Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli e Ragip Loxha gjatë interpretimit të radiodramës “Kallogjeri” që u ndalua nga komunistët (VIDEO)

21 Shtator, 2017 - 2:20 pm

Radiodrama “Kallogjeri” e dramaturgut Hasan Dajaku është përzgjedhur nga Radio Prishtina në konkursin e radiodramës të vitit 1980 – 81, dhe është realizuar nga stafi artistik si radiodramë në regji të regjisorit, Atdhe Gashi, shkruan KultPlus.

KultPlus po i sjellë disa fragmente të shkëputura nga kjo radiodramë e ku interpretojnë aktorët: Shani Pallaska, Safete Rugova, Afrim Kasapolli, Ragip Loxha, etj.

Pas transmetimit në valët e ish- Radio Prishtinës, kjo vepër është ndaluar me urdhër të ish- organeve të asaj kohe.

Liridon Dajaku, djali i shkrimtarit Hasan Dajakut, ka treguar për KultPlus se në këtë radiodramë kanë interpretuar edhe artistë të tjerë, por në kohën kur është ndaluar kjo radiodramë, pikërisht pjesën e fundit, aty ku tregohet stafi realizues, e kanë prerë.

Nga audioincizimi, vërehet se kjo dramë është shkëputur në disa pjesë, nuk është gjetur e plotë pranë arkives së ish- Radio Prishtinës. Gjithashtu dhe teksti origjinal i dramës, i shkruar nga Hasan Dajaku, nuk është gjetur askund.

Liridon Dajaku, ka treguar edhe arsyen se pse kjo radiodramë është ndaluar në atë kohë nga komunistët.
“Radiodrama është ndaluar nga komunistët, njerëzit e pushtetit sepse ju ka zhvesh moralin e tyre”, ka thënë Dajaku për KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim videon e interpretuar nga aktorët e njohur. / KultPlus.com

Të ngjajshme