8 Qershor, 2019 - 11:30 pm
Me organizim dhe nën drejtimin e politologes dhe gazetares, Vjollca Hajdari, kryesuese e organizatës „Dialogu i Hapur Ndërkombëtar“OID, në Berlin, u promovua libri „Lufta e Kosovës 1999, në mjediset e Universitetit për Shkenca të Aplikuara, „EBC“në Berlin.
Ky prezantim i librit u realizua me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, 20 vjetorit të intervenimit të NATOS dhe 20 vjetorit nga lufta e Kosovës. Mbrëmjen e ka hapur Prof.Dr. Frank Schaal, Akademik në këtë Universitet, ndërkaq nënkoloneli, Dr. Hans-Peter Krieman, ushtarak i Bundeswerit gjerman, ka mbajtur një ligjëratë, ku ai ka shpalosur pjesë të librit dhe ka rekapituluar kohën e luftës. Qellimi i promovimit është zgjimi i vëmendjes tek opinioni dhe mediat gjermane, të cilët 20 vjet pas lufte, nuk e kane në agjendë sa duhet çështjen e Kosoves, ka thënë Vjollca Hajdari.
„Libri ishte edhe një mjet për të reflektuar, se si ka ndikuar lufta e Kosvës në arenën ndërkombëtare e veçanërisht në politikën gjermane“, është shprehur ajo. Hajdari ka theksuar se kohëve të fundit po tregohen tendenca, për të paraqitur intervenimin e NATOs, si të gabueshëm, prandaj kjo ishte edhe arsyeja, përse ne duhet të demantojmë këtë qëndrim dhe t’i kundervihemi tendencave të tilla“,ka thënë politologia shqiptare. Krahas negocimeve urgjente të udheheqësve botërorë, libri „Lufta e Kosovës 1999“,pasqyron ndër të tjerash ndarjen në dysh të popullit por edhe të politikës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte hera e parë që Gjermania në vitin 1999, u fut prapë në Luftën e Kosovës. E paharruar mbetet fotoja e Ministrit të atëhershëm të Jashtëm Gjerman, Joschka Fischer, që u qëllua me bojë nga publiku. „Përkundër dilemave gjermane, ndërhyrja e NATOs ishte e domosdoshme, pasiqë përmes sulmeve u parandalua katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë“, ka thënë ushtaraku gjerman. Nenkoloneli Dr.Kriemann shfaqi para të pranishmëve foto të luftës dhe u përqëndrua në veçanti në Masakrën e Reçakut, duke përmendur jehonën që shkaktoi deklarata e Diplomatit amerikan William Walker në mbarë botën. Më tej ai demonstroi pamje nga dëbimi i shqiptarëve dhe karvanet e të ikurve, ndër ta gra, burra, pleq e femijë. Libri „Lufta e Kosovës“ ka zgjuar interesim tek publiku gjerman dhe ai shqiptar por ngjalli edhe emocione nga bashkatdhetarët, që kanë ardhur në Gjermani si refugjatë të luftës. Ky libër është prezantuar edhe në Potsdam, në praninë e Diplomatit Gjerman, Wolfgang Ischinger, ndërkaq që promovimi i librit në Berlin u realizua me bashkëpunim të Organizatës „Dialogu i Hapur Ndërkombëtar“ OID dhe Universitetit EBC.