26 Maj, 2019 - 1:00 pm
Fshati Fushë-Studën do të bëhet shumë shpejt një prej destinacioneve më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor.
Fushë-Studën, zonë e cila ndodhet në Njësinë Administrative Stëblevë në Librazhd t’i ofron të gjitha, ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla fton turistët që të vizitojnë këtë zonë e cila tashmë është përshirë edhe në programin e “100 fshatrave”.
“Ju mirëpresim në Fushë-Studën, në njësinë administrative Stëblevë, bashkia Librazhd. Pjesë e projektit të “100 fshatrave”, ky fshat do të jetë shumë shpejt një prej destinacioneve të turizmit malor më të frekuentuara në Shqipëri”, shprehet ai.
Fushë-Studa është një ndër atraksionet më të bukura të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Simboli i Fushë Studën është liqeni i saj, i cili ndodhet përballë fshatit rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktoreske, dhe tërheq mijëra turistë në vit të huaj dhe vendas.
Fshati Fushë-Studën nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrorë, rekreative, traditat dhe kulturat, mundëson një turizëm të veçantë. Turistët në këtë vend mund të shijojnë, peshkim në ujërat malore, ecje sportive, alpinizëm dhe shumë atraksione të tjera që ky vend ofron. /atsh / KultPlus.com