10 Korrik, 2019 - 11:00 pm
11-vjeçari Tyler Butler-Figueroa u prezantua në kompeticionin shumë të shikuar amerikan, ku dhuroi shumë emocione në sallë.
Ai u përball me përqeshje në shkollë pasi që kishte kancerin, mirëpo tani është yll, pas pjesëmarrjes së tij në “America’s Got Talent”.
E kjo jo vetëm për shkak të talentit të tij në luajtjen e violinës, por edhe për shkak të historisë së tij prekëse.
Tyler nga Karolina e Veriut u tregoi anëtarëve të jurisë se pasioni i tij për violinën kishte nisur si një tentativë për t’u larguar nga talljet në shkollë, kur atij i kishin rënë flokët gjatë trajtimit me kimioterapi, për shkak të leukemisë. Shokët i largoheshin dhe përhapnin thashetheme duke thënë se “kanceri i tij ishte ngjitës”.
“Kur luaj në violinë, më ndihmon të harroj gjërat e këqija”, tregoi Tyler.
Talenti 11-vjeçar tregoi se ai nuk donte të ishte më djali me kancer, kështu u bë djali që i bie violinës, përcjell Gazeta Express.
E megjithëse nëna e tij ishte e habitur me zgjedhjen e të birit për të luajtur violinën, pasi asnjë pjesëtar i familjes së tyre nuk i kishte rënë kurrë ndonjë instrumenti muzikor, kur e pa se sa i lumtur ishte i biri, ajo vendosi ta mbështeste.
Tyler ishte diagnostikuar me kancer kur ishte 4 vjeç e gjysmë, e tani katër vjet më vonë, ai e ka mposhtur sëmundjen edhe bulizmin e ushtruar ndaj tij.