Salvator Mundi, misteret e pikturës më të kushtueshme sot në botë

Salvator Mundi, një pikturë që i atribuohet artistit të njohur italian Leonardo da Vinçi, ka tërhequr vëmendjen por edhe ka nxitur shumë polemika në botën e artit. Kjo kryevepër, që përshkruan Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e Botës, ka një histori të trazuar dhe është rrethuar nga debate mbi origjinalitetin, pronësinë dhe vlerën e saj.

Leonardo da Vinçi, një polimat dhe një nga artistët më të mëdhenj në histori, krijoi kryevepra të shumta, përfshirë të famshmen Mona Lisa. Salvator Mundi, besohet të jetë pikturuar nga da Vinci rreth vitit 1500, gjatë kulmit të Rilindjes Italiane. Piktura tregon aftësinë e tij të pashembullt në kapjen e detajeve të ndërlikuara dhe në përcjelljen e një ndjenje të qetësisë hyjnore. Salvator Mundi, u humb për shekuj me radhë dhe u rishfaq në fillim të shekullit XX-të. Ai iu atribua gabimisht një artisti tjetër dhe u shit për një shumë modeste. Ndërkohë në vitin 2005, piktura u ble në një ankand si vepër e një fansi të madh të Leonardo da Vinçit. Megjithatë, pas restaurimit dhe analizave të shumta, ekspertët nisën të dallojnë ngjashmërinë e tij me stilin e da Vinçit, duke ndezur një debat mbarëbotëror rreth origjinalitetit të tij.

Ndërsa disa besojnë se është Vinçi autori i tablosë, të tjerë argumentojnë se vepra është fryt një bashkëpunimi ose një punë e studios së tij. Pas rizbulimit të tij, Salvator Mundi, ndërroi duar disa herë. Në vitin 2013, ajo u ble nga miliarderi rus, Dimitri Ribolovlev, për shumën marramendëse 127.5 milionë dollarë.

Kjo shitje me një shumë rekord, e katapultoi pikturën në qendër të vëmendjes dhe ngriti pikëpyetje rreth vlerës së saj të vërtetë. Pronësia e dyshimtë e Salvator Mundi, gjeneroi një seri mosmarrëveshjesh ligjore, me akuzat për mashtrim. Në vitin 2017, Salvator Mundi u rinxor në ankand në Christie’s, dhe arriti vlerën befasuese prej 450.3 milionë dollarë, duke e bërë atë pikturën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë. Kjo shitje pushtoi tituj e mediave në mbarë botën dhe ringjalli debate rreth vlerës së vërtetë të veprës së artit. Çmimi astronomik ngriti gjithashtu pyetje në lidhje me ndikimin e komercializimit në botën e artit dhe rolin e artit si investim. Shikimi enigmatik dhe gjesti simbolik i Salvator Mundi, i mahnit shikuesit me vështrimin depërtues të Krishtit dhe gjestin e tij bekimi. Këta elementë bartin një simbolikë të thellë dhe ftojnë gjithëkënd në bërjen e interpretimeve rreth spiritualitetit, hyjnisë dhe rolit të besimit në art./ KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.

Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

“Kush e solli Doruntinën”, Laert Vasili risjell në skenë dramën e Kadaresë

“Kush e solli Doruntinën” drama e frymëzuar nga romani i shkrimtarit të madh Ismail Kadare është vënë në skenën e Qendrës Kulturore të Përrenjasit, me regjinë e aktorit  Laert Vasili.

Ndryshe nga herë të tjera, kjo vepër është vënë në skenë nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme në Përrenjas.

Pa profesionistë, por me të rinj të talentuar, shfaqja tërhoqi vëmendjen.

” Unë u përpoqa ta përshtatja tek ky brez që kam përshtypjen që është shumë më i aftë se ne për të marrë në dorë një trashëgimi kulturore kaq të madhe”, tha Laert Vasili.

 “Këta në thonjëza fëmijë që janë më të ditur se ne dot na treguan që janë të aftë për të mbajtur pesha shumë më të mëdha”,-shtoi ai.

“Unë kam disa vjet që punoj me këta fëmijë më japin një energji të paparë dhe ndihem mirë mes tyre. Kjo ishte një shfaqje e vështirë, patëm dhe një eksperiencë të re me një aktor shumë të talentuar. Arti është i vështirë do përkushtim, faleminderit disa njerëzve që mendojnë që mund të na ndihmojnë”,-tha Kujtim Cami, kryepeshkop.

