13 Maj, 2019 - 3:07 pm
Bisedë me përkthyesin e letërsisë shqipe dhe shkrimtarin e njohur rumun Marius Dobresku të dekoruar nga presidenti Bujar Nishani me Medaljen e Mirënjohjes, të nderuar me çmimin Penda e Argjendtë, po ashtu në Tiranë dhe fituesin e dyfishtë të Çmimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana Mimoza
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar z. Dobresku, lexuesi shqiptar ju njeh si një nga miqtë më të mëdhenj të letërsisë shqipe që për gati gjysmë shekulli keni përkthyer dhe e keni bërë të mundur leximin e kësaj letërsie në gjuhën rumune, a mund të na thoni si u njohët me gjuhën shqipe dhe si vendosët të mirreni me përkthimin e veprës letrare shqipe?
Marius Dobresku: Pasi erdha në Bukuresht si student i Fakultetit të Historisë – isha pra në vitin e parë, na thirrën tek Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), mua dhe Filip Teodoreskun (i cili ka qenë dhe ambasador i Rumanisë në Tiranë në fund të viteve ‘90), për të na dërguar në Tiranë, për të vazhduar për studime në gjuhë dhe letërsi shqipe. Në atë kohë MPJ kishte nevojë për specialistë në disa gjuhë të huaja, shqipja duke qenë njëra prej tyre. Kam pasur kolegë të fakultetit të cilët në të njëjtin vit kanë vajtur shumë larg në Azi, në Vietnam, Kore, Mongoli, ose më afër, në Bullgari. Ne të dy patëm fat: Shqipëria ishte, nga ana gjeografike, një vend europian, megjithëse pushteti komunist nuk ishte larg diktaturave aziatike. Në qershor të vitit 1971, duke zbritur nga avioni në aeroportin e Rinasit, para nesh hapej një botë e panjohur dhe mjaft misterioze. Ishte bota shqiptare. Ashtu që vazhdova për katër vjet Fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku, midis të tjerëve, patëm si profesor Ismail Kadarenë, i cili jepte mësime mbi letërsinë perëndimore bashkëkohore. Duke e njohur personalisht dhe duke i studiuar librat e periudhës së parë, ata të viteve ‘70, u dashurova me krijimtarinë e tij, ashtu që në fund të studimeve tema e diplomes sime ishte mbi rezistencën e popullit shqiptar gjatë shekujve të pasqyruar në romanet e Kadaresë. Pasi i dhashë të gjitha provimet, u ktheva në Rumani me një valixhe të mbushur me libra. Këtu vazhdova leximin e romaneve të tij dhe korrespondencën me të, ashtu që pas 12 vjetësh e mora përsipër ta përkthej romanin e parë, “Kronikë në gur” (1983), i cili u prit me entuziazëm nga publiku rumun. Para këtij romani, në Bukuresht u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, varianti i Foqion Miçaços, në vitin 1973. Që nga viti 1983, viti kur doli nga shtypi libri i parë im, kam përkthyer në gjuhen rumune gati 30 vepra të Ismailit, pa përmendur vjershat dhe dramatizimet pas romaneve të tij. Puna në ambientin e letërsise shqipe më është bërë një natyrë e dytë, ashtu që përveç Kadaresë jam marrë me veprat e shkrimtarëve të tjerë, si: Arbër Ahmetaj, Gjekë Marinaj, Ramiz Gjini, Rita Petro, Ermir Nika, Fahri Balliu e kështu me radhë.
Mimoza H. P.: Bazuar në punën tuaj në leximin dhe përkthimin e letërsisë shqipe, mund të themi se jeni njohës i mirë i saj, cili është mendimi juaj për zhvilllimin e letërsisë dhe kritikës letrare në Kosovë dhe Shqipëri, kohës së fundit?
