15 Mars, 2019 - 8:10 pm
Një tregim nga Drita Kadriu.
Çenka vajzë dhe të lindi e vdekur, tha vjehrra. Mos u mërzit nuse edhe ashtu ti ke vajzë. Telashja është se kush do ta varrosë, ai djalë nuk është këtu!
Një shtëpi e ulët, me dy hyrje dhe me nga një dhomë në secilën hyrje. Në korridorin e secilës hyrje radhitja ishte e njëjtë. Aty kishte dy dyer. Dera e parë në të majtë të qonte në dhomë e cila hapej kryesisht kur vinin mysafirët dhe kur ishte koha për të fjetur. Ajo kishte një kravatë me kornizë hekuri, një qilim të cilin ajo e kishte marrë si pajë kur është bërë nuse. Ajo njihej si nusja me më së shumti pajë, meqenëse ishte motër e gjashtë vëllezërve dhe ata ishin kujdesur që motrën ta nxirrnin në derë të huaj me pajë që të mbahej mend gjatë dhe nga shumë njerëzve.
Përveç qilimit kishte edhe një vitrinë të vogël ku mbahej radioja. Të rralla ishin shtëpitë që kishin radio. Radioja ishte ndër burimet e pakta të informimit në atë kohë. Deri në fund të viteve të 60 vetëm radio Prishtina dëgjohej në shtëpinë e tyre, atëherë kur valët e Radio Kukësit arrijnë në Mitrovicë e shkuan deri në Kinën e largët. Ishte një pasion i madh i saj për ti dëgjuar lajmet e radio Kukësit si dhe këngët e Fatime Sokolit e Dervish Shaqës. Pasionin dhe dashurinë për kombin ajo e kishte trashëguar nga i ati. Radio Kuksi ishte një frymëzim patriotik i kohës për shumë njerëz që i përcillnin zhvillimet politike.
Dera e dytë, në krye të korridorit të vogël dhe të errët ishte ajo e banjos. Në gjuhën e përditshme për banjo përdorej fjala hamamxhik që kishte origjinë nga turqishtja. Për dallim nga hamami, që e kishte edhe Mitrovica, hamamxhiku ishte një banjo e vogël nëpër shtëpitë e qytetarëve ( nga turqishtja : hamam- banjo dhe xhik:e vogël), ku laheshin anëtarët e familjes. Aty qëndronin kazani, korita, taza, të gjitha nga llamarina, me të cilët nxjerrëj uji nga cila do enë, fija për larjen e teshave, tesha të pa lara dhe ndonjë mjet tjetër që përdorej për larje.
Korridori përdorej për qëndrim ditor. Aty kishte dy shilte të mëdha, dy, tri shilte më të vogla si dhe një kredenac/ vitrinë më e madhe e bërë nga druri i arrës së thatë. Në te vendoseshin të gjitha enët dhe mjetet tjera të kuzhinës. Zakonisht aty ishte edhe një bokall me ujë. Gratë të cilat ishin punëtore dhe të zonjat ia punoni me penjë e grep mbulesën bokallit për ta siguruar që mos të binte pluhuri në ujin e pijes.
Dritarja e dhomës binte nën strehën e shtëpisë, e cila përdorej edhe si ballkon për qëndrim gjatë ditëve të verës edhe për ti paluar drutë gjatë dimrit. Buzë strehës së ballkonit gjendej pompa e ujit. Për të nxjerrë ujë me pompë, është dashur që të hedhesh një tas ujë në gyp dhe duke i ra dorëzës së pompës poshtë lartë, fillonte të vinte ujë që gurgullim dilte nga gryka e pompës. Rreth pompës kishte një kornizë që e kufizonte shpërndarjen e ujit në mënyrë të pa kontrolluar. Një pjesë më e ngritur e kësaj kornize përdorej për ta vendosur koritën kur laheshin dhe shpërlaheshin teshat . Uji i tepërt gjatë këtij procesi përdorej për ta njomur oborrin i cili kryesisht ishte i mbuluar me bari, dhe ndodhte që të thahej gjatë verës.
Prag pranvere , 15 mars 1963 ditë e premte. Jashtë bënte ftohët bashkë me një shi i cili binte shumë i imtë. Të ftohtit bëhej edhe më i madh nga dhimbjet periodike të lindjes të cilat kishin ritmin dhe hovin e tyre. Djersë të ftohta ia mbulonin ballin, secilën qime floku dhe trupin e saj. Ajo kishte dëgjuar se gjatë lindjes shpirti i gruas rrinë në një qime floku, aq i hollë është kufiri në mes jetës dhe vdekjes. Merre me mend thoshte nëna, njeriu pikë nga njeriu!
