‘Në sofrën time ka speca, bukë e kripë…’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Ditët sa vijnë e gjymtohen,
shirat janë në të zbrazur,
dera ime, deri në fund ty të pret e hapur..

Pse mbete kaq vonë???

Në sofrën time ka speca, bukë e kripë,
Në një kutruve, verën që ruajta për ty,
E piva deri në gjysmë i vetëm,
duke të pritë…
Pse mbete kaq vonë???

Por ja frutat e mjalta
Qëndrojnë në degë, të pjekura flakë,
Do të binin në tokë,
Nëse do vonoheshe edhe pak!.. / KultPlus.com

Konfirmohet ekipi olimpik i xhudos, Kuka: Caku, medalja olimpike

Tashmë është kompletuar ekipi olimpik i xhudos që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpik ‘Paris 2024’.

Trajneri i Kosovës, Driton Kukat të martën përmes llogarisë së tij në Facebook, ka konfirmuar ekipin olimpik të xhudos.

Akil Gjakova, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka janë xhudistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris. Trajneri Driton Kuka ka thënë se caku do të jetë medalja olimpike.

“Për një ditë të mirë miq … Sot zyrtarisht konfirmohet mbyllja e kualifikimit për Lojëra Olimpike! Lista e ekipit tonë. Punë e madhe e përkushtim tash shkojmë tutje. Caku medalja Olimpike. Do Zoti shpaguhet mundi dhe puna e këtij ekipi dhe mbarë federatës tonë me medalje Olimpike të radhës”, ka shkruar Kuka.

Eliminimi i kuqezinjve nga Euro 2024, BBC: Shqipëria bëri paraqitje të guximshme, fitoi shumë admirues

Shqipëria nuk ka luajtur asnjëherë në një Botëror dhe kjo ishte hera e dytë që ajo shfaqet në Kampionatin Evropian, tetë vjet pasi nuk arriti të dilte nga faza e grupeve.

Detyra e tyre dukej gjithmonë jashtëzakonisht e vështirë, pasi ata u vendosën në një grup me Spanjën, kampionët në fuqi të Italisë dhe finalistët e Kupës së Botës 2018, Kroacinë.

Por ata fituan shumë admirues me shfaqje të guximshme.

Ata shënuan pas vetëm 23 sekondash për të kaluar në epërsi ndaj Italisë me golin më të shpejtë në historinë e Europianit. Ata humbën përfundimisht 2-1 ndaj Azzurrit, por në ndeshjen e tyre të dytë ndaj Kroacisë ata shënuan golin e barazimit 2–2 në minutën e pestë shtesë.

Shqipëria luftoi fort kundër Spanjës me zëvendësuesin Broja, duke rrezikuar shumë dhe duke iu afruar golit, që do t’i kishte bërë të zinin vendin e tretë në grup dhe të mbanin të gjalla shpresat shumë të pakta për kualifikim./ BBC/ KultPlus.com

Nadin Gordimer: Dashuria dhe politika

Jam e mendimit se dyshimi është një nga shfaqjet esenciale, prej të cilit ne hetojmë gjërat që të gjejmë pakëz të vërtete. Bota është shumë e ndërlikuar: duhen mësuar gratë, njerëzit, fëmijët; duhet studiuar ajo që kanë thënë, madje, edhe kuptimi i lëvizjeve dhe i gjesteve të tyre. Ai më nxit për hulumtime, sepse për shkak të angazhimit, është e rrezikshme të jesh shumë i sigurt dhe të mendosh se e vërteta është plotësisht në anën tonë. Gjithmonë duhet pasur dyshim nga pak, duhen bërë pyetje, madje, edhe të kundërta me ato që përjetojmë. Kjo është një mister, sepse unë kam parë shumë njerëz të guximshëm. Për mua është një enigmë, sepse disa njerëz nga koha në kohë janë tepër kurajoz në jetën politike, por që nuk janë të tillë edhe në raportet vetjake. Kjo ndodh sepse qeniet njerëzore janë plot mangësi, kurse shenjtorët nuk ekzistojnë. Dashuria është shumë, shumë e rëndësishme. Shpesh kam folur dhe kam shkruar se ekzistojnë dy gjëra që vënë në lëvizje njerëzit, të cilave ata nuk mund t’u kundërvihen e që janë forcat kryesore lëvizëse: dashuria dhe politika. Këto janë dy forca të fuqishme. Dashuria gjithmonë është e rëndësishme, ajo është një dukuri joshëse, misterioze. Kur njeriu kalon moshën, mund të shfaqet një aspekt tjetër i dashurisë që nuk është as tërësisht miqësi, por as tamam dashuri. Kjo është diçka e ndërmjetme. Një miqësi e tillë mund të ekzistojë midis burrit dhe gruas, por që nuk është seksuale, sepse jeta seksuale për të dy vazhdon në jetën private, kurse miqësia e tyre është diçka e veçantë. Jam e bindur se midis qenieve njerëzore kemi një fytyrë tjetër të dashurisë, të cilën ne ende nuk e kemi zbuluar dhe kjo temë më tërheq shumë. Kjo është edhe tema e librit tim të ri… Në çfarëdolloj moshe një burrë dhe një grua mund të dashurohen, por kjo dashuri mund të mos mbështetet në marrëdhënien seksuale. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për mua, sepse nuk jam e lidhur shumë me familjen. Kjo do të thotë se, krahas fëmijëve të mi dhe burrit, familja ime përbëhet edhe nga miq, të cilët i dua shumë. Ne kemi të njëjtat ide politike. Bashkërisht kemi luftuar dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse këto janë lidhje solide. Nuk mund të mbash miqësi me dikë që është racist, sepse është jashtë arsyes. Kam konstatuar se në një familje vëllezërit dhe motrat janë bërë armiq midis tyre për shkak të politikës. Kjo ndodh gjithandej. Nuk mund të durohet një racist, nëse ju nuk jeni i tillë, gjë që është e kuptueshme. /Hejza/ KultPlus.com

Ndodh edhe kjo, skuadrës së Xhakës dhe Shaqirit i vjedhin laptopët në prag të ndeshjes me Italinë

Trajnerëve të Zvicrës iu vodhën kompjuterë në Duseldorf gjatë Euro 2024, megjithëse asnjë të dhënë ose informacion sensitiv për ndeshjen e tyre të radhës kundër Italisë nuk është komprometuar, tha skuadra të martën.

Analistët video përgjegjës për përgatitjen e të dhënave dhe informacionit taktik për trajnerët e ekipeve nuk u rrezikuan pasi ishin në kampin e Zvicrës në Shtutgart, tha një zëdhënës i ekipit, duke konfirmuar se tre laptopë ishin marrë.

Të prekurit ishin pjesë e një delegacioni trajnerësh të rinj të ekipit kombëtar që po udhëtonin nëpër Gjermani për të vëzhguar dhe analizuar ndeshjet, bën të ditur Reuters.

“Asnjë e dhënë e ndjeshme apo asnjë informacion në lidhje me ndeshjen e ardhshme kundër Italisë nuk ka humbur”, tha zyrtari në një email.

Zvicra ka arritur në fazën eliminatore të turneut të saj të gjashtë radhazi të madh dhe do të luajë kundër Italisë në Berlin të shtunën.

Thënie për jetën nga ikona e muzikës pop, Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson./ KultPlus.com

Ditëlindja e dijetarit

Sot është ditëlindja e 88 e Rexhep Qosjes. Edhe sikur të mos kishte shkruar asgjë tjetër, ai do të mbetej në letërsinë dhe kulturën shqiptare me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), i cili solli një poetikë të re tek ne dhe, deri sot, mbetet romani më i njohur dhe më i përkthyer i Kosovës.

Ag Apolloni

Kështu, sot është 88-vjetori i Rexhep Qosjes, ndërsa sivjet është 50-vjetori i postmodernizmit në letërsinë shqipe, 50-vjetori i poetikës që inaugurohet me romanin e parë të tij.

Meqë autorët postmodernë i karakterizon erudicioni, ai nga vitet ‘80 u pa më shumë si dijetar sesa si shkrimtar. Në vitet ‘80 ai shkroi monografinë më të madhe mbi romantizmin shqiptar, në tre vëllime, dhe njëkohësisht bëri luftë të ashpër kundër intelektualëve dhe shkrimtarëve serbë dhe maqedonë, që falsifikonin të vërtetën mbi shqiptarët.

Në vitet ‘90, Kosova krahas Presidentit, kishte edhe Dijetarin, prandaj nuk është çudi që politikanë dhe delegacione të rëndësishme diplomatike perëndimore, krahas vizitave protokollare me përfaqësuesit politikë të vendit, bënin vizita edhe në zyrën, ose në shtëpinë e Dijetarit.

Për punën e tij letrare dhe atdhetare, Rexhep Qosja është vlerësuar në Shqipëri, por jo edhe në Kosovë, ku, çuditërisht, gjatë 25 vjet lirie, është shpërfillur nga institucionet kulturore, arsimore dhe politike:

– Universiteti i Prishtinës nuk i ka dhënë titullin Professor Emeritus, as titullin Anëtar Nderi, as Doctor Honoris Causa.

– Ministria e Kulturës nuk e ka nderuar me ndonjë çmim vjetor, dhe as me Çmimin për Vepër Jetësore.

– Presidentët/presidentet nuk i kanë dhënë asnjë dekoratë presidenciale nga gjithë ato dekorata të përcaktuara për qytetarë të merituar të Kosovës dhe për Kosovën. E, nga viti 2003 deri sot, Presidenca e Kosovës ka dhënë 2757 dekorata presidenciale (përfshirë edhe atë për emisionin Fiks Fare), si dhe 94 mirënjohje presidenciale (përfshirë edhe ato për Elkos, Coca Cola, Ipko, Devolli, Al Petrol, HIB Petrol, Birra Peja, Bechtel Enka, M&Sillosi, Viva Fresh, Meridian Express etj.).

Rexhep Qosja, me të gjitha mjetet intelektuale, i ka mbrojtur shqiptarët e Kosovës në dekadat më të vështira të saj. Zyra e tij është thyer dy herë: herën e parë më 1999, nga militarët serbë, herën e dytë më 2006, nga “pacifistët” kosovarë.

Rexhep Qosja nuk është vetëm i Kosovës. Ai është ideolog dhe autor i ‘Strategjisë së Bashkimit Kombëtar’. Ai vjen nga Mali i Zi, ka mbrojtur fuqishëm të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, qe shtatëdhjetë vjet jeton, punon dhe krijon në Kosovë, qe tridhjetë vjet veprat i botohen ekskluzivisht në Shqipëri. Kështu, ai, përveç strateg, është edhe simbol i Bashkimit Kombëtar, që është projekti më i madh politik shqiptar.

Është ligj i natyrës që gjithçka të ndryshojë. Një ditë do të ndryshojë edhe kjo indiferencë institucionale ndaj kontributeve kapitale intelektuale.

