13 Qershor, 2019 - 3:00 pm
Mbyllin përkohësisht dyert dhe ndërpresin aktivitetin dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës.
Ata janë muzeu kombëtar I arsimit, I njohur ndryshe si muzeu I Mësonjtores së parë Shqipe dhe muzeu arkeologjik.
Shkaku që këto dy qëndra muzeale mbyllen për një afat të pa caktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.
Gjergji Koki, drejtor I Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarë për këto objekte.
Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë muzeu I arsimit dhe ai arkeologjik.
Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjtores së parë Shqipe, nuk I përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.
Mbyllja e dy qëndrave muzeale në Korçë, është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor.
Ende nuk dihet se kur këto qëndra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa muzeu kombëtar I arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.