Memli Kelmendi: Të mbushësh sallën me publik të muzikës korale në Kosovë nuk është punë e lehtë

20 Prill, 2019 - 2:50 pm

Gili Hoxhaj

Një dirigjent energjik në lëvizje e një kompozitor tashmë i dëshmuar, Memli Kelmendi shpejtë është shndërruar në një  nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë. Pasioni e angazhimi i tij për muzikën ka nisur në vendin e tij të lindjes, në Pejë ndërsa përgjatë viteve ka bartur misionin që pikërisht Pejës t’i kthejë kulturën profesionale korale, gjithnjë duke u bazuar në trashëgiminë artistike të këtij qyteti. Sot ai udhëheqë korin e shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korin e Fëmijëve “Siparantum Kids”, Korin e Femrave dhe korin miks ‘Siparantum’ me të cilin tashmë është dëshmuar edhe jashtë Kosovës. Duke qenë dirigjent permanent i korit “Siparantum”, loja e tij përballë tyre shpesh është në një interaktivitet të plotë e me energji në skenë që ka bërë që interpretimet e tyre shpesh ta dërgojë publikun në një dimension tjetër artistik. Ndryshe nga shumica e koreve në Kosovë, pozicioni i anëtarëve të tij e ai i dirigjentit ndryshon disa herë brenda koncertit duke u përshtatur me dinamikën e veprave. Kelmendi tashmë ka një opus të pasur edhe sa i përket kompozimit të veprave, të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Atij i është besuar puna në dhjetëra filma e 25 shfaqje teatrale. Muzika për të mbetet ushqimi kryesor i shpirtit, edhe pse thotë se rrugëtimi për të prekur përmes muzikës e artit nuk është dhe aq i lehtë, por për të është puna e përbashkët ajo që e bën cdo ditë e më të lehtë këtë rrugëtim.

Memli Kelemendi në intervistën për KultPlus fillimisht tregon se përforcimi  i lidhjes se tij me tingujt ka qenë i ndikuar nga fakti se ai është rritur në një familje ku muzika ka qenë jo rrallë kryefjala e ditës. Prishtina, Praga dhe Maqedonia mbeten tri vendet prej nga ka marrë shkollimin e tij akademik muzikor.

“Kam lindur në Pejë, qytet që njihet për kulturë. Kam qenë i rethuar me njerëz të artit dhe shijes muzikore. Daja im i ndjerë ka qenë këngëtar në vitet e 70-ta, mund t’them që trashëgiminë muzikore e kam nga babai im Xhevat Kelmendi, kantautor të cilit i jam falenderues që më ka udhëzuar në çdo hap të jetës. Jam rritur me muzikë, sot është profesioni im. Studimet i kam përfunduar në Prishtinë, ndërsa ato Master për Produksion dhe kompozim i kam përfunduar në Maqedoni, për t’ju rikthyer studimeve Master për Dirigjim, përsëri në Prishtinë. Jam Çertifikuar në konzervatoriumin “Jana Deyla” (tre vite) në Pragë për fëmijët me shikim të dobësuar për lëndët teori muzikore, piano dhe komopozim”, tregoi Kelmendi për KultPlus.

Memli Kelmendi edhe pse shumë aktiv edhe në kryeqytet, sytë i ka mbajtur gjithnjë kah vendlindja me synimin që qytetit t’ia kthejë kulturën korale. Ishte vitit 2011 kur ai bëri  hapin e parë të në paraqitje me korin e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë që shënon edhe fillimin e punës së tij me korin, me të cilin tash e tetë vite mbajnë koncerte dhe programe “a cappella”, ndërsa deri më tani me këtë kor kanë realizuar 100 vepra korale.

“Ishte një sfidë shumë e madhe për mua meqë nxënësit në atë kohë nuk kishin përgatitje korale, mund të them që pikërisht është ky vit kur në Pejë fillon ndërtimi i kulturës profesionale korale, pra me ardhjen e gjeneratës së parë të shkollës së mesme të muzikës. Jam shumë i lumtur që ia kemi kthyer qytetit një kulturë korale”, shprehet Kelmendi për KultPlus.

Kori Siparantum për dy  vite me 50 koncerte në  Kosovë dhe jashtë saj

Kori ‘Siparantum’, i formuar në fund të vitit 2017, sot numëron gjithsej 50 anëtarë, por Kelmendi thotë se për të ardhur tek ky rezultat kanë kaluar në mjaft faza sfiduese të cilat i kanë tejkaluar falë vullnetit të mirë, gjithnjë i shtyrë me qëllim të ngritjes së kulturës në Pejë që qyteti të ketë një kor të një dimensioni krejtësisht tjetër e më një nivel të lartë profesional që mbështetet në përzgjedhjen e veprave. E gjithë kjo punë që filloi para dy vitesh shumë shpejtë arriti të prezantohet edhe jashtë Kosovës, si në Kroaci, Francë, Itali e Maqedoni.

“Jam shumë i kënaqur me punën të cilën e kemi arritur gjerë më tani. Përgjatë dy viteve formim, kemi realizuar mbi 50 koncerte, përpos koncerteve në qytete të ndryshme të Kosovës kemi qenë pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde” citoj që Kosova në këtë festival është paraqit për herë të parë në këtë festival, pastaj kori ishte tre herë radhazi në Kroaci dhe së fundi ishim në kryeqendrën e Artit botëror, Romë dhe Vatikan ku kemi patur fat të koncertojmë në vendet më të njohura”, tha Kelmendi për KultPlus, ndërsa veçon paraqitjen e tij në Francë para koreve të njohura e me traditë korale atje. Kelmendi thotë se për shumë gjatë do ta mbajnë të ngulitur në kujtesën e tyre emocionet që solli paraqitja atje e cila bëri që duartrokitjet e publikut ta kthejnë korin për tri herë në skenë.

“Më kujtohet koncerti jonë i parë ku në këtë mbrëmje ishin koret nga Ekuadori, Zvicra dhe kori i të rinjve të Filharmonisë së Çekisë. Duke e ditur përvojën e këtyre shteteve dhe traditën korale, nuk ka qenë aspak e lehtë për mua dhe as për koristët, duke marrë parasysh përvojën tonë korale. Me veprat të cilat ne jemi paraqitur, sidomos ato atraktive publiku bëri që të na kthej tre herë në skenë”, kujton Kelmendi.

“Që nga momenti i parë i formimit të korit kam menduar të sjellë diçka ndryshe”

Qëndrimi i Kelmendit përballë korit tregon se ai nuk përfaqëson një dirigjent të zakonshëm, roli i të cilit është të dirigjojë lojën përballë korit vetëm me lëvizje të duarve. Roli i tij prej dirigjentit identifikohet me një prani të lartë artistike. Kur kori nis e shpërndahet në lëvizje e vallëzim duke prezantuar mesazhin e veprës, Kelmendi zhytet në lëvizje bashkë me ta. Kjo ide, fillimisht për Kelmendin kishte qenë goxha sfiduese por që është mirëpritur në të gjitha koncertet ku janë prezantuar ata.

“Involvimi i elementeve atraktive me paraqitje të lëvizjeve skenike ka bërë që njerëzit të pelqejnë performancën dhe korin tonë. Çdo herë mendoj ndryshe kur filloj të punoj me korin qoftë në përzgjedhje të repertorit dhe efekteve të reja muzikore për t’involvuar në skenë. Kjo gjë është pëlqyer kudo qe kemi udhëtuar, prandaj mendoj që kjo sot ne na identifikon. Ka qenë një guxim i madh për mua si dirigjent të paraqes këtë ide dhe të sjell një frymë të re. Që nga momenti i parë i formimit të korit kam menduar të sjellë diçka ndryshe. Kam menduar ndryshe. Në fillim kam qenë pakës ndoshta skeptik se mos janë të tepruara meqë kjo nuk ka qenë e pranishme (mendoj) në vendin tonë, sot mendoj ndryshe! Nuk e kam aspak problem të zhytem edhe vet përbrenda lëvizjeve, mbi të gjitha mendoj që dirigjenti duhet të jetë edhe organizator i mirë”, tregon Kelmendi.

Kori ‘Siparantum’ e ka bërë traditë që pasr paraqitjeve në skenat evropiane të prezantohet para publikut vendor. Kështu ndodhi edhe para nisjes për koncertet në Itali, ku kori mbushi gjithë hapsirën e Kinemasë “Jusuf Gervalla”. Kelmendi në një intervistë për KultPlus thekson se puna e tij me korin ‘Siperantum’ ka ndikuar edhe në qasjen e vetëdijësimit të publikut ndaj muzikës korale, megjithatë thotë se kjo mbetet akoma një punë jo shumë e lehtë.

“Të mbushësh sallën me publik të muzikës korale në Kosovë nuk është punë e lehtë.  Nuk po flas për anën organizative. Në koncertin e fundit të korit Siparantum ne kishim mbi 450 të pranishëm, me dhjetëra të tjerë janë kthyer meqë salla është mbushur plot edhe pse koncerti ka qenë me hyrje, njerzit janë bindur me punën tonë. Nese nisem nga fakti kur unë kam filluar të punoj me kore në Pejë, ka një diferencim dukshëm të madh në të gjitha aspektet. Kjo vërehet”, theksoi dirigjenti dhe kompozitori Memnli Kelmendi në një intervistë për KultPlus.

Opusi kompozicional i Kelmendit, vepra ‘Agnus Dei’ e interpretuar në më shumë se 30 herë jashtë vendit

Opusi kompozicional i Kelmendit mbështetet më shumë në muzikën korale, eksperimentale, elektronike, kamertale ndërsa ka edhe një serë kompozimesh për film dhe teatër. Veprat e tij tashmë kanë udhëtuar në shumë vende të botës si Charleston, Neë Jersey, Neë York, Los Angeles California, Kili, Argjentinë, Çeki, Indonezi, Itali, Francë, Rumani, Filipinë, Kroaci, Bosne, Turqi, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Stili të cilën zakonisht ai e aplikon i takon muzikës NEO, varësisht nga temat të cilat i trajton, jo rallë herë mbështetet edhe në motive vendore sic janë veprat, “Sa bukur na ka dal nusja”, AlbSonus, Ex Alpes, Sacrificium. Vepra që e veçon punën e tij prej kompozitori është “Agnes Dei” e cil deri tani është luajtur më shumë se 30 herë jashtë vendit.

“Interpretimi Premierë i veprës “Agnus Dei” është përformuar nga ansambli vokal “Johann Consort” dhe dirigjinti i mirënjohur Jorge Contreras në kuadër të festivalit prestigjioz “Temporada Coral de Primavera” 2016. Të them të drejtën, nuk e kam pritur një sukses të tillë dhe jam vërtetë i lumtur për këtë. Që nga viti 2016 deri me sot është interpretuar me më shumë se 30 herë jashtë vendit. Një sukses i mirë ka qenë poashtu për veprën “Ater Unbra” e cila është interpretuar në shumë shtete të botës por e veçanta e kësaj vepre është regjistrimi dhe publikimi në CD-në e korit “Evocations” në Francë. Poashtu vepra “Silentium Est Pax” është publikuar në CD-në e ansamblit vokal Sotto Voce Ensemble, Francë, vepër që i dedikohet pikërisht këtij ansambli fantastik.  Renuo (për piano) është vepër që vërtetë e kam për zemër. Jam vërtetë i lumtur që është interpretuar nga Lukas Husiman, pianist i përmasave të larta që njihet për interpretimin e veprave moderne”, rrëfen tutje Kelmendi.

‘Imagjnatën për të gjetur rrugë të reja muzikore më ka dhënë filmi dhe teatri’

Ngjarjet e shumë filmave kosovarë e shfaqjeve teatrale  janë përcjellë nën tingujt e me tingujt e Memli Kelmendit, ndërsa ai thotë se është pikërisht kjo fushë që i ngjallë  kreativitetin artistik. Duke qenë se ka magjistruar për Produksion Muzikor, intensiteti i punës së tij në këtë fushë është shtuar pasi që ka hapur studion e tijj në Prishtinë “PreDuo Production”.

“Kam punuar mbi 35 filma të shkurtër, 4 filma të metrazhit të gjatë, mbi 25 shfaqje teatrale, shumë filma dokumentar dhe seriale vendore. Mund t’them që imagjnatën për të gjetur rrugë të reja muzikore më ka dhënë filmi dhe teatri. Është një botë tjetër, krejtësisht ndryshe nga interpretimi, në çdo moment ballafaqohesh me situata dhe sfida të ndryshme të cilat të bëjnë të mendosh dhe të kërkosh çdoherë e shumë”, kështu e përshkruan Memli Kelmendi përvojën e tij të përditshme me kompozimin e muzikës për film e teatër.

“Dua të përmend një sukses shumë të rëndësishëm, filmin “Në Mes” të Samir Karahodës në të cilin kam punuar si Sound Designer, filmi ka qenë selektues në festivalin prestigjoz të filmit në Botë, Berlinale, për këtë jam vërtetë i lumtur meqë Kosova është paraqit për herë të parë në këtë festival”, shtoi tutje Kelmendi. Ai përvojën e tij për muzikën e filmit tanimë e paraqet edhe pranë studentëve në Universitetin AAB, ku ligjëroj pikërisht lëndën Muzikë filmi, teatër dhe muzikë marketingu në drejtimin e muzikologjisë.

“Ekziston një vullnet i mirë, këtë e shoh tek nxënësit me të cilin punoj në shkollën e muzikës. Kemi një rini të shëndoshë, gjenerata të cilët e duan muzikën korale mbi të gjitha janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes për të kontribuar dhe pasuruar jetën kulturore në vend. E di që ballafaqohemi me sfida të ndryshme, vullneti i mirë nuk guxon të ndalët asesi”, shton me bindje dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi.

Memli Kelmendi krejt në fund të intervistës tha se e presin edhe shumë projekte në të cilat është angazhuar, ndërsa jo të gjitha ftesave mund tu përgjigjet pozitivisht për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballet kori “Siparantum”.

“Janë shumë projekte të cilat jam angazhuar si kompozitor i disa filmave të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, janë edhe shumë projekte dhe ftesa ndërkombëtare të muzikës korale, disa vetë i kam të konfirmuara për vitin 2019/2020 por fatkeqësisht disa duhet anuluar për shkak të anës financiare”, thotë Kelmendi.

“E rëndësishme është të punoj dhe të vazhdojë të jap kontributin dhe frymën artistike për vendin tim. Megjithatë, kemi ende shumë punë”, tha krejt në fund të intervistës Kelmendi./ KultPlus.com

Të ngjajshme