30 Prill, 2019 - 5:26 pm
Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka dëshmuar para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan tmerrin që e ka përjetuar nga forcat serbe.
Ajo e shpalosi historinë e saj të trishtë, ku si 16-vjeçare është sulmuar dhe dhunuar seksualisht, rrëfim ky që i përloti edhe disa të pranishëm në këtë kongres.
“Dua t’ju falënderoj qe ma dhatë nderin që tregimin tim ta ndaj me ju”.
“Më 14 prill kur isha 16-vjeçe një polic hyri në shtëpinë tonë dhe po e kërkonte babanë dhe vëlezërit e mi. Unë isha me nënën time. Ata na kërkuan letërnjoftimet. Pasi qe e pa letërnjoftimin tim e mbajti dhe më tha të shkoj në stacionin policor të jap deklaratë për burrat e shtëpisë. Në atë moment axha e pyeti se ‘pse po e merr vajzën’, ndërkaq polici i tha mos lëvizni se do t’ju vrasim. Nëna ime i tha ‘më merrni mua’, por ata i thanë jo se ajo është fëmijë dhe nuk është në gjendje të gënjejë se ku e ka babanë dhe vëllezërit”
“Polici më mori dhe më dërgoi në një shtëpi dhe më hodhi në dysheme. Unë fillova të bërtasë ndërkaq ai filloi të më dhunojë. Isha nën tytën e pushkës. Më keqtrajtoi. Më dhunonte dhe humba vetëdijen. Kur më erdhi vetëdija i kërkova të më vriste, por ai më tha ‘jo sepse kështu do të vuash më shumë. Dhe pati të drejtë. Më kujtohet qe e kishte dorën e plagosur dhe tha se po merrte hakmarrje nga unë meqë sipas tij e kishte plagosur UÇK-ja”
“Pasi me dhunoi, më la në një shitore aty afër dhe nuk guxova të bëj lëvizje sepse ishte fshat i bazuar me serbë. Më pas më nxori nga vetura dhe më dërgoi në atë shtëpi, dhe më dhunoi edhe një plak. Pastaj më lanë në fshat në rrugë. Eca në varrezat e fshatit sepse nuk doja të kthehesha në shtëpi”
“Ata më mësonin edhe çfarë t’u them në shtëpi – të them që kam qenë në stacion policor për te dëshmuar”
“Kur shkova në shtëpinë e axhës, ata më panë dhe nuk kanë pasur nevojë të më pyesin sepse një 16-vjeçare nuk ka çfarë të dëshmojë në polici, duke më parë edhe në çfarë gjendje fizike isha”
“Pastaj e raportova rastin në Kombet e Bashkuara, pastaj në EULEX. Kryesit e krimit janë identifikuar por tani pas 20 vjetësh ata nuk kanë dhënë llogari për atë që më kanë bërë. Janë të lirë”
“Gjithëçka që unë dua është drejtësia”.
“Sot jam nënë e dy vajzave dhe ua them atë çfarë unë kam kaluar dhe nuk do të jem në paqe deri sa të shoh drejtësinë. Kërkoj përndjekjen e krimineleve duke marre veprime imediate që do të ishte drejtësi për të gjithë të mbijetuarat”, është rrëfimi i Vasfijes në Kongresin Amerikan.