Prandaj: Gëzuar, Profesor Qosja!🥂

Homazhet për poetin Agim Doçi, Begaj telegram ngushëllimi familjes

Presidenti Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit Agim Doçi, ndërsa dërgoi edhe një kurorë lulesh në homazhet e lamtumirës së fundit.

Në telegramin e ngushëllimit dërguar familjarëve të poetit, Presidenti Begaj e vlerëson “Mjeshtrin e Madh” Agim Doçi për frymëzimin e brezave me dashurinë për shqiptarinë përmes teksteve të këngëve patriotike.

“Njerëz të tillë mbeten përgjithmonë në memorien e popullit dhe kombit, dhe kujtohen me nderim, respekt e dashuri”, – u shpreh Presidenti Begaj i cili vlerësoi edhe rolin intelektual të Agim Doçit në shoqërinë shqiptare./atsh/KultPlus.com

Tri fragmente nga kryeveprat e George Orwell

George Orwell, pa dyshim se do të mbahet në mend për  kryeveprat e tij si “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, pa lënë anash autobiografinë “Rruga për në skelën Uigan”.

Dhe këto janë tri thënie nga librat më të njohur të tij, të përzgjedhur nga Libraria Buzuku.

“Jetojmë në një botë ku kurrkush nuk është i lirë, ku vështirë të ketë ndokënd që të jetë i sigurt, ku nuk është aspak e mundur të jesh i ndershëm dhe të mbetesh gjallë.” (Rruga për në skelën Uigan)

“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen: kush kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të shkuarën.” (1984)

“Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” (Ferma e kafshëve)./ KultPlus.com

1 vit nga vdekja e aktorit amerikan Frederick Forrest

Frederick Forrest ka vdekur më 25 qershor 2023, në moshën 86-vjeçare.

Ai ishte i njohur për rolet e tij në filmat e famshëm të viteve 1970, duke përfshirë “Apocalypse Now!”, “The Conversation” të Francis F. Coppola, “Missouri Runaways” të Arthur Penn, si dhe “The Rose” nga Mark Rydell.

Për filmin “The Rose” është nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e aktorit dytësor.

Forrest lindi në dhjetor 1936 në Teksas. Ëndrra e tij e fëmijërisë ishte të bëhej aktor, por nervozizmi nuk e ndihmoi të kalonte asnjë audicion.

Sidoqoftë, ai më pas ndoqi Universitetin Kristian të Teksasit, duke marrë kështu role të vogla në aktrim. Më pas u specializua në studimet për radio dhe televizion.

Rolet e tij më të suksesshme ishin në filmat e Coppola-s dhe më konkretisht në “Apocalypse Now” dhe “One Day One Love”.

Pavarësisht fillimit të tij të fortë, megjithatë, në Hollywood, karriera e tij nuk ishte e barabartë. Ai nuk mori kurrë një rol kryesor dhe mbeti në atë dytësor, si ai i neonazistit në “Ditën speciale” të Joel Schumacher. Roli i tij i fundit ishte në All the King’s Men (2006)./KultPlus.com

Katër parimet e një shkrimtari sipas George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.

EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. / Hejza / KultPlus.com

Homazhet për Agim Doçin, këngëtarja Manjolla Nallbani: Jo thjesht një poet i madh, por një njeri i veçantë si karakter

Këngëtarja e njohur, Manjolla Nallbani ka folur pas homazheve në nder të poetit të njohur, Agim Doçi, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare.

Nallbani tha se Doçi nuk ishte thjesht një poet i madh, por edhe një njeri me karakter të veçantë.

Ajo shtoi se një Agim Doçi nuk vjen më, pasi ishte unik.

“Unë besoj se të gjithë ne humbën jo thjesht një poet te madh, por një njeri te vecantë si karakter, me sinqeritetin e natyrës së tij,  me mënyrën se si i thoshte të vërtetat, me kontributin që ka dhënë në krijimtarinë sidomos në kohën e luftës në Kosovë”, tha për News24.

Një Agim Doci nuk vjen më, pasi ishte një njeri unik. Sot shumë dhimbje që humbin një njeri të tillë./KultPlus.com

Gonxhja: Shndërrim i fshatrave “të braktisur” në qendra turistike

Agroturizmi shihet si sektori më efikas në rivitalizimin e zonave rurale.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli  në vëmendje se, modeli i “Albergo Diffuso” (AD), që fokusohet në shndërrimin e fshatrave “të braktisur” në qendra turistike, po zbatohet edhe në Shqipëri.

Albergo Diffuso (AD) është një koncept revolucionar në turizëm, i cili ka si qëllim shndërrimin e fshatrave “të braktisur” në qendra turistike autentike dhe plot gjallëri.

Me origjinë nga Italia në vitet 1980, ky model ka të bëjë më shumë sesa thjesht akomodim, ka të bëjë me përjetimin e jetës në fshatra dhe qendra të vogla historike.

Po çfarë e bën unik Albergo Diffuso?

Sipas këtij modeli, në vend të ndërtimeve të reja të hoteleve, AD shfrytëzon shtëpitë ekzistuese të fshatit.

Akomodimet janë të shpërndara nëpër shtëpi të banuara, duke ftuar vizitorët të jetojnë si vendas.

Gjithashtu AD është një model i turizmit të qëndrueshëm që respekton dhe integrohet me komunitetet dhe natyrën lokale.

E parë në këtë kontekst, përmes nismave të reja, qeveria adresoi mbështetje të veçanta për zhvillimin e agroturizmit, i cili sot ka marrë hov thuajse në çdo zonë rurale të vendt dhe jo vetëm.

