1 Qershor, 2019 - 12:00 pm
Elvis Hoxha
Bërnabiqi, kryeministrja serbe, nuk tha asgjë të re apo ndryshe nga edukimi i saj i natyrshëm, edukim që ajo e ka marrë në familje, në popull, në shoqëri, në institucionet e shtetit të vet, dhe sidomos prej akademisë serbe të shkencave. Sepse arritja më e madhe shkencore e akademisë serbe, kontributi i saj botëror, ka qenë tema e spastrimit etnik.
Ne jemi malokë, ndërsa serbët civilë e në natyrën e civilit gjendet mendimi i vrasjes dhe varrezave masive, përdhunimi kolektiv i grave, përsëritja institucionale dhe sistematike e krimit, djegia e shtëpive dhe grabitja e trashëgimisë kulturore. Zhdukjen e indianëve, kampet e përqëndrimit, snajperat që gjuajnë nga mali, të zhdukurit, rrahjen dhe burgun politik nuk e shpiku as maloku e as pyllori, por ai që rritet civil dhe mes burgut (rrënja e fjalës qytet nuk është kot burg – etimologët ta mbajnë veten).
Civilët ndërkombëtarë nuk kanë thënë gjë, ashtu siç nuk kanë reaguar as për shprehjen e Vuçiqit mbi Milosheviqin, “këtë burrë të madh shteti që nuk e përmbylli detyrën”, pra zhdukjen e tërë malokëve dhe muslimanëve. As mos të presim se ata do të shprehen në këtë pikë. Ndërkombëtarët kanë qenë të qartë gjithnjë me ne: ata na kanë mbrojtur në planin ekologjik, si lloj në zhdukje, por jo si njerëz. Mes njerëzve është quajtur civil ai që disponon armën më vrastare.
Ne malokët kemi vetëm një faj, jo sepse jemi malokë, por sepse jemi injorantë në kuptimin politik dhe zgjedhim më injorantët e i vendosim në krye të shteteve tanë. Dhe krerët injorantë të malokëve kanë për aftësi të bëhen servilë të civilëve më vrasës. Këta ndërtojnë polici kundër popullit të tyre, vishen mirë, blejnë kravata dhe kostume të shtrenjta, vjedhin tërë pasurinë publike të shoqërisë së tyre. Mendojnë se do u pëlqejnë civilëve ndërkombëtarë apo shefave të pushtuesve. Maloku ka vetëm një virtyt: kompleksin e inferioritetit.
Ne malokët do të zhdukemi dhe do t’i lëmë civilët të qetë. Dhe ky do të quhet stabilitet. Por fill pas zhdukjes sonë, civilët do të gjejnë një grup tjetër njerëzish e do t’i quajnë malokë, për me i zhdukë. Sepse civili ka aftësinë që prodhon kudo dhe kurdoherë barbarinë. Bërnabiqi dhe Mogherini janë fytyrat më të fundit të këtyre civilëve terroristë.
U mbetet detyrë intelektualëve të perëndimit të shquajnë dhe të mbajnë anë mes ne malokëve barbarë dhe civilëve terroristë./KultPlus.com