28 Maj, 2019 - 2:30 pm
Albulena Krasniqi
Romani “Dushkaja”, i autorit Jusuf Buxhovi, është ndërlidhje paralele tematike ndërmjet historiografisë dhe anës shpirtërore. Këto dy çështje janë emblema e këtij romani bashkëkohës. Prozën e karakterizon narratori i gjithëdijshëm, i cili ngjarjen e rrëfen me procedim realist, duke specifikuar kështu vendin(atelien), ndjenjat e piktorit, e deri te konteksti kohor historik.
Në qendër të romanit kemi piktorin, një intelektual që është vazhdimisht në luftë me trazimin e brendshëm shpirtëror,shkaktuar kështu nga gjendja kritike, politike e vendit të tij. Vend ky, i dhënë me emër simbolizues në vepër : “Dushkaja”, që si titull, mund të merret si një toponim, metaforë, apo alegori, nëpërmjet së cilës autori mjeshtërisht paraqet edhe historinë e vendit në depresion. Periudha e vështirë në të cilën ky vend ndodhet, pasqyrohet mjaft mirë nga frazat e shumta në vepër.
“Po kameleonët?…Si ta zunë udhën kur ata me përshtatjen në përputhje me rrethanat nuk shqetësojnë kënd?…Shmangin ngatërresat e panevojshme, ndonjëherë edhe luftërat,madje..Me të tillë Dushkaja e harruar është plot e përplot…Janë hijeshia e saj…
Ata janë pjesë e mashtrimit më të madh me të cilin ndeshet bota.”
Në një botë pushtuar nga krimi, vrasësit me pagesë, si dhe ndërrimi i përhershëm i ushtrive, në luftërat pa mbarim, gjeneralët e pasluftës dhe komandantët e vetëshpallur, të cilët rrënojnë konceptin e lirisë, si dhe cubat, që me një fjalë nënkupton, tradhtarët e kombit.
Të gjitha këto dukuri, të ndodhura në “Dushkajën e harruar të mbushur me ferra e murriza”, vend, i cili në zemrën e piktorit, cilësohet i pastër,i pafajshëm.
Dialogu në vepër, zhvillohet ndërmjet piktorit, me “zërin”. Ky i fundit, është personazh fiktiv, që simbolizon ndërdijen e piktorit, e që ne lirisht mund të themi, se personazhi i veprës ndahet në dysh, pra, krijon alteregon e tij, duke e liruar nga vetja përbindëshin e mbyllur, gjatë gjashtëdhjetë viteve karrierë, si në agoni. Duke vendosur kështu, që ta lë të frymojë, dhe të lëvizë,e t’i kushtëzojë lojën “cicmic”, e cila artistit i shërben për të sfiduar veten në relacion me veten. Shoqërimi nga ky personazh, vjen në fillim të veprës, e qëndron deri në fund të saj, për ti shtuar kështu dramacitetin analizës së veprave artistike, si dhe shqetësimit krijues.
Kthimi në retrospektiv, ngarkon thellë psiken e piktorit, dhe loja që nga sytë e tij shihej si konceptim i luftës në relacion me zërin, përderisa vendos gurët në dërrasën e cicmicit, dilemat e veprimit të tij zgjasin dhe janë çdoherë ndërmjet triumfuesit ose humbësit, por që loja, duhet patjetër të luhet, kusht ky, që i rikujtohej nga kundërshtari pa formë!
Autori, nëpërmjet figurës së alegorisë, pasqyron qëndrueshmërinë e njeriut shqiptar, edhe përkundër dhunës e tmerrit të përjetuar. Pra, natyrisht, ky roman duhet të kuptohet më thellë, e jo në kuptimin sipërfaqësor të tij. Loja që detyrimisht luhet, figuron gjendjen e intelektualit shqiptar, i cili është pre e aparaturës shtetërore, e cila dhunon psiken dhe fizikun e atyre që nuk janë të gatshëm për bashkëpunim.
“Horri,horri!…Je mospërfillës!…Je kryengritës si gjithë soji i poshtër i krijuesve!…për këtë do ta paguash!… Mbas atyre çirrmave pashë grushtin e tij si mu afrua te hunda…Një unazë e madhe shkëlqente e gatshme të më qëllonte.”
Gjaku si element i përdorur tejmase në vepër, shtron përpara historinë e një vendi, ku gjaku si njollë famëkeqe, ka ndjekur përherë popullin shqiptar. Dhe këtë periudhë kohore, e cila jepet numerikisht në vepër, përshkon periudhën afro një shekullore.
Ndërsa shkronjën A, piktori e vendoste në fundin e çdo vepre të tij, duke treguar kështu, se krijuesi ndodhej përsëri në fillim, ani pse e përfundon atë, njëkohësisht duke përshkruar kështu edhe natyrën e tij të padefinuar.
Ndryshimet e shpeshta të temperaturës trupore të artistit, ngërthejnë kuptimin alegorik, për gjendjen dëshpëruese individualo-kolektive të popullit tonë.
Buxhovi, kërkon dritën e lirisë, për popullin e Dushkajës, dhe mëkëmbjen e saj, nga e kaluara e errët historike, si dhe kërkon të fshihen gjurmët e së tashmes, të përfaqësuara nga motivet kameleonase.
Ky roman, ndërlidh mjaft mirë elementin historik me atë letrar, duke na dhuruar kështu realitetin e Kosovës së pasluftës, përmes gjuhës metaforike të autorit mjeshtër./KultPlus.com