Në thelb të këtij modeli qëndron fakti i të përjetuarit të jetesës së vërtetë lokale. Ndërkohë që angazhohesh me komunitetet duke ruajtur stilin e jetesës dhe mjedisin e tyre./atsh/KultPlus.com

Turistët e huaj, interes për historinë dhe kulturën e Voskopojës

Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore e historike në vend, vijon të mbetet ndër destinacionet më interesante për vizitorët vendas dhe të huaj në të gjitha stinët e vitit.

Përveç bukurive natyrore, Voskopoja është e pasur dhe me shumë monumente kulture, siç janë kishat e manastiret, të cilat ngjallin interesin e vizitorëve.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët e huaj që kanë vizituar këto ditë Voskopojën.

“Me lajmin e mirë se që nga çelja e sezonit turistik 1165 persona kanë vizituar Voskopojën, ftojmë të gjithë turistët vendas dhe të huaj për të eksploruar këtë destinacion, pasi krahas historisë së pasur, kishave dhe afreskeve të shumta që mbartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore, peizazhi dhe ushqimi i mirë që ky vend ofron janë një arsye më tepër për ta vizituar”, shkruan IKTK.

IKTK fton turistët ta vizitojnë Voskopojën.

“Nëse jeni në kërkim të një udhëtimi të veçantë dhe të paharrueshëm, bëhuni pjesë e historisë dhe kulturës së Voskopojës”, theksoi IKT.

Arkitektura e kishave në Voskopjë i ka rezistuar kohës, luftërave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmitare unike e atij qytetërimi. Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha: Kisha e Shën Athanasit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, Kisha e Shën-Kollit dhe Manastiri i Shën Prodhromit./atsh/KultPlus.com

Festa “Tava e krapit” në Shkodër, ndërthurje e traditës me turizmin

Shkodra përjetoi atmosferë festive ndërsa u zhvillua festa e “Tavës së krapit”.

Kjo festë përbën risi në Shkodër dhe solli një ndërthurje të traditës me turizmin dhe artizanatin, mjeshtrisë e kulturës qytetare në përgjithësi, me gatimin tipik shkodran, të “Tavës së krapit”.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja  postoi në rrjetet sociale momente nga kjo festë.

“Një festë e re me theks traditat, e cila solli në vëmendje gatimin lokal Shkodran, duke sjellë së bashku aktorët e komunitetit, që nga ambientalistët e liqenit të Shkodrës, varkapunuesit, peshkatarët, fermerët e zonës, që ofrojnë e prodhojnë ushqimet e këtij gatimi, të rinjtë e përfshirë në arsimin profesional të kuzhinës dhe të turizmit, si dhe shumë vizitorë turistë”, shkroi Gonxhja.

Shkodra këtë sezon turistik ofron paketë të plotë si me vizitat historike dhe kulturore ashtu edhe në argëtim./atsh/KultPlus.com

Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 88-të

Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 88-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com

Ngjarjet e qershorit-dhjetorit 1924 dhe pasojat për lëvizjen irredentiste të Kosovës

Stereotipet ideologjike rreth vlerësimit të ngjarjeve dramatike në skenën politike shqiptare nga qershori deri në dhjetor të vitit 1924 kur Fan Noli erdhi në pushtet pasi përmbysi qeverinë legjitime të Iliaz Vrionit, me përjashtime, vazhdojnë të mbesin të tilla edhe pas një shekulli, pra të quhen revolucion demokratik i qershorit, ndërsa veprimet e njërit nga ministrat më të fuqishëm të qeverisë legjitime të rrëzuar, Ahmet Zogu, që kaloi në Jugosllavi dhe me ndihmën e jugosllavëve po edhe të faktorit të tjerë ndërkombëtarë, veçmas britanikëve dhe qeverive konzervative europiane, pas gjashtë muajsh kur rrëzoi qeverinë e Nolit, quhen kundërrevolucion.

Jusuf Buxhovi

Pa marrë parasysh këto vlerësime të ngurta, zhvillimet politike qershor-dhejtor në skenën politike shqiptare nuk mund të shihen të shkëputura nga faktorët politikë – që i paraprinë këtij zhvillimi nga vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit kur Shqipëria u njoht si shtet mbi konceptin londinez dhe mori përsipër që të ratifikojë marrëveshjet ndërkufitare me Mbretërinë Jugosllave dhe Greqinë dhe, nuk mund të shihen të shkëputura nga roli i lëvizjes irredentiste të Kosovës pas themelimit të Komitetit Kombëtar në Shkodër në vitin 1918 në të gjitha këto zhvillime, veçmas të viteve 1923-1924, kur ata do të marrin anën së majtës dhe dy nga liderët e saj Hasan Prishtina dhe Bajram Curri do të jenë mbështetësit ushtarak dhe politik të qeverisë së Nolit.

Natyrisht se qeverisë së Vrionit, asaj gjashtëmujore të Nolit dhe të Zogut më pas, lëvizja irredentiste e Kosovës në Shqipëri do t’u kthehet në barrë të rëndë që duhej dhënë përgjigje në përputhje me qëndrimet ndërkombëtar, pra të likuidohej, siç edhe ndodhi. Por, në ndërkohën nga viti 1919, kur krijohet “Zona neutrale e Junikut” e deri në shuarjen e saj në vitin 1923, lëvizja irredentiste do të përdorët dhe (sh)përdorët për qëllimet e brendshme politike shqiptare, në njërën anë nga e majta dhe Noli për të ardhur në pushtet, dhe në tjetrën anë nga Zogu, për ta vendosur pushtetin në përputhje me logjikën shtetërore, pra të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me jugosllavët, që si detyrim të dyanshëm kishin – nga brenda eliminimin e lëvizje irredentiste në Shqipëri, dhe mospërkrahjen deri në shuarje të lëvizje kaçakë në Kosovë.

