98 vite nga lindja e yllit të Hollivudit Marilyn Monroe-s

Sot janë bërë 98 vite nga lindja e yllit Hollivudian, Marilyn Monroe.

Për publikun, ajo konsiderohej si gruaja më e bukur e Hollivudit, por përbrenda, modelja e shndërruar në aktore përballej dita-ditës me demonët që e çuan në vdekjen e saj të parakohshme në moshën 36-vjeçare. Në njëfarë mënyre, dukej se në gusht të vitit 1962, Marilyn Monroe po e sistemonte disi jetën e saj. Ajo sapo kishte blerë shtëpinë e parë në lagjen Brentwood të Kalifornisë për 75,000 dollarë, ishte në kopertinën e revistës “Life” dhe sapo ishte ripunësuar në filmin “Something’s Got to Give”.

Por nga ana tjetër, pas shumë pak kohësh, gjithçka dukej se po shkonte keq për aktoren. Ajo u divorcua nga bashkëshorti i saj i tretë, dramaturgu Arthur Miller, ndërkohë që një vit përpara divorcit, qarkullonin zëra për një lidhje të supozuar mes saj dhe presidentit John F. Kennedy. Daljet e saj në publik, të cilat normalisht ishin perfekte më parë, u zëvendësuan me një gjendje jo të mirë të Monroe. Filloi madje të dilte në skenë me thonj që kishin nevojë për manikyr dhe pedikyr, pa makiazh. Pra, filloi ta linte shumë veten pas dore.

Më 5 gusht 1962, Monroe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në 12305 Fifth Helena Drive. Ajo mbante një aparat telefoni në dorë dhe u gjet e shtrirë përtokë dhe lakuriq. Pranë saj u gjet edhe një shishe bosh pilulash që mbante një sasi maksimale prej 50 tabletash Nembutal (Pentobarbital), një ilaç që përdoret shpesh si pilulë gjumi, ama kur merret në doza të larta, shkakton vdekje për shkak të frenimit të sistemit nervor qendror.

Jeta e Marilyn Monroe, që nga shkëlqimi i saj pas braktisjes nga prindërit që fëmijë e deri tek fundi i saj tragjik, ngjan paksa me historinë e Hirushes. Ndërkohë që vdekja e saj në moshën 36-vjeçare, u cilësua si një vetëvrasje, megjithëse teoritë mbi shkakun e vdekjes së saj mbeten ende të shumta./ KultPlus.com

SHPËRNDAJE ARTIKULLIN

Muzeu Etnografik në Elbasan do t’i nënshtrohet restaurimit

Muzeu Etnografik në Elbasan, i vetmi që ruan trashëgiminë shekullore të qytetit do të restaurohet, duke bërë të mundur rikthimin në identitet të kësaj shtëpie të vjetër.

Ndërtesa e familjes Sejdini, shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963 dhe e kthyer në muze në vitin 1986, është përzgjedhur për këtë ndërhyrje restauruese për të adresuar problematikat emergjente që kërcënonin strukturën dhe autenticitetin e saj, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e saj.

Ky muze dallohet për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.

Projekti, i cili u hartua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Korçë dhe u financua nga bashkia Elbasan, synon të ruajë dhe të promovojë këtë monument të rëndësishëm kulturor.

“Ky hap i rëndësishëm do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të ofrojë mundësi të reja për vizitorët dhe studiuesit që të eksplorojnë dhe të vlerësojnë këtë pjesë të pasurisë historike të rajonit”, pohoi kreu i bashkisë Gledian Llatja.

Gjatë prezantimit të projektit autoritetet lokale theksuan rëndësinë e tij për komunitetin dhe për trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Përfaqësues të bashkisë Elbasan dhe DRTK Korçë shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen për projekte të tilla që ruajnë dhe pasurojnë trashëgiminë kulturore të zonës.

Restaurimi i Muzeut Etnografik shënon një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit.

Ndërhyrjet të tilla jo vetëm që sigurojnë mbrojtjen e monumenteve historike, por edhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e trashëgimisë së qytetit.

Shtëpia ku ndodhet muzeu është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.

Muzeu përmban dy kate, ku kati i parë dikur ka shërbyer si magazinë për rezervat ushqimore dhe kati i dytë për banim. Pas shpalljes së tij si muze në vitin 1986, kati i parë u përdor për ekspozimin e historikut të qytetit dhe zejeve të trevave të Elbasanit, ndërsa kati i dytë u konceptua në mënyrë të tillë për të reflektuar mënyrën e jetesës, traditat, veshjet dhe pasurinë etnografike dhe kulturore të qytetit dhe trevave përreth, duke treguar nivelin e zhvillimit ekonomik të qytetit në atë kohë dhe duke shërbyer si dëshmi e gjallë e historisë së qytetit./atsh/ KultPlus.com

Me veprën ‘Voci di Donne’ të Puccinit nesër çelet Java Kulturore Italiane

Nga data 2 deri në datën 8 qershor, Shqipëria do të mikpresë Javën Kulturore Italiane e cila vjen në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Për 7 ditë me radhë në Tiranë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Gramsh dhe Durrës do të organizohen një seri aktivitetesh, që do të përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e një kulture që admirohet nga e gjithë bota, e që ja vlen të përjetohet.

