ndihmojë në ndërtimin e një narrative pozitive për këto komunitete. Kjo jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor, por gjithashtu do të forcojë ndjenjën e identitetit dhe krenarisë mes anëtarëve të komunitetit”, thuhet në kërkesën e VoRAE transmeton Klankosova.tv

Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thekson se kjo qendër do të krijonte hapësira për dialog dhe bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme, duke reduktuar diskriminimin dhe paragjykimet.

“Ajo do të ofronte mundësi për edukim dhe zhvillim personal, duke fuqizuar individët dhe duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Përmes këtij angazhimi, qendra kulturore do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës harmonike ndërmjet të gjithë qytetarëve”, thuhet ndër të tjera.

VoRAE kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë: Hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara

Çka synohet me hapjen e Qendres Multikulturore?

“Qendra Multikulturore – për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë”.

Themelimi i një qendre të përkushtuar kulturore për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe festimit të identitetit të tyre kulturor, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë. Kjo qendër do të ofrojë një sërë programesh që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtyre komuniteteve dhe do të shërbejë si një pikë takimi për të gjithë qytetarët.

Komponentët kryesorë të qendrës:

1. Muzeu i Arteve

– Organizimi i ngjarjeve të rregullta kulturore, festivaleve dhe ekspozitave për të shfaqur traditat, muzikën, vallëzimin, artet dhe folklorin e komuniteteve.

– Bashkëpunimi me artistët e komuniteteve për të organizuar shfaqje dhe ekspozita, si brenda qendrës ashtu edhe në ambiente të jashtme.

– Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit dhe artistëve që të ndërveprojnë me vizitorët dhe të ndajnë historitë dhe përvojat e tyre.

2. Hapësirat Interaktive Mësimore

– Ofrojnë punëtori dhe aktivitete të dizajnuara për të zhytur pjesëmarrësit në kulturën e romëve, të ashkalinjve dhe egjiptianëve.

– Përfshijnë klasa gjuhësore, zanate, punëtori tradicionale të gatimit dhe mundësi për të mësuar instrumente muzikore tradicionale.

3. Ndërgjegjësimi dhe Avokimi

– Angazhimi aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit për historinë dhe kulturën rome dhe sfidat me të cilat përballen këto komunitete.

– Përpjekjet e avokimit që synojnë luftimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianëve.

4. Edukimi dhe Ndërgjegjësimi

– Organizimi i seminareve, leksioneve dhe paneleve diskutimi për publikun e gjerë për t’i edukuar ata rreth historisë, kulturës dhe kontributit të komuniteteve.

– Organizimi i shfaqjeve filmike dhe diskutimeve mbi tema që lidhen me çështjet e komuniteteve, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut.

– Një bibliotekë me libra, materiale audio-vizuale dhe burime mbi historinë dhe kulturën e komuniteteve në dispozicion për qëllime edukative dhe kërkimore.

– Bashkëpunimi me institucionet arsimore për të integruar historinë dhe kulturën e komuniteteve në kurrikulën e tyre.

5. Shkëmbimi Gjuhësor dhe Ndërkulturor

– Ofrojnë kurse gjuhësore për individët romë dhe jo-romë, me fokus në mësimin e gjuhës rome dhe shprehjeve kulturore.

– Lehtësimi i programeve të shkëmbimit ndërkulturor ndërmjet komuniteteve rome dhe jo-rome për të nxitur mirëkuptimin dhe për të kapërcyer boshllëqet.

– Organizimi i programeve shkëmbimi gjuhësor ku individët romë ndajnë gjuhën dhe kulturën e tyre me nxënësit e interesuar.

6. Hulumtimi dhe Dokumentacioni

– Kryerja e kërkimeve mbi historinë, kulturën dhe çështjet bashkëkohore rome dhe publikimi i gjetjeve në revista akademike dhe platforma të tjera.

– Mbledhja dhe ruajtja e historive gojore, fotografive, artefakteve dhe dokumenteve rome për të siguruar që kontributi i romëve në shoqëri të njihet dhe ruhet.

– Bashkëpunimi me studiues, studiues dhe arkivistë për të dokumentuar dhe ndarë informacion të saktë rreth komuniteteve.

7. Partneriteti dhe Bashkëpunimi

– Krijimi i partneriteteve me institucionet kryesore kulturore, shkollat dhe universitetet për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

– Bashkëpunimi me OJQ-të dhe grupet e avokimit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale për të zgjeruar përpjekjet kundër anticiganizmit.

– Angazhimi me politikëbërësit dhe organet qeveritare për të ndikuar në politikat dhe programet që promovojnë përfshirjen sociale dhe luftojnë diskriminimin.

Tony Blair viziton Prishtinën, do i drejtohet popullit të Kosovës nga Kuvendi

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, figura kryesore që solli ndërhyrjen e NATO-s në ndalimin e gjenocidit serb, do të jetë në Kosovë në ditën e paqes e cila më 12 qershor shënon edhe Çlirimin e Kosovës.

Kështu i është konfirmuar Klan Kosovës, kur u pyet nëse në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Blair, do jetë prezent apo do i drejtohet popullit të Kosovës virtualisht.

‘’Do jetë prezent’’, është përgjigjur Ilir Kërçeli, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Zhvillimi vie meqë në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit, si pikë e parë e rendit të ditës është paraparë caktimi i një seance solemne, ku Tony Blair do i adresohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

”I. Caktimi i Seancës solemne për adresimin e ish Kryeministrit të Britanisë së Madhe, SH. T. Z. Tony Blair, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Më datë 23 mars 1999, kryeministri britanik Tony Blair iu drejtua Parlamentit Britanik për politikën e NATO-s ndaj Kosovës me fjalët:

”Çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë. Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Ka raporte që burrat i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”.