Të shtrirës në shtratin me kornizë nga hekuri, ethet dhe dhimbjet e lindjes ia shtonin edhe më shumë mendimet për momentin në të cilin ishte, mungesës së të shoqit dhe fatin e dy fëmijëve tjerë më të mëdhenj.
Ai kishte shkuar në Sarajevë në shkollën e mekanizmit dhe hekurudhave. Ka qenë sakrifica e saj e madhe që ia mundësoi shkollimin. Ajo shiti një pjesë të pajës dhe me ato para ai u shkollua. Të rralla ishin vizitat e tij për ato dy vjet sa qëndroi në shkollim. Pritej që të kthehej brenda muajit prill. Gjatë kësaj kohe gjyshja, nëna e babës, po qëndronte tek i biri, me nusen dhe fëmijët, në qytet.
Ishte mëngjes i hershëm kur u dëgjua nëna duke i thënë gjyshes se unë nuk mund të pres më shumë, duhet me e thirrë Eminen sa më shpejt.
Eminja, gruaja e mësuesit Salih Hoti, një grua e mençur dhe e zonja, kishte përvojë për ti ndihmuar gratë në lindje. Duke qenë se ishin fqinjë të mirë, ajo e dinte se në këtë periudhë kur ju kanë ofruar ditët për të lindur fqinjës së saj, nuk duhet të largohet shumë nga shtëpia. Edhe pse të afërmit e vet i kishte në Zhabar, fshati i parë afër Mitrovicës, meqenëse nuk kishte transport dhe kryesisht njerëzit udhëtonin në këmbë ose me karroca me kafshë, ajo qëndroi në shtëpi, në gatishmëri të plotë për shumë ditë.
Fytyra e nënës sime ka pas pamje fisnike. Ka qenë katrore, me një gem në mjekër, sy të mëdhenj ngjyrë të gjelbër të mbyllur, vetulla gajtan jo fort të zeza, ndërsa buzët e saj ishin të holla. Lëkura e saj e bardhë të krijonte përshtypjen e bardhësive të të gjitha qiejve. Ishte grua fisnike e fortë dhe e guximshme.
O mashallah je bërë shumë gati me lindë. Do të lutem që lindja të shkoj mirë e mbarë siç din i lumi Zot, tha Eminja. Ajo ishte grua me një trup të madh, e kalitur nga jeta e puna. Posa hyri në dhomë ajo ndjeu ngrohtësinë e ambientit të krijuar nga shporeti që po digjte drutë.
Fytyrën fisnike të nënës Eminja e gjeti të zverdhur, të djersitur dhe duke shtrënguar dhëmbët për të mos lëshuar zë. Bënte kujdes që mos ti frikësonte fëmijët të cilët ishin katër dhe një vjeç. Ajo i ndjeu dhimbjet e saj dhe filloi ngjeshjet e barkut nën brinjë ngadalë për ta bërë të lehtë momentin e lindjes.
Ende nuk ishte momenti. Pushim dhimbjesh dhe ethesh, ndërsa djersët avulluan. Mbretëroi qetësia. Ngadalë hapet dera dhe dëgjohet zëri i njomë i vajzës së madhe duke thënë: nënë a je e sëmurë, a po vjen të na se jemi vetëm? Menjëherë gjyshja me qëndrim të trashtë se u bë kiameti çka pa vajza, i ndërmerr hapat që ta largoj vajzën e madhe të shtëpisë, Shahën e cila gjithmonë nga natyra ka qenë shumë kurioze.
Një cikël i ri dhimbjesh dhe ethesh, drithërima, lot pa zë, shtrëngime duarsh, vakum mendimesh dhe filloi, të rrëshqet ngadalë nga shtrati i së ëmës një kokë e vogël e bardhë për ti hapur rrugën trupit të imtë dhe të pafajshëm që po vinte në ambientin e ngrohët të krijuar nga ajo që nën drithërima dhe gëzim po priste që ta dëgjonte vajin e parë. Vaji i lindjes nuk u dëgjua. Përnjëherë u shuan ngazëllimi i lindjes dhe dhimbjet. E mpirë, e shtangur, nën lotët që ia morën fytyrën kujton momentet e lumturisë së ngjizjes dhe zotimet që i kishin me të shoqin për fëmijët dhe familjen.
