25 Korrik, 2019 - 6:15 pm
Dhjetë vjet pas realizimit, vijnë rrëfimet e regjisorit dhe aktorit kryesor të filmit “Moon” (Hëna) të vitit 2009 – film ky i vlerësuar me nota të larta nga publiku dhe nga kritika.
Duncan Jones, regjisor: Doja që Sam Rockwell të luante keqbërësin në filmin “Mute”, një film të cilin më vonë bëra për kompaninë Netflix. Por, ai donte të luante një djalë të klasës punëtore. Të dy ne i pëlqenim filmat e fantashkencës, ato të viteve 1970-80 – si “Silent Running”, Alian” apo “Outland”. E pëlqenim edhe ndjesinë e reales dhe tokësores në hapësirë, me ato rutinat ditore që ngjanin me punët në Tokë. Ndaj, thash: “Të shoh nëse mund të shkruaj diçka”.
E ndërtova rrëfimin rreth një njeriu që gërmon në minierën “Helium-3” në Hënë, e që e takon klonin e tij. Nathan Parker pastaj e shkroi skenarin. Baza e Hënës quhet “Sarang”, një fjalë koreane për dashurinë, meqë atë kohë isha në një lidhje të gjatë në distancë me një vajzë nga Koreja e Jugut. Frustrimi dhe ndjenja e izolimit që ndjen Sam Bell, personazhi kryesor, padyshim se ishte diçka që e zhvilloja. Gjithashtu, mendova se ka diçka interesante në mundësinë për ta takuar veten në një pikë tjetër të jetës, ta shohësh një person të pjekur në ndërveprim me një të papjekur e më emocional. Kjo sigurisht është mënyra se si kam ndryshuar unë gjatë rritjes time.
Cimeri im, Gavin Rothery, bënte art konceptual. Ai ia dha pamjen bazës së Hënës dhe Gerty-t – robotit me zë të aktorit Kevin Spacey. Teksa punonim në Londër, porositëm shumë ushqim nga restoranti “Mexicali” në Rrugën “Fulham”, sa që përfunduam duke i përdorur kutitë e tyre për racionet hapësinore të Samit. E ndërtuam bazën e Hënës si një set i plotë me 360 shkallë që ta kishim gati trupën dhe ekipin që në ditën e parë. Kjo na dha vetëbesim, edhe pse kushtonte afërsisht sa një e treta e buxhetit tonë prej pesë milionë dollarëve. Është mjaft e vështirë të bësh një film me buxhet të ulët pa u shqetësuar për: “Oh, nuk mund ta vë këtu, sepse s’kam shumë skenografi”.
Dëshironim që gjërat të dukeshin sa më reale që të jetë e mundur. Shumë dashuri dhe vëmendje u kemi kushtuar modeleve të automjeteve në miniaturë, por ato kishin nevojë për ekstra efekte vizuele, si p.sh. pluhuri të dilte nga rrotat. Pastaj ka pasur probleme te ndërveprimi mes dy Sam-ve.
Në ditët e sotme, ky lloj i performancës së shumëfishtë, të arritur me CGI, është mjaft i lehtë, por ishte shumë më i vështirë dikur. I kemi zgjedhur skenat që japin pamjet më mbresëlënëse të dy kloneve që publiku të mos ndihej i mashtruar. Për skenën e luftës, Sam luftoi me një kaskader i cili kishte vënë një çorape të gjelbër në kokë e të cilën e ndryshuam në mënyrë digjitale më vonë.
Nuk mendoj se “Moon” ishte negativ në lidhje me teknologjinë, por nuk ishte as pozitiv. Tash për tash kam më shumë etje për teknologjinë shpresëdhënëse, sepse vërtetë kemi nevojë për të. Si e nxjerr njerëzimi veten nga kjo telashe? A mund ta shohim me ngazëllim të ardhmen? “Moon” u realizua 10 vjet më parë dhe është e habitshme se sa shumë bota ka ndryshuar.
Sam Rockwell, aktor: Ka prirje te çdo aktor që ta kontrollojë çdo skenë, kështu që kur je duke i luajtur të dy rolet e ke prapë këtë ndjesi. Por, “Moon” ishte gjë e tmerrshme: sigurisht, një tronditje. Për të dalluar klonet, nisa të improvizoja me mikun tim aktor, Yul Vazquez, dhe Duncan na filmonte. I dëgjoja komentarët në DVD që aktori Jeremy Irons i bënte për filmin “Dead Ringers” ku luante binjakët, e ku fliste për energjitë e kundërta. Kjo është ajo që bëmë: një gjë alfa/beta. Një klon kishte qenë atje i vetëm për tre vjet, kështu që ishte pak si një Robinson Crusoe, pak si i shkarë. Tjetri ishte plot me testosterone.
Duncan i inkorporoi të gjitha këto në skenar, por ishte i shqetësuar nëse audienca nuk do ta dinte se kush është kush. Kishim një bisedë të gjatë në lidhje me përdorimin e një paruke, gjë që nuk ishte e mirë. Thashë: “Nuk mendoj se duhet ta bëjmë këtë”. Kjo nuk do të funksiononte gjatë tërë filmit. I detyrova për të përdorur veshje dhe kozmetikë për t’i dalluar. Bëmë rroba të rehatshme dhe grim të duhur për njërin klon, e rroba të lehta për tjetrin. Kemi përdorur rekuizita, si syze leximi dhe kapele, dhe vodhëm kollën – e personazhit Ratso Rizzo, nga filmi “Midnight Cowboy” – për klonin e sëmurë.
Shumë kohë kam luajtur përballë një topi tenisi në një këmbalec, ose përball aktorit Robin Chalk që dukej si unë nga mbrapa. Shkoja për ndërrim grimi dhe rrobash dy ose tri herë në ditë – sepse përpiqeshim të kompletonim skena të tëra. Ishte përvojë e vështirë. Kishte një grevë të skenaristëve, kështu që ishim vetëm në studion “Shepperton”. Isha si murg në atë kohë, duke shkuar në palestër dhe duke ngrënë pulë, duke mbështjell cigare dhe duke pirë kafe.
Është një hap i madh në karrierën time, meqë është cilësuar si film jashtë shablloneve. Ka ndihmuar në ringjalljen e fantashkencës intelektuale, siç janë filmat “Disctrict 9” dhe “Ex Machina”. Kush e dinte se filmi do ta ketë këtë jetë?