Shfaqja zgjoi emocione të mëdha tek të pranishmit, por kryesisht tek të rinjtë, duke ngjallur dëshirën dhe pasionin jo vetëm për të parë teatër, por për ta konsideruar aktrimin si profesionin e mundshëm në të ardhmen.

“Emocionet ishin të mëdha dhe të papërshkrueshme. Unë kisha një rol kryesor, sekretin kush e solli Dorontinën e dija vetëm unë, sepse isha gruaja, dhe unë luaja që ai të mos rendetë pas Doruntinës por pas meje.”

Veç të rinjve dhe nxënësve të shkollave, shfaqja ngjalli kuriozitet edhe tek shumë qytetarë të Përrenjasit, të cilët mbushën sallën si kurrë më parë./euronews/KultPlus.com

“Fatalita” sjell gratë ikonë në skenën e TKOB

Figurat qendrore të grave në veprat klasike botërore letrare dhe operistike do të vijnë të gërshetuara në shfaqjen premierë te baletit me titull “Fatalita”.

Quhet e tillë sepse të gjitha shkojnë drejt fatalitetit, në emër të dashurisë, ndërsa në skenën e Operës së Baletit, aktet e katër heroinave në veprat “Romeo dhe Xhuliet”, “Carmen”,  “Anna Karenina” dhe Violeta e La Traviates do të rikthehen të interpretuara nga Enada Hoxha.

Koreografia i është besuar italianit Toni Kandeloro. Nga kjo e martë dhe e mërkurë, publiku do të mund t’i shohë këtë personazhe të famshme ndryshe, të përkthyera në gjuhën e lëvizjes në skenën e Tetarit të Operas dhe Baletit./tvklan/KultPlus.com

Ndarja nga jeta e poetit Agim Doçi- Veliaj: Lajm fort i trishtë, do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra teksteve të këngëve shqiptare, Agim Doçi.

Veliaj është shprehur se Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe.

“Fort i trishtuar për ndarjen nga jeta të Agim Doçit, poetit dhe autorit të teksteve të dhjetra këngëve, fitues i shumë çmimeve në festivale. Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe! Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe të afërmve. U prehsh në paqe!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Poeti i njohur Agim Doçi është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT pasi pësoi hemorragji cerebrale./KultPlus.com

Turizmi vijon rritjen, 3.3 milionë të huaj hynë në Shqipëri

Rritja e turizmit ka vijuar edhe në muajin maj, duke shënuar rekord të fluksit të turistëve në Shqipëri.

Hyrjet e të huajve shënuan në muajin e pestë të vitit rritje me 30.6% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë sipas statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave

Në total në janar-maj numri i të huajve regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë apo 38.2 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas INSTAT, gjatë muajit maj 2024, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin shqiptar, 1.606.520 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 30,6%, krahasuar me maj 2023.

Ndërkohë 1.615.862 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 30,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në maj 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 632.832, duke pësuar një rritje me 20,5%, krahasuar me maj 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 973.688. Ky numër është rritur me 38,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Sipas statistikave në maj 2024, krahasuar me maj 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 37,9%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 45,0%; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 48,3%.

I njëjti vlerëson se në muajin maj 2024, 662.095 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 23,9%, krahasuar me maj 2023.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit maj 2024, janë 953.767. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 36,0%.

Në maj 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 927.906 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 24.191 dhe 8.219 shtetas”, thuhet në njoftimin e INSTAT./atsh/KultPlus.com

SYTË rrezatojnë pozitivitet me këngën e tyre të re “Beat Goes On” në emisionin “GoodDay New York”

Dyshja fantastike “SYTË”, me bazë në New York e përbërë nga Nita Kaja (këngëtare) dhe Drin Tashi (producent/inxhinier), do të publikojë këngën e tyre të re, “Beat Goes On” më 26 qershor.

Kënga prek tema të ndryshme të rëndësishme si shëndeti mendor, motivimi dhe shpresa, duke eksploruar udhëtimin e rilidhjes me veten pas përballjes me zhgënjim, stagnim dhe mospërmbushje.

Kënga paraqet ndjenjat e rënda, shpesh dëshpëruese që mund të sjellë jeta, dhe thekson rëndësinë e momenteve të bukura ku ndihemi të lirë, pastrojmë mendjet tona dhe rikthehemi tek qëllimet tona personale.