Natyrisht, ajo që ndodhi me likuidimin e “Zonës neutrale të Junikut” në vitin 1923 nga forcat jugosllave të cilave u erdhën në ndihmë edhe ato të shtetit shqiptar, ishte pasojë e logjikës shtetërore që shteti i ri shqiptar duhej t’i përmbahej për të ekistuar ndërkombëtarisht në rrethanat kur ishte i kërcënuar nga Jugosllavia dhe Greqia.

Por, likuidimi për t’u likuiduar “Zona e lirë” e Prekazit në Dernicë dhe simboli i kësaj lëvizjeje Azem Bejta, do të bjerë në Tiranë dhe jo në Beograd. Sipas historiait të njohur Bernd Fisher, shkas për këtë ishte ishte rrëzimi i qeverisë së Ahmet Zogut nga ana e grushtetit që ishte bërë nga e majta, që kishte sjellë në pushtet Fan Nolin, e ku rol të madh kishte pasë lëvizja irredentiste e Kosovës. Liderët e saj, në radhë të parë Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe të tjerët kishin qenë motor i lëvizjes, e cila, nga e majta ishte quajtur Revolucion Demokratik i Qershorit, edhe pse nga jashtë jo vetëm që nuk ishte parë si i tillë, por ishte ngarkuar me anatemën e “celulës së parë bolshevike” jashtë Bashkimit Sovjetik. Kësaj bindje do t’i ketë ndihmuar pajtimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike të qeverisë së Nolit me atë të Bashkimit Sovjetik gjatë takimit që Noli pati në Romë me përfaqësuesin e Moskës, por edhe gjesti i parlamentit shqiptar, kur me rastin e vdekjes së Leni-nit ishte kërkuar të mbahej një minutë zi.

Meqë, Ahmet Zogu, pas përmbysjes së qeverisë legjitime të Iliaz Vrionit kishte kaluar në Jugosllavi dhe aty do të qëndrojë të shumtën e kohës (qershor-dhjetor, pa përjashtuar këtu qëndrimet në Vjenë dhe Pragë, e ku kishte pasur bisedime me qeveritarët më të lartë të Beogradit, nga ajo që do të merret vesh, ai do të gëzojë përkrahjen jugosllave për t’u rikthyer në pushtet, siç kishte ndodhur në të vërtetë pas gjashtë muajsh. Andaj, ishte e natyrshme që njëri ndër veprimet “paraprake” të Jugosllavëve për t’u kthyer në pushtet Zogu ishte t’i eliminoheshin kundërshtarët, ku irredentistët kosovarë ishin në krye të vendit të qeverisë majtiste të Tiranës dhe udhëhiqnin resorët e mbrojtjes dhe ato të sigurisë.

Nëse kësaj i shtohen edhe detyrimet e tjera që kishte Beogradi nga faktorit ndërkombëtar, veçmas nga Britania e Madhe dhe e djathta e cila kurrsesi nuk do të toleronte në Ballkan një filiale bolshevike të Moskës, siç ishte ajo që tashmë ishte instaluar në Tiranë, atëherë ishte më se e qartë se Mbretëria SKS, përcaktimin ndërkombëtar që të rrëzohet qeveria e majtë e Tiranës, do ta shfrytëzojë edhe për qërimin përfundimtar të hesapeve me prijësit e izoluar të Lëvizjes Kaçake të Kosovës, të cilët, në mos sot, atëherë nëse, duhej të likuidoheshin edhe fizikisht. Kjo, kohë, pra ishte e përshtatshme për diç të tillë.

Ato që do të ndodhin gjatë korrikut të vitit 1924 në Drenicë përreth kullës së Azem Bejtës kur ai dhe “feudi i tij i vogël” do të asgjësohen në mënyrën më të ashpër me mjete policore dhe ushtarake, ishte vetëm epilog i këtij zhivllmi, të cilin Beogradi e shfrytëzoi pa qenë i detyruar që për këto masakra të japë llogari para faktorit ndërkombëtar. Kështu, Azem Bejta do të vritet në luftë me forcat e shumta ushtarake dhe policore të Beogradit. Nga plagët e marra, në moshën 35 vjeçare, vdiq më 26 korrik 1924. E varrosën në shpellën e Qukut, i mbetur “i fshehur” për gjysmë shekulli.

Fatin e Azem Bejtës, në një mënyrë apo tjetër, do ta përjetojnë në vazh-dimësi pjesa më e madhe e liderëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nga Bajram Curri e deri te Hasan Prishtina. Pavarësia kombëtare, për të cilën ata kishin bërë aq shumë dhe ishin të merituar i la pa atdhe, ndërsa zhvillimet e mëvonshme ua morën edhe të drejtën që të luftojnë për të, por jo edhe idealin e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Gjatë asaj vere do të ketë veprime të shkëputura hakmarrëse kundër forcave jugosllave, por më shumë do të ketë represion shtetëror ndaj jatakëve të kaçakëve si dhe atyre që qeveria e Beogradit mendonte se mund të vepronin në rrethana “të tjera”. Kjo bëri që në disa pjesë të ketë vrasje “të dyshimta” ndaj disa atdhetarëve, të cilat nga regjimi arsyetoheshin “si hakmarrje” midis Shqiptarëve për çështje të ndryshme. Diku pati edhe bastisje dhe vrasje të cilat u arsyetuan si “rezistencë” ndaj pushtetit gjatë aksionit të çarmatosjes e të ngjashme, të cilat Beogradi dinte t’i plasonte në opinionin botëror.