Marius D.: Nuk mund të them se e njoh shumë mirë letërsinë shqipe të ditëve tona, por prapë se prapë…. duhet t’ju them se, përveç përkthimeve, merrem edhe me redaktimin e revistës së vetme të komunitetit shqiptar të Rumanisë, revista Drita. Si gazetar kisha rastin të punoj gjatë 18 viteve të fundit me tekstet e shumë krijuesve shqiptar, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova. Kam botuar poezi dhe proze nga shkrimtarë kosovar të dalluar, duke filluar me akademikun Rexhep Ismaili dhe duke mbaruar me Eqrem Bashën, Agim Vincën, Ali Podrimjën, Esad Mekulin etj. Lista është tepër e gjatë. Në vitin 2012 botova një antologji të poezisë shqipe të sotme me titullin “Misteri i lutjeve”, ku ka poetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora shqiptare. Tani, lidhur me këta shkrimtarë, problemi është mungesa e vizibilitetit të tyre jashtë vendit. Në periudhën komuniste nuk njiheshin sepse vendi ynë, Rumania, ishte një vend i mbyllur dhe rrallëherë kishim mundësinë të udhëtojmë. Pas përfundimit të studimeve, në 1975 unë shkova në Seminarin e Prishtinës, dhe më 1978 në Moldavinë sovjetike. Kaq. Librat vinin po ashtu shumë rrallë. Tani, kur njerëzit dhe vlerat qarkullojnë pa problem kryq e tërthor botës, është paradoksale së vështirësitë kanë mbetur po ato. Është prapë e vështirë të botosh letërsi të huaj, përveç asaj perëndimore, sepse shumica e shkrimtarëve të bllokut ish-komunist nuk kanë shumë autoritet dhe vizibilitet në vendin tim. Shtëpitë botuese, që janë ndërmarrje tregtare në fund të fundit, duan të fitojnë para. Dhe me shkrimtarë të panjohur kjo nuk mundet. Ashtu që është shumë vështirë të promovosh, në këtë kohë, një shkrimtar shqiptar në Rumani. Këtë vështirësi e kam edhe unë. Një fakt tjetër: para 15 vitesh, në ditët e Panairit të nëntorit (e kam fjalën për panairin e librit) Ministria e Kulturës së Shqipërisë ftonte në Tiranë përkthyes të njohur të letërsisë shqipe, të cilët takoheshin me shkrimtarë vendas, bisedonin dhe merrnin pjesë në aktivitete kulturore të ndryshme. Por, ky projekt pati jetë shumë të shkurtër. Përsa i përket kritikës shqiptare, këtë e njoh akoma më pak.
Mimoza H. P.: Jeni nga përkthyesit më voluminoz të veprës së autorit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. Që nga përkthimi i veprës së parë, Gjenerali të Ushtrisë së vdekur dhe deri sot keni bërë të mundur leximin në rumanisht të rreth 30 veprave të Kadaresë, si e zgjodhët autorin, duke u bazuar në mendimet e kritikës apo vlerësimet tuaja personale?
Marius D.: Po, kriteret e mia janë dy: në radhë të parë bazohem mbi shijen dhe përvojën letrare personale. Pra, në vleresimet intime mbi këtë apo atë autor. Kjo sepse në shumicën e rasteve, kryeredaktori i shtëpisë botuese më pyt personalisht mbi cilësitë e veprës të cilën duam ta perkthejmë. Herë të tjera, propozimin për këtë apo atë vepër e bëj vetë. Pra, vepra respektive duhet të më pëlqejë mua në radhë të parë. Po më pëlqeu, jam i sigurtë 99% se ajo ka të gjithë cilësitë për ti pëlqyer më tej redaksisë dhe publikut. Kjo ka të bejë me përvojën e përkthyesit. Kriteri i dytë është patjetër ai komercial. Këtu interesi im ka prapë diçka të përbashkët me atë të shtepisë botuese, sepse pa e plotësuar këtë kriter vepra nuk mund të dalë në dritë. Shumë rrallë kam parasysh mendimin e ndonjë kritiku. Dhe kjo nuk është indiferencë, por një gjykim praktik: në kushtet e një prodhimi letrar me përmasa “industriale”, shpeshherë specialistët nuk arrijnë të orientohen në morinë e veprave letrare.
Mimoza H. P.: Jeni edhe shkrimtar i njohur, sa ju ndihmon aftësia për të krijuar në procesin e përkthimit?
