16 Prill, 2019 - 8:31 pm
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), pas shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Dhunën Seksuale në Konflikte, ka shprehur shqetësimin saj më të thellë për lënien e Kosovës jashtë këtij raporti.
QKRMT pati reaguar edhe vitin e kaluar, më 12 Prill 2018, pas publikimit të Raportit S/2018/250 të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Krimet e Dhunës Seksuale në Konflikte.
QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës për të lehtësuar traumën e tyre dhe për të avokuar për të drejtat e tyre, shprehë shqetësimin e saj më të thellë për lënien jashtë raportit të situatës së Kosovës sa i përket krimeve të dhunës seksuale.
Duke marrë parasysh progresin e kohëve te fundit të institucioneve shtetërore të Kosovës në verifikimin dhe dokumentimin e të mbijetuarve të dhunimit, QKRMT beson fuqishëm se përfaqësimi i të dhënave në këtë raport sa i përket krimeve të dhunës seksuale në Kosovë, do të kontribuonte në një kuptim më të gjerë të situatës së të mbijetuarve në rajon.
Një ndikim të vecantë do të kishte në luftimin e paragjykimeve dhe stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore.
QKRMT ka qenë e ftuar nga Përfaqësuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Dhunën Seksuale në Konflikte bashkë me Fondacionin Denis Mukwege dhe Iniciativën e Nadias në takimin konsultativ organizuar nga Programi për të Drejtat e Njeriut në Roosevelt House, Hunter College (New York, janar 2019).
Në këtë takim Feride Rushiti (Drejtoreshë Ekzekutive e QKRMT) është ftuar që të ofrojë ekspertizën dhe përvojën e saj 20 vjeçare mbi reparacionet në raport me viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës.
Gjithashtu, QKRMT në janar të vitit 2019, me kërkesë të Raportuesit Special për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, reparacionit dhe garancitë e mos përsëritjes ka dhënë kontributet e saja në pyetësorin mbi programet nacionale te reparacionit.