Rita: Vazhdoj të mendoj për ditët që kalova në vendlindjen time në Kosovë

17 Prill, 2019 - 3:25 pm

Rita Ora është deklaruar sërish për vizitën e saj të fundit me karakter humanitar në Kosovë, përmes Fondit për Mbrojtjen e Fëmijëve-UNICEF.

Ora në rrjetin social “Instagram” ka shprehur mirënjohje ndaj kësaj organizate për kontributin në vendlindjen e saj Kosovën.

“Kujtimet nga besimi i UNICEF-it dhënë për vendlindjen time, ishte me të vërtetë diçka që kurrë nuk do ta harroj”, ka shkruar ylli i popit.

“Vazhdoj të mendoj për ditët që kalova në vendlindjen time në Kosovë”, shkruan ndër të tjera Rita.

“U dhashë fëmijëve atje edhe lodra dhe nuk mund ta përshkruaj sa të lumtur ishin sa më bënë të qajë kur ua pashë buzëqeshjet në fytyrë. Si ambasadore e Kosovës, është detyrë e imja të ju siguroj që mund t’ia dalë”, shkruan Rita.

Rita Ora e vizitoi Kosovën këtë muaj, në kuadër të një misioni humanitar me UNICEF-in për fëmijët në Kosovë.

https://www.instagram.com/p/BwW06ooh6Uh/

Këngëtarja bëri edhe një paraqitje të shkurtër publike në Prishtinë, në ngjarjen vjetore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë “Activate Talks”.

Ajo theksoi se gjatë këtyre dy ditëve sa po qëndron në Kosovë është njoftuar për së afërmi me familjet kosovare dhe të rinjtë e vendit.

“Jam që dy ditë në Kosovë, kemi bërë një rrugëtim të mrekullueshëm me UNICEF. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme me rininë e Kosovës, kam mësuar shumë. Jam njoftuar për së afërmi me jetën e të rinjve dhe familjeve në Kosovë”, tha ajo.

Ora përsëriti se është e lumtur dhe krenare që është nga Kosova.

“Jam shumë e kënaqur me punën e ‘Up Shift’ të UNICEF-it që po bëhet këtu. Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe që kam takuar kaq shumë heronj. Jam shumë krenare që jam nga këtu”, shtoi ajo.

Rita Ora është shpallur ambasadore e Republikës së Kosovës.

Këngëtarja para kësaj here, e vizitoi Kosovën me 17 shkurt 2018, në 10 vjetorin e pavarësisë, ku mbajti edhe një koncert madhështor në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme