Lola Sylaj e Dardan Zhegrova sonte me ekspozitë në Stacion

27 Shtator, 2017 - 10:58 am

Qendra për Art Bashkëkohor-Stacion, sonte hap ekspozitën personale ‘Rosehip’ (Trëndafili i egër) nga artistët Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë hapet sonte më 27 shtator me fillim nga ora 20:00 në Klubin e Boksit në kryeqytet ndërsa do të qëndroj e hapur deri më 21 tetor.

Rosehip kontsruktohet mbi hulumtimin artistik me vendndodhje në New York, bazuar në film, performancë dhe muzikë. Ky projekt rikrijon skena filmash të njohur që kanë pasur identitet vizual të madh të cilin e kanë transmetuar përmes kinemasë.
Duke qenë fizikisht prezent në një vend të përjetuar së pari virtualisht dhe duke ndjerë që “magjia” e kinematografisë tashmë është larguar, artistët sjellin pyetjen se çfarë na servohet për perceptim por dhe në të njëjtën kohë sjell nevojën tonë për të arrirë dhe mishëruar këtë magji nëpërmjet Rosehip.

Ne jemi ajo çka shohim në televizion dhe në mediet e popullarizuara. Pa marrë parasysh ku jetojmë, identiteti ynë ndikohet shumë më shumë nga filmat, muzika dhe media sesa ambienti që na rrethon.

Stereotipet e konstruktuara nga reportazhet mediale mund të shihen si modele për të tu ndjekur dhe në të njëjtën kohë të funksionojnë si memorial që është neglizhuar nga vetëdija kolektive. Ajo që ne përjetojmë virtuailsht mund të mos jetë e vërtetë por formëson idetë dhe gjykimet tona mbi normat dhe shoqërinë.

Trëndafili i egër je ti, Trëndafili i egër jam unë, Trëndafili i egër jemi ne, Trëndafili i egër janë ata, Trëndafili i egër është ai dhe ajo, Trëndafili i egër është një qen, Trëndafili i egër është një shishe, Trëndafili i egër është një tavolinë.

Pas zbarkimit në lokacionin e hulumtimit magjia humbi, artistët ishin duke e kërkuar magjinë dhe vazhdonin ta shihnim larg. Trëndafili i egër është një lule e egër e rritur pa diell, pa kujdes, rritet në hije, gjithkund.

E gjitha është vetëm një tortë!

Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova punojnë si duo por edhe në mënyrë të pavarur me artistë të tjerë.

Lola Sylaj është pjesë e HAVEIT, një kolektiv i 4 grave artiste arti i të cilave rebelohet me furi kundër fuqisë, nacionalizmit, diskriminit ndaj LGBT-ve dhe shtypjes së grave që dominon në shoqërinë e Kosovës. Ato poashtu punojnë për të ilustruar përpjekjen e tyre me vështirësitë e përditshme me të cilat konfrontohen shumica e qytetarëve sot. Performancat e tyre artistike shpesh vihen në skenë nëpër hapësirat publike.

Puna e Dardan Zhegrovës luan me rrjedhjen në mes gjuhës dhe përkthimit të saj në një reprezentim vizual. Në veprat e tij emocioni përdoret si medium artistik që potencialisht mund të veprojë si qëllim për të vënë në pyetje supozimet tona mbi intimitetin dhe të shprehurit. I njohur më së shumëti për videot e realizuara, artisti mund të shikohet si poet në një kohë ku përafrimi fizik po zëvendësohet nga disponueshmëria e kudogjendur përmes mjeteve moderne të komunikimit.
Dardan Zhegrova përfaqësohet nga LambdaLambdaLambda.

‘Rosehip’ me Lola Sylajn dhe Dardan Zhegrovën është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe pjesë përbërëse e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova janë fituesit e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2016./ KultPlus.com

Të ngjajshme