Duke shpjeguar pse tani është koha e perfekte për të publikuar një këngë me një mesazh të tillë, SYTË thojnë: “Të gjithë duket se janë të etur për të jetuar një jetë të përbashkët në harmoni pa asnjë barrierë, dhe kjo është pikërisht ajo që ne synojmë të japim.”

SYTË do të shfaqin premierën e këngës më 26 qershor me një performancë live në “Good Day New York” programin e mëngjesit me të njohur dhe me të shikuar në Nju Jork. “Beat Goes On” është lansimi i tyre i parë i vitit 2024, i cili premton të magjeps të gjithë dëgjuesit me tingujt e bukur veror dhe të parezistueshëm indie pop./KultPlus.com

Rituali pa fjalën vdekje

Sali Bashota

Asgjë nuk i ngjan më shikimit tënd
Ndonëse pritja hidhërohet me dashurinë
Tashmë imagjinata aty ka zënë vend
Edhe kur qielli mësohet me vetminë


Asgjë nuk ndodh as në mesnatë
Ndonëse hijet tashmë kanë ikur
Malli vjen nga e njëjta shtërngatë
Edhe kur të gjithë qirinjtë janë fikur


Asgjë nuk pëshpërit pa zërin e bekuar
Dikur “më shumë dritë” kërkonte Gëte
Nuk dridhen buzët në lojën e mashtruar
Të dashuruarit i marrin ëndrrat me vete  


Çdo gjë fundoset e ringjallet përsëri
Hyji i dashurisë e ndjek yllin e vet
Poetët udhëtojnë deri në pavdekësi
Këto gjëra do të përsëriten me mijëra vjet
(Prishtinë, 24 qershor 2024)  / KultPlus.com                              

‘Atdheu im që prej ditës që u largova prej tij, u bë mami im’

Im bir sot më ka emocionuar si rrallë herë dhe për forcën që mesazhi i mëposhtëm përcjell, dua ta ndaj këtu me ju.

Profesori i lëndës së logjikës në klasën e tim biri i bën një pyetje fëmijëve: çfarë është Atdheu për ju? Fëmijët janë në moshën e adoleshencës dhe nuk është fort e thjeshtë të nxjerrësh një mendim të kulluar në këtë moshë.

Kur i erdhi rradha tim biri, i thotë profesorit: Ju profesor ndoshta nuk do ta kuptoni përgjigjen time e jam i sigurtë se do t’ju tingëllojë e çuditshme. Atdheun për mua, duke qenë unë fizikisht larg tij, e ka zëvendësuar mami im.

Profesori sigurisht çuditet nga përgjigja dhe i thotë tim biri të japë një arsyetim për këtë përgjigje.

Ai vazhdon: Atdheu im natyror është një vend ku deti dhe malet bashkëjetojnë aq bukur në të njëjtin pejsazh, ku njerëzit janë të bukur si pejsazhi, ku problemet janë të thella si deti e zgjidhjet të mundimshme sa kapërcimi i maleve. Unë e kam jetuar pak Atdheun tim, kur u largova prej tij nuk e dija që kthimi tek ai do të shkonte kaq gjatë e unë do të rritesha duke parë të tjera male, rrugë, qytete e të tjera pejsazhe, por kurrë aq të dashura e të shenjta. Atdheu im që prej ditës që u largova prej tij, u bë mami im. Kur nisi klasa e parë, fillova të shkruaja alfabetin e një gjuhe tjetër, jo atë të gjuhës së nënës time. Dhe ajo ishte aty me mua, duke më ndihmuar të bëja timen një gjuhë që nuk ishte e imja, e as e saj. U dëshpërova pa masë që fjala e parë që shkrova në fletore nuk ishte: mami.

Ajo e lexoi dëshpërimin në sytë e mi, ndalet, m`i merr duart në duart e saj dhe më thotë: dëgjo zemër, pasi të mbarojmë mësimet e të bësh të gjitha detyrat do të fillojmë mësimin e gjuhës shqipe. Të kam blerë abetaren dhe të gjithë librat e klasës së parë që bëjnē fëmijët në Shqipëri dhe unë do të jem mësuesja jote e gjuhës shqipe, më pas edhe e letërsisë, e historisë, e gjuhës angleze po ashtu. Çdo ditë, për vite me rradhë, pasi bëja mësimet e shkollës, fillonte ora e “dashurisë” mësimi i gjuhës shqipe me mamin tim. Në çdo tre libra që do të lexoja gjatë muajit, njëri ishte patjetër në gjuhën shqipe.

