Kisha shumë vite që kisha vdekur

Agim Doçi

Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

.

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonëse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

.

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerëzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

.

Tani që s’jam, mos u frikësoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!/ KultPlus.com

Presidentja Osmani krenare me arritjen e vajzave dhe djemve të FSK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur krenare me arritjen e vajzave dhe djemve të FSK-së të cilët kanë dëshmuar rezultate të jashtëzakonshme në akademitë, kolegjet dhe qendrat profesionale ushtarake amerikane më prestigjioze në botë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, e para e shtetit ka shkruar emrat e vajzave dhe djemve për të cilët tha se personifikojnë të ardhmen e FSK-së, njofton Klankosova.tv.

“Përgjatë javëve të fundit, vajzat dhe djemtë e Forcës sonë të Sigurisë dëshmuan përkushtim dhe rezultate të jashtëzakonshme në akademitë, kolegjet dhe qendrat profesionale ushtarake amerikane më prestigjoze në botë. Krenarë me Agron Muratin, Alban Bujupin, Alban Bunjakun, Albert Kuçin, Albin Bytyçin, Andrin Vuthaj, Arbnor Hoxhanin, Shpresa Gashin, Vesa Ibrahimin dhe shumë e shumë të reja e të rinj, të cilët personifikojnë të ardhmen e FSK-së”, tha Osmani.

May be an image of 13 people and text

Violinistja Sibora Resyli shpallet fituese e çmimit ‘Grand Prix’ në garën e muzicientëve të rinj ARSKOSOVA

Violinistja 12 vjeçare, Sibora Resyli, është shpallur fituese e Çmimit “GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024” në garën e muzicientëve të rinj ARSKOSOVA, shkruan KultPlus.

Në koncertin e finalistëve performuan 15 instrumentistë e solokëngëtarë. Jurija në përbërje prej 20 anëtarësh me votat maksimale për “Çmimin GRAND PRIX ARSKOSOVA 2024” e votoi violinisten e shkollës “Prenk Jakova”, nga klasa e prof. Shqipe Bajraktarit, Sibora Resylin.

“Çmimi i kompozitorit AKIL M.KOCI “iu nda 5 finalistëve të parë :
1. Sibora Resyli, violinë
2. Lindi Pasha, violiné
3. Milot Mehmeti, kitarë,
4. Blenda Kelmendi, solokëndim
5. Leonor Nebiu, klarinet

“Çmimi i violinistes DRITA DIDA” nga Fondi i familjes Dida iu nda:

1.Liza Jashari, violinë
2.Hana Abdullahi, violinë (Tetovë)

“Çmimi i CHOPIN FEST” që e ndau Prof. Lejla Pula:

1.Dielli Pasha, piano
2.Lindi Pasha, violinë/ KultPlus.com

Agim Doçi, mjeshtri tekstshkrues i ‘Marshit të UÇK-së’ dhe ‘A vritet pafajësia’

Sot në moshën 76 vjeçare ka ndërruar jetë “Mjeshtri i Madh”, Agim Doçi.

Doçi (9 maj 1948) ishte një nga krijuesit më të mirë të teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.

Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë mes të cilave “Marshi i UÇK-së” dhe  “A vritet pafajësia”.

Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat-Laç, Poligrafik-Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ish-presidenti Bujar Nishani e ka nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”./ KultPlus.com

Sonte Shqipëria përballë Spanjës, një mundësi për kualifikimin historik

Sonte, Shqipëria do të përballet me një sfidë të jashtëzakonshme në ndeshjen kundër Spanjës, e cila zhvillohet në Duesseldorf në orën 21:00.

Spanja, tashmë e kualifikuar si fituese e Grupit B dhe një ndër ekipet që ende nuk ka pësuar gol, pritet të pushojë disa prej lojtarëve kryesorë. Kjo mund të jetë një mundësi për kuqezinjtë, të cilët ëndërrojnë të bëjnë histori duke arritur në fazën e eliminimit direkt për herë të parë në një Kampionat Evropian.