Si i pari lider europian, Tony Blair për shqiptarët do mbahet mend gjithmonë si njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit në vitin 1999-të.

“Kala Festival”, në Dhërmi për muzikë e plazh, prej sot e deri më 12 qershor

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau lajmin se u rikthye Kala Festival.

“Bëhuni gati të përjetoni eksperiencën e kuruar me kujdes të një kombinimi ëndërrimtar të festivalit muzikor dhe pushimeve në plazh”, shkroi AKT në rrjetet sociale.

Kala Festival nis sot në bregdetin e Dhërmiut dhe do të vazhdojë deri më 12 qershor, pranë plazheve të virgjëra ku madhështia e maleve shërben si sfond për momente të papërsëritshme.

Ritmi i muzikës së bukur do të mbushë ditët e netët e pjesëmarrësve që vijnë jo vetëm nga qytetet e Shqipërisë por edhe nga vende të ndryshme të botës, për të përjetuar traditën dhe modernitetin që bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të rinjtë që të zbulojnë sekretet e jashtëzakonshme të Dhërmiut pasi Kala Festival nuk është vetëm një festival muzike, por është një festë e kulturës, diversitetit dhe frymës së bashkimit, ngrohtësisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Vjen në shqip për herë të parë romani i Aleksandër Dyma

Romani i parë i shkrimtarit të mirënjohur Aleksandër Dyma, një nga klasikët më të lexuar dhe përkthyer francezë, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përkthyer mjeshtërisht nga Nonda Varfi.

“Polina”, botim i vitit 1838 në Francë, na sjell edhe një herë madhështinë e romaneve klasike, ai lloj romani i papërsëritshëm dhe që ka tërhequr dhe vazhdon e tërheq edhe sot mijëra lexues.

Një përrallë magjepsëse e dashurisë dhe aventurës me intriga dhe sekrete!/tema/KultPlus.com

“Dikotomi”, hapet ekspozita e Ilir Butkës në FAB

Artisti dhe pedagogu i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ilir Butka, hapi ekspozitën e tij vetjake të titulluar “Dikotomi”.

Ekspozita me kurator Petraq Papën, u çel më 3 qershor dhe do të vazhdojë të presë publikun artdashës deri më 8 qershor, në Galerinë FAB.

Vetë artisti e konsideroi këtë si një moment të rëndësishëm, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, që ai e ndan me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit.

Kjo është ekspozita e parë vetjake e Ilir Butkës i cili më herët ka marrë pjesë në mjaft ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

“I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkëputjeje shumëvjeçare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten. I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për ‘’tradhëtinë’’ e pësuar”, është shprehur Ilir Butka.

Artisti thotë se nuk ka narracion në pikturën e tij, por edhe pse mungon figurativja në to, ato gjithsesi mund të konsiderohen si klasike, duke iu referuar teknikës së përdorur në disa prej tyre.

Siç e thotë edhe titulli që mban, ekspozita sjell simbolikisht dualizmin që rrethon piktorin si individ, por edhe vetë pikturën e tij.

“Angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën”, shpjegon Butka./atsh/KultPlus.com

Hapet festivali UNUM, Kumbaro: Tashmë, markë e Shëngjinit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte në Shëngjin ku së bashku me Pjerin Ndreun, kryebashkiakun e Lezhës, hapën festivalin veror UNUM,  që e kthen Lezhën në një “skenë” gjigante festive dhe i jep Shqipërisë një flamur të ri në hartën ndërkombëtare të eventeve verore.

Festivali UNUM do të vazhdojë deri më datën 11 qershor, në plazhin e Ranës së Hedhun. Pikërisht aty UNUM do të mirëpresë mbi 60 pjesë muzikore elektronike nga vendi dhe bota.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të ndiqet ky event për të cilin vjen në ndihmë edhe udhërrëfyesi digjital TEA.

“Muzikë, rërë, pisha, det dhe male ku në një rrotullim 360 gradë ju do të jeni në gjendje të shihni, ndjeni dhe përjetoni të gjitha grimcat e shijes shqiptare në një festival të vetëm”, shkruan AKT.

Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se, tani nuk flitet vetëm për festivalin UNUM por thuhet shpesh “festivali UNUM i Shëngjinit”.

“Ka ardhur momenti kur pas 5 vjetësh, UNUM është i lidhur si një brand me vendin ku ndodh. Prandaj besoj se është një martesë e lumtur mes festivalit dhe Shëngjinit dhe padiskutim që në martesa të lumtura ka njerëz që i japin frymë dhe bëjnë që kjo martesë të jetë jetëgjatë”, u shpreh ministrja gjatë ceremonisë inauguruese.

Sipas saj, UNUM nuk është thjesht festival por si një lloj kampi ku mësohet bashkëjetesa duke respektuar natyrën.

Ministrja ka theksuar rritjen e pjesëmarrësve nga viti ne vit dhe u shpreh se i sheh ata si ambasadorë të cilët i shtohen promovimit të turizmit të Lezhës dhe gjithë Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Fillon “Panairi i Librit, Prishtina 2024”, i ftuar special shkrimtari francez Eric Faye

Me moton “Përgjigjja është libri” erdhi këtë vit edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin i Rinisë.

Ceremonia e hapjes u mbajt sot më 5 qershor në orën 12:00. Në këtë edicion i ftuar special i Panairit ishte shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots.

Duke u shprehur falënderues ndaj shtëpive botuese që kanë sjellur në gjuhën shqipe librat e tij, ‘Buzuku’ dhe ‘Skanderbeg books’, Faye tregoi edhe për lidhjen që ai ka me Kosovën.

