8 Korrik, 2019 - 10:40 am
Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.
Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.
Së fundmi ka filluar procesi i konsolidimit dhe restaurimit të ikonës “Krishti Pantokrator” në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Ikona e shek. XVII me vlera të rralla artistike, ka qenë pjesë e ansamblit të ikonostasit të kishës “Shën Kristofori” në Polenë të Korçës.
Elementët stilistikë që dolën në pah pas restaurimit tregojnë se ikona duhet t’i përkasë shek. XVII. Ajo duhet të jetë punuar në një nga atelietë e rëndësishme të zonës së Korçës./ATSH/KultPlus.com