Spanja ka treguar një performancë të shkëlqyer dhe të sigurt në fitoret kundër Kroacisë (3:0) dhe ndaj kampionit në fuqi, Italisë (1:0). Si kampionë të Evropës në vitet 1964, 2008 dhe 2012, ata janë përsëri ndër favoritët për të fituar titullin. Një aspekt i vetëm negativ në fitoren e Spanjës ndaj Italisë ishte se goli i vetëm erdhi nga një autogol i mbrojtësit italian, Riccardo Calafiori.

Pavarësisht fuqisë së kundërshtarit, Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Një fitore ndaj Spanjës do të ishte një nga tronditjet më të mëdha në historinë e Kampionatit Evropian dhe do të siguronte kualifikimin historik të Shqipërisë në fazën e eliminimit direkt.

Trajneri i Shqipërisë, Silvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti, në konferencën e djeshme për media kanë theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe përgatitjen e skuadrës për të dhënë maksimumin në fushë.

Shqipëria ka treguar shpirt luftarak dhe vendosmëri gjatë turneut në Euro 2024, teksa tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të zjarrtit në stadiumet gjermane.

Rezultati i kësaj ndeshjeje është jetik për Shqipërinë. Ndërkohë që rivalët e grupit, Kroacia dhe Italia, përballen në Leipzig, fitorja është e vetmja rrugë që mund të sigurojë kualifikimin për kuqezinjtë.

Mirlind Daku është i pezulluar për këtë ndeshje, derisa Broja, Gjasula, Hoxha dhe Hysaj në rast të ndëshkimit me karton të verdhë do të mungojnë potencialisht në ndeshjen e ardhshme. Te Spanja mungon Rodri i pezulluar, kurse ndeshjen e ardhshme për shkak të kartonëve e rrezikojnë Carvajal dhe Le Normand.

Formacionet e mundshme:

Shqipëria: Strakosha; Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Abrashi, Asllani, Bajrami, Laçi; Broja

Spanja: Raya; Navas, Vivian, Laporte, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Torres, Joselu dhe Oyarzabal./rtk/ KultPlus.com

Vdes poeti dhe tekstshkruesi Agim Doçi

Sot ka vdekur artisti i madh shqiptar Agim Doçi.

Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948, ishte një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar.

Ēshtë arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe pastaj ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Doçi është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UCK-së”, “A vritet pafajsia”.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’./ KultPlus.com

Granit Xhaka shpallet lojtari më i mirë sonte nga UEFA në lojën Zvicër – Gjermani

Kosovari Granit Xhaka është shpallur lojtari më i mirë në lojën e sotme mes Zvicrës dhe Gjermanisë.

UEFA ka vendosur për kapitenin e Zvicrës si lojtarin më të mirë të lojës së sotme.

Kjo është hera e dytë që Xhaka në Euro 2024 e merr këtë titull nga UEFA, ai e mori këtë edhe në lojën me Hungarinë.

Rezultati i lojës së sotme ishte barazim, 1 me 1. 

Ushtari britanik, në vitin 1999 fituam zemrat e kosovarëve

Në Arboretumin Kombëtar Memorial në Staffordshire, Forcat britanike shënuan 25 vjetorin e përfundimit të Luftës në Kosovë, duke e përkujtuar këtë një mision të rëndësishëm në mesin e 30 vendeve tjera të botës.

Në njoftim thuhet se këtë tubim përkujtimor është bashkuar personeli i Forcave të Armatosura që shërbeu me misionin e NATO-s KFOR-i dhe i bëri homazhe të gjithë atyre që shërbyen dhe sakrifikuan gjatë konfliktit.

“Rreth 4,000 trupa britanike u vendosën fillimisht si pjesë e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare prej 50,000 trupash të udhëhequr nga NATO. Dhe detashmentet e personelit britanik vazhdojnë të shërbejnë së bashku me ata nga afro 30 vende:, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq kujtojmë se në këtë mision ishte edhe Harris Tatakis, i cili sapo kishte kaluar si komando i Marinës Mbretërore dhe vendosja e tij e parë ishte në Kosovë.

Për të shënuar 25-vjetorin, sot ai do të ndajë kujtimet e tij nga shërbimi në  Kosovë.

“Kam mësuar gjëra që më kanë mbetur me mua dhe kanë qenë të dobishme në situatat në të cilat u gjenda më vonë, gjatë vendosjes në Irak dhe Afganistan”, ka thënë ai.Forcat britanike, sipas tij, fituan zemrat dhe mendjet në Kosovë.

“Eksperienca e punës me civilë më bëri një marins më të mirë; dhe mendoj se kemi shpëtuar shumë jetë dhe e kemi lënë Kosovën në një vend më të mirë”, ka deklaruar Harris.

Vjosa Berisha, gruaja që bëri shumë për artin dhe kulturën në Kosovë

Sot janë bërë dy vite nga vdekja e producentes së njohur kosovare, Vjosa Berishës.

Vjosa Berisha (23 July 1972 – 23 June 2022) kishte mbi 20 vjet përvojë pune në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Ajo krijoi B2, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me zyre në Kosovë dhe Shqipëri.

Berisha ishte gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PriFest që nga fillimi duke marrë rolin e Drejtoreshës të Festivalit duke e rritur me ambiciozitet festivalin për 11 vjet për ta bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë. 

Ky festival sot është i frekuentuar nga shumë kineastë nga rajoni, Evropa dhe një sërë personalitetesh të njohura botërore të filmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit dhe të ftuar nga Evropa. PriFest zhvillohet çdo vit në korrik në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Në vitin 2015 Berisha mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015. Ajo prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenarist dhe regjisor Fatos Berisha dhe filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) bashkëprodhuar me regjisorin Borjan Zafirovski.

Ajo ka punuar në shumë projekte të tjera video dhe televizive duke përfshirë producenten e programit të famshëm për fëmijë “Sesame Street Workshop” (prodhoi 42 inserte të segmenteve “3 minuta të gjata” në shqip dhe serbisht për audiencën kosovare të transmetuara në televizionin publik RTK gjatë viteve 2002-2004).

Vjosa Berisha ishte edhe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor konsiston në një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Ëestminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë. Në vendin e saj Kosovë, ajo ishte një zë i fortë në promovimin e të drejtave LGBTI përmes programit Let it Be të PriFest të cilin e krijoi në 2014 dhe e kuroi atë në partneritet me Outfest LA dhe Queer and Migration IFF Amsterdam./ KultPlus.com

Sylvinho: Jemi gati, do të japim gjithçka ndaj Spanjës

Në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Spanjës në Grupin B të Euro 2024, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, shpreh entuziazmin dhe vendosmërinë e ekipit për të luftuar për kualifikimin tutje.

Në konferencën zyrtare për media para kësaj ndeshje, Sylvinho ndau mendimet e tij për ndeshjen që do të zhvillohet nesër, duke theksuar rëndësinë e përballjes me një nga skuadrat më të mira në botë.

Emocioni i mundësisë për kualifikim

“Është emocionuese. Është e rëndësishme për familjen time. Për mua është fantastike. Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë”, tha Sylvinho, duke shprehur emocionet e tij për mundësinë historike të kualifikimit.

Spanja dhe formacioni i dytë

Sylvinho theksoi se formacioni i dytë i Spanjës nuk e ul aspak nivelin e sfidës. “E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e saj zotërimin e topit, ka shumë cilësi në mesin e fushës. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës”, tha ai.