“Dua të them që deri tani kam qenë vetëm një herë në Prishtinë, shumë kohë më parë, në vitin 1977 dhe atëherë e shihja botën me sytë e një fëmije, nuk mbaj mend shumë nga ajo periudhë ku bënte vapë e madhe në kryeqytetin tuaj por që nga ajo datë e kam percjellur aktualitetin e Kosovës sepse shumë gjatë e kam ushtruar edhe profesionin e gazetarit. Datat e marsit dhe prillit të viteve 81’ e 99’ për mua janë të shënuara në kujtesën time si një ecje e vështirë dhe e dhimbshme deri në Pavarësi.”

Faye poashtu tregoi që përmes dy shkrimtarëve tanë, Kadare e Qosja ishte njohur më për së afërmi me Kosovën. Duke përmendur këta dy autorë ai potencoi që letërsia ka një rëndësi tejet të madhe në relacionet mes shkrimtarëve dhe lexuesve dhe së falë letërsisë ai sot mund t’i takoj lexuesit e librave të tij në gjuhën shqipe. Shkrimtari francez uroi për fund edhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli falënderoi bashkëpunëtorët, lexuesit, shtëpitë botuese dhe MKRS.

 “Duke vizituar panairin e duke blerë libra ju kontribuoni për një shoqëri më të hapur, më të shëndetshme e më të arrirë”.

Të ftuar për fjalë rasti ishin edhe Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Ne duhet që duke filluar nga klasa e parë e deri tek studimet të lexojmë libra që na ndërtojnë mendimin kritik dhe e zhvillojnë frymëzimin dhe imagjinatën. Panairi i librit është më shumë së sa një vendtakim për shkrimtarët dhe lexuesit, është një simbol i përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri më të hapur, më të ditur dhe më të drejtë”, tha ndër të tjera Halimi.

Në Panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:

– 300-vjetori i lindjes së Jul Varibobës

– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit

– 100-vjetori i lindjes së Jup Kastratit

– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00./express/KultPlus.com

Festa në sheshin “Italia”, gastronomi dhe muzikë italiane

Dita Kombëtare Italiane u festua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, përmes një eventi që e ndezi atmosferën në sheshin “Italia”.

Dy ishin aktivitetet e përgatitura me këtë rast: Pizza Village dhe koncerti i Marsela Çibukajt, imazhi i Javës Kulturore Italiane.

Të pranishmit në Pizza Village përjetuan një udhëtim ndijor që u dha mundësinë të provonin picat e famshme napoletane, si një pjesë e rëndësishme e gastronomisë dhe kulturës italiane.

Ndërsa më pas, nën qiellin me yje të Tiranës, mbrëmja u ndez nga zëri magjepsës i Marsela Çibukaj e cila krijoi një atmosferë të paharrueshme të mbushur me energji dhe gëzim. Zëri i Çibukajt solli melodi që evokojnë thelbin e Italisë dhe kulturës së saj. Të pranishëm në këtë mbrëmje të hapur për të gjithë, ishte edhe presidenti i Republikës,Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, autoritete të tjera vendore, zyrtarë të përfaqësive diplomatike në vend etj.

Dita Kombëtare e Italisë është më 2 qershor, por në kuadër të Javëve Kulturore ajo u festua mbrëmjen e djeshme./atsh/KultPlus.com

Përvjetori i lindjes së poetit spanjoll Federiko Garsia Lorka

Federiko Garsia Lorka lindi më 5 qershor 1898 në Granda dhe vdiq më 19 gusht 1936. Ishte poet, shkrimtar, dramaturg, drejtor teatri, shkruan KultPlus.

Federiko Garsia Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në luftën civile spanjolle ku udhëhoqi forcat anti-fashiste për të penguar forcat fashiste të udhëhequra nga Gjenerali Francisco Franco. Mendohet se Grasia Lorka është vrarë nga forcat ushtarke anti-komuniste në fshatin Alfacar në Granada, edhe sot e kësaj dite shumë gjëra janë të paqarta mbi vdekjen e Grasia Lorkës.

Federiko Garcia Lorca u lind më 5 qershor 1898 në fshatin Fuente Vaqueros të provicës së Granadas babai i tij ishte Federico García Rodríguez ishte pronar toke dhe fermer. Garsia Lorka mësimet e para i mori tek nëna e tij e cila ishte mësuese dhe pianiste e talentuar. Në vitin 1909 kur Garsia Lorka ishte 11 vjeç familja e tij u zhvendos në qytetin Granada në jug-perëndim të Spanjës pastaj Garsia Lorka ndoqi dhe u diplmua në shkollën e mesme dhe ndoqi studimet në Universitetin Sacred Heart ku studioi artin dhe letërsinë ku dhe nxorri veprat e para potike. /KultPlus.com

Ekspozitë në Shkodër: Leon Rey, francezi që nxorri në dritë Apoloninë

Në Muzeun Historik të Shkodrës u hap dje ekspozita fotografike ”Koleksioni Arkeologjik, Leon Rey”.

Ekspozita fotografike e fondit të fotografive të Leon Rey që dokumenton Apoloninë nga viti 1924 deri në 1938 është një mundësi e shkëlqyer për të hulumtuar mbi burime historike, promovuar dhe përshkruar punën dhe kontributin e vyer të Rey në fushën e arkeologjisë shqiptare.

Imazhet e përzgjedhura hedhin dritë mbi procesin e kërkimit arkeologjik, teknikat, regjistrimet e gjetjeve si dhe me historinë dhe kulturën e Apolonisë.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Parkut Arkeologjik Apoloni-Bylis, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Muzeu Historik Shkodër,  në kuadër të kremtimit të 100 vjetorit të punës kërkimore të një arkeologu të shquar burim frymëzimi për arkeologjinë dhe historinë e Shqipërisë.

