30 Mars, 2019 - 10:20 am
Në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate(amerikane-angleze-ruse)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.
Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqëndruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII,e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.
Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të”Adriatikut” në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë,kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva,Prishtina,Kaçaniku,Ferizaji,Gjilani,Lipjani,Shtimja,Thera- nda,Burimi,Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni… etj./KultPlus.com