Analizimi i Spanjës

Kur u pyet për ndeshjen Spanja-Itali, Sylvinho tregoi se kishte shkuar ta shihte personalisht. “Kam shkuar me Zabaletën, diçka e planifikuar, një ditë pas ndeshjes sonë. I njohim të gjithë kundërshtarët tanë, është një skuadër që impresionon, ka lojtarë shumë të mirë. De la Fuente ka bërë një punë shumë të mirë, sulmon dhe mbrohet shumë mirë. Në kualifikuese ka humbur vetëm një ndeshje kundër Skocisë. Lojtarët e mi janë të guximshëm dhe do të japin gjithçka në këtë ndeshje të fundit. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën”, tha Silvinho.

Përmirësimi i Kombëtares dhe përvoja në Evropian

Sylvinho pranoi se ekipi ka bërë përparime të mëdha, por ende ka hapësirë për përmirësim. “Është diçka e madhe të shënosh i pari, ky është eveneti i dytë i madh dhe lojtarët po përmirësohen. Ka të bëjë me përvojën dhe ballafaqimet në gara të mëdha dhe me skuadra të mëdha. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, në menaxhimin e fazave të lojës. Nëse do të bëjmë performancën më të mirë, mund të arrijmë rezultatin e duhur”, tha ai.

Optimizmi për kualifikimin historik

Trajneri u shpreh krenar për përpjekjet e ekipit dhe e quajti një arritje të madhe që janë ende në garë për kualifikim. “Jam i lumtur, patjetër, shumë njerëz para pesë muajsh kanë menduar se do të pësojmë katër pesë gola, e ndeshja e fundit s’do të kishte asnjë vlerë. Jam i lumtur për punën që kemi bërë dhe që jemi në këtë grup të vdekjes. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Vazhdojmë të ëndërrojmë”.

Ndeshja më e rëndësishme e karrierës

Sylvinho pranoi se ndeshja ndaj Spanjës mund të jetë më e rëndësishmja e karrierës së tij si trajner. “Jam ende i ri, është një ndeshje me shumë rëndësi dhe nuk do ta harroj. Luajmë kundër Spanjës së vendit të parë. Jam gjysmë spanjoll gjysmë brazilian. Nëse kjo ndeshje është më e rëndësishmja, situata mund ta bëjë të tillë. Pas barazimit me Kroacinë ishte ajo, ndoshta mund të bëhet tani kjo me Spanjën”, tha Silvinho.

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com

 Flamuri i UÇK-së valëvitet në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Zvicrës, tifozët e zviceranë e vendosin në tribunë

Teksa luhet ndeshja e rëndësishme mes Gjermanisë dhe Zvicrës, vëmendjen e kanë tërhequr tifozët e këtyre të fundit.

Ata përpos flamurit të tyre, në tribunë kanë vendosur edhe atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Flamuri me shkrimin UÇK qëndron në rreshtin e parë të tribunës së stadiumit.

Ministrja Gërvalla: Agim Ramadani, strateg ushtarak dhe lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike

“Agim Ramadani ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe një lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ai nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia. Lufta e tij në Betejën e Koshares do të mbetet përgjithmonë një simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare”, ishin fjalët për Komandantin e Brigadës 138 Agim Ramadani, në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në vendin ku heroi veproi për Kosovën dhe u nis për të luftuar deri në vdekje, në Betejën e Koshares.

Në prani të qindra mërgimtarëve nga Zvicra, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Ish-komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, familjarëve e bashkëluftëtarëve të heroit si dhe përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave të ndryshme, në Cyrih të Zvicrës u mbajtë Akademi Përkujtimore në kujtim dhe nderim të jetës dhe veprës sublime të heroit, Agim Ramadani.

Para të pranishmëve Gërvalla tha që Agim Ramadani nuk ishte vetëm ushtarak, strateg dhe luftëtar i shkëlqyer, ai ishte një shpirt artisti, shkrimtar dhe piktor që kulturën dhe popullin e tij i donte me gjithë zemër. Atëherë kur Kosova pati nevojë, ai la pas jo vetëm Zvicrën, por edhe artin edhe vargun dhe mori armët, i bindur se liria është vlera më e lartë për të cilën ia vlen të luftosh.

