19 Prill, 2019 - 1:45 pm
Në ambientin e hapësirës së Galeria Kombëtare të Kosovës sonte do të hapet ekspozita Grouping – Moving – Spreading” METAXYUM”. Kjo ekspozitë ballafaqon revizionin e një ekspozite të ndaluar, e një ekspozite për të kundërtën e saj, shkruan KultPlus.
A ju kujtohet pranvera e vitit 1987? A i kujtohet ndonjë ekspozitë e FILOART në Prishtinë e cila ishte e ekspozuar vetëm për një natë? A ju kujtohet kur ajo ekspozitë ishte hapur ne Rijekë të Kroacisë dhe menjëherë pastaj ishte ndaluar me pretekst politik, nga shteti i atëhershëm? Shumë nga këto pyetje do ti gjeni përgjigjen gjatë kësaj ekspozite.
Kësaj radhe keni mundësinë t’i rikujtoni, shihni veprat e ekspozitës, dikur shumë të përfolur me titull: “Kjo nuk është ekspozitë por e kundërta e saj!!!!”.
Ekspozita përcjellët me video, dokumente dhe artefakte në kontekst kohor. Po ashtu mund të shihen pamje nga hapja e Ekspozitës në Prishtinë më 20 Prill të vitit 1987.
Ekspozita është një lloj Polytichon-i, e ndërtuar në disa nivele. Ajo përmban veprat e: Grupit FILOART 1986-1989; Lëvizjes FILOART: Sammlerfamilie, Psychiatriepatienten, D.N.K. (Dashuria Ndaj Katrorit), L.E.O., Mrs. Brainwash, U.R.A., Globalodromia, P.M.S. prej 1991 deri tani; Arkivin per FILOART dhe Metaxyum.
Galeria Kombëtare e Kosovës do ti mundëson publikut të saj të shohë, vlerësojë dhe të ndërtojë mendimin për këtë ekspozitë, pa paragjykime si ishte rasti para 30 vitesh, por vetëm me vepra dhe dokumente.
“Grouping – Moving – Spreading” METAXYUM është e kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe W.A.S.(World Anonimous Society). Hapja e ekspozitës bëhet duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com