30 Shtator, 2017 - 5:18 pm
11 vite studim të hollësishëm mbi arkitekturën, historikun dhe teknikat e ndërtimit të kullave mesjetare të sahatit në trojet shqiptare, janë finalizuar me një ekspozitë, e cila ka sjellë mbrëmë në qytetin muze të Beratit 62 vepra në grafikë dhe një në pikturë.
Dritan Çoku, një emër i njohur në fushën e arkitekturës dhe trashëgimisë në këtë qytet ka sjellë mbrëmë për publikun nëpërmjet artit të grafikës artistike dhe pikturës dokumentimin e kullave të sahatit në 41 qytete shqiptare.
Modifikimi i mekanizmit nga orë matëse me tingull në mekanizëm me fushë ore është studiuar nga arkeologu Çoku, i cili ka sjell pamjet e kullave të sahatit nga qytete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Ishin tregtarët shqiptarë, të cilët kishin kontakte të shpeshta me qytetet evropiane, të cilët sollën mekanizmat e orës, ndërsa ndërtuesit vendas materializuan këtë sukses të mendimit njerëzor në vendin e tyre, duke krijuar kullat e sahatit si objekte për përdorim kolektiv për kohëmatje. E gjitha kjo ka tërhequr vëmendjen e studiuesit Çoku, i cili i ka kushtuar vite të gjata pune studimit të historikut të tyre.
Ekzistencën e këtyre sahateve autori e ka studiuar nga afër nga pikëpamja arkitekturore, nga ana historike dhe mënyrat e ndërtimit, për tja prezantuar më pas publikut në grafikë dhe pikturë. Hapja e ekspozitës ka tërhequr mbrëmë vëmendjen e studiuesve, historianëve dhe artistëve, të cilët ishin mbrëmë në galerinë e qytetit në çelje të saj.
Gjithë studimin fizik, por dhe dokumentimin për ato raste që kullat e sahatit nuk ekzistojnë, synojë që ta sjell së shpejtë në një monografi, pasi ndërtimi i kullave të sahatit në gjithë trojet shqiptare është një veçori, është diçka e rrallë, u shpreh Dritan Çoku.
“Ashtu si në viset e tjera të Ballkanit edhe në trojet shqiptare, ndërtimi i kësaj trashëgimie arkitektonike bëhej zakonisht në mjediset më të gjallëruara dhe më të dukshme të qyteteve, në sheshet e pazareve, pranë xhamive kryesore, apo vende të ngritura brenda kështjellave, tha Çoku. Për mungesë të dokumentacionit ilustrativ deri tani, këtyre qyteteve në vazhdim do ti shtohen edhe disa të tjerë me këtë kategori ndërtimore. Por, duket qartë dhe bindshëm se, ndërtimi i kullave të sahatit në trojet shqiptare është një veçori, diçka e radhe kjo për qendrat e tjera turke në periudhën osmane”, pohoi ai.
Për Faruk Borovën, një emër i njohur në fushën e trashëgimisë dhe kulturës në Shqipëri, kryetar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe qytetërimit Islam, që mbështeti hapjen e kësaj ekspozite studime të tilla e nderojnë qytetin e Beratit, pasi është një punë përveçse voluminoze dhe mjaft cilësore. / KultPlus.com
Erjola Azizolli