Ministrja e Jashtme më tej tha që në Betejën e Koshares, Agimi tregoi trimëri të pashoqe dhe strategji të jashtëzakonshme para se më 11 prill 1999, të vritet në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit. Beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë, betejë e heronjve që jetësuan ëndrrën shekullore. Ministrja Gërvalla në fund tha që vepra, vendosmëria dhe trimëria e Agim Ramadanit dhe të gjithë heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, do të jetë gjithmonë një udhërrëfyes për të ardhmen tonë.

Nga ana tjetër, bzashkëluftëtarët e heroit Agim Ramadani, ndanë kujtime nga lufta e tyre çlirimtare duke e cilësuar heroin si një njeri me vlera të rralla njerëzore dhe i vendosur që të jetësojë amanetin e dëshmorëve për çlirimin e Kosovës.

“Akademia përkujtimore u shoqërua me poezi të Agim Ramadanit, të lexuara dhe shoqëruara me pika të mrekullueshme muzikore nga këngëtarja shqiptare me reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër, Elina Duni si dhe instrumentist, Elmir Berisha.”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani uron Ditën Kombëtare të Luksemburgut: Kosova, mirënjohëse për mbështetjen

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Ditën Kombëtare të Luksemburgut.

Me anë të një postimi në platformën X, ajo ka theksuar se ai aleatë dhe miq demokratikë, Kosova dhe Luksemburgu mbeten plotësisht të përkushtuar për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e kahershme të Luksemburgut për rrugën tonë euroatlantike!”, ka thënë Osmani. 

Moto Festival, Rama: Qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës zgjodhën Korçën këtë fundjavë  

Klube motoristësh nga vendet e rajonit dhe më gjerë janë bërë pjesë e aktivitetit “Moto Festival 2024” në Korçë, duke sjellë një atmosferë të veçantë për qytetin dhe qindra vizitorë e turistë që kanë zgjedhur Korçën për të pushuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në kuadër të këtij festivali, që u ndërthur jashtëzakonisht bukur me mikpritjen e traditën e mirënjohur korçare.

“Netë fantastike në Korçë me Korça Moto & Rock Festival. Klube motoristësh nga vende të ndryshme të rajonit, qindra vizitorë dhe adhurues të muzikës Rock zgjodhën Korçën këtë fundjavë”, shkroi Rama.

Mbi 600 motoristë nga e gjithë bota morën pjesë në “Korça Moto Festival”, pjesëmarrës janë bërë pjesë e eventit që organizohet për të disatin vit radhazi në Shqipëri, duke sjellë motoristë nga shtete të ndryshme të rajonit të cilët parakaluan nëpër qytet duke sjellë një atmosferë elektrizuese. Të gjithë i bashkon pasioni për motorin dhe muzikën të cilën e ndanë me qytetarët e shumtë që shijuan paradën e tyre por edhe mbrëmjet me muzikë.

Korça Moto dhe Rock Festival për të disatin vit organizohet në Korçë si një prej evenimenteve me të veçanta verore që gjallëron qytetin dhe i jep dinamikë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti sot në takim ambasadorin britanik, e falënderon për mbështetjen në fushën e mbrojtjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, si dhe për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani, sikurse në samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këtë drejtim. Samiti do të mbahet në ”Blenheim Palace” në Mbretërinë e Bashkuar në korrik.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme.

Në veçanti, sipas kumtesës së Presidencës, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë në fushën e mbrojtjes, dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.

Endri Keko, një portret i pastër në kohë të zymta

Nga Aleksandër Çipa

Pasi kam mbaruar pjesën më të madhe të librit “ Ditari i një kinoregjisori” të Endri Kekos, më është kujtuar një pohim i Borhesit, i cili thotë: “libri është një zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës”. Dhe vërtet, përmes këtij libri unë kam krijuar një perceptim tjetër për njeriun dhe artistin Endri Keko, por pse jo edhe për disa bashkëkohës të shquar të tij.