Sipari i aktiviteteve të menduara për Javën Kulturore Italiane, çelet me datë 2 Qershor, në orën 20:00 me një event madhështor që feston historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Butrintit në Sarandë.

Do të jetë grupi artistik “Artemis Danza”, cili pritet të sjellë emocione të forta me interpretimin muzikor, koreografik dhe visual të 4 akteve të veprës opersitike “Voci di Donne”, të kompozitorit legjendar Puccini.

E pa dyshim, përzgjedhja e skenës nuk kishte si të ishte rastësore. Mbajtja e kësaj shfaqje artistike që do të zgjojë gurët e antikitetit nga gjumi i thellë në Butrint, vjen në kuadër të 100 vjetorit të zbulimit të Parkut Kombëtar Arkeologjik aq të vizituar nga miliona turistët që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet.

Por Java Italiane përveç shfaqjeve artistike të përzgjedhura do të sjellë në Shqipëri edhe ekspozita të ndryshme, prezantime librash, paradë me makina retro e jo vetëm.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare”, pjesë e të cilës janë 20 shtete të ndryshme, do të sjellin për disa muaj, nga Maji në Nëntor një seri eventesh, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore, për të krijuar një të ardhme sa më frymëzuese që na bashkon në diversitet.

Bekim Fehmiu për ‘Variety’ më 1993: Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi

Nga: Aurenc Bebja
Fotografia: Fahredin Spahija

Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.

“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.

Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.

Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.

Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.

‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.

Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.

‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.

Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.

Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/

Presidentja Osmani uron Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e takoi edhe djalin e heroit Afrim Bunajku

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka uruar 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ajo tha se para disa ditësh, në nder të kësaj dite, pati një bashkëbisedim ndryshe, pranë librave e me fëmijë të mbushur me kuriozitet, shpresë e emocion.

Në mesin e fëmijëve që takoi presidentja Osmani ishte edhe djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

“I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

“Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai është ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv/ KultPlus.com

Nëna e Michelle Obamës, Marian Robinson, vdes në moshën 86-vjeçare

Marian Robinson, nëna e ish-zonjës së parë të SHBA-së, Michelle Obama, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Në një deklaratë të lëshuar nga familja e saj u bë e ditur se Robinson kishte vdekur “në mënyrë paqësore” të premten në mëngjes, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv

Në një postim në X, zonja Obama e quajti nënën e saj “shkëmb, gjithmonë aty për çdo gjë që më duhej”.

“Ajo ishte i mbështetësja më e madhe për të gjithë familjen tonë dhe ne jemi të thyer me zemër të ndajmë që ajo ndërroi jetë sot”, ka shkruar ajo.

174 vite më parë lindi ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri

Sot janë bërë 174 vite nga lindja e intelektualit, gjuhëtarit, romancierit dhe ideologut themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll. Ai ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin. 

Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk, i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht. Në opinionin turk njihet si “babai i enciklopedistëve.”

Ai nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës  turke, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

 Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861).

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

 Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

 Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

 Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Ai vdiq në Stamboll më 18 qershor 1904/KultPlus.com

Filharmonia organizon koncert të jashtëzakonshëm për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert të jashtëzakonshëm të gërshetuar mes muzikës elektronike dhe asaj klasike me Orkestrën e Filharmonisë, ikonën e muzikës tekno Derrick May, pianistin Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një shkrimi në facebook.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm Francesco Tristano 🇱🇺nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike, për një festë të paharruar!” thuhet në shkrimin MKRS.

Koncerti mbahet më 11 qershor 2024, në Sallën e Madhe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në ora 19:00./ KultPlus.com

Media franceze “Aufeminin”: Shqipëria – destinacioni më në tendencë për verën e vitit 2024

Po kërkoni destinacionin tuaj për pushimet verore 2024? Një vend është shumë në modë, dhe është vetëm 3 orë larg me fluturim nga Franca!

Vendet e Mesdheut vazhdojnë të jenë ndër më të preferuarat në mesin e turistëve francezë, por një destinacion i ri – po kthehet në një nga tendencat për vitin 2024, shkruan Charlotte Loisy në një artikull të botuar në revistën franceze “Aufeminin”.

Një destinacion në trend për verën e 2024

Shqipëria ka të ngjarë të bëhet një destinacion shumë popullor këtë verë.

Sipas platformës franceze të udhëtimeve “Abritel”, Shqipëria është një nga tendencat e radhës, ku fluturimet drejt kryeqytetit të saj, Tiranës, janë rritur me më shumë se 25% dhe kërkimet e hoteleve me më shumë se 35,7%.

Turistët francezë duket se po kërkojnë horizonte verore më pak të mbushura me njerëz.

Krahas të qenit një vend i paeksploruar, Shqipëria është më e lirë se destinacionet fqinje.

Kostoja e jetesës është vërtet më e ulët atje.

Pse të vizitoni Shqipërinë?

Nëse jeni të tërhequr nga Shqipëria, por dini pak për të, dijeni se kryeqyteti i saj është befasues.

Tirana përfshin ndërtesa të bukura si Kulla e Sahatit apo Xhamia e Namazgahut, mrekullitë osmane nga fillimi i shekullit të XIX.

Berati është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe i quajtur “qyteti i një mbi një dritareve”.

Vlen të vizitohet edhe muzeu etnografik i Gjirokastrës.

Në brendësi, “Toka e Panjohur” evropiane është ideale për një udhëtim në rrugë tokësore, veçanërisht në Liqenin e Ohrit dhe ujërat e tij të bruztë.

Liqeni i Ohrit iu bashkua listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2019, falë thellësisë së tij dhe i rrethuar nga fshatra peshkimi.

Resorti bregdetar i Sarandës, shtëpitë e gurta në Rehovë dhe ujërat termale të Bënjës janë gjithashtu ndër vendet kryesore për t’u vizituar në Shqipëri. /

759 vite më parë lindi babai i letërsisë italiane, Dante Aligeri

Dante Aligeri (1 qershor 1265 – 14 shtator 1321), ka qenë një poet, shkrimtar dhe politikan italian.

Ai shquhet si babai i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak të krijimit të veprës “Komedia” (italisht: Comedìa), dhe më pas e quajtur Divina nga Bokaço duke u bërë e famshme si Komedia Hyjnore (italisht: Divina Commedia), dhe në përgjithësi konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar në italisht dhe një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore. 

Një shprehje e kulturës mesjetare, e filtruar përmes lirisë së Dolçe stil novo, është gjithashtu një mjet alegorik i shpëtimit njerëzor, i cili arrihet duke prekur tragjeditë e dënimeve, ndëshkimet purgatore dhe lavdat qiellore, duke i lejuar Dantes t’i ofrojë lexuesit një pasqyrë të moralit dhe etikës.

Një gjuhëtar i rëndësishëm, filozof dhe teoricist politik, Dante filloi të lëvizte brenda diturisë njerëzore, duke shënuar thellësisht letërsinë italiane të shekujve të ardhshëm dhe të njëjtën kulturë perëndimore, që të quhej “Poeti i Madh” ose, “Poeti”. Dante, eshtrat e të cilit ndodhen pranë varrit në Ravenë të ndërtuar në vitin 1780 nga Kamillo Morixha, u bë një nga simbolet e Italisë në botë, falë emrit të trupit kryesor të përhapjes së gjuhës italiane, “Shoqata Dante Aligieri”, ndërsa studimet kritike dhe filologjike mbahen gjallë nga “Shoqata Dante”.

Nga shekulli XX dhe në vitet e hershme të shekullit XXI, Dante u bë pjesë e kulturës masive, ndërsa puna e tij dhe figura e tij frymëzuan botën e vizatimeve komike, mangave, videolojërave dhe letërsisë. Dante (shkurtimi emrit Duranie) Algiers lindi në Firence, në maj të vitit 125 në me familje pronarësh modeste guelfe. Dihet shume pak rreth fëmijërisë e adoleshencës, s dhe studimeve që kreu Dantja. Ai ka studiuar gramatikën, retorikën, filozofinë teologjinë e interpretimin e teksteve të shenjta. Dantja studioi me zell e dashuri dhe poetët antikë, veçanerisht Vingilin. Biografët e tij dëshmojnë se Dante Aligeiri ishte një poetët më të kulturuar në Europë dhe një rol të rëndësishëm në formimin intelektual e moral të Dantes luajti mësuesi i tij, Bruneto Latini, një burrë me horizont të gjerë, poet dhe financier i Komunës së Firencës. Por, krahas shkencës e artit, Dantja nuk la mënjanë as gjimnastikën, kalërimin ose qitjet me hark.

