Nesër fillon manifestimi “Takimet e Dom Mikelit”

22 Shtator, 2017 - 4:10 pm

Manifestimi tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, do të mbahet nesër, më 23 shtator, në Stubëll të Epërme të Vitisë.

“Pas mbylljes së shkollave shqipe dhe represioneve të tjera ndaj kulturës shqiptare, nga ana e pushtetit represivë të Serbisë në Kosovë, në vitin 1990 ne filluam këtë manifestim në fshatin Stubëll të Epërme të Vitisë. Që atëherë në këtë manifestim marrin pjesë njerëz nga gjithë vendi, nga trojet shqiptare dhe nga shumë shtete të jashtme”, i tha RTK-së Sarë Gjergji.

Ai tregoi se në këtë manifestim, po ashtu, do të mbahet edhe ora e madhe letrare, ku do të ndahet çmimi “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, si dhe një program argëtues për të pranishmit.

Kurse Dom Jeton Thaçi, tregoi se që nga janari i këtij viti ata kanë filluar përgatitjet për këtë manifestim.

“Tani gjithçka është gati. Për këtë manifestim na ka ndihmua edhe Ministria e Kulturës edhe institucionet komunale. Programi fillon nesër në orën 9, me mbajtjen e meshës nga Imzot Dodë Gjergji, dhe përfundon rreth orës 13 e 30”, tha Dom Jeton Thaçi. Po ashtu do të mbahet edhe tribuna shkencore me temën “Pesë anarkitë e Nolit në kontekstin e sotëm të shoqërisë sonë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme