18 Qershor, 2019 - 2:45 pm
Kur të takohemi në qiell
(Mlladenës, në ditëlindjes e saj të 60-të)
Miro Gavran
E dashura ime në qiell kur të takohemi njëherë
Ti do të jesh me një fustan të bukur qiellor
Të thurur nga rrezet e diellit dhe retë kaltëroshe
Dhe mua nuk do të më ha palla për modën
Sado që ne burrat
Asnjëherë nuk jemi ngopur me te
E megjithëkëtë do të ta them
Se rrobat të paskan hije për mrekulli
Se je më e bukur se asnjëherë tjetër më parë
Dhe do të të thërras për një pije
Në kafeterinë qiellore aty pari
Dhe të lus të mos më tallësh
Të mos më refuzosh
Vetëm ngaqë nëpër qiej askush nuk pi
Por bëhu thuajse jemi njerëz të zakonshëm të mishit e të gjakut
Për të cilët asgjë njerëzore e huaj nuk është
Dhe ta dish nuk më bënë aq për pijet
As për muzikën për të cilën shpesh na qortonin
Se vetëm për afërsinë tënde për bisedën me ty mua më dhemb
Ngaqë e ndjej se edhe pas gjithë atyre viteve që i lamë pas shpine
Aq shumë njëri-tjetrit kemi për t’i thënë në ditën e ndarjes tokësore
Dhe prandaj të lus që në qiell të jesh
Po ajo siç ishe kur ecnim mbi tokë
T’i lësh mënjanë dijet hyjnore që do t’na dhurohen
Në momentin e vdekjes sonë
Të lus në takimin me mua edhe më tutje
Të jesh po ajo qenia e hutuar njerëzore me të gjitha cenet e jetës
Dhe shtiru thuajse të pëlqyeka lajkatimi im
Mos u tall me mua dhe mos ma kthe shpinën
Vetëm pse edhe atje lart do të të josh
Si të isha një bandill i padjallëzuar
Që s’do t’ia di për rregullat e logjikën
Sepse e dashura ime
I sigurt jam se edhe në qiell
Do të të dua
(Kjo poezi këtë vit është shpërblyer me Çmimin “ZVONIMIR GOLUB” për poezinë më të mirë të dashurisë të pabotuar, Koprivnicë, dhe me Çmimin “Dielli i Crikvenicës” të Takimeve të Letrarëve të Adriatikut., Kroaci. M. Gavran (1961) është poet, prozator dhe dramaturg bashkëkohor kroat, dramatisti më i përkthyer dhe më i shfaqur brenda dhe jashtë Kroacisë).
Përktheu dhe përgatiti: Besim Rexhaj