Në vitin 1274, në moshën 9-vjeçare, Dantja takoi për herë të parë Beatriçen, e cila i mbeti në zemër si një kujtim i ëmbël fëmijërie. Ai do ta ndeshe atë sërish në mugë në moshën 18-vjeçare. Dashuria i mbushi shpirtin, i ngrohu zemrën, ndaj vendosi t’i këndojë dashurisë së tij për Beatriçen, e cila paraqitej me tërë bukurinë e saj shpirtërore. Por, më 9 qershor 1290, në moshën 24-vjeçare, Beatriçja vdiq dhe Dantja pëson një tronditje të thellë në jetën e tij.

Dantja u lind dhe u rrit në Firencen e ndarë në dy grupime, që kërkonin bashkimine Italisë nën pushtetin e Perandorit.

Këto rrethana të jetës politike dhe shoqërore të vendit janë të lidhura ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e Dante Aligierit, i cili nuk ka qenë vetëm poet i madh, por edhe personalitet i shquar politik. Në vitin 1289, ai lufton denjësisht në Kompaladino, ku u ndeshën guelfët e Firences me gibelinët e Arccos, Dantja bënte pjesë te kalorësit dhe fiorentinët e fituan këtë betejë.

Dantja vdiq më 14 shtator 1321./ KultPlus.com

Ministrja Nagavci në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve: Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka uruar fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyre, 1 Qershorin.

Nagavci në profilin e saj në “Facebook”, ka shkruar se fëmijët janë e ardhmja jonë.

“Në këtë ditë të veçantë, 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dua të ju përcjell urimet më të përzemërta e të falënderoj për energjinë, gëzimin dhe shpresën që sillni në jetën tonë të përditshme. Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë, dhe është obligim i ynë t’u garantojmë fëmijëri të sigurtë e të lumtur dhe të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se “Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të krijojë një sistem arsimor që ju mbështet, frymëzon dhe ju ndihmon të arrini potencialin tuaj të plotë”.

“Ne punojmë çdo ditë për të siguruar që shkollat tona të jenë vende të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të pajisura me mjetet më të mira për të mësuar”, thotë Nagavci.

Ministrja ka pohuar më tej se “Kjo ditë na e rikujton se fëmijët janë pasuria jonë më e madhe dhe se investimi në arsim është investimi më i mirë për të ardhmen”.

“Angazhimi ynë për avancimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve nuk do të ndalet. Do të punojmë shumë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe për të ndërtuar një shoqëri ku secili fëmijë ka mundësinë të zhvillohet e të kontribuojë në mënyrë të barabartë”, thotë mes tjerash ministrja.

Sot, ditëlindja e gjigandit shqiptar Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu u lind me 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës. Njihet më së miri në filmat I Even Met Happy Gypsies (1967), Protst (1967) dhe The Adventurers (1970). Ishte i martuar me Branka Petric. Vdiq më 15 qershor, 2010 në Beograd.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

U martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Kishte studiuar në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri me 1960 me prof. Mata Milosevic.

Si yll i filmit në ish-Jugosllavi dhe në përgjithësi në gjithë Evropën, Fehmiu fitoi çmime për film dhe një përkrahje të përzemërt nga gjithë populli shqiptar. Debutimi i tij në tregun amerikan me një rol tejet të rëndësishëm nuk ishte edhe shumë i suksesshëm për të, megjithatë figura e tij prej aktori mori përmasa të mëdha me role në filmat e tjerë dhe mbeti në kujtesë për shumë kohë.

Jeta e tij u zhvillua mes Beogradit, Prishtinës e Prizrenit.

Filmat në të cilët luajti Bekim Fehmiu: “The Odyssey”, “The Deserter”, “Ready for Anything”, “Special Education” etj.

Lidhur me vdekjen e tij ka supozime të ndryshme, njëra prej tyre ishte se kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me revole, megjithatë nuk u konfirmua asnjëherë. Kur vdiq Fehmiu ishte 74 vjeç./ KultPlus.com

Sot 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre! / KultPlus.com

‘Luajmë dhe vallëzojmë’, fëmijë nga vendet e rajonit atmosferë festive në Kurbin

Edicioni i 27-të i festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” solli në Kurbin, Laç, vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë si pasuri e çmuar kombëtare e popujve.

Të veshur me kostumet tradicionale të vendeve të tyre, grupet artistike nga Shqipëria, Kosova, Ukraina, Mali i Zi, Turqia, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, përmes këngëve, valleve e lojërave popullore  kthyen sheshin e qytetit në një arenë të artit dhe kulturës.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky festival.

Festivali synon të forcojë miqësinë mes fëmijëve në Ballkan dhe më gjerë, nxisë ruajtjen e identitetit dhe traditës popullore në një botë gjithnjë e më të hapur drejt globalizimit, si dhe të promovojë qytetin./atsh/ KultPlus.com