13 Prill, 2019 - 5:10 pm
Nezir Kraki
Realitetet e diasporës shqiptare, e sidomos asaj të Kosovës, janë shumë SHUMË më komplekse se diskutimet e cekëta të një kaste te frustruar që 365 ditët e një viti i kalon në 2km katror, nën ajrin e ndotur të Prishtinës, në pritje të ndonjë copëze pushteti.
Unë e di qe n’Kosovë, për fatin tonë të zi, ka tashmë edhe liga injorantësh që vetfuqizohen me media sa fiktive aq edhe t’gëditshme por e vërteta nuk gjendet ne atë mes, ju garantoj. Në fakt, e vërteta dhe arsyeja e shëndoshë shkojnë zakonisht bashkë. Arsye të shëndoshë nuk mund të kenë as injorantët e kravatuar por as argatët e tyre të kamufluar në media dhe shoqëri civile.
Tipat e tille nuk arrijnë, herë nga injoranca e herë nga argatllëku ndaj bandave, as t’i kuptojnë vakitë politike e sociale të Prishtinës por marrin turr të na sqarojnë jetën e 1 milion shqiptarëve të Kosovës të shpërndarë në mbi 100 shtete.
Veç n’Gjermani ka sot më shumë intelektualë dhe njerëz të arritur nga mërgata jonë se në krejt Kosovë. Sa intelektualë të vërtetë ka sot Kosova? Unë s’i njoh as 50 të tillë.
Po, diaspora jonë nuk është shkolluar sa duhet
sepse kishte halle tjera. Familjet shqiptare në botë së pari garantuan
mbijetesën tonë nën regjimin e Millosheviqit, pastaj paguan luftën tonë.
Pas luftës e rindërtuan Kosovën dhe për 3-4 vite gati asnjë gjurmë lufte
s’shihej andej. Pas rindërtimit të shtëpive financuan shkollimin e motrave dhe
vëllezërve në Kosovë, blen mijëra kerre për vllazni e familje….shpenzuan
miliarda euro në 20 vitet e fundit dhe e mbajtën gjallë çdo shitore, çdo biznes
të Kosovës.
Pas krejt këtyre fazave diaspora nisi të merrej me veten dhe të shkollohet. Sot veç në Gjenevë janë mbi 220 studentë shqiptarë. Nuk dua të listoj këtu raste e super raste ku diaspora shndrit, larg errësirës mediokre të vendit nga vjen.
Veç një gjë duhet të dihet, pa kontributin 50 vjeçar të diasporës, Kosova nuk do ekzistonte sot as si gjeografi as si shtet. E këta kapadaitë e 2km katror kurrë s’do ta kishin pas rastin ta shprehin kaq hapur injorancën e tyre kolektive.
E njëjta diasporë sot është rikthyer në shpresë për 2 milionë të pashpresët e Kosovës që bandat politike me argatët e tyre çdo ditë i shtyjnë drejt ikjes. Krejt ato viza pune, krejt ato strehime e krejt ato mundësi integrimi të shpejt, veç diaspora jonë e fuqishme mund t’i bëjë.
Diaspora e ka veç një faj: që dha kaq shumë për Kosovën e në fund i doli një shtet bandit me shoqëri të çoroditur./ KultPlus.com