‘Unë dhe Millosheviçi’, një film mbi realitetin dhe heroin e shpallur aksidentalisht

12 Mars, 2019 - 7:52 pm

Alberina Haxhijaj

Në Hotel Garden është mbajtur sot konferenca për media për filmin “Unë dhe Millosheviçi” me skenar dhe regji nga Arben Kastrati.

Filmi në qendër të tij do të ketë një hero të shpallur aksidentalisht duke shfrytëzuar rrethanat në të cilat gjendet Kosova, shkruan KultPlus.

Për realizimin e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, skenaristi dhe regjisori Arben Kastrati ka mbledhur rreth vetes një kastë të njohur aktorësh si dhe profesionistë të fushës së kinematografisë.

Në mesin e tyre është edhe aktorja francezë Nathalie Boyer. Ajo do të sjellë rolin e një gazetareje, profesioni i së cilës është mjaft i vështirë në rrethana normale por që bëhet edhe më i vështirë gjatë raportimit në luftë. Ky rol e bëri për veti aktoren në momentin e parë që ajo e lexoi skenarin dhe u bë arsyeja që Boyer të vijë në Kosovë dhe të qëndrojë për një kohë këtu për xhirime.

“E kam takuar skenaristin përmes një miku dhe ai më dërgoi me mesazh vetëm skriptin dhe asgjë tjetër. Posa e lexova skenarin, më bëri për vete dhe pranova. Është një skenar shumë i mirë, ka shumë emocione dhe përfshinë ngjarje të përditshme, histori ,por ka edhe një sens humori në të dhe prandaj pranova menjëherë pasi dëshirova që të përfshihem në këtë proces”, thekson ajo.

Filmi do të xhirohet në disa lokacione si në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Paris dhe Hagë. Dy ditë më parë ekipi i filmit ka parë një pjesë të lokacioneve në Kosovë duke gjetur kështu vende të cilat veçohen më shumë për trashëgiminë e ruajtur.

“Kam ardhur dy ditë me parë. Dje kemi punuar pak në gjetje të lokacioneve dhe u takuam me aktorët e tjerë. Unë kam zbuluar një vend shumë të pasur ndërsa për njerëzit mund të them se pavarësisht asaj që keni kaluar jeni shumë të fortë dhe po pres me padurim që të fillojmë xhirimet”, u shpreh ajo.

Regjisori Nicolas Duval do ta ndihmojë Kastratin në regjinë e projektit filmik. Sipas Duval, e rëndësishme është që gjatë këtij filmi të mos tregohen vetëm ngjarje por të nxitet edhe mendimi kritik.

“Ajo që më ka bërë për vete është mënyra se si eksplorohet natyra e njerëzve, karakteret dhe ajo që dua të bëj me këtë film është që karakteret të na tregojnë gjëra dhe se çfarë po ndodhë, dhe jo që ato t’i mbajnë sekret deri në fund. Audienca do t’i shohë këto gjëra dhe do të nxitet që të mendojë jo vetëm për ato por edhe për të tjera gjëra. Mendoj se është e rëndësishme që filmi t’i nxisë njerëzit që të mendojnë dhe jo vetëm ti argëtojë” tregoi Nicolas Duval.

Aktori Afrim Kasapolli, i cili ka munguar për një kohë në kinematografi, është në mesin e aktorëve kosovarë që do të jenë pjesë e filmit. Sipas tij ajo që e shtyu të rikthehet në film është skenari.

“Një skenar si ky me guxim, me kaq vizion, njohuri deri në detaje të qenies sonë, moti nuk kam lexuar. Prandaj edhe më ka intriguar shumë dhe kam pranuar. Arbeni është një njeri i dashuruar në këtë punë dhe kam dashur që të jap edhe kontributin tim modest në këtë projekt, një projekt i cili po mbështetet më shumë nga vendet jashtë Kosovës se nga Kosova”, theksoi ai duke shtuar se një njeri i cili është lexues mund ta vërejë që ky film do t’i sjellë shumë Kosovë.

“Është koha e fundit që ne ta paraqesim realitetin tonë ashtu siç jemi dhe të bëjmë filma për veten tonë”, tha ai.

Në mesin e 68 aktorëve të cilët do të jenë të përfshirë në këtë film duke përfshirë këtu aktorë francezë, amerikanë, por edhe kosovarë, është edhe aktori Xhevdet Doda.

“Më pëlqen narracioni i Arbenit dhe mënyra se si ai shkruan. Në këtë film do të jem shoku i personazhit i cili është i akuzuar në Hagë e që më pas shndërrohet në hero”, tha Doda.

Xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviçi” priten që të fillojnë në muajin shtator. Filmi është një produksion në mes të Francës, Maqedonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme