Artistët forcojnë zërin në mbrojtje të xhevahirit të egër të Evropës

29 Shtator, 2017 - 2:32 pm

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë concert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Në Shqipëri planifikohet ndërtimi i më shumë se 500 hidrocentraleve, fakt i cili kërcënon të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. Eksperiencat e kaluara na tregojnë se formatet e solidarizimit, thirrjet për bashkim në kauzë, ndërgjegjësimet kolektive, shumica (fatkeqësisht) nuk i kuptojnë, me dashje ose pa. Politikë-bërësit nuk duan t´ja dinë. Por as artistët nuk duan t´ja dine. Solidarizim, duhet të tregojnë të gjithë ata që kanë një fije atdhetarizmi, ndjejnë akoma se kanë ende lidhje me mëmë-dheun, se kjo kauzë ju përket edhe brezave të ardhshëm dhe kush është indiferent i bën dëm të pakthyeshëm të ardhmes së vet dhe pasardhësve. Fakti që politikë-bërësit nuk përfillin fare edhe kur bëjmë tubime /protestë /koncert etj., kjo na forcon më fort zërin. Janë shkelur konventa dhe ligje kaq hapur, ndaj dhe çështja ndodhen në gjykatë, dhe kështu ajo do të shkojë qoftë dhe në atë ndërkombëtare. Nuk mund të lihet diçka kaq madhore në ndërgjegjen e njerëzve skepto-apatikë që i ua kanë gozhduar trutë me propagandë-konsumizmi, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më datë 18 tetor, nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme