23 Prill, 2019 - 5:00 pm
Poezi nga Hivzi Sylejmani
Nëse e humb pasurinë, djalo,
Asgjë s’ke humbur,
Asgjë, ta dish, –
Më tha një plak dikur,
Një plak i urtë,
Kokë e përhirtë.
Nëse e humb shëndetin, djalo,
Shumëgjë ke humbur,
Shumëgjë, ta dish, –
Më tha një plak dikur,
Një plak i urtë,
Kokë e përhirtë.
Po ndodhi e humbe guximin, djalo,
Çdogjë ke humbur,
Çdogjë, ta dish, –
Më tha një plak dikur,
Një plak i urtë,
Kokë e përhirtë.
E unë i gjori mendova ç’mendova,
Axhami qëllova, pakgjë kuptova,
Por dalëngadalë nga jeta me sprova
Pohimet e plakut krejt i pranova.