19 Korrik, 2019 - 3:32 pm
Erza Muqolli për herë të parë do të prezantohet para audiencës kosovare, e cila është figura e edicionit të tretë “Ta zbardhi ftyrën”, projekt ky brenda platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.
Erza Muqolli e cila me hapa gjigant është duke shënuar suksese në vendet frankofone, fillimisht si fëmijë e tashti edhe me lansimin e këngës së parë të albumit solo, album që pritet të lansohet së shpejti, po vjen në Kosovë në fund të muajit korrik.
“Tashmë gjithcka është e konfirmuar. KultPlus sivjet do të shënojë edicionin e tretë të ngjarjes kulturore “Ta zbardhi ftyrën”, që organizohet nga KultPlus, dhe që ka për qëllim paraqitjen e artistëve me ndikim në botën e jashtme, sikurse që është duke e shënuar një sukses të tillë edhe Muqolli në Francë dhe jo vetëm”, ka shpjeguar Ardianë Pajaziti, themeluese e platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.
Pajaziti ka bërë të ditur se kjo ngjarje kulturore do të mbahet më 30 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare prej orës 20:00, ku Erza Muqolli para të pranishmëve do të tregojë për rrugëtimin e saj në Francë, sikurse që do të jetë edhe pjesa e performancës së saj.
Kjo ngjarje kulturore është mbështetur nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ministria e Integrimeve.
Kjo mbrëmje në Kosovë vjen menjëherë pas paraqitjes së Erza Muqollit në Francë, e cila është prezantuar në një koncert që është ndjekur nga 40 mijë të pranishëm.
Erza Muqolli është shprehur e kënaqur që po shënon paraqitjen e saj të parë para audiencës kosovare, dhe pikërisht kjo paraqitje po ndodhë nëpërmjet gazetës online për art dhe kulturë KultPlus.
“Ta zbardhi ftyrën” edicionin e parë e ka nisë me Sislej Xhafa e Imer Kutllovcin, edicionin e dytë e ka shënuar me Flaka Gorancin, kurse sivjet do të shënohet me Erza Muqollin./KultPlus.com