U mbajt gara për “Çmimin Special Chopin Piano Fest 2019”

23 Prill, 2019 - 5:00 pm


Është mbajtur sot gara për “Çmimin Special Chopin Piano Fest 2019” që ndahet për të rinjtë. Në Fakultetin e Arteve në Departamentin e muzikës, katër garuesit e kësaj gare kishin ardhur për të shfaqur talentin e tyre në piano, shkruan KultPlus.

Është viti i tretë që është duke u dhuruar ky çmim në kuadër te festivalit “Chopin Piano Fest” i cili është mundësuar në bashkëpunim me sponsorë gjermanë. Çmimi nënkupton një koncert recital për fituesin që do të mbahet në Bon të Gjermanisë si dhe Mastarclase në Universitetin e Kelnit,  po ashtu do të bëhen vizita vendeve me rëndësi muzikore si shtëpive, muzeve të kompozitorëve dhe njohjen me kulturën e regjionit të Bonit.

Gara ka qenë e hapur për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe për studentë. Garuesit  është dashur të përgatisin një program 60 minutash, program recitali pianistik. Secili prej pjesëmarrësve ka performuar 45 minuta prej këtij programi, ndërsa pjesë obligative kanë pasur një vepër nga Beethoven-i dhe Schumann-i ose, pjesa tjetër ka qenë e lirë nga vet pjesëmarrësit që të zgjedhin se çka do të performojnë.

Në këtë garë morën pjesë 3 nxënës dhe një student. Pjesëmarrësit ishin nxënësit Vesa Berisha- 15 vjeçare, Ledian Shala -13 vjeçar dhe Lisa Sahatçiu – 14 vjeçare si dhe studenti Andi Duraku – 22 vjeçar.

E iniciatorja e çmimit për të rijnë Ardita Statovci, tha që përkrahja e të rinjve është shumë e rëndësishme sepse duke i përkrahur ata ngritët vetëdija e përgjithshme dhe edukohen brezat e rijnë.

“Mendoj që është esenciale me i përkrah të rinjtë me qenë se duke përkrahur ata ne e ngrisim vetëdijen e përgjithshme në vendin tonë për muzikë dhe bëjmë edukimin e brezave. Duke edukuar brezat automatikisht e ngrisim edhe kualitetin e jetës për të gjithë ne në vendin tonë të ri”, tha Statovci për KultPlus.

Pjesë e jurisë në këtë garë janë pianistja Ardita Statovci dhe pianisti Klevis Gjergjaj. Fituesi do të bëhet i ditur këtë të premte më datë 26 prill, në “Skenën Juvenis”. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Të ngjajshme