25 Prill, 2019 - 7:00 pm
Gjuhëtarja Anila Omari flet për historinë e gjuhës shqipe. Teksa tregon për kontributin e albanologëve të njohur, ndalet edhe tek puna që duhet të bëjnë studiuesit e rinj në këtë fushë. Ndërsa, sa i përket futjes së gjuhës shqipe në të gjithë degët universitare, mendon se duhet që të nisë, që në klasë të parë
Anila Dedaj
Specialistët e gjuhës dhe letërsisë shqipe organizuan dje një tryezë diskutimi mbi temën “Studimet gjuhësore e letrare në Akademinë e Studimeve Albanologjike” në Akademinë e Shkencave. Gjuhëtarja Anila Omari bëri një panoramë të situatës gjuhësore, duke u ndalur tek kontributi i kolosëve të gjuhës shqipe, botimet, risitë edhe kërkesat. Profesoreshë, dr.Omari ndali gjithashtu edhe tek nevoja e rishikimit të metodologjisë së mësimdhënies dhe programeve shkollore. Përsa i përket propozimit të kryeministrit, Edi Rama, për përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha degët universitare, Omari mendon se përmirësimi i kësaj situate duhet të nisë, që në klasë të parë. Studiuesja e albanologjisë u ndal gjithashtu tek përdorimi i dialekteve në shkolla, duke thënë se është e nevojshme, që nxënësit t’i njohin përmes teksteve. Mirëpo për studiuesen, “gjuha zyrtare, e standardizuar është një”. Në përmbyllje të kësaj tryeze të organizuar nga ASA u promovua në prani të autorit dhe libri më i fundit i gjerdanit Excipere, “Ti je gjuha që flet. Baza të tipologjisë gjuhësore” nga Nicola Grandi.
Profesoreshë Omari, nëse ndalemi tek historia e gjuhës shqipe, cilat janë emrat që bënë të mundur zhvillimin e saj?
Për zhvillimin e historisë së gjuhës shqipe janë përqendruar forcat shkencore më madhore të albanologjisë shqiptare. Që nga profesor Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi e albanologë të tjerë të njohur në botë. Po ashtu edhe breza më të rinj si Bardhyl Demiraj, i ndjeri Kolec Topalli, Seit Mansaku, të cilët çuan më tej veprat, ose ngrehinën e ngritur nga albanologët e huaj në fillim të shekullit të XX-të, e mandej nga albanologë shqiptarë me në krye Çabejn.
Ju më sipër përmendët kontributin e emrave, si Eqerem Çabej, Shaban Demiraj etj., por ç’mund të thuhet për nivelin e studiuesve të rinj të gjuhës shqipe?
Emrat që përmenda janë “koka të mëdha” të gjuhësisë shqiptare e të albanologjisë. Është vështirë që të përsëriten. Megjithatë ka albanologë sot në botë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë arritur rezultate të mëdha. Kjo, edhe falë teknologjisë informatike, e cila ndihmon në përpunimin e gjuhës, në nxjerrjen e glosarëve nëpërmjet konkordancave kompjuterike të teksteve. Kjo ka ndikuar veçanërisht tek tekstet e vjetra, tek të cilat janë arritur rezultate shumë të mira.
Flasim për kolosët e gjuhësisë dhe tekste të vjetra, por ç’po bëjnë studiuesit e rinj për ta shpënë më tej punën e tyre?
Botimet kritike të teksteve të hershme i shërbejnë lexuesit të sotëm. Tekstet e përpunuara janë riprodhuar mbi botimet e vjetra të përshtatura me alfabetin e sotëm, duke ruajtur të gjitha tiparet e gjuhës së vjetër. Sigurisht që leximi i tyre kërkon një farë përgatitje, por e rëndësishme është që tekstet e vjetra janë në duart e publikut të gjerë dhe të të interesuarve. Pra janë të aksesueshme nga studiuesit e rinj.
Çfarë duhet bërë që të trashëgohet fryma e përdorimit të mirë të gjuhës shqipe edhe në drejtshkrim, artikulim etj., veçanërisht tek të rinjtë?
Të tejçohen dijet është shkolla, për këtë ka shumë rëndësi i gjithë sistemi arsimor. Tekstet, mësuesit etj., janë hallka të ndryshme të këtij sistemi, të cilat funksionojnë në mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Ka ardhur koha për një metodologji sa më bashkëkohore në mësimdhënie, pasi tekstet mesa konstatohet kanë të meta. Madje jo vetëm tekstet në vetvete, por edhe programet shkollore për gjuhën shqipe. Po flas për gjuhën, pasi kjo është fusha ime, pasi mund të ketë probleme edhe në fusha të tjera, në lëndë të tjera mësimore. Tashmë kërkohet një tjetër metodologji e mësimit të gjuhës shqipe. Jo më mësimit të paradigmave, apo të teknologjisë gramatikore, siç bëhet. Duke nisur nga programi i gjuhës shqipe për mbarë Republikën e Shqipërisë gramatika është e ngjeshur, e rrudhur edhe e rëndë.
Pra ju mendoni se duhet thjeshtëzuar programi i mësimdhënies së gjuhës shqipe?
Thjeshtëzimi i programit nuk është i mjaftueshëm. Edhe mënyra e mësimdhënies duhet të jetë e ndryshme. Pra, duhet që nëpërmjet tekstit të mësohet gramatika, jo të jepet rregulli gramatikor dhe pastaj të detajohet në shembuj.
Duhet që gramatika të mësohet nëpërmjet gjuhës së përfaqësuar në tekste të natyrave të ndryshme; letrarë, publicistikë, shkencorë, tekste të folura, tekste folklorike etj. Rregullat gramatikore duhet të dalin prej këtyre teksteve.
Ngërçet që nisin që në hallkat e para të sistemit fillor, si kanë ndikuar tek studentët. Si është në këndvështrimin tuaj raporti i tyre me gjuhën?
Të gjitha këto të meta, kanë bërë që edhe studentët të vijnë të dobët, përsa i përket përdorimit të shqipes. Shumë prej tyre kanë vështirësi në shkrim, bëjnë gabime. Madje edhe vetë studentët e gazetarisë, kolegët tuaj bëjnë gabime. Edhe pse tani, ndoshta në sajë të programit të korrigjimit automatik drejtshkrimor, nuk dalin gabime të theksuara shtypi./ Gazeta Shekulli