Hidheni nga dritarja Hirushen dhe Borëbardhën!

17 Mars, 2019 - 11:30 am

 

Jo, nuk do shkruaj më për vrasjen e femrave (kam bërë dy në 24 orë).

Nuk i shërben askujt një tjetër shkrim ku të rrëfej për një burrë, që e donte një grua aq shumë sa nuk jetonte dot pa të, ndaj dhe e preferonte më shumë të vdekur sesa larg tij.

Jo, nuk do e shkruaj sepse më janë ngrënë mollëzat e gishtave dhe më ka rënë shpirti në dëshpërim. Sepse nuk shërben për asgjë: nuk sensibilizon (ai që është i ndjeshëm, nuk ka nevojë të lexoje për të kushedi se sa të satën herë historinë e një gruaje të vrarë nga i shoqi), nuk është edukues (një burri që është I aftë të vrasë një grua i duhen më shumë sesa fjalët e mia për t’i dhënë minimumin e edukatës dhe të rrespektit për jetën).

Jo, nuk do e shkruaj, sepse gratë vdesin çdo ditë dhe miliarda fjalë të derdhura çdo ditë nëpër tastiera nga miliona gishta nuk ia kanë dalë të shpëtojnë qoftë edhe një jetë, nuk kanë ndalur qoftë dhe një plumb pistolete, një brisk në grykë, një shtrëngim mbytës.

Sot shkruaj për gratë. Sepse në këtë pikë, mënyra e vetme që kemi për të shpëtuar, jemi vetë ne.

Jemi ne, qëkur jemi ende të vogla na edukojnë duke na hedhur kokës historitë e Hirushes, Borëbardhës dhe princave të kaltër që na shpëtojnë nga fati i keq i rreckave dhe mollëve të helmatisura. Sepse po t’u vësh mend përrallave me të cilat jemi rritur, nëse jemi vetëm, ne nuk jemi të zonjat për asgjë. Po të mos ishte princi, Hirushja do vazhdonte të lante pjatat dhe Borëbardha do sorollatej nëpër pyll.

Po pse? Pse të mos ishte dhe alternativa e të qenit e pavarur nga një burrë? Si ka mundësi, që në vitin 2017 ne ende kemi nevojë që një burrë të na shpëtojë nga një fat i trishtë?

Digjini të gjitha librat me Hirushe e Borëbardhë që ju dalin përpara, vajza mos besoni më që princi i kaltër ekziston! Sepse pikërisht kjo po na e fut. Është kjo bindje idiote për të nxjerrë burrin perfekt nga një qenie njerëzore krejtësisht normale, që ju bën të qëndroni symbyllur përballë realitetit dhe të falni të pafalshmen, që ju bën të ndiheni përgjegjëse për atë mungesë lumturie që ai thotë se nuk e tejkalon dot pa ju. Kjo nuk është nje peshë që mbahet dot kaq thjeshtë!

Hidhini në kosh gjithë këto përralla dhe bëjini një riformatim kujtesës. Mjaft u mësuat të voglave tuaja se sa bukur është t’i ndërrosh pelenat kukullës, ndërsa i tregoni që për ta bërë këtë (një bebe prej mishi e gjaku pra!) ka nevojë të gjejë fillimisht princin e saj të kaltër. Mësojini bijat tuaja të jenë të lira: tregojuni atyre përrallën e Lizës në Botën e Çudirave, atë përrallën ku vajza e vogël krejt e vetme dhe pa princër e kuaj të bardhë, arrin të mundë Mbretëreshën e Kuqe. Mësojini bijat tuaja të jenë të pavarura dhe krenare që janë të tilla. Bëjuani të mundur të studiojnë për t’u bërë gra me trurin plot me atë që është reale dhe jo me përralla absurde, me ideale anakronike dhe të paarritshme. Jepuni atyre forcën e të arsyetuarit, vëruni syzet që t’i ndihmojnë të kuptojnë dallimin mes obsesionit dhe dashurisë. Edukojini për dashurinë: mos i lejoni të mendojnë që në emër të kësaj ndjenje mund të tejkalohet çdo kufi. Sepse kufiri ekziston dhe është ai që të vendos se çfarë të bën mirë për trupin dhe shpirtin. Jepuni atyre mjetet për të zhvilluar një dinjitet të forte, që nuk përkulet përpara dhunës, që di të zgjedhë qartësisht dhe që di ta jetojnë vuajtjen e një braktisjeje duke e ditur që pak e nga pak çdo gjë do kalojë.

Mos ia ktheni në tragjedi çdo të dashur që mund ta lërë apo ta tradhtojë, mos ia mbushni kokën me fraza që mund t’i ngjallin dyshimin se nëse dikush i ka lënë, kjo ka ndodhur sepse ato kanë diçka që nuk shkon. Njerëzit ndahen çdo ditë dhe çdo ditë nis një jetë e re, një histori e re.

Çmitizojeni dashurinë dhe zbriteni me këmbë në tokë, ne jetën e përditshme. Nëse doni t’u shpëtoni jetën bijave tuaja, niseni duke shpëtuar tuajën duke reshtur së pranuari të papranueshmet, duke rreshtur së prituri tufat e trëndafilave. Bëhuni kështu shembull për gratë e të nesërmes.

Sepse nuk kemi mënyrë tjetër për t’i shpëtuar vajzat tona përveçse të marrim gjithë rregullat për rolin që na kanë mësuar se duhet të luajmë në çift, e t’i hedhim nga dritarja më e lartë.

Sepse nuk mund të presim të shpëtohemi nga një princ i kaltër kur të vërtetë ai princ i kaltër është veç një djall i shprishur mendsh me shkëlqim fals dhe shpatë.

/Blog i Deborah Dirani

“Grua, si fillim. Gazetare, më pas”

Huffingtonpost.it / KultPlus.com

Të ngjajshme