Marius D.: Po, më pëlqen të shkruaj dhe kam botuar vetë dy romane për të rinjtë – njëri prej tyre është publikuar në Tiranë në përkthimin e Dionis Bubanit. Me raste shkruaj prozë të shkurtër dhe ndonjë vjershë. Fatkeqësisht, nuk mund të krijoj ashtu siç dua dhe për këtë “fajtor” është vetë Ismail Kadare. Unë vij nga një qytet buzë Danubit, qyteti i Naum Veqilharxhit: Brăila. Është qytet më një histori mesjetare osmane, me shumë pakica kombëtare dhe me folklor qytetar shumë të pasur. Këtu janë lindur dy nga tregimtarët rumunë më të mëdhenjë: “francezi” Panait Istrati dhe Fanush Neagu. Arti i të treguarit është bërë traditë te ne. Unë jam rritur në këtë atmosferë përrallore, ku çdo familje, çdo rrugë dhe çdo shtëpi ka historinë e vetë. Pastaj Danubi, Danubi është i mrekullueshëm dhe ai vetë ka legjendat e tij. Në Rumani ka disa shqiptarë që merren me përkthimin e letersisë shqipe, por duke mos zotëruar shumë mirë gjuhën rumune është e qartë se realizimet e tyre nuk janë në nivelin e duhur. Një vepër letrare e cila vjen nga një letërsi tjetër duhet të plotësojë në radhë të parë kërkesën e cilësisë stilistike dhe gjuhësore. Sepse duke hyrë në një hapësirë linguistike tjetër, me gjithë filozofinë që përcjellë, ajo bëhet pjesë e asaj letërsie ku po hynë. P.sh. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në të dyja variantet, janë tashmë pjesë e letërsisë rumune. Prandaj duhet të tingëllojë rumanisht, të duket se është shkruar direkt në gjuhën rumune. Fakti se shkruaj çdo ditë më ndihmon shumë.
Mimoza H. P.: A mund të na flisni për praktikat tuaja të përkthimit?
Marius D.: Përkthimin e një libri unë e shikoj sikurse një provim në matematikë. Çdo fjali është një ushtrim, çdo frazë një problem. Të gjitha këto kërkojnë një zgjidhje. Duhet punuar tamam si në matematikë: me këmbëngulje dhe përkushtim. Unë e përdorë shumë rrallë fjalorin. Disa herë kuptimin e një fjale e kam shumë të qartë në shqip, gati-gati e imagjinoj objektin ose veprimin respektiv, por në rumanisht më vjen vështirë t`a shpreh. Nuk e gjej korrespondentin më të mirë. Kjo ndodh rrallë, shumë rrallë. Atëherë shkoj në dhomën tjeter dhe e pyes gruan: ja, nuk e di siç i thonë kësaj rumanisht? Dhe ajo më ndihmon. Maria ka mbaruar për gjuhë-letërsi rumune, është gazetare dhe ndihma e saj është shumë e vlefshme për mua. Kur përkthej një tekst nuk më intereson fare kuptimi mot-a-mot i frazës në gjuhën rumune dhe e riformuloj rumanisht, disa herë më zë të lartë, për të degjuar si tingëllon. Teksti duhet të rrjedh në mënyrë të natyrshme, me toponime specifike rumune. Kur isha nxënës kam marrë mësime për violinë dhe veshin e kam shume të mirë, vesh violonisti. Kur punoj nuk nxitohem. Pasi e mbaroj veprën, e lë disa javë të “çlodhet”, çlodhem edhe unë, dhe pastaj e rilexoj, ndreq gabimet dhe riformuloj frazat që nuk më duken të kënaqshme. Jam shumë ambicioz dhe ata të shtepisë botuese me të cilën bashkëpunoj, e kam fjalën për Humanitas, botuesi më i mirë tek ne, thonë për tekstet e mia që janë shumë korrekte edhe nga ana gramatikore, edhe nga ajo stilistike.
Mimoza H. P.: Përveç veprës së Kadaresë, sa është e njohur letërsia shqipe për lexuesin rumun?