Dashurinë për Atdheun mami im e ka shkruar në zemrën time me shkronja shqipe, në gjuhën e nënës time. Unë sot flas dhe shkruaj shqip sikur të mos kem ikur asnjë ditë nga Shqipëria. Dhe çdo mëngjes që zgjohem për të filluar ditën them me vete: një ditë më pak që më afron me kthimin në Atdhe.

Profesori, që është një burrë i ftohtë e fjalëpak, ishte emocionuar. Shkëput një fletë nga blloku i tij dhe shkruan diçka në të. E palos dhe ia jep tim biri duke i thënë: këtë letër çoja mamit, ti nuk duhet ta lexosh sepse nuk është për ty.

Kur vjen im bir në shtëpi më tregon gjithçka dhe në fund nxjerr letrën nga xhepi duke më thënë: nuk e kam lexuar çfarë ka shkruar mam, ndoshta ka shprehur habinë e tij për përgjigjen time, nuk di nëse më ka kuptuar. Në fund të fundit ai nuk e di çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia jote, nga shokët, nga gjyshërit. Ai nuk ka si ta kuptojë.

E hapa letrën, e lexova dhe u përlota. Profesori kish shkruar: “Nuk e di sa krenare jeni ju për djalin që keni rritur dhe edukuar por unë jam mjaft krenar që jam profesori i tij dhe që kam fatin ta kem nxënës në gjimnazin tonë. Pyeteni t`jua tregojë përse ia kam dhënë këtë letër dhe do ta kuptoni përse po jua shkruaj këto fjalë znj. Toptani”.

Ka raste kur momente të tilla të tregojnë realisht vlerën e gjithë përpjekjes, lodhjes, sfidës e sakrificës dhe ti e kupton që ia ka vlejtur.

Ervina Toptani/ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Kristo: Asnjë institucion shtetëror nuk hapi dyert për homazhe për vdekjen e Agim Doçit

Sot ka vdekë poeti dhe tekstshkruesi i njohur shqiptar Agim Doçi, shkruan KultPlus.

I vlerësuar me dhjetëra herë me çmime të ndryshme, i njohur për hite të mëdha që i rezistojnë kohës, i njohur edhe për tekstin e këngës që e dërgoi për herë të parë Shqipërinë në Eurovision, këto vlerësime nuk kanë bindë asnjë nga institucionet e Shqipërisë që të hapë portat për të organizuar homazhe për poetin Doçi. Kështu ka njoftuar Erion Kristo, dhe reagimin e plotë të Kristos e keni si në vijim

Rreth 40 ekspertë në seminarin e madh të arkitekturës në Prishtinë

Rreth 40 ekspertë dhe profesionistë të arkitekturës nga e gjithë bota do të mblidhen në Prishtinë, prej 1 deri më 4 korrik, në kuadër të seminarit më të madh në mbrojtjen e arkitekturës moderne.

Në kuadër të këtij seminari do të bëhet prezantimi mbi 10 plane të konservimit dhe menaxhimit të sajteve moderne, si dhe për të hulumtuar strategji të reja të mbrojtjes së arkitekturës moderne.

Disa nga projektet e prezantuara në seminar janë: Plani i Konservimit dhe Menaxhimit të Operës së Sydney-it;  Plani i Konservimit dhe Menaxhimit të Eames House në Californi; Monumenti Buzladzha në Bullgari, e Sidi Harazemi në Fez të Marokut. 

Ligjëruesit kryesor në seminar do jenë: Sheridan Burke presidente e 20th Century Heritage në ICOMOS; Jorg Haspel njëri nga themeluesit e DoCoMoMo Gjermani; Aziza Chaouni, TED fellow dhe profesoreshë e arkitekturës nga UofT Daniels; Cesar Bargues Ballester nga Instituti i Konservimit të Getty-t, etj. Ligjëratat do të mbahen në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si dhe në Kino Armata nga 1 deri më 4 Korrik. 

Ky seminar është i mbështetur nga Getty Foundation si pjesë e inciativës së tyre për mbrojtjen e arkitekturës moderne “Keeping It Modern”. / KultPlus.com

Vdes albanologu Mehmet Rukiqi

Albanologu Mehmet Rukiqi ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare. Rukiqi publikoi dhjetëra punime të ndryshme hulumtuese, shkencore, kryesisht nga lëmi i folklorit dhe etnologjisë.

Lajmin për vdekjen e tij e bën të ditur familjar të tij në rrjete sociale.

I ndjeri ka marrë pjesë edhe në faljen e gjaqeve gjatë vitëve ’90-ta në Kosovë bashkë Anton Çettën.

Ai jka a shkruar edhe vepra monografike si “Tahir Berisha, mendimtar popullor”, “Azem Galica në traditën popullore”, “Këngë dasme”, I dhe II,  “Anekdota popullore” e të tjera.

Kryeministri Kurti uron Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian: Republika jonë është republikë e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot festohet kontributi i vazhdueshëm dhe roli qenësor i pjesëtarëve të tij në shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre më shumë se tri vjet qeverisje, mirënjohjen ndaj jush e kemi shprehur me mbështetje institucionale në arsim përmes bursave të studimit e qendrave të mësimit, në mirëqenie përmes punësimit dhe programeve për praktikë në punë, ndërtimit dhe renovimit të shtëpive dhe projekteve infrastrukturore, e në ndërmarrësi përmes granteve për biznese të vogla”.

“Republika jonë është republikë e të gjithëve. Zhvillimi dhe progresi është i qëndrueshëm atëherë kur është i gjithëmbarshëm. Në këtë ditë i gëzohemi arritjeve të përbashkëta, rreshtohemi përballë sfidave dhe zotohemi për punë dhe bashkëpunim në përmirësimin e mëtejmë të mirëqenies, pozitës dhe mundësive tuaja në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

EURO2024 – BBC: Shqipëria surpriza e këtij evropiani

Shqipëria modeste përballet sot me Spanjën, një nga favoritet për të fituar Euro2024, por ajo mbetet “ambicioze” pasi kërkon të sigurojë një kualifikim, për herë të parë në historinë e saj, sipas BBC.

Spanja tashmë është kualifikuar nga Grupi B si fituese, ndërsa Shqipëria është e treta me një pikë.

Shqipëria humbi ndaj Italisë, pavarësisht se shënoi golin më të shpejtë në historinë e Euros, por më pas barazoi me Kroacinë 2-2, në një barazim dramatik në momentin e fundit.

Menaxheri Sylvinho thotë se skuadra e tij “do të përpiqet shumë” kundër Spanjës.

Ai tha se “ata janë një skuadër e fortë dhe ne kemi një lojë të vështirë përpara. Por ne do t’ia dalim”.

”Ne kemi lojtarë të guximshëm që janë ambiciozë dhe mezi presim të luajmë mirë kundër tyre”, shtoi ai.

Sulmuesi i Shqipërisë, Arbër Hoxha tha se Spanja është “skuadra më e mirë në këtë grup, dhe jo vetëm e këtij grupi, por edhe e të gjithë turneut”.

Skuadra e Sylvinhos – e cila nuk arriti të dilte nga faza e grupeve në Euro2016 – është në një pozicion të vështirë, por braziliani tha se ekipi i tij është “krenar” për paraqitjen në Gjermani deri më tani dhe dëshiron të bëjë një hap më tej.

“Ka tre milionë shqiptarë në Shqipëri dhe më shumë se nëntë apo 10 milionë në mbarë botën. Ka qenë një brez që nuk e ka parë kurrë skuadrën e tyre në një kampionat europian”, tha Sylvinho.

“Ne të gjithë po bëjmë një punë vërtet të mirë. Jemi të gjallë, krenarë dhe ambiciozë. Spanja është e fortë, por ne do të bëjmë tonën. Do të ishim të lumtur të luajmë në 16-shen e fundit, por ne duhet të japim performancën tonë më të mirë”, tha ai.

Shqipëria tashmë ka krijuar një surprizë

Kualifikimi i Spanjës për në 1/16-at është konfirmuar tashmë, por trajneri Luis de la Fuente tha se “prestigji” mbetet në linjë në një lojë “me të vërtetë të vështirë”.

”Shqipëria ka tifozë fantastikë dhe tashmë ka krijuar një surprizë këtu”, tha ai.

“Ne do t’i qasemi kësaj loje ashtu siç kemi të gjitha të tjerat, sikur të jetë e fundit. Sigurisht, ne kemi një plan loje për lojtarët që mendojmë se janë të përshtatshëm për këtë lojë. Ne jemi të fokusuar vetëm në fitoren sepse duam të fitojmë çdo ndeshje”, shtoi ai.

Shqipëria mund të zërë vendin e dytë nëse mposht Spanjën dhe Kroacia mund Italinë – megjithëse, nëse diferenca e fitores së Kroacisë është dy gola më e madhe se ajo e Shqipërisë, ata do të ndodheshin mbi rivalët e tyre në Grupin B.

Edhe nëse Shqipëria nuk arrin të përfundojë në dy vendet e para, ajo ka ende një ndryshim të ecurisë si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë.

Shqipëria do të jetë pa sulmuesin Mirlind Daku, i cili është dënuar me dy ndeshje pasi ka drejtuar tifozët e vendit të tij në një thirrje nënçmuese. Klaus Gjasula ka një goditje të lehtë, por duhet të jetë në dispozicion, ndërsa Rey Manaj dhe Enea Mihaj janë rikuperuar të dy nga lëndimet.

Trajneri i Spanjës, De la Fuente, la të kuptohet për një rotacion të mundshëm, duke thënë se gjëja e fundit që duam janë lëndimet.

Më e mira nga statistikat

Spanja i ka fituar të tetë përballjet e mëparshme me Shqipërinë (31 gola për, 3 kundër). Është rekordi më i mirë 100% i Spanjës kundër çdo kundërshtari, së bashku me Lihtenshtejnin dhe Maltën, me të cilat ata janë përballur dhe mposhtur në tetë raste.

Humbja e tyre 9-0 kundër tyre në një ndeshje kualifikuese për Euro në dhjetor 1990 mbetet humbja e tyre më e madhe konkurruese ndonjëherë.

Spanja do të kërkojë të fitojë tre ndeshjet e saj të para të një turneu evropian për herë të dytë, pasi e kishte bërë këtë më parë në 2008 – një edicion që do të vazhdonte ta fitonte (1-0 kundër Gjermanisë në finale).

Nëse Pedri do të luajë për Spanjën në këtë ndeshje, ai do të vendosë një rekord të ri nga një lojtar evropian për paraqitjet e turneut të madh kur është 21 vjeç e lart, duke kaluar Cristiano Ronaldon (aktualisht barazohet me 12 ndeshje secili)./ atsh/ KultPlus.com

Kënga që kishte përfaqësuar Shqipërinë për herë të parë në Eurovision, mbante vulën e Agim Doçit (VIDEO)

Sot ka vdekur artisti i madh shqiptar Agim Doçi.

Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948, ishte një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar.

Ēshtë arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe pastaj ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Doçi është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si: “Mos ua prishni lumturinë”,  “Marrshi i UCK-së”, “A vritet pafajsia”.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Agim Doçi mban edhe një vulë të rëndësishme. Kur Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Eurovision në vitin 2004 me këngën  “Imazhi yt” të interpretuar nga Anjeza Shahini, pikërisht tekstin e kësaj kënge e kishte shkruar Agim Doçi, dhe ky interpretim pat shënuar vendin e shtatë në këtë garë evropiane./ KultPlus.com

Lea Ypi debaton me Kancelarin Scholz: Në Europë nuk ka politikë, kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…

Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi ishte pjesë e panelit drejtues të Samitit të Qeverisjes Progresive që u mbajt në Berlin, një event historik, samit që mbledh bashkë intelektualë, aktivistë dhe vendimmarrës politikë.

Samiti u mbajt më 21 dhe 22 qershor, mbahet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Pjesë e panelit ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz, i cili iu përgjigj  pyetjeve të shkrimtares dhe aktivistes shqiptare, Lea Ypi.

Scholz foli për politikat europiane dhe shprehu nevojën që ka Evropa për një debat për politikën evropiane, në të mirë të vendeve që bëjnë pjesë në bashkësinë Evropiane.

Lea Ypi ndërhyri për të thënë që nuk ka debat poltik në Evropë se në fakt nuk ka politikë, por vetëm politika.

Ky është një problem i madh, thotë Ypi dhe po prek më shumë edhe Shqipërinë, e cila aspiron të bëhet pjesë e BE-së.

Pjesë nga debati i Lea Ypit me Olaf Scholz:

 Lea Ypi: Unë mendoj se ne nuk kemi një debat evropian për politikën sepse ne në fakt nuk kemi politikë. Ne kemi vetëm politika. Kemi humbur politikën. Dhe ky është problemi. Kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…

Olaf Shcolz: Për politikanët është diçka mjaft e vështirë për t’u pranuar. Por është një fjali e mirë.

Lea Ypi: Dakord. Më lejoni të jem edhe më konkrete. Janë politika partiake. Domethënë projekte parimore sesi shoqëria duhet të ndryshojë në dritën e krizës me të cilën përballemi. Unë realisht nuk shoh ndonjë shkëmbim ndërmjet projekteve parimore dhe palëve evropiane. Shoh që ka një lloj projekti që nuk i pëlqen kujt, që është e djathta ekstreme. Dhe shoh që ka një lloj narrative për konfliktin, për kulturën, për qytetërimet.