Leon Rey, arkeologu që nxori në dritë Apoloninë, u lind në 27 gusht të vitit 1877 në Formantier pranë Parisit. U diplomua për arkeologji në universitetin “Kortre”, një nga institucionet më të famshme të arkeologjisë franceze.

Në vitit 1923 Leon Rei së bashku me senatorin francez Justin Gotard, vizitoi vendin tonë duke punuar fillimisht si arkeolog në Dyrrah.

Por pas disa muajsh, nuk dihet për ç’arsye, arkeologu la përgjysmë punën e tij, për t’u zhvendosur përfundimisht në Apoloni.

Dikur qyteti antik i Apolonis ngacmonte vetem vemendjen e njerëzve të apasionuar pas gjetjes së thesareve, arkeologjisë dhe të banoreve vendas që u interesonin gurët e renojave si material ndërtimi. Kazmat e para prej arkeologëve profesionistë u ngulën vetëm në vitin 1916 nga austriakët Prashniker dhe Shober. Të nxitur nga zbulimet e suksesshme të austriakëve gjatë Luftës së Parë Botërore, do të ishin francezët që morën në dorë gërmimet arkeologjike në Apoloni.

Për 14 vjet me radhë, Misioni Arkeologjik Francez do të drejtohej nga Leon Rei, njeriu për të cilin ky qytet do të bëhej “Dashuria e ndërprerë” si dhe pengu i jetës së tij.
Për herë të parë në arkeologji, ai përdori metodën e fotografimit nga lart të rrënojave antike, duke shfrytëzuar avionët luftarakë franceze./atsh/KultPlus.com

5 qershor, 1920: Kur në Vlorë filloi lufta për çlirim 

Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. 

Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun. Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Q. Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. 

Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.
Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. 

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. / KultPlus.com

Ylli i Hollywood, Janice Page vdes në moshën 101-vjeçare

Janice Page, aktorja e njohur e Hollivudit dhe Broadway-it ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare. Vdekja e saj u konfirmua nga shoku i saj Stuart Lambert, i cili tha se ajo vdiq nga shkaqe natyrale.

Janis Page, ishte një aktore e madhe, e cila bëri debutimin e saj në Broadway përballë Jackie Cooper në komedinë misterioze Remains To Been në 1951.

Tre vjet më vonë ajo luajti në Broadway në muzikalin The Pajama Game i cili pati një sukses të madh.

Page u shfaq në një numër filmash në vitet 1960, duke përfshirë komedinë Bachelor In Paradise, komedinë e Doris Day Please Don’t Eat The Daisies dhe filmin e Richard Thorpe Follow The Boys.

Ajo gjithashtu mori pjesë në ngjarjet për trupat amerikane në Kubë dhe Karaibe në 1960, në Japoni dhe Korenë e Jugut në 1962 dhe në Vietnam në 1964.

Page gjithashtu këndoi në klube me Sammy Davis Jr, Alan King, Dinah Shore dhe Perry Como.

Në vitin 1968 ajo zëvendësoi Angela Lansbury në prodhimin e Mame në New York Broadway dhe bëri turne me shfaqjen në vitin 1969.

Ajo gjithashtu bëri turne në Gypsy, Annie Get Your Gun, Born Yesterday dhe The Desk Set. Paraqitja e saj e fundit në Broadway ishte në vitin 1984 në Alone Together./ora/KultPlus.com

OKB për Ditën Botërore të Mjedisit: Natyra, në gjendje emergjence

Sot është Dita Botërore e Mjedisit. OKB thotë se, në të gjithë botën, ekosistemet janë të kërcënuara. Nga pyjet dhe tokat e thata te tokat bujqësore dhe liqenet, hapësirat natyrore nga të cilat varet ekzistenca e njerëzimit po arrijnë një pikë kthese.

Sipas Konventës së OKB-së për Luftimin e Shkretëtirëzimit, deri në 40 % e tokës së planetit është e degraduar dhe kjo ndikon drejtpërdrejt ne jeten e gjysmës se popullsisë së botës. Numri dhe kohëzgjatja e thatësirave është rritur me 29 % që nga viti 2000. Nese nuk do të merren masa konkrete, thatësirat mund të prekin mbi tre të katërtat e popullsisë së botës deri në vitin 2050.

Kjo është arsyeja pse Dita Botërore e Mjedisit 2024 përqendrohet në rimekembjen e tokës, ndalimin e shkretëtirëzimit dhe ndërtimin e rezistencës ndaj thatësirës nën sloganin “Toka jonë. E ardhmja jone. Ne jemi restaurimi i brezit.”

OKB bën thirrje të mos kthejmë kohën pas, por të rritim pyje, të ringjallim burimet e ujit dhe të kthejmë tokat, për t’u bërë ne brezi që mund të bëjmë paqe me tokën.

Sipas OKB, koha po mbaron dhe natyra është në gjendje emergjence. Për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5°C këtë shekull, ne duhet të përgjysmojmë emetimet vjetore të gazeve serrë deri në vitin 2030. Pa veprim, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit përtej do të rritet me 50 % brenda dekadës dhe mbetjet plastike që derdhen në ekosistemet ujore gati do trefishohen deri në vitin 2040./atsh/KultPlus.com

Sot hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024”

Ditën e sotme, duke filluar nga ora 12:00, do të hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se panairi do të vjen me moton “Përgjigjja është libri” dhe është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

Duke filluar nga sot, panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00 deri në 21:00, ndërsa më datën 9 qershor do të mbyllet në ora 19:00.

Në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, numri i titujve të rinj do të jetë rreth 2000, kurse numri i titujve të fundit rreth 6000.

Poashtu do të jenë mbi 40 aktivitete, promovime dhe autorë të pranishëm, ku spikasin i ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate./KultPlus.com

Ronald Reagan: Nëse keni sukses në politikë ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër

Më 5 qershor 2004, në moshën 93 vjeçare, vdiq Presidenti i SHBA-ve, Ronald Reagan.