Çenka vajzë dhe të lindi e vdekur, tha vjehrra. Mos u mërzit nuse edhe ashtu ti ke vajzë. Telashja është se kush do ta varrosë, ai djalë nuk është këtu!
Sjellja inferiore e vjehrrës për shkak të gjinisë së bebes dhe konstatimi se foshnja lindi e vdekur, asaj ia lëndoi edhe më shumë shpirtin e tendosur dhe të trazuar. Pas disa minutave, kur filloi ta merrte vetën dhe të mendoj më thellë ajo e kërkoi foshnjën e vet që ta mbante në kraharorë. Dua të ja ndjejë erën, dua ta përkëdheli. Si është e mundur që të lind e vdekur. Gjithmonë ia kam ndjerë lëvizjet në bark, mendonte duke e marrë foshnjën në gji dhe duke ia përkëdhelur fytyrën e vogël engjëllore. Papritmas ndodhë mrekullia. Vajza që kishte ardhur në jetë pa vaj, nën përkëdheljen e së ëmës filloi të qajë.
Në shkencë lindja e foshnjave me mbështjellës njihen si lindje me membranën amniotike e cila në të shumtën e rasteve e mbulon vetëm fytyrën dhe kokën. Lindje të tilla janë shumë të rralla dhe sipas disa të dhënave një në 80.000 njerëz lindin me këtë mëmbranë.
Sipas mitologjisë janë dy karakteristika, që e përcjellin këtë lindje pa vaj, të 15 Marsit 1963, ditë e premte: ajo e lindjes me këmishë të fatit dhe vet lindja ditën e premte.
Varësisht nga kulturat njerëzit kanë ndërtuar mite të ndryshme për të lindurit me mëmbarnë amniotike. Këto lindje i kanë quajtur me emra të ndryshëm: ka lindur me vello, këmishë fati, kafaz mbrojtës etj.
Disa thonë që foshnjat që lindin me këtë vello janë të bekuara. Çfarëdo që do të veshin do tu rrijë bukur. Irlandezët për shembull thonë që vajza e shtatë e shtatë vajzave që lindë me këmishë fati do të jetë në gjendje ta parashikoj të ardhmen, përderisa në disa shtet të Evropës Lindore kjo lindje shihet si shenjë e keqe. Foshnjat e lindura me vello ose këmishë fati, udhëtimin jetësor do ta kenë me fat dhe do te bëhen njerëz shumë pozitiv. Ata do të jeni udhëheqës të jashtëzakonshëm madje edhe shenjtor. Në të kaluarën copat e këmishës së fatit janë shitur në treg. Një kapiten dhe një detarë e ka konsideruar pasuri të veçantë këtë copë sepse e ka mbrojtur nga e keqja dhe i ka sjellë fat.
Në shumë pjesë të kryeveprave të letërsisë është përmendur miti i vellos ose këmishës së fatit si në veprën “Hamleti” të Shekspirit, në novelën gjysëmbiografike të Betty Smith “Pema që rritet në Bruklin”, novelën e Charles Dickens “David Copperfield” .
Për ditën e premte thuhet se është e udhëhequr nga planeti Venus, planeti i dashurisë, ekuilibrit, bukurisë, romancës, elegancës dhe kënaqësisë. Venus (/ viːnəs /, Latinishtja klasike: / wɛnʊs /) është perëndeshë romake. Është e njohur si nëna e Eneas, i cili mbijetoi rënien e Trojës dhe iku në Itali. Romakët e përshtatën mitin dhe ikonografinë greke për artin romak dhe letërsinë latine. Në traditën e mëvonshme klasike të Perëndimit, Venusi u bë një nga perënditë më të njohura të mitologjisë greko-romake, si mishërimi i dashurisë dhe seksualitetit.
Fëmijët e së premtes janë nën sundimin e Venusit. Ata janë të shoqëror, joshëse dhe kanë shpirt artistik. Nganjëherë janë shumë të varur nga mendimet e njerëzve të tjerë dhe janë dembel dhe të kotë. Talentet e tyre mund të mbeten të fshehura nga bota gjithmonë.
Në një nga këto mite qëndron edhe fati i saj. / KultPlus.com