2 Korrik, 2019 - 10:53 pm
Filmi i metrazhit të gjatë “The Stroke” i regjisorit Isa Qosja do të fillojë xhirimet në gusht të këtij viti në vendlindjen e tij në Vuthaj, Plavë e Guci, shkruan KultPlus.
Ky film është bashkëpunim midis Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi ndërsa së fundi ka marrë mbështetje prej 80 mijë eurosh nga Euroimages. Lajmin e ka bërë të ditur producenti Bajrush Kajtazi, i cili ka thënë se e kanë hapur rrugën drejt realizimit.
“Filmi “The Stroke” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, mbështetet edhe nga Eurimages me 80.000 euro. Ky film është bashkëprodhimi i parë zyrtar mes Kosoves, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ky bashkëprodhim ishte një ndër 23 projektet që fituan në mesin e 65 aplikuesve”, ka shkruar producenti Kajtazi.
Ajo çfarë e bën më të veçantë filmin përkatës është se për herë të parë trajtohet vendlindja e regjisorit Qosja dhe trajtohet një plagë e madhe e atij vendi, emigrimi gjigant i shqiptarëve.
“Dua të shpreh qëndrimin tim për filmin “The Stroke”, jo vetëm për faktin që ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm “Kukumi”, “Tri dritare dhe një varje” etj, por edhe për faktin që pas shumë vitesh kthehem në vendlindje Guci, Mal të Zi për ta realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetrit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu ngadalë dhe heshturazi shuhen familjet, qytetëzat, fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit”, pati thënë në një deklaratë më heret Isa Qosja.
Ekipi i këtij filmi është një ekip e përzgjedhur me një specifikatet të jashtzakonshëm nga ana e regjisorit, i cili nuk ka hapur audicion por i ka menduar mirë aktorët të cilët mund të gërshetojnë rolin e personazheve të portretizuar në skenar.
Në rol kryesor është Arta Dobroshi, aktorja kosovare e cila bëri bujë të madhe në Hollywood, Mirush Kabashi, Arben Bajraktaraj, Shkumbin Istrefi dhe aktor të tjerë të cilët përmbajnë pas vetes një bagazh të madh në kinematografi.
Ndërsa sa i përket ekipit realizuese Qosja përseri do të bashkëpunoj me kameramanin turk Gokhan Tiryaki i cili është emër i njohur për artin botëror, puna e të cilit është shpërblyer edhe me çmime të shumta.
Isa Qosja është figurë e rëndësishme në kinematografinë shqiptare e sidomos në atë të Kosovës, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshem duke e prezantuar Kosovën në festivale prestigjoze dhe duke u shpërblyer me çmime të ndryshme. Disa nga filmat e Qosjes të cilët bën jehonë në gjithë botën janë “Tri Dritare dhe një Varje” (2014), “Proka” (1985), “Rojet e Mjegullës” (1988) dhe “Kukumi” (2005).
“The Stroke” është prodhim i 4mm Production dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe Qendra Kinematografike e Malit të Zi, si dhe nga Euroimages.
Euroimages është fondi për kulturë i Këshillit Evropian./KultPlus.com