Një politikan, komentator, aktor dhe anëtar i Partisë Republikane, shërbeu si President i 40-të i Shteteve të Bashkuara nga 1891 deri në 1989. Konsiderohet si një nga presidentët me një karrierë të bujshme në sferën e politikës në Amerikë.

Ronald Reagan ishte president për dy mandate rresht dhe konsiderohet një ndër presidentët më të admiruar, të dashur nga amerikanët.

Ai vlerësohet për kontributin e jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik, luftën kundër drogës, për ringjalljen e ekonomisë, për frymëzimin e optimizmit për shumë amerikanë.

Ai njihej për aftësi të veçanta në komunikim.

 Disa nga thëniet e tij më të mira janë:

“Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër.”

“Njeriu ka avantazhe kur zgjidhet President. Ditën pasi u zgjodha, notat e mia të shkollës së mesme u klasifikuan sekret.”

“Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.”

“Nuk kemi borxh një miliard dollarë, pasi nuk kemi taksuar mjaftueshëm; kemi borxh një miliardë miliard dollarë, pasi kemi shpenzuar shumë.”

“Informacioni është oksigjeni i epokës moderne. Ai kapërcen përmbi muret me telat me gjemba, ai depërton përtej kloneve me korrent.”

“Sot, në qoftë se ju shpikni një çark më të mirë minjsh, qeveria vjen me një mi më të mirë.”

“Unë i bëj thirrje komunitetit shkencor, atyre që na dhanë armët bërthamore, për të orientuar talentet e tyre të mëdha tani ndaj çështjes së njerëzimit dhe të paqes në botë: të na japin mjetet për t’i bërë këto armë bërthamore të pafuqishme.”

“Qeveria gjithmonë gjen një arsye për paratë që ajo merr.”

“Nga katër luftëra që i kam parë në jetën time, asnjëra nuk erdhi për shkak se Amerika ishte tepër e fortë.”

“Udhëheqësi më i madh nuk është domosdoshmërisht ai që bën gjërat më të mëdha. Është ai që i bën njerëzit të bëjnë gjërat më të mëdha.”

“Liria përparon kur feja është e gjallë dhe sundimi i ligjit nën Perëndinë është pranuar.”

“Qeveria ekziston për të na mbrojtur nga njëri-tjetri.”

“I gjithë ndryshimi i madh në Amerikë fillon në tryezën e darkës.”

“Pushteti i koncentruar gjithmonë ka qenë armik i lirisë.”

“Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në një fjali të shkurtër: Nëse lëviz, tatoje atë. Në qoftë se ajo vazhdon të lëvizë, rregulloje atë. Dhe në qoftë se ajo ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë.”

“Qeveria nuk i zgjidh problemet, por i subvencionon ato.”

“Beso, por verifiko.”

“Detyra e parë e qeverisë është t’i mbrojë njerëzit, jo të drejtojë jetën e tyre.”

“Ne duhet të refuzojmë idenë se çdo herë që një ligj është shkelur, shoqëria është më fajtore se shkelësi i ligjit. Është koha për të rivendosur rregullin amerikan që çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij.”

“Unë kam menduar shumë kohë se si do të dukeshin Dhjetë Urdhërimet në qoftë se Moisiu do t’i kishte dhënë nëpërmjet Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”

“Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.”

“Si mund të përkufizoni një komunist? E po, ai është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe si mund të përkufizoni një anti-komunist? Ai është dikush që e kupton Marksin dhe Leninin.”

“Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: Unë jam nga qeveria dhe ndodhem këtu për të ndihmuar.”

“Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.”

“Recesioni është kur një fqinj humb punën e tij. Depresioni është kur ti humb punën tënde.”

“Për demokracinë ia vlen të vdesësh, sepse kjo është forma më shumë e nderuar e qeverisë e hartuar ndonjëherë nga njeriu.”

“Brenda kapakëve të Biblës janë përgjigjet për të gjitha problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen.”

“Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.”

“Nëse duam vendin tonë, ne duhet gjithashtu të duam bashkatdhetarët tanë.”

“Ne kurrë nuk do të mposhtemi, nëse nuk do të heqim dorë nga Zoti.”

“Kur ju nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini ata të ndjejnë ngrohjen.”

“Nuk ka kufizime në mendjen e njeriut, nuk ka mure rreth shpirtit të njeriut, nuk ka pengesa për përparimin tonë, përveç atyre që ne vetë ngremë.”

Në vitet e fundit të jetës së tij, ai u diagnostifikua me sëmundjen e alzhaimerit. Një çrregullim i pashërueshëm neurologjik që i shkatërron qelizat nervore të trurit.

Ai vdes në pasditen e 5 qershorit, në shtëpinë e tij në Bel Air, Kaliforni. / KultPlus.com

Bazilika paleokristiane, destinacion i ri për vizitorët në Elbasan

Mozaiku i bazilikës paleokristiane të Elbasanit është hapur për vizitorët prej gati një muaji, duke shtuar një monument të rëndësishëm kulture të kategorisë së parë në ofertën turistike të qytetit.

Me qindra vizitorë, si edhe vetë qytetarët elbasanas kanë vizituar këtë bazilikë, e cila është zbuluar në vitin 2007 dhe shpallur Monument Kulture në vitin 2010, ku sipas historianëve dëshmon lashtësinë e qytetit të Elbasanit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë në qendër të qytetit, fare rastësisht u zbuluan themelet e një mozaiku të lashtë.

Specialistët e arkeologjisë e vlerësuan këtë si një ndër zbulimet më të rëndësishme. Gjatë gërmimeve të para, një grup arkeologësh zbuloi dy varre në një thellësi prej mbi tre metrash, të cilat i përkasin shekullit të V.

