31 Mars, 2019 - 3:24 pm
Fotografitë: Arben Llapashtica
Nën tingujt e kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart filloi nata e pestë e edicionit të 14-të të festivalit DAM. Koncerti i tij për piano dhe orkestër nr.20 erdhi nën interpretimin e pianistes së re Kristel Karagjozi e cila u shoqërua nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo natë e cila solli një program mjaft të pasur u dirigjua nga dirigjenti polak Szymon Makowski. Magjinë kësaj nate që në fillim ia dhuroi pianistja Karagjozi e cili ishte edhe fituese e garës “Pianisti i Ri 2018”. Një natë të cilën ajo do e kujtojë gjatë pasi që ishte hera e parë që performonte me një orkestër. Këtë fakt e potencoi edhe ajo në intervistën për KultPlus.
“Ishte vërtet një kënaqësi dhe një nder shumë i madh, ishte eksperienca ime e parë me orkestër, dhe ishte e mrekullueshme, shpresoj se edhe në të ardhmen të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha ajo.
Mirëpo këtë natë vëmendjen për interpretim në piano nuk e mori vetëm pianistja e re Kristel Karagjozi, ishte një tjetër pianiste e cila tashmë është e njohur për publikun në Prishtinë pasi që ka performuar edhe më parë, Olga Zado.
Pianistja Zado këtë herë u rikthye për të sjellë kompozitorin e njohur Ludwig Van Beethoven dhe koncertin e kompozuar nga ai për piano dhe orkestër nr.2 në b-mol, Op.19.
Pianistja Olga Zado u shpreh se çdo herë merr shumë energji dhe inspirim kur rikthehet në Prishtinë pasi që këtu ajo gjen shumë dashuri për muzikën. Bashkëpunimin me DAM-in ajo e ka filluar para tri apo katër viteve, ku kanë realizuar shumë projekte dhe një koncert vitin e kaluar.
“Çdo herë jam shumë e kënaqur që vij përsëri këtu. Jam duke punuar me vepra të Beethovenit dhe e di që këtu nuk e kanë luajtur veprën Nr.2 kështu që shfaqa dëshirën që ta bëjmë këtë së bashku pasi që kjo ishte hera e parë edhe për mua. Mendoj që është një vepër e cila duhet të vlerësohet pasi që shfaqë përpjekjet e Beethovenit për të gjetur zërin e tij të vërtetë”, tha Zado për KultPlus.
Në pjesën e dytë të kësaj mbrëmje erdhi simfonia e Robert Schumann nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Pianoja tashmë e larguar nga skena i dha mundësi publikut që vëmendjen ta ketë edhe më shumë te puna e dirigjentit Syzmon Makowski. E ky i fundit në intervistën e dhënë për KultPlus nuk kurseu fjalët e mira për Filharmoninë por edhe për pianistet të cilat me lojën e tyre arritën që ti bartin emocionet dhe ndjenjat e tyre edhe tek publiku. Duke ju dhuruar atyre një udhëtim të mrekullueshëm, siç e potencon edhe dirigjenti Makowski.
“Më pëlqen atmosfera e punës me Filharmoninë e Kosovës, optimizmi dhe energjia të cilën ata ma japin. Me Kristel ishte një bashkëpunim dhe udhëtim i mahnitshëm sepse ishte hera e parë që ajo performonte me një orkestër. Në anën tjetër me Olgën kemi pasur bashkëpunim edhe më parë dhe e njohim njëri-tjetrin dhe ishte një ritakim shumë i mirë duke punuar në veprën e Beethovenit”, u shpreh dirigjenti.
Ndërsa sa i përket veprës, dirigjenti u shpreh se kjo është një vepër ku kompozitori nuk është shumë i matur mirëpo gjejmë një Beethoven të ri i cili dëshiron që t’iu lë përshtypje të gjithëve përreth diçka që edhe Olga sipas tij ja ofroj publikut.
Sonte duke filluar nga ora 20:00 do të jetë koncerti nga Quartetto Di Cremona i cili edhe do të përmbyllë këtë edicion të festivalit. / KultPlus.com