Ka dy gjëra të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme në këtë perceptim tjetër: sinqeriteti dhe përkushtimi në raportet vetiake me shoqërinë dhe vendin, si dhe mirënjohja.
Në këtë ditar që nuk është ditar, por një libër i cili profilon jo vetëm autorin por, në mënyrë të veçantë sjell thelb nga ajo kohë, bashkëkohësit dhe mentorët e autorit protagonist.

Endri Keko duke folur në pjesën e ditarit për mentorin e tij rus Ilia Kopalin flet për një mirënjohje njerëzore e cila ngrihet në nivelin më të lartë intelektual sepse nuk flet vetëm për aktin dhe procesin marrës – dhënës të mentorisë mes nxënësit ose studentit të vet, por flet për një marrëdhënie njerëzore që krijon dimensionin e njohjes së perimetrave të ndryshme shoqërore që ndanin mentorin në vendin ku ishte në perandorinë e atëhershme dhe studenti në një vend të vogël. Dhe për këtë arsye, në të premten e 1976-ës, kur ndërroi jetë Ilia Kopalin, në ditarin e vet Endri Keko jo vetëm që gjen një mënyrë të ngrohtë shkrimore për të adresuar mirënjohjen si një nga virtytet njerëzore të fisnikërisë vetiake që mbarte ai por, në mënyrë të veçantë sjell edhe përkufizimin e veçantë për mentorin e tij.

Aspekti i dytë i vlerësimit për këtë botim, ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar libri. Në fakt është një mënyrë që mua më ka dhënë një leksion përsa i përket marrëdhënies aq komplekse që ka njeriu me kohët që jeton.

Dikur, im atë (Lefter Çipa), duke folur për kompleksin që kishim ne të pas viteve ’90 për kohën paraardhëse, të tij, më pat thënë:
“Sandër, njeriu bën vetëm një kohë. Të mirë apo të keqe, atë kohë bën. Dhe në atë kohë ai ka mundësinë të lerë vetëm një vepër. Ju, nëse do merrni përsipër të retushoni apo krijoni modelin ilustrues të kësaj kohe me logjikën dhe konjukturën tuaj, do të gaboni për vete sepse ne nuk na ndryshoni dot dhe aq më tepër kohën në të cilën ne lamë punën tonë”.

Pikërisht, duke lexuar këtë libër unë e kam rikthyer këtë epistolat i cili është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien kontribuitive të një intelektuali me veprën e vet të cilën e le pamvarësisht nga kontekstet, konjukturat dhe aq më tepër sistemet politike.

Dhe, pjesa tjetër spikatëse në tekst që më duhet ta pohoj ka të bëjë me faktin që ky është një libër në të cilin sillet një profil i plotë i një intelektuali dhe kapaciteti të lartë kontribuesi në jetën shoqërore të vendit. Del dimensioni i tij si artist, po mbi të gjitha del portreti i luftëtarit të Luftës së dytë Botërore dhe këtë gjë duhet ta marrim në konsideratë.

Inspirueshëm në libër na shfaqet shpirti i tij, ai i një aktivisti shoqëror dhe jo vetëm politik, një shpirt që e kishte burimin e rëndësishëm të formimit dhe kontributit, si dhe tek lidhja gjenealogjike ashtu edhe tek mishërimi qytetar me fatin e kombit dhe shoqërisë.