Marius D.: Kadare është patjeter shkrimtari përfaqësues i letërsisë shqipe. Ambasadori më i mirë i kësaj letërsie, ndoshta ambasadori më i mirë i Shqipërisë në botë. Dhe unë krenohem me veprën dhe miqësinë e tij. Jam i sigurtë se pas Shqipërisë dhe Francës, Rumania është në vend të tretë të botimeve të këtij shkrimtari. Fatkeqësisht, shkrimtarë të tjerë të njohur nga letërsia shqipe nuk ka tek ne. Ka disa vepra të botuara, por me sponsorizim ose të financuara nga qeveria nëpërmjet organizatës së shqiptarëve të këtushëm. Kam përmendur disa prej tyre. Vitin e kaluar, p.sh., doli nga shtypi libri i Fate Velajt “Kreutztanne”, por varianti rumanisht është jashtëzakonisht i dobët. Po ashtu një libër i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, libri “Kurbani”. Përkthime të dobëta. Një përkthim i tillë hedh mbi autorin një dritë jo të favorshme dhe ai libër mund të jetë vepra e parë dhe e fundit që botohet në Rumani. Pra, roli i përkthyesit është shumë i rëndësishëm, sepse ai nga një shkrimtar i mirë mund të nxjerr një mediokër dhe anasjelltas.
Mimoza H. P.: Pas pavarësisë së Shqipërisë (1912) letërsia e Shiqpërisë dhe Kosovës ndoqën dy rrugë të krijimit. Në këtë kontekst a mund të na thoni sa është e njohur vepra e autorëve kosovarë në Rumani, a keni përkthyer dhe a keni në plan të përktheni veprat e autorëve kosovarë?
Marius D.: Mund të them me siguri se veprat e shkrimtarëve kosovarë janë gati të panjohura në Rumani. Ka disa përkthime nga poezia, disa proza të Bashës a ndonjë shkrimtari tjetër dhe kaq. Kjo vjen edhe nga mungesa e kontakteve midis shkrimtarëve rumunë dhe atyre kosovarë, dhe qeveria e Prishtines duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Të ofrojë bursa për përkthyes të huaj, të organizojë takime në kuadrin e panaireve, të sponsorizojë botimin e veprave etj. Sidomos në kontekstin aktual, kur Rumania nuk ka njohur akoma shtetin e pavarur kosovar. Kosova duhet të njihet më mirë në Rumani. Por, nuk e kam fjalën vetëm per vendin tim. Seminari i gushtit ka tjetër profil dhe nuk është i mjaftueshem.
Mimoza H. P.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht lidhur me letërsinë shqipe?
Marius D.: Përveç revistës së muajit shkurt 2019 (revista duke qenë mujore), ku kam një prozë të Ramiz Gjinit dhe dy vjersha të Dritëro Agollit, sapo kam mbaruar një vëllim me katër novela të Ismailit. Vëllimi titullohet “Kalorësi me skifter” dhe besoj së do të dalë në librari në verën e këtij viti.
Marius Dobrescu është lindur në Braila, Rumani, më 23 prill 1951. Ka mbaruar Fakultetin e Histori-Filologjisë në kuadrin e Universitetit Shtetëror të Tiranës (1975). Për shtatë vjet ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë dhe që nga viti 2001 ka drejtuar si kryeredaktor gazetën Miku i Shqiptarit (Drita), periodiku i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. U dallua si përkthyes në Rumani për përkthimin e veprës së Ismail Kadaresë. Ka përkthyer nga veprat e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe është autori i antologjisë së poezisë shqipe bashkëkohore ‘Misteri i lutjeve’. Është marrë me studime rreth historisë së komunitetit shqiptar të Rumanisë, me kulturën dhe traditat e kësaj pakice kombëtare. Është dekoruar nga presidenti Bujar Nishani me Medaljen e Mirënjohjes dhe është Qytetar Nderi i Korçës. Ka fituar dy herë Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim dhe u nderua në vitin 2006 në Tiranë me Pendën e Argjendtë. Por vlerësimin më të vlefshëm ia bëri shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili e konsideron përkthyesi i tij më i mirë dhe më besnik. /KultPlus.com