Kur nga fundit i dhjetorit të atij viti, Ahmet Zogu, me ndihmën e Beogradit dhe të vullnetarëve të ndryshëm që i erdhën nga ana jugosllave, ktheu pushtetin që i ishte marrë në qershor me anën e grusht-shtetit nga e majta, filloi qërimin e hesapeve me liderët e Lëvizjes së Irridentës edhe në Shqipëri, me çka, edhe me ndihmën e shtetit shqiptar, tragjikisht mbyllet kapitulli i veprimtarisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe e Lëvizjes Kaçake, si pjesë e rëndësishme e Rezistencës Kombëtare të Kosovës ndaj pushtimit serbo-jugosllav.

Megjithatë, për t’u parë dimensioni i këtij kapitulli tragjik, është e nevojshme që epilogu të ndërlidhet me ato që do të ndodhin në “Zonën e Lirë” të Junikut dhe shuarjen e saj nga ana e Beogradit në vitin 1923.

Pa marrë parasysh si dhe sa do të ketë gisht Qeveria e Zogut në shuarjen e rezistencës shqiptare të përqendruar në zonën e deriatëhershme neutrale të Junikut, e cila sipas Konferencës së Paqes në Paris i kalonte Jugosllavisë, megjithatë, pjesa e kosovarëve që do të detyrohen të kalojnë në Shqipëri dhe të gjejnë strehim, do të afrohen edhe më shumë me forcat irredentiste, të cilat e kishin bindjen se qeveria e Ahmet Zogut i kishte tradhtuar, duhej bërë çmos që ajo të rrëzohej. Ky përcaktim domodoshmërisht i çonte kah opozita e majtë, e cila edhe ashtu kishte prirje revolucionare dhe puçiste dhe ishte e interesuar që fuqinë dhe energjinë e madhe të Lëvizjes Irredentiste ta shfrytëzonte që të vinte në pushtet pa marrë parasysh çmimin.

Kështu, në këtë fazë, më shumë se kurrë, në Shqipëri do të fillojë me të madhe edhe (sh)përdorimi i fuqisë së Lëvizjes Irredentiste për nevoja të brendshme politike dhe për qërim hesapesh. Kjo do të pasqyrohen më së miri çastin që do të fillojë fushata për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese nga 30 shtatori 1923 e deri më 2 shkurt 1924.

Opozita e majtë, e cila humbi këto zgjedhje, në radhët e veta kishte dy deputetë si përfaqësues të irredentizmit: Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin. Ata luanin një rol të rëndësishëm në skenën politike shqiptare që nga fillimet e saj dhe përcaktimi i tyre ishte jo vetëm nacionalistë, por për rrethanat edhe antizogist. Shumë nga kosovarët, që do të rreshtohen pas pak kundër tij, bashkëpunimin e forcave shqiptare me ato jugosllave gjatë operacioneve për “pastrimin” e zonës neutrale të Junikut nga kryengritësit që luftonin kundër pushtuesit serb, do ta lidhin edhe me qëndrimin që Zogu kishte mbajtur gjatë verës së vitit 1914, kur jo vetëm që nuk kishte përkrahur Princ Vidin, sipas marrëveshjes që kishte me Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin, por një pjesë e forcave të tij, herë pas here, do të përfshihen edhe në luftimet kundër pozicioneve mbrojtëse të kosovarëve përreth Durrësit. Shumë kosovarë këtu e shihnin zanafillën e sjelljeve dyshuese të tij.

Por, kalimi i një pjese të irredentës nacionaliste në anën e opozitës së majtë dhe keqpërdorimi i saj për qërim hesapesh në skenën e turbullt politike shqiptare, Zogut do t’i japë motiv të dyfishtë që ndaj liderëve të saj të sillet në përputhje “me logjikën e shtetit”, me çka edhe pasuesve të tyre u bëhej e ditur se çfarë i priste nëse do të vazhdonin ta sfidonin me irredentizëm. Kështu, hiqte qafesh kundërshtarët e fortë politikë dhe njëherësh zgjidhte problemet që i dilnin me Jugosllavinë rreth përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare që i dilnin nga Konferenca e Paqes në Paris por edhe nga Lidhja e Kombeve, ku ishte anëtarësuar dhe priste njohje të reja ndërkombëtare.

