29 Prill, 2019 - 5:28 pm
Një ekspozitë mahnitëse me 50 fotografi të shkëputura nga filmi “Skënderbeu”, në skenat e tij të xhiruara në qytetin e Gjirokastrës është çelur sot në kalanë e qytetit e Elbasanit.
Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar PS, Taulant Balla, Prefektin Gledian Llatja dhe Kryetarin e Qarkut Bukurosh Stafa vizituan ekspozitën e çelur në kuadër të projektit “Qytete me kala”.
Ekspozita u çel në 65 vjetorin e pjesëmarrjes në Festivalin e Kanës, të të parit film shqiptar.
“Qytete me kala” është një projekti i përbashkët mes Qendrës së Artit, bashkia Elbasan, Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Ky projekt synon shkëmbimin e kulturave mes qyteteve.
Gjirokastra solli në Elbasan një ekspozitë në brendësi të kalasë së Elbasanit, ndërsa Elbasani do të shkojë ne Gjirokastër me fotografi të qytetit në vitet 1918-1920.
“Qytete me kala” bashkoi për herë të parë kalanë malore të Gjirokastrës me kalanë fushore të Elbasanit ndërsa projektit pritet t’i bashkohen edhe qytetet të tjera.
Emocionues ishte edhe koncerti i përbashkët ku kënga labe u bashkua për mrekulli me tingujt e Shqipërisë së mesme.
Ansambli “Lunxhëria”, grupi polifornik i Telepenës dhe ansambli Isuf Myzyri dhuruan një mbrëmje fantastike./k.s/ /a.g/A.T.SH/KultPlus.com