Murale e filma për nënën natyrë në kuadër të Green Festivalit

26 Korrik, 2019 - 9:30 am

Në Mitrovicë janë duke vazhduar aktivitetet kulturore e sociale në kuadër të festivalit Green.

Nën udhëheqjen e artistes Rienke Enghardt nga organizata Hope Box – Amsterdam, në hapësirat e 7Arte u organizua dialogu artistik për problemet mjedisore që kërcënojnë vendin si dhe gjithë globin.

Të rinjtë shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me çështjet mjedisore, me ç’rast u ngritën çështje të ndryshme si dhe u dhanë ide të ndryshme kreative se si t’i përçojnë këto çështje në forma më kreative që do përdoren si,fluturake ereje dhe si dekore për skenën.

Mimoza Istrefi, fasilitatore e takimit para të pranishmëve shtroi çështjet mjedisore që e kërcënojnë Kosovën dhe qytetin e Mitrovicës, duke filluar nga prania e lartë e dioksidi i karbonit nga shfrytëzimi i thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike. Në anën tjetër në qytetin e Mitrovicës, ka probleme si deponia e mbeturinave në Gërmovë të Koshtovës dhe niveli i lartë i plumbit në ajër si rezultat i mbetjeve industriale.

Artistja Fio Silva punoi një mural, enkas për nënën natyrë, duke e shenjëzuar Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”. Nata e sotme po ashtu u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija” realizuar nga Gazmend Bajri. / KultPlus.com

Të ngjajshme