Në këtë brendi, libri është strukturuar në një mënyrë të tillë atipike, përshtypje bërëse.
Kontributi i Endri Kekos nuk është thjesht i kinoregjisor, pastaj si skenarist, si publicist etj. Madje. meqenëse jam në fushën time, tek publicistika, më duhet ta them që kontributi i tij në publicistikën shqiptare ka të bëjë jo thjesht me disa cikle shkrimesh, artikujsh, por me disa lëmi. Ka materiale shkrimore që lidhen me memorialistikën, ka artikuj që lidhen me artin dhe kryesisht formën estetike të servirjes së tij, me marrëdhënien që ka arti me kontributin dhe aktualitetin shoqëror. Ndërkohë që pjesa sipas meje, që evidentohet aq qenësishëm tek ky libër, ka të bëjë me kontributin e tij si një nga kontributorët e fototekës shqiptare. Në këtë libër gjen disa fotografi që janë autentike dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ciklin e fotografive nga dhe me Lasgush Poradecin, por edhe për emra dhe personazhe të njohur ndër gjeneratat njerëzore të shekullit të shkuar.

Për këtë botim të sjellë, dua të them një lëvdim që duhet t’ja bëj mikut tim të shtrenjtë Ilir Keko.
Eshtë e vërtetë e mishëruar se familja Keko të krijon një koncept autentik për ekzistencën e dinastisë. Të gjithë pjestarët e kësaj familjeje janë të një kontributi me rezonim gjithë kombëtar dhe më shumë se aq, në fusha të ndryshme të artit dhe të komunikimit…

Dhe për të realizuar në memorialistikën familjare një shërbim të tillë me disa libra të pakrahasueshëm ( nga Xhanfize, tek Dori dhe së fundi Endri Keko), nevoitet jo vetëm një kulturë por kryesisht njohja e posaçme dhe rigoroze si ajo që ka Ilir Keko për të vetët. Ajo që e shquan këtë punë të bekueshme të tij, ndër të tjera, ka lidhje jo vetëm me tipologjinë por në mënyrë të veçantë, me respektimin skrupuloz të parimit të arkivizmit familjar./tema/ KultPlus.com

Ofendoi maqedonisht pas ndeshjes me Kroacinë/ Shqipëria humbet Mirlind Dakun për dy ndeshje, pezullohet nga UEFA

Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku.

Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dyseldorf.

UEFA nisi  hetim ndaj FSHF-së për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Kroaci-Shqipëri, por edhe ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, më 20 qershor.

Pas ndeshjes me Kroacinë, ofendoi dhe shau maqedonisht.

Pas kësaj ai reagoi në rrjete sociale duke shkruar:

“Përshëndetje të gjithëve

Së pari dua të jem falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.

Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.

Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.

Falja është burrërore dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar.

Me respekt, Mirlind Daku”./topchanel/ KultPlus.com

Kryemnistri Kurti: Më shumë se 7 milionë dokumente të arkivës do të digjitalizohen brenda tri-vjetëve

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se për herë të parë në Kosovë është duke vazhduar digjitalizimi masiv i lëndëve të arkivës.

Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se brenda tre viteve pritet të jenë të digjitalizuar më shumë se 7 milionë dokumente.

“Në kohën tonë, arkivi digjital është një mjet thelbësor për të ruajtur kujtesën tonë institucionale dhe kolektive, si dhe për t’i bërë qytetarët që të kenë qasje më shumë në to”, ka pohuar Kurti. 

Rama: Aplikacioni TEA, udhërrëfyesi digjital i Shqipërisë turistike

Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Ndërsa ndau një video informuese mbi këtë aplikacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është udhërrefyesi digjital i Shqipërisë turistike.

“Shkarko aplikacionin TEA, udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike dhe do të gjesh:

kalendarin e eventeve me detajet përkatëse; akomodim pranë vendeve ku shija lokale nuk mungon; si dhe kontaktet e emergjencës për çdo të papritur. Eksploro Shqipërinë si asnjëherë më parë, më sigurt, më lehtë”, shkruan kryeministri.

TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit./atsh/ KultPlus.com

Promovohet konkursi fotografik “Snap the Site”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja promovoi sot aktivitetin e fundit që tërhoqi të apasionuarit pas fotografisë, si pjesë e konkursit “Snap the Site”. Këtë fundjavë, ata u ndalën në Kullën Veneciane në Durrës dhe Kishën e Shën Ndoit në Kepin e Rodonit për të shkrepur fotot e tyre më të mira.

Fotografi i njohur Armando Babani ndau me pjesëmarrësit disa teknika që tregojnë më mirë vlerat e këtyre siteve.

“Të apasionuarit pas fotografisë u ndalën këtë fundjavë në Kullën Veneciane në Durrës dhe Kishën e Shën Ndoit në Kepin e Rodonit për të shkrepur fotot e tyre më të mira si pjesë e konkursit “Snap the Site”.

Fotografi i njohur, Armando Babani, ndau me pjesëmarrësit disa teknika që tregojnë më mirë vlerat e këtyre siteve, të rehabilituara rishtazi falë mbështetjes së BE-së përmes programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS”, shkruan Gonxhja./ KultPlus.com

Kurti i fton të rinjtë e komuniteteve joshumicë që të punësohen në institucione

Kryeministri Albin Kurti iu ka kërkuar komuniteteve joshumicë që “të përfshihen aktivisht edhe në jetën publike, përveçse në atë shiqërore”.

Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook i ftoi anëtarët e komuniteteve joshumicë që të aplikojnë në thirrjet e hapura për t’u punësuar në institucionet publike të vendit.

“Denonconi pengesat burokratike apo diskriminimin. Për mundësi të barabarta, le ta shpërndajmë barazinë”, tha ai.

Kurti tha se Qeveria e ka themeluar “ekipin ndërinstitucional për promovimin dhe punësimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara me synim që të përmbushim dhe respektojmë kuotën prej 10% siç parashihet me ligjet tona”.

Nga tkimet, bisedat e ndërveprimet e rregullta me ushtarë të FSK-së, policë të Kosovës, shërbyes civilë e personel mjekësor nga radhët e komuniteteve joshumicë, Kurti tha se “çdo ditë e më shumë ma thellojnë bindjen për kontributin qenësor që ata kanë për shtetin, republikën dhe shoqërinë tonë”

“Për mundësi të barabarta, le ta shpërndajmë barazinë”, tha ai. / KultPlus.com

Akaki Khorava, personazhi i Skënderbeut në filmin e vitit 1953

Data 23 qershor e vitit 1972 e ndau nga jeta Akaki Khorava. Nuk ka njeri që nuk e njeh si fytyrë, por pak e din se cili emër fshihet pas personazhit të Skënderbeut në filmin e vitit 1953.

Ai është gjeorgjiani Akaki Khorava, lindur më 29 prill 1895. Studimet i ka kryer në Kiev dhe Tbilisi. Në 1939 u bashkua me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Katër herë u zgjodh anëtar i Këshillit Suprem Sovjetit (1937-1958). Në vitin 1946 merr titullin “Artist kombëtar i BRSS”. Po ashtu është nderuar pesë herë me Çmimin “Stalinisti” dhe dy herë iu dha “Urdhri i Leninit”.

Pas një karriere të mirë si aktor e regjisor, ndërroi jetë një ditë si sot, më 23 qershor 1972 në Tbilis.

Në dokumentet e ish-Arkivit Qendror të Partisë, gjendet ky material ku për filmin “Skënderbeu” shkruhet se: “Ne lidhje me filmin Skenderbeg artistet tane kane dale mire ne provat dhe nga mezi i Tetorit do të niseshin per ne krime. Keto prova i ka pare edhe shoku Komandat kur ishte ne Moske, prandaj i lutemi asaj Drejtorie qe te informohet nese shoku Komandat ka nonje vrejtje ne lidhje me kete çeshtje per tja transmetuar Legates s’one ne Moske”. / F.14/APSTR, V. 1952, D. 626. / KultPlus.com

10 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe kritikut të njohur, Ali Jasiqi

Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.

Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.

Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com