Gjithashtu shoh se progresistët thjesht e ndjekin atë narrativë në vend që të krijojnë të tyren. Pra, nuk e kuptoj realisht se si mund ta ndryshoni debatin evropian nëse në fakt nuk keni një lloj politike që mund të mbështesë Evropën në tërësi me një vizion për Evropën që është një vizion parimor socialdemokrat. Unë e them këtë me shqetësimin, sepse unë jam nga Shqipëria dhe siç e dini në Shqipëri kemi të gjitha këto diskutime për zgjerimin evropian. Nëse ndaloni ndonjë person në rrugë dhe pyesni, kur është takimi i ardhshëm i negociatave për anëtarësim? Ata do t’ju tregojnë saktësisht se kur është takimi.

Nëse i pyet se për çfarë është takimi, ata nuk do ta dinë. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm në nivelet e pyetjes së njerëzve në rrugë, por edhe në nivele shumë të larta, për fat të keq. Pra kjo sepse në fakt askush nuk e kupton vërtet se për çfarë shërben Evropa. Çfarë po bëjmë këtu? Pse jemi këtu? Çfarë projekti ka?

Dhe kjo është humbja e politikës, të cilën e gjurmoj që nga shembja e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe të gjitha modelet që u vunë në lëvizje dhe mënyra në të cilën, nëse doni ta quani neoliberalizëm, unë e quaj kapitalizëm në fazën neoliberale që e ka zbrazur politikën nga shoqëritë, sepse është zëvendësuar me parti që janë shndërruar në entitete menaxheriale teknokrate, në liderë që drejtohen vetëm nga çështjet e karizmës dhe këto lloj diskutimesh krejtësisht të cekëta, jo parimore se si duhet të jetë një lider dhe si duhet të jetë një parti.

I gjithë debati është për asgjë. Nuk ka asnjë substancë në këto debate. Ku është substanca?”, tha zonja Lea Ypi gjatë debatit me Olaf Scholz./ topchanel/ KultPlus.com

Kur Ernesto Sabato shkruante për Shqipërinë

Në vitin 1996 shkrimtari Argjentinas me nënë arbëreshe (shqiptare) dhe një nga shkrimtarët absolutisht me të mëdhenj të botës , Ernesto Sabato , nderohet në Tiranë me çmimin “Kadare”. Në librin e tij të fundit me kujtime “Përpara fundit” përkthyer nga Ajsela Koka dhe Botime Dritan, Sabato shkruante kështu:

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”

Ernesto Sabato lindi si sot 113 vite më parë ,për të mbetur përjetësisht mes të mëdhenjve të letërsisë botërore.

(Në foto Ernesto Sabato dhe Visar Zhiti) /TemA/ KultPlus.com

‘Mbrëmjet e kulturës bullgare’ sjellin turistë nga Bullgaria dhe emocione të veçanta për publikun e Durrësit

Mbrëmja e dytë e kulturës bullgare u zhvillua të shtunën në Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada e Bullgarisë në Tiranë bëri të ditur se kjo nismë solli në bregdetin shqiptar shumë turistë bullgarë, të cilët duke shijuar pushimet e tyre, prezantuan po ashtu para publikut të Durrësit bukurinë e folklorit bullgar.

Për dy vite rresht, organizatorët tregojnë shumëllojshmërinë e valleve, këngëve dhe veshjeve popullore nga krahinat e ndryshme folklorike të Bullgarisë.

Kjo bëhet me ndihmën e klubeve folklorike që vijnë nga rajonet e ndryshme të Bullgarisë. Partnerët e tyre janë Ambasada bullgare në Tiranë dhe Bashkia e Durrësit, të cilët mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve.

Tre ishin ansamblet që prezantuan artin e vet në mbrëmjen e kulturës bullgare më 22 qershor. Ato erdhën nga qyteti Bjala (Bullgari Veriore), qyteti Vratsa (Bullgari Perëndimore) dhe fshati Vasilovo (Bullgari Qendrore).

“Mbrëmje të tilla janë planifikuar edhe më 12 dhe 17 gusht 2024 në sheshin para qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Po punohet dhe për zgjerimin e iniciativës, duke përfshirë edhe qytete të tjera shqiptare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës bullgare./atsh/ KultPlus.com

Messi sot e ka ditëlindjen, i mbush 36 vjet

24 qershori është një ditë tejet e veçantë për Lionel Messin.