Studimet paraprake tregojnë se bazilika ka përmasa të mëdha, dhe aktualisht është zbuluar një pjesë e Naosit dhe e Nefit jugor. Muri që kufizon Nefin jugor është i zbukuruar me afresk, i cili ruhet mirë.

Mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, duke treguar se bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të gjashtë ose në fillimin e shekullit të shtatë të erës sonë.

Arkeologët që kanë studiuar murin janë shprehur se ai nuk i përket xhamisë së Namazgjasë, por mendohet të jetë muri i një kalaje të vjetër që i përket periudhës paraosmane.

Kreu i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit në Elbasan, Artur Guni, tha se “në plan është vijimi i gërmimeve, pasi bazilika është në një sipërfaqe më të madhe dhe ende e pazbuluar tërësisht”.

Bazilika paleokristiane e zbuluar në vendin e quajtur “Rrapi i Bezistanit” në Elbasan është një nga monumentet më të vjetra të kultit ortodoks të zbuluara në Shqipëri, ku ruhet mirë një mozaik i tillë./atsh/KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Mjedisit 

Dita Botërore e Mjedisit e njohur nganjëherë edhe si Dita ndërkombëtare e mjedisit është një ditë festive e cila organizohet më datën 5 qershor të çdo viti. Kjo datë është mjeti kryesor i OKB-së për inkurajimin e vetëdijes dhe veprimit për mbrojtjen e mjedisit tonë në nivel global dhe lokal.

5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me qëllim të rritjes së vetëdijes rreth çështjeve të mjedisit si dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve aq sa edhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. 5 qershori si datë festive dhe botërore e mjedisit ka nisur të festohet që nga viti 1974.

Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.

Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human. / KultPlus.com

Media britanike “Bristol Live”: Eksploroni Tiranën, kryeqytetin mahnitës shqiptar

Një kryeqytet i gjallë dhe plot ngjyra në Ballkan i është shtuar listës së destinacioneve ku turistët nga Bristoli mund të fluturojnë drejtpërdrejt, shkruan në një artikull e përditshmja britanike “Bristol Live”.

Nga muaji i ardhshëm, Aeroporti i Bristolit do të ofrojë fluturime direkte drejt Tiranës në Shqipëri, që zgjasin pak më shumë se tre orë.

Nëse jeni në kërkim të një vendpushimi të bukur larg plazhit dhe turmave të vizitorëve, atëherë Tirana në Shqipëri mund të jetë destinacioni ideal për ju.

Tirana ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe, ndonëse jo pranë detit Mesdhe, ajo ofron një klimë të butë.

Me një bollëk arkitekturash dhe parqesh të bukura, ju mund të kryeni shumë aktivitete, duke e bërë atë destinacionin perfekt për pushime verore në qytet.

Sipas “Skyscanner”, në javën e dytë të qershorit, vizitorët nga Bristoli mund të kryejnë fluturime direkte vajtje-ardhje për në Tiranë për vetëm 89 paund personi.

Nëse preferoni të shkoni me linjë direkte, atëherë fluturimet do të kushtojnë rreth 95 paund me “Ryanair”.

Ndërsa ka një numër të konsiderueshëm opsionesh për pushime në qytet me fluturime direkte nga Bristoli, kjo do të jetë hera e parë që këta vizitorë fluturojnë me linjë direkte në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ju mund të bëni një vizitë në Bunk’Art 1, një bunker anti-bërthamor i ndërtuar nga qeveria komuniste, i cili tani është shndërruar në një qendër historike dhe arti.

Gjatë vizitës në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë, ju mund të njiheni me historinë e lashtë të vendit.

Muzeu Bunk’Art 1 është një nga vendet më të mira për t’u njohur me të kaluarën e Shqipërisë.

Tirana ja vlen të vizitohet, edhe nëse nuk jeni adhurues i historisë.

Një tjetër vend i mrekullueshëm që rekomandohet të vizitohet është teleferiku “Dajti Ekspres” i cili ofron pamje mahnitëse të qytetit nga maja e Malit të Dajtit.

Teleferiku “Dajti Express” është nje nga atraksionet e preferuara në Tiranë.

Ballkoni i Malit të Dajtit është një vend relaksi dhe argëtimi, gjithashtu.

Ju mund të shijoni një drekë të shijshme dhe një shishe verë në “Restorant Ballkoni”.

Ky restorant është ndërtuar pikërisht në majë të shkëmbit malor, duke ofruar një pamje magjepsëse të Tiranës.

Nëse dëshironi të eksploroni kryeqytetin shqiptar, sheshi Skënderbej u mundëson vizitorëve të zbulojnë lehtësisht qytetin dhe monumentet e tij të shumta./atsh/KultPlus.com

Poeti që sfidoi regjimin bolshevik

Osip Mandelstam, poeti dhe eseisti rus, është nga poetët më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekullit XX, një shekull i hidhur, i cili nuk resht së lëshuari sfida mizore kundrejt poezisë.

Lindi në Varshavë në vitin 1891, në një familje të kulturuar dhe vdiq i drobitur dhe i grimcuar prej shekullit “çakall” dhe persekutimet staliniane në vitin 1938, rrugës drejt kampit ku do ta prisnin pesë vjet punë e detyruar.

Kur u shpërngulën në Shën Petërburg poeti ishte vetëm pesë vjeç. Që fëmijë mësoi gjermanishten dhe frëngjishten. Ndoqi studimet në shkollën prestigjioze Tenichev në vitet 1900-1907. Më pas studioi në universitetin e Sorbonës në Paris, ku ndoqi kurset e Joseph Bedier dhe Henri Bergson. Po aty zbuloi edhe magjinë e poezisë së Verlenit. Shkon në Gjermani dhe kur rikthehet në Rusi, në moshën 20-vjeçare, vijon studimet për filozofi në universitetin e Shën Petërburgut, ku edhe regjistrohet dhe boton poemat e tij të para, në vitin 1913, në revistën “Apollon”.

