Regjisori Apolloni i dërgon letër QKK-së me sugjerime për një qasje ndryshe ndaj kinematografisë

9 Prill, 2019 - 11:16 am

Regjisori Ben Apolloni ju ka drejtuar një letër Këshillit Drejtues të QKK-së, me sugjerime për një qasje ndryshe ndaj kinematografisë.

KultPlus ju sjellë letrën e plotë:

Të nderuar,

Arsyeja se pse po ju shkruaj pikërisht tani është se, përkundër që buxheti i QKK-së është rritur viteve të fundit nga ana e Ministrisë së Kulturës,  nuk dëgjoj, nuk lexoj e as nuk shoh ndryshime në qasjen e QKK-së ndaj zhvillimit të filmit.

Filmi në Kosovë, në këtë vend që është minierë temash, mund të arrijë të zhvillohet shumë më shumë nëse ju, si udhëheqës të QKK-së, i rregulloni edhe rregulloret por edhe ligjin për kinematografi.

Ligji, ka shumë pika që pengon zhvillimin e Kinematografisë edhe pse në të është e shkruar që ka për qëllim zhvillimin e kinematografisë. Por ka edhe shumë nene që janë shumë të mirë e nuk janë respektuar asnjëherë. Lexojeni sërish, analizojeni, ndryshojeni për të mirë!

Rregullorja e QKK-së, që mbi 90% është veç reprizim i Ligjit, krijon edhe pengesa shtesë. Ta zëmë me rregullore është e ndaluar që regjisori të jetë edhe producent i filmit të tij. Kjo ndalesë është e pakuptimtë për ata që merren profesionalisht me film, por edhe e kundërligjshme. Një gjë e tillë nuk ndalohet me ligj. Kjo bëhet edhe shkak i pengesës së zhvillimit të kinematografisë: regjisorit t’i ndalohet të jetë prodhues i filmit të tij. Se besoj që kjo ndodhë diku në ndonjë vend normal. Merreni me mend si do të reagonin regjisorët si Martin Scorsese, Steven Spilberg, Alfonso Cuaron, P.T. Anderson, etj, po të dëgjonin për këtë ndalesë. Fundja kush është ai që më mirë se regjisori kujdeset për veprën e vetë, për atë që e krijon vetë? Është e njëjtë si një nëne t’i mohohet amësia për fëminë që e ka lindur vetë. Aq më shumë kur dihet që tek ne nuk ka producent të shkolluar (pasi në Fakultetin e Arteve nuk ka degë përkatëse për këtë drejtim) dhe producent bëhen njerëz që shpesh nuk e kanë filmin profesion, e në rastin më të mirë ndonjë aktor. Që, mandej shtrohet pyetja se pse aktori mund të jetë producent në filmin ku mund të ketë edhe rol, e regjisorit i ndalohet të jetë pronar i veprës së vetë?

Ligji e më pas edhe rregullorja, e ndalon përkrahjen e filmave televizivë, e kjo duhet të ndryshohet urgjentisht sepse ne të gjithë jemi dëshmitarë që kinemaja po “rrudhet”, e po futet në televizion. Shihini se çfarë po bëjnë NETFLIX, ABC, AMAZON…

Duhet të ndryshohet edhe përkrahja e projekteve kinematografike, që tani për tani QKK ka të drejtë t’i përkrahë me 51% të buxhetit. Kjo shumë është e pamjaftueshme kur kihen parasysh rrethanat në të cilat jetojnë e krijojnë artistët e filmit në Kosovë. Nëse Kosova investon 51%, mundësi për me përfitu fonde, kineastët tanë i kanë vetëm në Shqipëri e Maqedoni, që vështirë se mund t’i sigurojnë as deri në 30% të shumës së mbetur. Prandaj, që kinematografia jonë të zhvillohet si duhet, që kineastëve t’u bëhet më e lehtë puna, duhet ndryshuar ligji dhe përkrahja e projekteve fituese të rritet deri në 71%, për filma të gjatë, kurse për të shkurtër, dokumentar, e animacione edhe më shumë.

Kosova është vend i parëndësishëm në hartën e Kinematografisë Botërore dhe duhet shumë punë e përkrahje nga institucionet për ta bërë me peshë në atë hartë.    

Dhe, i dëgjoj shpesh zyrtarët e QKK-së që flasin për Industrinë e Filmit, por duket se nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë kjo. Si mund të flitet për Industri të Filmit, kur mungon mundësia e distribuimit të filmave që prodhohen. Nuk ka Industri nëse nuk e ka edhe tregun, që në këtë rast do të thotë kinematë.  

Jua shkrova këtë letër tani kur ju me siguri merrni ose e keni marr njoftimin për buxhetin për vitin 2019 dhe më pas do të shpallni konkursin për projekte.

Kërkoj nga ju, pasi që shumica jeni nga fusha e kinematografisë, që t’i shqyrtoni këto gjëra para se të shpallet konkursi dhe t’i sanoni këto probleme për hirë të zhvillimit të kinematogrfisë së Kosovës. Janë probleme kollaj të zgjidhëshme; veç duhet vullnet i mirë.

Sugjerim tjetër, që çuditem pse nuk ju ka shkuar mendja zyrtarëve të QKK-së, është që konkursi për projekte, të jetë së paku dy herë brenda vitit.

Sinqerisht ju kërkoj që t’i shqyrtoni këto që kam cekur unë, por edhe pika tjera dhe të reagoni në të mirë të zhvillimit të Kinematografisë së Kosovës!

Në fund, duke ju uruar shëndet e punë të mbarë, ju përshëndes,

Ben Apolloni, regjisor . / KultPlus.com

Të ngjajshme