Pikërisht në këtë datë të vitit 1987 ka lindur gjeniu i futbollit.

Pra, Messi sot e ka ditëlindjen dhe i mbush 36 vjet.

Në karrierën e tij ai ka fituar shumë trofe, në mesin e tyre edhe Kupën e Botës, me Argjentinën në Katar në vitin 2022.

Po ashtu ai i ka ‘rrëmbyer’ hiç më pak se tetë “Topa të Artë”.

Që nga mosha 21 vjeç, Messi ka qenë i nominuar për të fituar Topin e Artë dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit.

Një vit më vonë, në vitin 2009, ai fitoi çmimet e para të Topit të Artë si dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit.

Argjentinasi, vazhdoi dominimin e tij duke fituar edhe tre Topa të Artë në vitet 2010, 2011 dhe 2012.

Lionel Messi, po ashtu fitoi në sezonin 2010–11 UEFA Lojtari më i mirë në Evropë.

Në moshën 24 vjeçare, Messi u bë golashënuesi më i mirë i historisë së Barcelonës në të gjitha kompedicionet.

Në moshën 25 vjeçare, Messi u bë lojtari më i ri që shënon 200 Gola në La Liga.

Në Shtator 2014, Messi arriti shifrën e 400 Gola me klubet dhe kombëtaren që në moshën 27 vjeçare.

Gjatë karrierës së tij, ka luajtur për ekipe si: Barcelona, Paris Saint Germain dhe tani luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Begaj shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Drenasit: Momenti i veçantë në jetën time

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, zyrtarisht është shpallur “Qytetar Nderi” i Drenasit.

Këtë titull ai e pranoi zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Në fjalimin e tij, Begaj tha se ky është një moment i veçantë në jetën e tij.

“Më lejoni të shpreh falënderimet e mia dhe mirënjohem e pakufijshme ndaj popullit të Drenasit dhe autoriteteve lokale, të cilët më bën këtë nderë kaq të madh”, tha Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontribut e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilët uroi që të kthehen sa më parë në familjen e tyre.

Po ashtu Begaj, përmendi edhe kontributin e madh të dëshmorëve për lirinë e Kosovës.

Dokumentar për sfidat dhe sukseset e Fjolla Muhaxhiri Agushollit, autorë Anisa Ismaili dhe Xhemajl Avdyli

Kanë filluar xhirimet e dokumentarit për sfidat, përvojat dhe sukseset e Fjolla Muhaxhiri Agushollit, e cila edhe përkundër sfidave me të pamurit, vazhdon të jetë një grua inspiruese.  

Dokumentari është duke u realizuar me autorët: Anisa Ismaili e Xhemajl Avdyli, ku Ismaili ka edhe rolin e producentes kurse Avdyli edhe atë të regjisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin rreth këtij projekti.

Filluam xhirimin e dokumentarit.

Sfidat, përvojat jetësore dhe sukseset e Fjollës, do ta dërgojnë shikuesin me një dimension tjetër.

Mbështetur nga MKRS me regjisor Xhemajl Avdyli dhe bashkëautor me mua, Anisën dhe unë si producente.

E falenderoj Fjolla Muhaxhiri Agusholli, burrin e saj Shpëtimin, nënë Zenijen e babë Agimin, vëllezërit dhe shoqen e saj Mimozën, për gjithçka që ndanë nga jeta e tyre për ne.

Falenderim për ekipin e xhirimit.

Kemi ende punë për të bërë.

❤️🌺./ KultPlus.com

Sot ditëlindja e Ernesto Sabato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe

Sot janë bërë 113 vite nga lindja e Ernesto Sábato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe.

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.

Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi bashkëshorten Matilde Kusminsky Richter.

Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës.

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë.

Disa prej çmimeve dhe titujve të tjerë që iu dhanë Sabatos janë: çmimin “Gabriel Mistral”, çmimin “Miguel de Cervantes”, “Urdhri për Merita”, “Komandant i Legjionit të Nderit“, “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali. Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare.

Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./ KultPlus.com

‘Forca shqipe’, Rama: Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja do të dalë me kokën lart

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive”.

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja Shqipëri-Spanjë, e vlefshme për EURO2024, Rama u shpreh se “askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.

“Forca shqipe! Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”, u shpreh Rama.

Sot, vijoi ai, përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100 % i pamundur.

“Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se “cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës”./atsh/ KultPlus.com