Osip Mandelstam bën pjesë në gjeneratën e poetëve lindur në vitet 1890, së bashku me Ana Ahmatovën, Boris Pasternakun, Marina Cvetaevën, Majakovskin etj, që lanë gjurmë të pashlyeshme si krijues të rinj të letërsisë ruse. Jeta e trishtë dhe historia e Osip Mandelstam u bë e njohur falë botimit të kujtimeve të bashkëshortes së tij, në vitin 1972, në Francë: “Kundër gjithfarë shprese”. Pas shumë poshtërimesh, akuzash të padrejta, burgosjesh dhe syrgjynosjesh, vdiq nga uria dhe i ftohti, në moshën 47 vjeçe. Vetëm në 28 tetor 1987, nën qeverisjen e Gorbaçovit, emri i tij u pastrua plotësisht nga akuzat e vitit 1934.

Më 27 dhjetor 1938, do vdiste në thellësi të Siberisë, në një kamp tranzit në ferrin e Gulagut, duke e shndërruar stalinizmin, këtë kundërshtar gjakftohtë, një pasion negativ në përkorën e poetit, “mikun e të gjithëve”, – siç do shprehej vetë në vitin 1937, syrgjynosur në kampin e Voronezhit, ngaqë kishte shkruar një epigramë therëse “Alpinisti i Kremlinit” kundër Salinit.

Ky qe edhe provokimi i fundit i poetit ndaj tiranit në këtë duel të pamëshirshëm, i cili do vuloste fatin e tij.

Shumë i ri filloi të botonte dhe të merrte pjesë në diskutime të zjarrta midis poetëve. Me poezinë e tij sjell një përmasë të re të fuqisë dhe botës poetike, që shënoi një disidencë të fortë ndaj parime socrealiste në Rusi.

Më shpjer pra mesnatë, ku rrjedh Jenisej,

Ku pisha mbërrin gjer tek yjtë,

Se ujk unë nuk jam nga gjaku në dej,

Dhe veç i barabarti më mbyt.

“Osip Mandelstam është një mit. Në Rusi dhe në mbarë botën, e konsiderojmë si një martir të poezisë, që e pagoi veprën me jetën e tij. Mbi të gjitha është bërë i famshëm për faktin se qe viktimë e persekutimeve politike, si dhe ngaqë pati shkruar një poemë të pamëshirshme duke denoncuar Stalinin”, – shprehet Ralph Dutil.

“I butë, inteligjent, shpirtëror, elegant, madje edhe i hijshëm, i gëzueshëm, i zjarrtë, përjetësisht i dashuruar, i ndershëm, largpamës dhe i lumtur, edhe në terrin e sëmundjes nervore dhe të tmerrit politik, rinor, madje thuajse vocërrak, i çuditshëm dhe i kulturuar, besnik dhe krijues, i qeshur dhe i paepur, Mandelstam na ka ofruar një nga veprat më të lumtura të shekullit…”, – do shprehej Pier Paolo Paasolini.

Ai qe poet, teoricien, eseist, revolucionar i zhgënjyer, martir, por gjithnjë në beftë për të përgjuar mugullimin e kohës. Një dëshmi e jashtëzakonshme mbi vitet më prodhimtare të poetit të madh rus dhe mbi asfiksinë e kulturës që shoqëroi marrja e pushtetit nga Stalini.

Përbri emrave si Solzhenici dhe Pasternak, emri i Mandelstam ngjall rezistencën kundër regjimit të pamëshirshëm të Rusisë sovjetike. Ka shkruar “Zhurma e kohës”, “Timbri egjiptian”, “Udhëtim në Armeni”, “Poema të zgjedhura” etj.

Çiltërsia e theksit, thjeshtësia e tij tragjike, dinjiteti, humori, i japin kuptim të plotë emrit që autori e kishte shndërruar në devizën e tij: Nadejda që në rusisht nënkupton “shpresë”. Në veprat e tij kapim koherencën e një zëri që ka ditur ta zgjojë mahnitshëm të gjallin.

Të gjitha i humbëm, duke dashuruar,

Në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë,

Dikush u grabit me vullnetin e popullit,

Tjetri grabiti veten e vet…/Hejza/ KultPlus.com

‘Motiv’, koncerti i Alban Skënderaj! Më 6 qershor në Arenën Kombëtare, koncerti jubilar që shënon 20-vjetorin e karrierës: Do jetë energjik

“Motiv” është koncerti që shënon 20- vjetorin e karrierës së artistit Alban Skënderaj.

Më 6 Qershor në Stadiumin “Air Albania” vijnë këngët më të dashura të repertorit të kantautorit që ja ka dalë gjithmonë të depërtojë në zemrat e publikut. Një produksion i kuruar në detaje, që ka për qëllim të zgjojë copëza të memories tonë kolektive.

“Ishte momenti për të kurorëzuar diçka të madhe. Thelbi është muzika, përmasat janë gjigante. Koncerti do jetë shumë i bukur dhe energjik, nuk do jetë ai koncerti meditativ dhe do ketë më shumë energji. Gjithsesi janë edhe momentet kyçe ku unë rrëfehem, u shpreh këngëtari.

Hitet më të dashura të artistit, dhe këngët e tij të ndjera janë arsyeja për të bërë publikun bashkë një botë më të mirë, sepse muzika e bën botën më të mirë.