Zhvillimet që do të ndodhin gjatë dy muajve të ardhshëm, dhe do të nisin me atentatin ndaj Avni Rrustemit më 20 prill, (revolucionarit të njohur, i cili me krijimin e shoqatës “Atdheu” dhe pastaj “Bashkimi” vendin do ta mbajë nën kërcënimin e dhunës revolucionare dhe të kërcënimeve të vazhdueshme puçiste), për të marrë fund më 10 qershor, kur forcat kryengritëse do të futen në Tiranë dhe do të krijojnë rrethanat që me anën e grusht-shtetit të rrëzohet qeveria demokratike. Liderët e irredentës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, por edhe të tjerët që i takonin rrymës së tyre, do t’i kthejë në aktorë të rëndësi-shëm, në mos kryesorët. Bajram Curri vitet në krye të forcave ushtarake, që drejtuan puçin kundër qeverisë legjitime në krye me Shevqet Vërlacin, ministër i së cilës ishte edhe Zogu dhe sjelljen në pushtet të puçistëve. Ndërsa Hasan Prishtina do të kthehet në mbështetës kryesor të regjimit puçist, që do të vijë në pushtet me anën e dhunës revolucionare. Kështu, e djathta në Shqipëri, disfatën ndaj revolucionarëve, të cilët ditë më parë në varrimin e Avni Rrustemit, ishin betuar për hakmarrje klasore ndaj çdo vlere konservative në Shqipëri – dhe ata do ta mbajnë atë premtim për aq sa do të kenë pushtet – në masë të madhe do t’ia atribuojnë edhe lëvizjes irredentiste. Me këtë do të hapet edhe një kapitulli tragjik i vëllavrasjes së brendshme shqiptare dhe i thellimit të përçarjes Shqipëri-Kosovë, mbi bazat e anatemës së pameritueshme të ndarjes majtë-djathtë, ose në përkrahës të komunizmit dhe kundërshtarë të tij. Kjo në shkallë të fundit, do të shkojë tek përcaktimi për Perëndimin apo për Lindjen.

Do të jetë Mbretëria Shqiptare, e cila do të mundohet t’i kundërvihet këtij zhvillimi, por jo aq bindshëm. Ngaqë, si do të shihet, mendësia politike shqiptare nga radhët e shtresës së mesme, jo vetëm që kishte mbetur në mbër-thimin e të majtës dhe të metodave të dhunës revolucionare për të ardhur në pushtet, por nga hakmarrja ndaj të djathtës dhe Monarkisë Shqiptare, do t’i jepej asaj me një përkushtim të madh, që për pasojë do të ketë mbetjen e Shqiptarëve në botën lindore-komuniste.

15 vite nga vdekja e Michael Jackson, ikonës së muzikës pop

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

“The Guardian”: ‘Është si të kthehesh pas në kohë’ – një eko-turne nëpër mrekullitë e Shqipërisë

Me parqe kombëtare madhështore dhe një mënyrë tradicionale jetese, vendi ballkanik ofron një përvojë të paharrueshme për vizitorët e huaj, shkruan Teresa Machan në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.

Në kodrat mbi fshatin Tragjas në Vlorë, në jugperëndim të Shqipërisë, po vrapoja pas një fermeri të quajtur Sofo, me një gotë raki në njërën dorë dhe një petull trekëndore në tjetrën.

Muzgu po largohej dhe drita e ditës kishte filluar të dilte, ne ishim vonë dhe dhitë duhej të mjeleshin.

Sofo dhe bashkeshortja e tij Dhurata po na prisnin për darkë në “restorantin” në fshat.

Ne ecëm deri në fermë nga rruga përmes barit me nyje, grykës dhe sherebelës së shfrenuar.

Dhurata më ofron një petull të mbushur me djathë dhie të bërë në shtëpi (një pjatë tradicionale me brumë të skuqur) dhe unë nxitova pas Sofos.

Përpara se të uleshim për të shijuar pjatat me perime, mish dhe qofte të pjekura në skarë, duhej bërë mjelja.

“Kjo është ajo që ndodh në Shqipëri.Vendasit duan t’ju japin gjëra gjatë gjithë kohës”, tha udhërrëfyesi ynë, Elton Caushi.

Është e vërtetë. Kudo që shkuam, dyert hapeshin dhe pasonin biseda dhe pije freskuese.

Duke udhëtuar përreth takova alpinistë, udhëtarë në kampe, ​​një grup studentësh nga Universiteti i Bristolit që eksploronin me makinë dhe një çift britanik pensionist që po ecnin me biçikletë.

Të gjithë kishin veçse lëvdata për mikpritjen shqiptare.

Unë erdha në Shqipëri me operatorin turistik “Intrepid”, për të përjetuar një udhëtim nëntë-ditor, të drejtuar në partneritet me “Meet” (Përvoja Mesdhetare e EkoTurizmit).

Vitet e fundit Shqipëria ka filluar të joshë adhuruesit e diellit në vendpushimet bregdetare duke përfshirë Sarandën, Himarën dhe Vlorën.

Destinacioni ballkanik është një vend me bukuri natyrore mbresëlënëse dhe rëndësi ekologjike, siç zbuloi vizita jonë.

Itinerari i plotë përfshinte vizita në ujërat e kaltërta të liqenit të Komanit dhe lumit të qetë të Shalës, në veri të vendit, ideal për zhytje sublime.

Gjithashtu, një shëtitje jo të detyrueshme në Mollë në ultësirën e Alpeve Shqiptare, në kryeqytetin Tiranë dhe në plazhin turistik të Vlorës.

Udhëtimi ynë përfshiu një ndalesë në kompleksin e Kalasë së Beratit – në majë të kodrës – i cili i ka rrënjët që në antikitet; është po aq e bukur sa çdo ndërtesë tjetër që kam parë – që datojnë në shekullin e XIII.

Qendra historike dhe dy kodikë të Beratit të zbuluar në kriptën e Muzeut të njohur Onufri mbrohen nga Unesco.

Kisha më e vjetër e qytetit, Trinia e Shenjtë, ka pamje panoramike mbi luginën e lumit Drin dhe masivin e Shpiragut me brazda.

Ndërsa Liqeni i Shkodrës, i cili ndahet me Malin e Zi, është një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve në Evropë.

Ne, gjithashtu vizituam një rezervat më pak të njohur por po aq të rëndësishëm në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, dy orë me makinë në jug të Tiranës.