“Motiv” është koncerti që deri më tani ka thyer rekord në shitjen e biletave, duke tejkaluar çdo pritshmëri. Ndaj 6 qershori i dedikohet “Motiv”, i dedikohet muzikës dhe publikut./ Top Channel/ KultPlus.com

Shkrimtarët për fëmijë takim në QKLL, sfidat e kësaj letërsie

U mbajt sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit një diskutim i frytshëm mbi letërsinë për fëmijë.

Ky takim që bëri bashkë shkrimtarë të letërsisë për fëmijë erdhi pas hapjes së thirrjes (më 1 qershor) së Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2024, një fond i përvitshëm që mbështetet nga QKLL.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishin fitues të këtij fondi ndër vite si: Xhahid Bushati, Rovena Rozhani, Teuta Dhimarko Kasoruho, si dhe shkrimtarë të afirmuar të letërsisë për fëmijë si Adelina Mamaqi, Lefteri Lloshe, Natasha Poroçani, Anila Mullaj etj, të cilët ndanë me të pranishmit sfidat e kësaj letërsie si një letërsi e domosdoshme në rritjen dhe edukimin e brezave që vijnë.

Ata ngritën shqetësimin që kjo letërsi të mos ngelet e izoluar por të mbështetet vit pas viti, pasi mbi të gjitha këto krijime për fëmijë kanë edhe vlera pedagogjike.

Sipas tyre, kjo letërsi nga njëra anë zhvillon aftësitë njohëse të fëmijës, u zgjeron horizontin mendor, në anën tjetër, zhvillon imagjinatën pasi, krijime të tilla i përshtaten mirë të menduarit konkret dhe ende të pazhvilluar të fëmijëve.

Prej 3 vitesh, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e mbështet këtë letërsi përmes një fondi të dedikuar.
Nëpërmjet këtij fondi, QKLL-ja synon të promovojë letërsinë për fëmijë, pasi krijuesit për fëmijë janë ata që rrisin dashurinë te fëmijët për librin, që ngacmojnë te fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, hapin dyert e botës fëmijërore, ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar dhe për të dashur gjuhën.

Fitues të këtij fondi ndër vite:
Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Libri “O trumcak bredharak!”, Xhahid Bushati
Libri “Arushi Oja”, Eleni Birçaj
Sevi Agolli me librin «Hajdutja e buzëqeshjeve»,
Fatmir Gjestila me librin «Lotët e Marit»,
Zimo Krutaj me librin «Jona dhe deti».
Teuta Dhimarko Kasoruho me librin “Aventura e Bebit”
Rovena Rrozhani me librin “Arinjtë duan të fluturojnë”
Xhahid Bushati me librin “Alfabeti i Bletës”./ balkanweb/ KultPlus.com

Kuturu

Poezi nga Timo Flloko

Eci rrugëve kot, kuturu
dhe s’di ku shkoj,
xurxull jam prapë unë- se ajo,
një bohem nuk e do.

Sa të desha, shpirt s’mund ta dish,
të vodhën ty – pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund…

Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton,
mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!

Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë, në kyç trishton,
si në muze, si një Xhokondë.

Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret,
nëpër pube tok me miqtë harxhoj,
unë hënën si monedhë.

Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot.
se ka një Zot! / KultPlus.com

Java e Kulturës Italiane, nis edicioni i tetë i ‘Albania International Guitar Festival’

Albania International Guitar Festival e hapi mbrëmë siparin e edicionit të tetë, duke vijuar me aktivitete të shumta përgjatë gjithë muajit.

Festivali u hap me artistin italian, Roberto Tascini, koncerti i të cilit u zhvillua në Liceun Artistik, salla “Tonin Harapi”, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri. Prej më shumë se 20 vjetësh ai interpreton si solist, solist me orkestër dhe në ansambël (EONGuitarQuartet, DuoPorto), në më shumë se 300 koncerte në 20 vende të ndryshme.

Diplomuar në Universitetin e Bolonjës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, si dhe në kitarë dhe arsim muzikor, Tascini në vitin 2005 u bë “Mjeshtër i Artit” në kitarë, duke arritur shkëlqyeshëm “Konzertdiplom” në Musikhochschule në Luzern-Zvicër. Aktualisht është profesor i kitarës në Konservatorin G.Rossini në Pesaro-Itali.

Do të jenë gjithsej tetë artistë ndërkombëtarë nga Italia, Austria, Gjermania, Spanja dhe Holanda të cilët do të zhvillojnë koncerte në Tiranë, Berat, Rubik e Shkodër. Masterclass-e, workshop-e dhe aktivitete të tjera do të organizohen nga artistët e ftuar./atsh/ KultPlus.com

‘Gratë e Tiranës’, ekspozitë për artin dhe solidaritetin në Piramidën e Tiranës

Ekspozita “Gratë e Tiranës”, nismë e Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake të Tiranës do të hapet më 5 qershor tek Piramida në Tiranë.

Kjo ekspozitë synon të mbështesë gratë artiste të qytetit, të cilat deri tani nuk kanë pasur mundësinë të ekspozojnë pikturat e tyre për publikun.

Pjesëmarrëset janë nga mosha 12-vjeçare e deri pensioniste, vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe kanë profesione nga më të larmishmet.

Qëllimi i ekspozitës është që këto gra pjesëmarrëse, nëpërmjet punëve të tyre dhe rrjetit artistik që po krijojnë, të mbështesin gra të tjera në nevojë në qytet.

Ekspozita ka pasur shumë interes nga publiku në rrjetet sociale. Ajo synon të sjellë në vëmendje të publikut lidhjen e punimeve fizike të autorëve me mbështetjen e tyre online dhe është e para ekspozitë, që po synon të ketë një kënd të veçantë për pikturën digjitale, si një drejtim i artit pamor që nuk ka pasur vëmendjen e duhur.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 8 qershor./atsh/ KultPlus.com