I pasur me biodiversitet, parku ka identifikuar rreth 25 lloje gjitarësh, 29 lloje zvarranikësh (përfshirë breshkat e detit), 29 amfibësh dhe 230 lloje shpendësh.

Qendra e saj e rehabilitimit të shpendëve, e vetmja në Shqipëri, ka trajtuar pelikanë, shqiponja, kukuvajka, zuzar dhe lejlek.

Ekosistemi i lagunës së Karavastasë, brenda parkut, është shtëpia e pelikanit dalmat nën kërcënim – një nga zogjtë më të mëdhenj të ujërave të ëmbla në botë – dhe një strehë për speciet shtegtare.

Ne kaluam dy ditë duke eksploruar grykëderdhjet dhe shtigjet e tij me varkë dhe biçikletë, duke kaluar natën në hotelin e vogël me tre yje Hotel Pelikan, buzë parkut.

Ne shijuam pamjen e ligatinave dhe zogjve nga maja e një kulle shikimi prej druri gjatë një drekë pikniku.

Rrugës për atje, Eltoni porositi në një shtëpi fshati lakror (një byrek popullor shqiptar) dhe dhallë.

Eltoni hapi një qilim dhe ne u ulëm në rrezet e diellit duke ngrënë pite të mbushura me qepë dhe domate.

Më pas, një shkëlqim flamingosh më të mëdhenj u shfaq përpara syve tanë.

Në qendrën e rehabilitimit, rojtari në detyrë, Ervin Allushi, na tregon se grupi i parë i adhuruesve britanikë të zogjve e kishin vizituar zonën në vitin 2016.

Numri i pelikanit dalmat është rritur nga 27 fole në 2014 në 85 në 2020.

Ne morëm një varkë të vogëlpër të dalluar jetën e shpendëve, duke ndalur për të parë me dylbi ishullin me rërë – ku pelikanët kishin folenë.

Të nesërmen në mëngjes ecëm me biçikletë në një shëtitore nëpër një pyll me pisha për në fshatin Babunjë, ku Eva dhe Adriatiku na mirëpritën në shtëpinë e tyre.

Adriatiku, një punues druri dhe gurgdhendës, na tregoi punëtorinë e tij dhe ne shijuam një kafe turke ndërsa shihnim sesi ai punonte gurin.

Për drekë na shërbyen pilaf me pulë, patëllxhan të mbushur dhe supë me mish rose.

Zhytja jonë në natyrë, veçanërisht në parkun kombëtar, ka qenë një pikë kryesore; njohuritë tona mbi thjeshtësinë rurale ishte një bonus i papritur.

Në fermën e Sofos dhe Dhuratës, ku djathi piqej në lëkurë dhie, gjellët gatuheshin mbi thëngjill dhe flakë dhe fermerët fqinjë i binin fyellit, mu duk sikur isha kthyer pas në kohë.

“Jo vetëm për shkak të punës për të mbrojtur Lagunën e Karavastasë, por ekziston një veçanti dhe një tipar që është vështirë të gjendet në Evropë tani – mënyra tradicionale për të bërë gjërat dhe artizanë që i ofrojnë një kuptim vendit”, tha Arnau Teixidor nga kompania “Meet” lidhur me Shqipërinë.

Pas pesë ditësh në vend, e kuptova saktësisht se çfarë donte të thoshte Teixidor./atsh/KultPlus.com

Nisin gërmime arkeologjike në Novobërdë për zbulimin e një qendre banimi në periudhën e Mbretërisë Dardane

Në fshatin Bostan të Komunës së Novobërdës kanë nisur gërmimet arkeologjike për të konfirmuar prezencën e një qendre banimi që lidhet me periudhën e vjetër historike të Dardanisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi të hënën se ky lokalitet ku po gërmohet njihet me emrin “Gumnishtë” nga banorët dhe ndodhet në 957 metra lartësi mbidetare.

Sipas Çekut, nëpërmjet zbulimeve arkeologjike formësohet historia e vendit.

“Përmes zbulimeve arkeologjike formësohet historia e lashtë e vendit tonë. Në lokalitetin arkeologjik të fshatit Bostan në Komunën e Novobërdës, kanë nisur hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike. Ky lokalitet në mesin e banorëve njihet me emrin ‘Gumnishtë’ dhe ndodhet në lartësi mbidetare 957m, ndërsa qëllim i këtij hulumtimi është konfirmimi i një qendre banimi që lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane”, ka shkruar ai në Facebook.

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Dhërmiu

Dhërmiu, i cilësuar si parajsë tropikale tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Dhërmiu duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Dhërmiu fshati i vogël bregdetar arrihet nga një rrugë piktoreske. Duke qenë se vija bregdetare është e pacënuar, vizitorët mund të shijojnë pamje befasuese të detit nga plazhi i Dhërmiut.

Gjatë muajit qershor në Dhërmi u organizua Kala Festival, një festival muzike, por edhe  një festë e kulturës, diversitetit dhe frymës së bashkimit, ngrohtësisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Nis dueli Shqipëri – Spanjë

Ndeshja midis Shqipërisë dhe Spanjës e vlefshme për EURO 2024 ka filluar.

Shqiponjave u duhet fitorja për t’u kualifikuar në fazën e nokautit të Kampionatit Evropian.

Spanja ka qenë në formë fantastike në dy takimet e para, mirëpo ymytin kryesor Shqipëria e ta te formacionin i dytë që një herë kampioni i botës e ka vënë në fushë sonte.